Tag: njeriut

  • Muhamedin Kullashi: A ishte kritika e Nietzsches mbi Etikën e Kantit e qëlluar

    Muhamedin Kullashi: A ishte kritika e Nietzsches mbi Etikën e Kantit e qëlluar

    Nga Muhamedin Kullashi

    Friedrich Nietzche (Niçe,1844-1900) shquhet edhe si kritik i ashpër i etikës së Kantit (1724-1804). Kjo kritikë është zhvilluar në veçanti në veprat “Përtej së mirës dhe së keqes” (1886) dhe “Gjenealogjia e moralit”(1887). Vepra këto ku Nietzche shpalosë njerin nga koncepcionet më origjinale në historinë e filozofisë mbi moralin dhe teoritë mbi të.

    Ky origjinalitet shtjellohet nëpërmjet kritikës së teorive mbi moralin, duke filluar nga ajo e Platonit e deri te ato te mendimtarëve bashkëkohor. Thënë shkurt, sa i takon etikës së Kantit, Nietzsche i drejton kritika që synojnë të godasin thelbin e saj : njera ka të bëjë me ambicien e Kantit që të formësojë një etikë me karakter univerzalist, etikë e cila nuk do të vlente vetem për një grup individësh, për një popull, për një kulturë apo për një qytetërim por për njerëzimin në përgjithësi.

    Kritika tjetër ka të bëjë me pikëpamjen e Kantit mbi njeriun, i kunduruar si qenie e cila është e ndarë dhe e përçarë thellësisht midis arsyesë dhe anëve të tjera që e përbëjnë : ndjenjave, imagjinatës, pasioneve, instikteve, të cilat ai i përmbledhë ndonjëherë në një sferë, në sferën e « natyrës » brenda njeriut. (Kanti e gjen lidhjen midis kêtyre dy sferave nê fushên e estetikês nê Kritika e aftêsisê së tê gjykuarit)

    Etika si sundim i arsyes mbi trupin

    Synimin univerzalist të etikës së Kantit, Nietzsche e kritikon nga një pikëpamje krejt tjetër mbi moralin. Kjo pikëpamje shquhet në veçanti me theksin te mëvetësia e individit si qenie krijuese, te veçantia e pikëpamjeve te tij morale (apo hudhja e tyre) e jo nga nënshtrimi apo përvetësimi i nocioneve dhe paradigmave morale kolektive. Për Nietzsche-n, paradigma univerzaliste nuk është horizont brenda të cilit individi krijues mund ta zbulojë dhe ta realizojë një etikë origjinale, rrënjësisht e ndryshme nga ato tradicionale. Aq më tepër se për Nietzsche-n krijimtaria e mirëfillt, në cilindo fushë, në filozofi, shkencë apo arte, është çështje e individëve dhe elitave që kanë aftësi krijuese, në dallim nga « masa » apo « turma », që është e privuar nga këto dhunti.Kritika tjetër e Nietzsches mbi Kantin mund të rezymohet shkurt me dallimet kyçe të këtyre dy mendimtarëve mbi njeriun : për Nietzschen Kanti e thellon një përçarje dhe konflikt, të cilin e futi së pari platonizmi, midis mendjes dhe trupit, si dy botëra të kundërta dhe të papajtueshme.Në Kritikën e mendjes praktike njeriu mund të realizohet si qenje etike, që për Kantin do të thotë qenie e mirëfillt njerëzore, vetëm atëherë kur mendja apo arsyeja e përcakton vullnetin e njeriut me parime univerzale, të cilat kapërcejnë interesat e një individi apo të një grupi. Nietzsche ka kritikuar ashpër pikëpamjen e Kantit se njeriu bëhet njeri vetëm atëherë kur vepron sipas imperativit kategorik, si parim kyq etik.

    Ai ka kritikuar në veçanti aspektin rigoroz të këtij imperativi, duke e interpretuar si një nënshtrim i qenies njerëzore, në tërë begatinë e tij të shumfisht, ndaj një urdhëri të jashtëm, një urdhër i rreptë i cili me disiplinën e vet ndrydhë mundësitë krijuese të njeriut.

    Sa i përket vërejtjes së parë të Nietzsches, duhet të cekim se synimi i etikës së Kantit për një nivel univerzal, jo vetëm se nuk e përjashton fuqinë krijuese të individit por ky është madje kusht që mendimi etik të arijë horizontin gjithënjerëzor. Në fakt, Kanti shënoi kthesë vendimtare në historinë e mendimt mbi moralin, pikërisht pse synoi të ndriçoi shtigjet për një etikë që nuk do të jetë zakon apo adet i një grupi individësh apo i një shoqërie. Ai e dinte mirë se i gjithë njerëzimi nuk do të veprojë sipas një imperativi kategorik ; madje, në faqet e fundit të Kritikës së mendjes praktike shpreh dyshimin se njeriu mund të gjejë në vete forcë që veprimet e veta t’i përcaktojë vetëm me rigorozitetin e parimeve univerzale etike. Mirëpo, ai dëshironte të vejë në pah se këto parime univerzale janë pikësynim me të cilat njeriu shkëputet nga moralet e veçanta të shoqërive e kulturave të ndryshme për ta arrijtë një horizont ku njerëzit takohen si qenie etike (këtu nuk mund të hyjmë në dallimet midis moralit dhe etikës).

