Tag: ngjela

  • “Lista e zezë” e SPAK, kush janë 10 politikanët e lartë nga opozita që po hetohen për korrupsion, pasuri të fshehura…

    “Lista e zezë” e SPAK, kush janë 10 politikanët e lartë nga opozita që po hetohen për korrupsion, pasuri të fshehura…

    Rigels Seliman
    Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka zbuluar një listë tronditëse me 10 politikanë të lartë të opozitës që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, pasuri të fshehura dhe pastrim parash. Në krye të listës qëndron ish-kryeministri Sali Berisha, i dërguar për gjykim për aferën “Partizani”, ndërsa Ilir Meta ndodhet në qeli për korrupsion dhe fshehje pasurie. Në proces gjyqësor për tragjedinë e “Gërdecit” është edhe Fatmir Mediu, ndërsa emra si Belind Këlliçi, Flamur Noka, Bardh Spahia dhe Xhelal Mziu po përballen me akuza të tjera të rënda. Lista përfshin gjithashtu Dashamir Xhikën dhe Luan Baçin, të dy të hetuar për fshehje pasurie dhe abuzime me tendera. Ngjela paralajmëron se këto dosje do të çojnë në “arrestime VIP”, që mund të trondisin themelet e politikës shqiptare. Por ky zhvillim shënon një nga ofensivat më të forta antikorrupsion në vend, ku SPAK po prek për herë të parë elitën politike të tranzicionit. Pra duket se Shqipëria po hyn në një fazë të re ku drejtësia teston vërtet nëse ka fuqi të godasë të paprekshmit. “Këta janë politikanët e lartë që janë në proces gjyqësor nga SPAK; të akuzuar për korrupsion:

    Sali Berisha – Dërguar gjithashtu për gjykim për aferën “Partizani”.
    Ilir Meta – Në qeli për korrupsion dhe fshehje pasurie.
    Fatmir Mediu – Në proces gjyqësor për Gërdecin.
    Belind Këlliçi – Hetim për falsifikim dokumentesh dhe fshehje pasurie.
    Flamur Noka – Hetim për fshehje pasurie.
    Asllan Dogjani – Dërguar për gjykim për fshehje pasurie.
    Bardh Spahia – Marrë i pandehur për shpërdorim detyre.
    Xhelal Mziu – Hetim për tenderë pastrimi kur ishte kryetar bashkie në Kamëz.
    Dashamir Xhika – Hetime për tenderë kur drejtonte ARRSH.
    Luan Baçi – Hetim për fshehje pasurie.

    Na duhet të theksojmë se nuk janë pak. Të shohim se si do të zhvillohen proceset gjyqësore. Megjithatë po kuptohet se goditja penale e korrupsionit ka hyrë në një fenomen antikorrupsion në Shqipëri.  Por duhet të shohim vijimin…”, shkruan Ngjela.
    Paratë e korrupsionit të lartë shtetëror do të konfiskohen
    Ndërkohë edhe më herët, avokat Ngjela paralajmëroi goditje ndaj politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar në Shqipëri. Sipas tij, të gjitha pasuritë e fshehura, përfshirë depozitat në banka ndërkombëtare dhe transferimet e fshehta, janë nën hetim rigoroz dhe do të konfiskohen. Ndër të tjera Z. Ngjela thekson se ekspertët amerikanë tashmë kanë nisur punën bashkë me SPAK, duke u përqendruar në skemat e goditjes penale që mund të çlirojnë vendin nga një “hordhi antishqiptarësh” që e kishin kthyer pushtetin politik në një pushtet personal. Madje ai shtoi se ky është një moment vendimtar në betejën për drejtësi dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore. “I gjithë korrupsioni i lartë shtetëror që është në proces penal do të konfiskohet. SPAK i ka në dorë. Vjedhje e madhe e popullit ka qenë kjo në tridhjetë vite rresht. Por do të konfiskohen të gjithë; dhe ekspertiza amerikane i ka gjetur edhe paratë e tyre të depozituara në bankat ndërkombëtare madje edhe në ato që janë në freezonë. Edhe paratë e fshehura e të transferuara tek të tjerët; janë nën hetim e po zbulohen rast pas rasti. Por gjendja ka qenë e rëndë në të gjithë Shqipërinë, në pushtetin qendror por edhe në pushtetin vendor.
    Gjithçka është e hetuar. Dhe është përgatitur edhe skema e goditjes penale dhe e konfiskimeve të pasurive korruptive. Kurse ekspertet amerikanë në ndihmë të SPAK-ut; janë kthyer dhe kanë filluar punë. Por goditja duhet të jetë e rëndë. Pyetja që bëhet sot kudo është kjo: çfarë kanë qenë këta hajdutë, kafshë kanë qenë? Jo, ata kanë qenë hordhi antishqiptarë që pas rrëzimit të komunizmit me intuitë kriminale menduan të vidhnin shtetin dhe të krijonin pasurinë e tyre, në mënyrë që pushtetin politik ta kthenin në një pushtet personal. Por si i erdhi fati Shqipërisë që filluan hetimet kundër parasë së korrupsionit të lartë shtetëror? Ishte ndërhyrja e pastër dhe me profesionalizmin e politikës amerikane që, me forcën e presionit të saj, e detyroi politikën e lartë në Shqipëri që të ndërtonte ligjërisht SPAK-un. Dhe ja, kjo ka qenë fitorja e drejtësisë dhe nëse SPAK-u do ta çojë deri në fund këtë proces; historia do të shkruajë që drejtësia SPAK e çliroi Shqipërinë dhe popullin shqiptar nga korrupsioni i lartë shtetëror që në Shqipëri ka qenë një krim i organizuar”, shkroi Ngjela në rrjetet sociale.