    Si bëhet etik një veprim? Se Kanti nuk predikonte ndonjë moral të « turmave » shihet edhe në mënyrën si e përkufizon ai burimin e etikës: është autonomia e vullnetit me të cilën individi duhet t’i zbuloj ose t’i krijoj gjitheherë sërish, nga brendia e vetes, e jo t’i gjejë të gatshme në urdhëresat e jashtme (të mësuesit, priftit apo mbretit), maksimat e veprimeve të veta, në situata konkrete.

    Që të jenë etike këto maksima duhet të mund të ngriten në rafshin univerzal, gjithnjerëzor. Kanti e sqaron imperativin kategorik me një formulë të thjeshtë : « Trajtoje njerëzinë brenda vetes dhe te tjetri, gjithmonë si qëllim e asnjëhere si mjet ». Maksimat e vrasjes, vjedhjes ose mashtrimit, ndërkaq, nuk mund të ngriten në rafshin univerzal sepse do ta godisnin vet atë i cili i predikon ato. Kanti në etikën e vet nuk na jap reçeta si t’i paracaktojmë veprimet tona. Mbi të gjithat, etika e tij na cytë të problematizojmë përmbajtjen dhe domethënien e veprimit tonë, të pyesim në emër të çkafit një veprim mund të cilësohet si veprim etik. Vërejtja e dytë kritike e Nietzsches, për ndarjen e njeriut në dy botëra të kundërta te Kanti, për rreptësinë e imperativit etik, është e saktë.Nietzsche ka një koncepcion shumë më të thellë mbi njeriun : ai nxjerrë në shesh sa begatinë e shumëfisht të mundësive të njeriut aq edhe gërshetimin e jo përçarjen midis të menduarit, në njerën anë, dhe ndijimit, vullnetit, shqisave, imagjinatës e dëshirës, në anën tjetër. Megjithkëtë, te Kanti koncepti i autonomisë (auto-nomos : t’i japëshë vetes ligjet) i vullnetit është ngushtësisht i lidhur me lirinë e njeriut, e pikërisht karakteri i lirë i veprimit është ai që i jap dinjitetin njeriut.

    Ndonëse Nietzsche ka qëndrime jo vetëm të ndryshme por edhe të kundërta, në shumë pika, me etikën e Kantit, megjithatë, në disa fragmente, largimi nga Kanti ndonjëherë përfundon me takimin e ndonjë pikëpamje të tij. Kësisoj në Përtej së mirës dhe së keqes (fr.188), ai shkruan : « Ajo që është thelbësore, në çdo moral, ajo që përbën vlerën e saj të paçmueshme, qëndron aty se ai është një shtrëngesë me kohëzgjatje të madhe : për ta kuptuar stoicizmin, Port-Royal apo puritanizmin, është mirë ta kemi parasyshë se gjithmonë pikërisht në saje të shtrëngesës që, fjala vjen, një gjuhë arrinë të fitojë lirinë dhe forcën e vet : shtrëngesa metrike, tirania e rimës dhe e ritmit.

    Sa punë të mundimshme i kanë bërë poetët dhe oratorët e të gjitha vendeve! Pa i harruar disa prozatorë veshi i të cilëve është një gjykatës i rreptë. -Gjithë këto « për një absurditet », siç thonë utilitaristët trashanik, që kanë përshtypje se kështu bëjnë një vërejtje inteligjente ; të gjitha këto për hirë « serviliteti ndaj ligjeve arbitrare », siç thonë anarkistët të cilët e mashtrojnë kësisoj veten se janë « të lirë », e madje mendimtarë të lirë. Në fakt, sado e çuditshme që kjo mund të duket, gjithë ajo që është dhe gjithë ajo që mbi tokë ka patur liri, subtilitet, guxim, vallëzim dhe siguri mjeshtërore, çoftë në mendimin, në artin e qeverisjes, në të folurit dhe të bindurit, në arte apo në zakone, s’është zhvilluar ndryshe veçse në saje të tiranisë së këtyre « ligjeve arbitrare » ; dhe thënë me seriozitetin më të madh, sipas të gjitha gjasëve, mu aty gjenden « natyra » dhe « e natyrshmja » e jo në formulën « le te shkoj » (laisser aller)!

    Çdo artist e di nga përvoja e vet sa shumë larg është gjendja e tij më e natyrshme nga qëndrimi « le te shkoj » (« laisser aller »), atëherë kur, me liri të plotë, në çastet e frymëzimit, ai urdhëron, rregullon, ndërton dhe sajon – me çfarë rreptësie të përpikët ai i nënshtrohet atëherë mijëra ligjeve rebele ndaj çfarëdo definicioni, pikërisht për shkak të rigorozitetit dhe saktësisë së tyre (ndërkaq, konceptet më të qëndrueshme në krahasim me ato janë diçka e paqartë, komplekse dhe ekvivoke).