  • Spartak Ngjela: Kush janë dy shtetet që mbështesin Serbinë dhe duan shfarosjen e shqiptarëve, si Edi Rama…

    Spartak Ngjela: Kush janë dy shtetet që mbështesin Serbinë dhe duan shfarosjen e shqiptarëve, si Edi Rama…

    Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka lëshuar një deklaratë të fortë, duke zbuluar sipas tij se dy shtete të fuqishme janë sot mbështetësit kryesorë të Serbisë dhe kanë një qëllim të hapur: shfarosjen e shqiptarëve në Ballkan. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën lojën e këtyre shteteve dhe po vepron kundër interesit kombëtar, duke e lënë Kosovën dhe Shqipërinë të pambrojtura përballë projekteve serbe. Ngjela theksoi se pas këtyre lëvizjeve fshihet një strategji e rrezikshme, ku Beogradi merr mbështetje të drejtpërdrejtë nga fuqitë e mëdha për të rishkruar kufijtë.
    “E vetmja garanci për shqiptarët është SHBA, sepse vetëm Uashingtoni mund ta mbajë nën kontroll Serbinë dhe të ndalojë planet e saj ekspansioniste”, tha ai. Sipas Ngjelës, pa praninë amerikane, rajoni rrezikon destabilizim të plotë dhe shqiptarët rrezikojnë të përsërisin tragjeditë historike. Ndërkohë ai paralajmëroi se politika aktuale e Ramës është një hap drejt izolimit të Shqipërisë nga aleati i saj më i madh strategjik. Në fund, Ngjela theksoi se çdo dobësim i marrëdhënieve me SHBA-në është dhuratë për Serbinë dhe për ata që duan zhdukjen e shqiptarëve.
    Ja reagimi i plotë i Z. Ngjela:
    “Pse ende ne shqiptarët nuk po bëjmë dot një bashkim kombëtar? Sepse nuk jemi të aftë që ta mendojmë këtë jo shpejt, por ngadalë e me sistem. Po ku qëndron paaftësia jonë? Është shumë e fortë ende agjentura e Serbisë në Shqipëri dhe, sidomos në rangjet e larta të politikës shtetërore në Kosovë. Por është edhe politika ruse ajo që po bën çdo lëvizje kundër bashkimit të shqiptarisë, dhe deri diku edhe politika franceze. Po politika amerikane ku është? Ajo nuk është shprehur; por kuptohet se bashkimin kombëtar të shqiptarisë në Ballkan, politika amerikane e ka në një interes imediat të madh.
    Federata shqiptare, frika e përhershme e Serbisë
    Por asgjë nuk bën dot politika ruse, sepse procesi i një bashkimi gjithëshqiptar ka filluar, qëkurse Kosova mori pavarësinë e saj. Dhe sot brenda në Kosovë ka trupa amerikane. Por pengesa duket se është kryeministri aktual Rama i Shqipërisë që është në politikë me krahun e Francës. Por gjithsesi serbët atje e kanë mendjen – të mos lejojnë një marrëveshje aleance ushtarake Shqipëri – Kosovë; por dihet se në këtë çështje serbët janë jashtë kohës dhe hapësirës.  Kjo sepse mendimi i politikës së lartë të Serbisë është ende në shekullin e XIX – të.
    Serbët sot, nga mllefi i madh antishqiptar që kanë si histori, janë ende në konceptet e tyre të barabarta me vitin 1912-1913, kur i tmerroi pavarësia e Shqipërisë. Prandaj serbët nuk mund ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, ngaqë kuptohet se ia kanë shumë frikën federatës shqiptare Albania që mund të krijohet. Se dihet që kjo federatë shqiptare, si fillim, do të quhet Albania, me dy shtete – Shqipëri dhe Kosovë, por më pas kuptohet se do të vijnë edhe Çamëria me Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo ka qenë arsyeja që këtë pavarësi Serbia e ka luftuar me të gjitha mjetet, madje edhe me pastrime etnike kundër shqiptarëve. Por nuk e arritën dot. Kurse tani është fakt historik se, për pavarësinë e Kosovës, Amerika e NATO kanë bombarduar Beogradin.
    Ballkani në prag ndryshimesh, koha e shqiptarisë
    Në fakt me pavarësinë e Kosovës Serbia ka hyrë në një krizë historike nga e cila ajo mund të shkojë deri në shpërbërjen e saj. Dhe kjo kuptohet se tani i ka hedhur serbët që të përgatiten në një luftë të re në Ballkan; sepse e kanë shpresën te Rusia dhe shpresonin shumë edhe te politika e re Trump në Amerikë, kur ajo i tërhoqi të gjithë trupat nga vendet jashtë Amerikës. Dhe trupat Amerika i tërhoqi  edhe nga Kosova. Por Uashingtoni shpejt i ktheu serish trupat e NATO-s amerikane në Kosovë, se u ngrit tensioni në Kongresin Amerikan. Dhe tamam në këtë kohë Beogradi është bombarduar me vendim të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; dhe të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
    Dhe Kosova fitoi pavarësinë si shtet i pavarur. Prandaj tani politika shqiptare në shtetet e saj në Gadishullin Ilirik duhet të jetë shumë aktive.  Kurse Serbia kuptohet që po gjendet në një lëvizje politike ndërkombëtare pa efekt pozitiv. Të gjithë krerët nacionalistë të Serbisë kanë deklaruar:  “Ose ne, ose shqiptarët në Ballkan; sepse nëse ne do t’i lemë që ata të grupohen në disa shtete, do të na dëbojnë nga Gadishulli i tyre”. Por ja që tani janë dy shtete shqiptare në Gadishullin Ilirik, dhe procesi po vijon; sepse po kuptohet që historikisht kjo është koha e shqiptarisë”, shkruan Ngjela në rrjetet sociale.

  • Spartak Ngjela zbardh të pathënat e tranzicionit, nga diktatura e Sali Berishës te revolucioni i ’97-s që e rrëzoi…

    Spartak Ngjela zbardh të pathënat e tranzicionit, nga diktatura e Sali Berishës te revolucioni i ’97-s që e rrëzoi…

    Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka hedhur dritë mbi të pathënat e tranzicionit shqiptar, duke zbardhur rrugën e trazuar nga diktatura e Sali Berishës deri te revolucionit i vitit ’97, që rrëzoi një pushtet të korruptuar. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, ai shpalos përplasjet e Fatos Nanos me influencën amerikane dhe rolin vendimtar të disidencës së re të majtë që e mbajti atë në lojë. Me një sy kritik mbi korrupsionin dhe tradhtinë kombëtare, Ngjela denoncon pasojat e një sistemi që kaloi nga mediokriteti në çmenduri.
    Ai shpreh shqetësimin për mungesën e reformave të thella në drejtësi, ekonomi dhe financa, që ende pengojnë zhvillimin e një Shqipërie moderne. Në të njëjtën kohë, ai ngre një mesazh historik dhe patriotik: shqiptaria ka mbijetuar shekuj pushtimesh dhe ruan gjuhën dhe kulturën e vet të lashtë. Ndërkohë Ngjela sheh në horizont bashkimin e Arbërisë së Bashkuar, një ëndërr që po përgatitet historikisht dhe politikisht për një Shqipëri dhe një Kosovë të fuqishme dhe të lirë.
    JA REAGIMI I PLOTË I Z. SPARTAK NGJELA:
    Shqipëria në Kaos, Ngjela denoncon korrupsionin dhe tradhtinë kombëtare
    “Vetëm të çmendur; pushtetarë hajdut dhe  antikombëtarë të blerë, janë ata që fyejnë popullin e vet.  Ku e gjen të drejtën morale një shqiptar që të fyejë; stigmatizojë dhe të shpifë kundër popullit të shqiptar? Askund tjetër veçse tek tradhtia kombëtare që është në fakt shitje e interesit kombëtar për të fituar para nga armiqtë dhe ish pushtuesit e shqiptarëve.  Dhe ne shqiptarët duhet të kujtohemi gjithmonë se tradhtinë më të madhe kombëtare që nga Hamza Kastrioti te bejlerët e mëdhenj të mesjetës dhe, nga ata tek Esat Pash Toptani; dhe prej tij te kuislimgët që përdori Italia Fashiste me veglat e saj të fashistëve shqiptarë; nga këta tek Balli Kombëtar që u bashkua me nazizmin gjerman pushtues të Shqipërisë; nga Gjermania Naziste tek diktatura e Enver Hoxhes; dhe; pastaj –  nga diktatura Hoxha tek diktatura Berisha dhe, nga diktarura Berisha 1992 -1996, në anarkinë e vitit 1997; por ama, prej këndej, Shqipëria hyri në një sistem të pakuptueshëm që kalonte nga mediokriteti i drejtimit shtetëror e politik, në një korrupsioni tmerri dhe antikombëtar – nga vitib1992 deri në vitin 1997;  dhe pastaj në revolucionin popullit kundër diktarurës Berisha dhe rrëzimi i tij, i cili solli në pushtet qartësinë e kryeministrit Fatos Nano që nuk pranohej nga politika amerikane, por kishte përkrahjen e disidencës së re të majtë të Shqipërisë; e cila krijoi një reformë të re në sistemin politik në Shqipëri.