    Thelbësorja, « mbi tokë sikurse edhe në qiell », duket të jetë, ta përsërisim këtë, të bindem një kohë të gjatë dhe në një drejtim të vetëm : kjo shpie pas një kohe të gjatë dhe gjithmonë te ajo që bën që jeta të vlejë të jetohet : te virtyti, te arti, muzika, vallëzimi, arsyeja, spiritualiteti, te diçka që transfiguron, te diçka e rafinuar, e çmendur, hyjnore. »

    Pikëtakimi i dy filozofive të kundërta

    Të veçojmë nga ky tekst pikëpamjen e Nietzsches se « natyra » dhe e « natyrshmja » e mirëfilltë nuk nënkupton ndonjë spontanitet të lirshëm, që rrjedhë vetiu, ngase format e ndryshme të aktiviteteve të njeriut (mendimi, arti i qeverisjes…) bëhen apo formësohen nëpërmjet shtrëngesave (« ligjeve arbitrare »), përkatësisht një mundi krijues, që ka në vete rregulla të disiplinës. Rima e mirë del nga « një tirani » e kërkimit dhe kjo është rruga nëpër të cilën poeti arrinë të fitojë « lirinë dhe forcën e vet ». Ajo që në kërkimin e poetit apo muzikantit, për utilitaristët trashanik është vetëm servilitet ndaj « ligjeve arbitrare » të këtyre « displinave », për Nietzschen, në këtë tekst, është veprimtari krijuese, sa komplekse aq edhe e mundimshme ; veprimtari e cila bëhet e natyrshme për artistin pikërisht përmes një gjurmimi rigoroz i cili shpie te të qenmit e lirë të tij. Zbulimi dhe sajimi, pas një rrugëtimi të gjatë, i gjithë asaj që bën « që jeta vlen të jetohet » (arti, arsyeja, spiritualiteti…) kalon përmes një « rreptësie të përpikët ».

    Kjo pikëpamje është shumë e ndryshme nga ajo që Nietzsche zhvillon në shkrimet mbi vrullin krijues që buron nga parimi dionizian. Këto ide të thella e të fuqishme të Nietzsches janë shumë të afërta me disa ide të Kantit, pikërisht në shtjellimet e tij mbi etikën. Kanti e shikon natyrën e mirrëfillt të njeriut si transformim krijues i shumanshëm i natyrës së dhënë (si fakticitet biologjik), i trupit dhe mendjes së tij.

    Njeriu mund të bëhet, sipas tij, qenie e lirë vetëm duke përpunuar, me një veprimatri komplekse, natyrën e dhënë brenda tij ; duke e transformuar këtë në një natyrë të dytë, të mirrëfillt të vetes. Me këtë veprimtari krijuese, të cilën ai e realizon veten duke e formësuar vullnetin e vet, ai njëherazi zbulon parimet me të cilat mendja e përcakton dhe e orienton vullnetin në zgjedhjen e veprimeve me të cilat ai afirmohet si qenie njerëzore e jo thjesht natyrore. Së këndejmi, duke zbuluar ligjet me të cilat e vetëformëson veten, njeriu, për Kantin, shkëputet nga kauzaliteti i ligjeve të natyrës, që përckatojnë të gjitha qeniet, dhe pushton një hapësirë të mirrëfillt njerëzore (artin, filozofinë, artin e qeverisjes etj.)

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    MUHAMEDIN KULLASHI: PASIONI I IMAZHEVE NË VEPRAT E BAUDELAIRE-IT

  • Edicioni i 20-të i Festivalit për të Drejtat e Njeriut, deri më 20 shtator do të shfaqen 36 filma në disa institucione në Tiranë

    Edicioni i 20-të i Festivalit për të Drejtat e Njeriut, deri më 20 shtator do të shfaqen 36 filma në disa institucione në Tiranë

    “Të Drejtat e Njeriut në Epokën Digjitale” është tema e edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që nisi mbrëmjen e kaluar në Akademinë Marubi.

    Kujtim Çashku, drejtori ekzekutiv në IHRFFA tha: “20 vite së bashku, festivali feston 2 dekada që nga krijimi dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë rrugëtim”.
    Për këtë edicion janë përzgjedhur 36 filma nga e gjithë bota, që kanë në fokus liritë dhe të drejtat e njeriut.
    Ted Orlin, aktivist për të drejtat e njeriut u shpreh: “Bota po përballet me luftëra, por duhet të besojmë se angazhimi unë për të drejtat e njeriut nuk do të humbasë mes dramave të 2025. Tema e këtij viti është provokuese. Ne po merremi në epokën digjitale. Si do t’i trajtojmë të drejtat e njeriut tani që kemi inteligjencën artificiale?”.
    “Djali me pantallona rozë”, historia e një 15-vjeçari që i jep fund jetës pas ngacmimeve online ishte filmi që çeli festivalin, i cili do të vijojë me shfaqjet e prodhimeve të tjera kinematografike në disa lokacione në Tiranë, përfshirë Akademinë Marubi, Qendrën për Hapje dhe Dialog apo gjimnazet e kryeqytetit.

    Top Channel

  • Ofensiva izraelite në Gaza, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut: Kjo masakër duhet të ndalet

    Ofensiva izraelite në Gaza, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut: Kjo masakër duhet të ndalet

    Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Türk, ka reaguar ndaj ofensivës tokësore të Izraelit në qytetin e Gazës.

    Türk thotë se është “absolutisht e qartë se kjo masakër duhet të ndalet”, ndërsa e dënoi sulmin si “krejtësisht të papranueshëm”.
    “E gjithë bota bërtet për paqe. Palestinezët, izraelitët bërtasin për paqe. Të gjithë duan që kjo të marrë fund dhe ajo që shohim është një përshkallëzim i mëtejshëm, i cili është krejtësisht i papranueshëm“, u shpreh ai.
    Pas raportit të komisionit të OKB-së që akuzon Izraelin për kryerjen e një gjenocidi, agjencia e lajmeve AFP citon Türk të ketë thënë se ka prova në rritje se një gjenocid po zhvillohet në Gaza.

    Top Channel

  • Marrëzia e shtuar amerikane si avokate e Izraelit

    Marrëzia e shtuar amerikane si avokate e Izraelit

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës sanksionuan tre organizata palestineze të të drejtave të njeriut për rolin e tyre në mbështetjen e hetimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) ndaj zyrtarëve izraelitë.
    Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Al Haq, Qendra Al Mezan për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut (PCHR) u caktuan nga një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga Presidenti Donald Trump në shkurt, i cili synon zyrtarët e GJNP-së për lëshimin e urdhër-arresteve për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për krime lufte në Gaza.
    “Këto subjekte janë përfshirë drejtpërdrejt në Penalitetin Ndërkombëtar Përpjekjet e Gjykatës (GJPN) për të hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht qytetarët izraelitë pa pëlqimin e Izraelit,” tha Rubio në një deklaratë.
    “Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë palë në Statutin e Romës dhe për këtë arsye nuk i nënshtrohen juridiksionit të GJPN-së,” tha Rubio, duke shtuar:
    “Ne kundërshtojmë axhendën e politizuar të GJPN-së, tejkalimin e autoritetit dhe mosrespektimin e sovranitetit të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë.”
    Ky veprim vjen disa ditë pasi Uashingtoni revokoi vizat për zyrtarët e Autoritetit Palestinez, duke i ndaluar ata të udhëtonin në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Vendimi pasoi njoftimet nga disa vende, përfshirë Francën, Kanadanë dhe Australinë, se do të njihnin një shtet palestinez gjatë konferencës së OKB-së.
    Më herët të enjten, Rubio paralajmëroi se njohja e Palestinës do të “krijonte probleme të mëdha” ndërsa Izraeli ecën përpara me planet për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar.
    Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
    Izraeli përballet gjithashtu me një akuzë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.
    Ushtria izraelite nisi një ofensivë brutale ushtarake në Rripin e Gazës, duke vrarë mbi 64,200 palestinezë në Gaza pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet dhe me zi buke.

  • Çfarë i ndodh trupit të njeriut në hapësirë?

    Çfarë i ndodh trupit të njeriut në hapësirë?

    Që udhëtimi në hapësirë është i rrezikshëm, këtë e kemi ditur! Por tani, shkenca po na zbulon se qëndrimi për javë të tëra jashtë atmosferës tokësore mund të bëjë diçka edhe më shqetësuese, mund të përshpejtojë plakjen biologjike të trupit të njeriut.

    Një studim i fundit, i mbështetur nga NASA dhe i publikuar në revistën shkencore Cell Stem Cell, ka zbuluar se qelizat e gjakut në hapësirë filluan të humbnin aftësinë për të krijuar qeliza të reja të shëndetshme. Kjo është një shenjë e qartë e plakjes së përshpejtuar.

    “Hapësira është testi përfundimtar i stresit për trupin e njeriut”, tha Dr. Catriona Jamieson, drejtore e Institutit të Qelizave Staminale në Universitetin e Kalifornisë, San Diego.

    Nën drejtimin e saj, ekipi përdori teknologji të avancuar me Inteligjencë Artificiale (AI) për të monitoruar në kohë reale qelizat burimore hematopoietike, qeliza që prodhojnë qelizat e gjakut dhe që janë jetike për sistemin tonë imunitar.

    Kur këto qeliza qëndruan në hapësirë për 32 deri në 45 ditë, u vu re një fenomen shqetësues: telomeret (shtojcat në fund të ADN-së që lidhen me jetëgjatësinë e qelizave) u shkurtojnë, ADN-ja pësoi dëmtime dhe qelizat humbën funksionin e tyre normal.

    Megjithatë, ka edhe një lajm pozitiv. Kur qelizat u kthyen në Tokë dhe u vendosën në kushte më të favorshme, disa nga dëmtimet filluan të zbeheshin një tregues që efektet e hapësirës nuk janë domosdoshmërisht të pakthyeshme.

    Ky studim është një thirrje e qartë për kujdes, nëse njerëzimi synon misione të gjata në Mars apo më tej, duhet të mendojë seriozisht për mbrojtjen e shëndetit të astronautëve në mikrogravitet dhe nën ekspozimin e rrezatimit kozmik.