    Por Fatos Nano me gjithë aftësinë e tij në ekonominë politike dhe në njohjen e historisë së Perëndimit; nuk pati mundësinë që të mos e lejonte korrupsionin në shtet dhe në drejtësi dhe të  krijonte një pushtet gjyqësor të pavarur e shumë profesional. Por ligësia e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, tani po e çon korrupsionin e lartë shtetëror në çmenduri. Dhe atje le të rrinë, sepse shqiptarët sot janë bërë populli më i njohur dhe me i dobishëm moralisht nga të gjithë fqinjët e tij. Por kryeministri Rama ende nuk ka filluar që të bëjë një reformë katërfishtë në Shqipëri: në sistemin juridik; në treg; në ekonomi dhe në sistemin financiar. Prandaj sot në Shqipëri ende nuk ka. Një bursë aktive mallrash – domethënë që Shqipëria ende nuk ka hyrë në kapitalizmin monopolist.
    Spartak Ngjela: Shqiptaria drejt Arbërisë së Bashkuar
    Dhe kjo pritej; sepse tani dihet nga historia se; një popull që i ka shpëtuar në shekuj superfuqive të bashkuara për ta pushtuar e për ta shpërberë si komb, ai sot ka gjuhën e tij madhështore, ka historinë e tij të lavdishme që i ecën nga Gjergj Kastriot Skënderbeu te Lidhja e Prizrenit; nga Lidhja e Prizrenit te Pavarësia e Shqipërisë; pastaj te Nënë Tereza dhe, nga Nënë Tereza te Pavarësia e Kosovës. Dhe është pikërisht kjo që populli shqiptar tani po sundon i pavarur në dy shtete të lirë. Por që është një fakt historik ky që e ka ngritur vetë shqiptarinë në lavdinë e historisë së një popullit me gjuhën shqipe; e cila është e vërtetuar shkencërisht që shqipja është gjuha parë të Evropës që, të cilën shqiptaria e ka ende të gjallë ashtu siç e ka pasur në mbi dy mijë vite rresht.
    Prandaj kjo është arsyeja që edhe koha po ecën sot në përkrahje të Shqipërisë dhe Kosovës; dhe prandaj me një logjikë historike po pritet që shqiptaria të bashkohet në Arbërinë e Bashkuar. Dhe prandaj kjo është koha që po ecën në rrugën drejt kësaj historie të re të Arbërisë së Bashkuar që është rruga drejt bashkimit federalist shtetëror shqiptar të Shqipërisë; Kosovës; Çamërisë dhe Epirit.  Dhe prandaj kjo është arsyeje që po kuptohet nga të gjitha politikat aktive e Evropës si një skemë aktive e politikës amerikane që, bashkimi kombëtar i Arbërisë, të jetë brenda politikës së përbashkët për aleancën e madhe të shqiptarisë: Shqipëri; Kosovë; Çamëri; Epir, Maqedoni e Veriut – me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan avokat Ngjela në rrjetet sociale.

  • “Padituria dhe mediokriteti”, Spartak Ngjela del kundër barazimit absurd të djegies me vrasjen

    “Padituria dhe mediokriteti”, Spartak Ngjela del kundër barazimit absurd të djegies me vrasjen

    Avokati i njohur, Spartak Ngjela kritikon ashpër kryeministrin Edi Rama për barazimin absurd të djegies së fushave me krimin e vrasjes. Ai thekson se vetëm një individi që ka marrë jetën e një ose më shumë personave mund t’i atribuohen vrasje, ndërsa çdo tjetër veprim jashtë profesionit të vet mbetet mediokër dhe i pasaktë. “Dëgjojeni një yrnek pa kuptim që ka lëshuar para disa ditësh kryeministri i Shqipërisë. Ai djegien e fushave të barit nga fshatarët e barazoi me vrasjen e një ose disa personave. Por le të shprehemi fillimisht me një aksiomë, e cila na thotë se: “Çdo njeri jashtë profesionit të vet është mediokër”. Dhe kjo është  një aksiomë e vjetër  që ka dalë nga njerëz të mëdhenj në këtë qytetërim.
    Por ja si flet për krimin e vrasjes kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili, si piktor që është, nuk e di se: që të jemi përpara krimit të vrasjes, duhet që, me një akt të kryer nga një individ madhor, të ketë vdekur një njeri ose të kenë vdekur disa njerëz. Dhe ja si futet padituria Rama, për një çështje me djegie bari, në një profesion që nuk e njeh fare, dhe prandaj ai djegien e barit ose barishteve të një fushe, e barazon me krimin e vrasjes së një njeriu, në një kohë që në atë fushë të ndezur me një zjarr të qëllimshëm, nuk ka vdekur nga zjarri asnjë njeri. (!) E pra: ku është vrasja, zoti Kryeministër? Kush është ai që ka vdekur nga zjarri i vënë qëllimisht nga dikush në një fushë me bar?
    Domethënë –  kush ka vdekur nga ai zjarr që ka ndezur dikush? Askush nuk ka vdekur. Atëherë ku është vrasja? Askund. Zoti kryeministër! Jo djegia e barit, por as dhe djegia e qëllimshme e një peme ose edhe e një pylli të tërë, nuk quhet vrasje në Kodin Penal. Vetëm marrja e jetës së një ose disa njerëzve quhet vrasje me anë të zjarrit, nëse zjarrin ia ka vënë fushës me qëllim djegieje një individ me moshë madhore, dhe nga ky zjarr kanë vdekur një ose disa persona. Atëherë; na  duhet të kthehemi tek aksioma logjike që përmendëm më lart: Çdo njeri jashtë profesionit të vet është mediokër”, shkroi dje Ngjela në rrjetet sociale.