  • Vendet evropiane paralajmërohen se po rrezikojnë jetën e azilkërkuesve

    Vendet evropiane paralajmërohen se po rrezikojnë jetën e azilkërkuesve

    Këshilli i Evropës u bëri thirrje të enjten 46 shteteve anëtare që të mos ia delegojnë vendeve të treta përpunimin e kërkesave për azil, duke paralajmëruar se kjo praktikë mund të vendosë në rrezik jetën e mijëra njerëzve.

    “Politikat e eksternalizimit mund të rezultojnë në nënshtrimin e njerëzve ndaj torturës ose keqtrajtimeve të tjera, dëbimeve kolektive dhe ndalimit arbitrar, ose mund të vënë jetën e tyre në rrezik,” tha Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty. Ai shtoi se këto politika gjithashtu mund të pengojnë aksesin efektiv në azil dhe t’u mohojnë individëve mjetet juridike.

    Raporti i ri i Këshillit, organi mbikëqyrës i të drejtave të njeriut në Evropë, thekson tre fusha ku rreziqet janë veçanërisht të mëdha: përpunimi i jashtëm i kërkesave për azil, procedurat e kthimit të jashtëm dhe delegimi i kontrollit kufitar vendeve me histori të shkeljeve të rënda të të drejtave të migrantëve.

    Disa shtete, si Italia, tashmë kanë nisur t’ia kalojnë trajtimin e emigrantëve vendeve jashtë BE-së. Qeveria e Giorgia Melonit hapi qendra pritjeje në Shqipëri, të cilat më vonë u shndërruan në struktura riatdhesimi. Por muajin e kaluar, Gjykata e Drejtësisë së BE-së urdhëroi kthimin e azilkërkuesve të dëbuar nga Italia drejt Shqipërisë, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e kësaj praktike.

    Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në vitin 2022, kishte bllokuar transferimin e azilkërkuesve nga Mbretëria e Bashkuar në Ruandë. Megjithatë, Londra ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Francën për riatdhesimin e azilkërkuesve.

    Në arenën ndërkombëtare, katër shtete afrikane, Eswatini, Ruanda, Sudani i Jugut dhe Uganda, kanë rënë dakord të pranojnë migrantë të dëbuar masivisht nga SHBA gjatë administratës së Donald Trump, ndërsa El Salvadori u bë vendi i parë i Amerikës Latine që pranoi emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara./ The local – Syri.Net

  • Kërkuan hetim për krimet e luftës nga Izraeli, SHBA-të sanksionojnë tre grupe palestineze të të drejtave të njeriut

    Kërkuan hetim për krimet e luftës nga Izraeli, SHBA-të sanksionojnë tre grupe palestineze të të drejtave të njeriut

    Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj tre grupeve palestineze të të drejtave të njeriut, që i kërkuan Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetojë Izraelin mbi akuzat për gjenocid në Gaza, sipas një njoftimi të postuar në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit të SHBA-së të enjten.

    Të tre grupet – Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut me seli në Gaza dhe Qendra Al Mezan për të Drejtat e Njeriut, si dhe Al-Haq me seli në Ramallah – u listuan nën ato që Departamenti i Thesarit i quajti përcaktime të lidhura me Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

    Grupet i kërkuan GJND-së në nëntor 2023 të hetojë sulmet ajrore izraelite në zonat me popullsi të dendur civile të Gazës, rrethimin e territorit dhe zhvendosjen e popullsisë.

    Një vit më vonë, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arrestet për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-shefin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe një udhëheqës të Hamasit, Ibrahim al-Masri, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur sanksione ndaj gjyqtarëve të GJPN-së, si dhe ndaj kryeprokurorit të saj, për shkak të urdhër-arresteve izraelite dhe një vendimi të mëparshëm për të hapur një çështje penale për krime të dyshuara lufte nga trupat amerikane në Afganistan.

    Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila u krijua në vitin 2002, ka juridiksion mbi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në 125 vendet anëtare të saj. Disa vende, përfshirë SHBA-në, Kinën, Rusinë dhe Izraelin, nuk e njohin autoritetin e saj.

    Sanksionet e SHBA-së kundër grupeve palestineze vijnë disa ditë pasi shoqata më e madhe akademike në botë e studiuesve të gjenocidit miratoi një rezolutë duke thënë se janë përmbushur kriteret ligjore për të përcaktuar se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.

    Izraeli e quajti njoftimin të turpshëm dhe “plotësisht të bazuar në fushatën e gënjeshtrave të Hamasit”.

    Izraeli nisi sulmin e tij në Rripin e Gazës në tetor 2023, pasi luftëtarët e Hamasit, grupit militant palestinez që kontrollon territorin, sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1,200 njerëz dhe duke marrë 250 pengje përsëri në Gaza.

    Që atëherë, veprimi ushtarak i Izraelit ka vrarë 63,000 njerëz, ka detyruar pothuajse të gjithë banorët e Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre të paktën një herë dhe ka shkaktuar një krizë urie në disa pjesë të enklavës, të cilën një monitorues global i urisë e përshkruan si zi buke./ Reuters.

  • Mirosllav Kërlezha: Kuptimi i poezisë

    Mirosllav Kërlezha: Kuptimi i poezisë

    Nga Mirosllav Kërlezha

    Ritmi i gjërave. Në qoftë se lëvizja është karakteristika themelore e materies, kurse “lëvizja” organike ngritja e saj më e lartë, arti është pasqyrimi ritmik i kësaj bredhjeje. Rreth njeriut dhe në të lëviz gjithçka. Në rrymimin e sasive jashtëzakonisht të mëdha organike dhe anorganike, në këtë vibracion të kuptueshëm por njëkohësisht edhe të pakuptueshëm të së gjallës dhe së pagjallës, kalojnë përjetshmëri të tëra të vogla të njohjes njerëzore. Pikërisht kjo si zhvillohen dhe zhduken gjërat e pasqyron me fjalë, imazhe dhe muzikë këtë melankoli të vdekjes dhe gëzim të shkrirjes së qarqeve të reja. Ritmi i gjërave dhe Logosi. Arti flet me valëzimin e imazheve dhe të tingujve. Duke u shqetësuar me ritmin e jetës, ai kalon si rëra nga klepsidra, për ndryshim nga Logosi, që rri i qetë në dinjitetin e hieroglifeve të veta.Ritmi dhe arti. Ritmi i gjërave dhe i ngjarjeve reflektohet në njeriun me fuqinë e vetë rrjedhjes, shfaqjes së verbër dhe lucide në të njëjtën kohë, sikurse gjithçka rreth njeriut, që është e qartë dhe e turbullt duke marrë parasysh mjetet e varfëra të mendjes së tij. Arti i ka zbuluar që moti, qysh në fillim, imazhet e gjalla dhe të bindshme të të folurit njerëzor dhe kështu ua ka kaluar njohjeve të arsyes.Në rrugën e njeriut arti është paraqitur si pantera misterioze e Dantes. Duke ecur para njerëzimit, në këtë rrugë ende djallëzore të ngjarjeve njerëzore, arti me lëvizjet zigzake të egërsirës orientohet nën yje dhe midis vullkaneve.

    Ritmi dhe fantazia. Parimet shkencore e hutojnë përherë artin, por në esencë para shkencës sipas ligjit të fantazisë, fjalët nuk janë të qarta por përputhen me ligjin e ritmit, me këtë shpallje themelore të natyrës si të tillë. Nihilizmi i shkencës. Pas jashtëzakonisht shumë kthesave në zhvillimin e gjërave, në bazë të morisë së madhe të përvojave jetësore në fushën e gëzimeve të ndryshme jetësore, pengesave dhe sëmundjeve, shkenca bashkëkohëse ka arritur deri në njohjen se disa organizma, në kuadrin e ndonjë plani ideal, nuk kanë ndonjë kuptim as qëllim të veçantë. Sipas njohjes shkencore bashkëkohëse , gjithçka që ekziston bredh sipas parimit të ngathtësisë së paqëllimtë dhe të verbër të lëvizjes. Se dukuritë as një nga një as sipas llojeve nuk kanë më arsyetim, shihet edhe nga fakti se plani organik i bredhjes së ngathët dhe të verbër ritmike të masës është ndërtuar në bazë të zhdukjes reciproke. Shkenca liberale ka konstatuar se trupi, ëndrrat dhe arsyeja nuk duhet të mendohen si shema ideale, të ndara nga toka. Gjithçka që quhet “shpirtërore” ose e “shpirtëzuar” shkenca disteleologjike e ka interpretuar në bazë të kushteve materiale, si janë renduar dhe si kanë vdekur qytetërimet e ndryshme, e pastaj në bazë të ndërtimit fizik të brezeve njerëzore (bastarde). Sipas ligjeve fizike, që zotërojnë dukurinë e tij, njeriu është pjesë përbërëse e natyrës, si predikonin shumë qartë edhe poetët e Indisë dhe të Heladës.Fati i njeriut. Duke e vështruar konstitucionin e trupit të njeriut, shkenca e deteologjizuar ka ardhur në përfundim se fenomenet shpirtërore dhe fizike janë korrelacione dhe se nuk mund të ndahen. Fati i njeriut, ky është skeleti i trupit të tij, kështu na mëson mjekësia bashkëkohëse. Fati i tij është gjithashtu edhe politikë, si na mëson prapë diagnoza historiko-materiailiste, e vërtetuar në mënyrë aq tragjike nga historia e shekullit të fundit.

    Relativiteti i njohjes shkencore. Arti depërton gjatë “shekujve” nën diktatin e paqartë, të pakuptueshëm, e shpeshherë edhe nervoz të imponueshëm të së ashtuquajturave të vërteta shkencore. Hipotezat shkencore ndryshojnë në mënyrë tekanjoze gjatë shekujve dhe vetëm në kohën tonë, brenda disa dhjetëvjetëshave të fundit, pas autokratizmit të formulave kimike, vetëdijen shkencore e zotëroi një seri e tërë hipotezash të reja: prej Lukrecit e deri te Planku formulat shkencore e përcjellin në mënyrë ritmike lojën e forcave të verbëra dhe shkatërruese, për të cilat poezia që moti ka pasur pamjen e vet melankolike.

    Domethënia e artit. Cili është kuptimi i njohjes artistike? Nga perspektiva e hipotezave shkencore bashkëkohëse, një varg i tërë formulash të shekullit të kaluar janë sot naive, kurse gjatë njëqind a dyqind vjetëve kemi frikë se do të bëhen naive hipotezat e panumërta nga perioda jonë bashkëkohëse, kurse afreskat e Altamirës dhe të Laskos do të bëhen njësoj dinjitoze, sikurse kanë qenë atë ditë kur shikimi melankolik i lopës është pasqyruar për herë të parë në vetëdijen artistike të njeriut.

    Rruga e mendjes. Mendja e njeriut është ngritur mbi ngathtësinë e verbër të materies deri në një shkallë shumë të lartë. Me urinë e vet, të ndërtuar në vështrimin e çmueshëm, ajo po zotëron shumë disfunksione në lëndën trupore të njeriut. Ajo po largon shumë pengesa organike she shpirtërore me matoda të rafinuara: trupin e sëmurshëm dhe të brejtur të njeriut ajo e ngrit deri në formulën ideale të shëndetit, ajo i zotëron klimat dhe ligjet e stinëve të vitit, rrethet e ditës dhe të natës, forcat magnetotelurike, largësitë e mëdha planetare dhe interplanetare. Shkenca e ka vënë në plan të parë problemin e vullnetit individual të njeriut. Ajo është zhytur thellë në jetën misterioze të gjëndrave dhe, duke përpunuar arkitektonikën e lëndës qelizore, ajo po depërton deri te ligjet e vetorientimit dhe të ekuilibrit të marrëdhënieve të çrregulluara qelizore, deri te rezistimi autonom ndaj pengesave të jashtme, deri te ajo zona e fundit, ku disa stacione qelizore tashmë u nënshtrohen dhe u përulen ligjeve të natyrës anorganike.Në syrin e qelqtë të shkencës edne shfaqet pyetja naive dhe njësoj magjike e formulës bioorganike, kësaj kuadrature analfabetike, që i ka lindur të gjitha religjionet në këtë rruzullin tonë.

    Rreziku nga arsyeja. Vetëdija shkencore është ngritur mbi problemin e brengave dhe të sëmundjeve të ndryshme njerëzore: ftohtjes, skarlatinës, lisë, fruthit, kollës së mirë dhe turbekulozit. Me thikën e vet ajo ka filluar të presë zemrën e njeriut, ajo u ka shpallur luftë pleshtave e mizave vdekjeprurëse, këpurdhëzave dhe bacileve të dëmshme, ajo lundron nëpër të gjitha detet, ajo po shfrytëzon depërtimin teologjik në brendinë e tokës, por është krejtësisht e pafuqishme përballë politikës. Njeriu ka arritur të mbrojë trupin e vet nga shqipet e Zeusit dhe peshqit e Biblës; ai ka arritur ta ruajë me pëlhurë e pullaz ngrohtësinë e vet trupore nën këtë qiell aq të pakëndshëm për njeriun. Ai është pastruar nga zgjebja dhe kandrat, i ka zotëruar rrufetë, ujin dhe zjarrin.Ai e ka mundur një varg të tërë forcash shkatërruese, por që ta ruajë veten dhe brezet e veta nga kobalt-bomba , kjo ende nuk i ka ardhur për dore. Duke larguar fruthin e diarenë dhe inflamacionin e mushkërive me iniektimin e mikrobëve infektues, ai, nga ana tjetër, po e rrezikon ekzistencën e vet me shpikjet “antibiotike” shumë me të rafinuara, duke humbur rrugën deri në atë masë sa, pa e tepruar, mund të thuhet se arsyeja është bërë rreziku më i madh për jetën e njeriut.

    Mossukssi i religjionit. Me shartim zbutet molla, kurse krematoriumi është mjet i zhdukjes së fisit njerëzor në bazë ideologjike dhe raciale në një period asodore të përvojës historike, kur është vërtetuar se asnjë religjion nuk ka pasur sukses në fisnikërimin e njeriut as të botëkuptimeve të tij.Kuptimi i poezisë. Kuptimi i forcës shkatërruese dhe vrasjes në botëkuptimet dhe bindjet bashkëkohëse njerëzore ka marrë pamjen e nevojës së pashmangshme stihike dhe njeriu, duke jetuar sot nga vdekja dhe nga vrasja si dy forca të egra në natyrën e pazbutshme, harron se është bërë njeri pikërisht në atë moment, kur me vështrimin poetik të gjërave është ngritur mbi gëlltitjen primitive dhe të verbër.Bukuria dhe morali. Kuptimin e bukurisë në tmerrin e ngjarjeve kozmike njeriu e ka vërejtur në atë çast kur është bërë poet. Kuptimi i jetës është në atë që gjithçka që jeton është –shtazë, kurse njeriu i jep kuptim jetës njerëzore me atë që, duke u shfaqur si Orfeu në mesin e bishave, ka pushuar të jetë shtazë.Me këtë uvertyrë orfeike ngritet perdja para pyetjes themelore: problemi i artit nuk është vetëm çështje e lojës ritmike sipas ligjit të ngathtësisë së verbër të materies. E fshehta e artit është ajo që nën velin e tij fshihet frymëzimi moralo-intelektual për të gjitha ato përpjekje që njeriun e kanë bërë njeri.Kjo nuk është vetëm çështje e mënyrës dhe e shkathtësisë së shprehjes, por gjithashtu edhe çështje e fizionomisë morale të njeriut dhe të ekzistencës së tij nën yjet.Çështja e moralit është çështje e së mirës dhe e së keqes, e së bukurës dhe e së shëmtuarës, e së vërtetës dhe e së rrejshmes , e së drejtës dhe e së padrejtës. Nga antika e deri te beletristika bashkëkohëse nuk ka pasur poezi që nuk ka qenë e ndërtuar në këto kontranocione. Modat letrare kanë bredhur shumë gjatë rrugëve të ndryshme të parrugë, duke shfaqur me mjete të veta, relativisht të varfëra këto kontradikta në natyrë dhe në mendjen njerëzore. Perënditë i likuidojnë titanët, engjujt dhe Prometetë (për shkak të komplotit ateist me dykëmbëshat), kurse njerëzit, prapë, kur pushojnë ta durojnë në mënyrë pasive dhunën e gjaksorëve të mbinatyrshëm, i rrëzojnë perënditë sipas ligjit të forcës dhe të rezistencës. Tiranët i sundojnë turmat, kurse turmat, kur ta zotërojnë ligjin e ngathtësisë së shpirtit dhe të vetëdijes i rrëzojnë tiranët, për shkak të ngritjes së dinjitetit të vet vetjak. Marrëzia lufton kundër mendjes me forcën diluviale, por njeriu, megjithatë, përkundër të gjithave, e ka ndezur dritën e vet dhe kurrfarë forcash nuk do ta zotërojnë vullnetin e tij, pasi të ketë vendosur të ngadhënjejë mbi të gjitha ato që paraqesin negacionin e së vërtetës dhe të drejtësisë.Letërsia është pasqyrim ritmik i kësaj bredhjeje të mendjes dhe të përvojës njerëzore në realitetin që e quajmë histori, kurse ritmi i këtyre kontrasteve historike ka qenë i vetmi frymëzim i poezisë deri sot.

    “Pjesë nga “Referati në plenumin e lidhjes së shkrimtarëve”, 1954, shkëputur nga libri i Mirosllav Kërlezhës: “Ese”

    Përgatiti: ObserverKult

    Lexo edhe:

    UMBERTO ECO: ASGJË NUK E MBUSH ZEMRËN ASHTU SI DASHURIA

  • Franca lëshon urdhërarrest për Bashar al-Assadin për një sulm të vitit 2012

    Franca lëshon urdhërarrest për Bashar al-Assadin për një sulm të vitit 2012

    Gjykata franceze ka lëshuar urdhër-arreste për shtatë ish-zyrtarë të lartë sirianë, përfshirë ish-presidentin Bashar al-Assad, për bombardimin e një qendre shtypi në Homs në vitin 2012, kanë thënë të martën për Reuters një burim gjyqësor dhe një organizatë për të drejtat e njeriut.

    Homsi, në Sirinë perëndimore, ishte një fortesë e madhe rebele gjatë luftës civile siriane dhe u rrethua nga forcat qeveritare të Asadit nga viti 2011 deri në vitin 2014. Rrethimi përfundoi me tërheqjen e rebelëve anti-Assad nga qyteti.

    Një raketë goditi “qendrën joformale të shtypit” më 22 shkurt 2012, duke vrarë gazetaren e njohur amerikane Marie Colvin dhe fotografin francez Remi Ochlik dhe duke plagosur dy gazetarë të tjerë dhe një përkthyes.

    Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut ka thënë se shtatë ish-zyrtarët ishin akuzuar për bashkëpunim në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për sulmin ndaj qendrës.

    Franca lejon paraqitjen e çështjeve për krime kundër njerëzimit në gjykatat e saj. Burimi gjyqësor ka thënë se shtatë urdhër-arreste evropiane ishin lëshuar muajin e kaluar.

    Një organizatë tjetër për të drejtat e njeriut, Qendra Siriane për Median dhe Shprehjen e Lirë, ka thënë se hetimi gjyqësor francez kishte zbuluar se sulmi kishte synuar qëllimisht gazetarët e huaj.

    “Hetimi gjyqësor përcaktoi qartë se sulmi ndaj qendrës informale të shtypit në Bab Amr ishte pjesë e qëllimit të qartë të regjimit sirian për të synuar gazetarët e huaj me qëllim që të kufizonte mbulimin mediatik të krimeve të tij dhe t’i detyronte ata të largoheshin nga qyteti dhe vendi”, ka thënë Mazen Darwish, një avokat dhe drejtor i përgjithshëm i Qendrës Siriane për Median dhe Lirinë e Shprehjes, në një deklaratë.

    Asadi ka ikur në Rusi në dhjetor të vitit 2024 kur forcat kryengritëse pushtuan Sirinë me një ofensivë të shpejtë, duke i dhënë fund më shumë se pesë dekadave të sundimit nga familja e tij.