  • Spartak Ngjela: Rama, kryeministër i paaftë që ka futur Shqipërinë në një paralizë historike,si dështimet po i fsheh…

    Spartak Ngjela: Rama, kryeministër i paaftë që ka futur Shqipërinë në një paralizë historike,si dështimet po i fsheh…

    Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka reaguar dje në rrjetet sociale, ndërsa ka hedhur një akuzë të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një udhëheqës të paaftë që ka futur vendin në një gjendje paralize historike. Sipas Ngjelës, Rama përpiqet të fshehë dështimet e qeverisë me premtime boshe për të ardhmen, ndërkohë që zhvillimi kombëtar ka ngecur dhe është kthyer thjesht në një “pikturë në kornizë” pa jetë. Shqipëria, shpjegon avokati, ndodhet në një “gjendje ámulli”, ku askush nuk guxon të flasë për të ardhmen, ndërsa qytetarët janë të detyruar të zgjedhin “të keqen më të vogël” mes dy opsioneve të pafavorshme politike.
    Ndërkohë Ngjela paralajmëron se Shqipëria po mbetet peng i një stanjacioni që ndalon çdo zhvillim të vërtetë dhe rrezikon ta çojë vendin drejt një izolimi politik e social. Megjithatë, ai shprehet se, pavarësisht nga situata e rëndë, Shqipëria e bashkuar dhe aleancat strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n mbeten shpresa e vetme për të ndalur kërcënimet e jashtme dhe për të ruajtur integritetin e vendit.
    Reagimi i plotë i avokat Ngjelës
    “Vetëm një kryeministër i paaftë, uzurpator i pushtetit dhe që nga injoranca mendon se i di të gjitha e mund të gënjejë të gjithë popullin e tij; vetëm ky tip kryeministri që vjen nga hiçi dhe do gjithçka; vetëm ky mund t’i thotë popullit: s’ka gjë që unë dështova këtë vit, se vitin tjetër do ta kryej të plotë të ardhurën e turizmit të cilën nuk e realizova dot në verën e vitit 2025. E kuptoni se ku jemi sot ne shqiptarët? Ne jemi sot tek asgjëja që kërkon shumë dhe e ka lënë Shqipërinë në një gjendje amulli ku askush nuk thotë dot gjë për vendin e tij; kurse kryeministri piktor e di zhvillimin kombëtar një kompozim pikture, sepse, mëndja e një personi me kapacitet artistik; kurrë nuk ka mundur të hyjë në mendjen e një niveli të lartë ekonomik. Atëherë? Ja, kjo është paraliza historike e Shqipërisë. Po shqiptarët çfarë do të bëjnë?
    Shqiptarët aktualisht janë të shtrënguar që të zgjedhin të keqen më të vogël, Ramën, përpara të keqes me të madhe: Saliun. Por në thelb; kjo është sot një pengesë për shqiptarët, sepse këta nuk po shohin arsye politike në qeverinë që po drejton kryeministri Rama, dhe prandaj ne jemi sot si komb në një gjendje stopi; e cila ende është e pranueshme pikërisht brenda raportit që thamë: një zgjedhje e të keqes me të vogël midis dy të këqijave. Pse, a është e pranueshme një gjendje politike e cila të lë që të qëndrosh në vend pa zhvillim kombëtar? Një herë për një herë kjo është e pranueshme, sepse po të vijë sërish Sali Berisha në pushtet dëmi në zhvillimin kombëtar do të jetë katastrofik dhe kundër Shqiptarisë; sepse Shqipëria do të shkojë si shtet drejt impaktit shoqëror; sepse të gjithë do kërkojnë të emigrojnë.
    Po Edi Rama? Këtë nuk e dimë: ndoshta shpërbërjen e Shqipërisë edhe atij mund t’ia ketë kërkuar Parisi. Por, edhe nëse ia ka kërkuar; lodhen kot… Sepse, jo Rama kështu siç është, por dhe Rama në fuqi të tretë sikur të jetë, nuk i bën dot gjë Shqipërisë. Pse? Sepse Shqipëria e bashkuar është sot skemë e studiuar nga aleati kryesor i Shqipërisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo është nevojë e thellë politiko-historike, sepse me Shqipërinë e Bashkuar Rusia nuk lëviz dot drejt Gadishullit Ilirik dhe Mesdheut, sa kohë që bota shqiptare në Gadishullin Ilirik është në aleancë të ngushtë ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe një anëtare me të drejta të plota në NATO”, shkroi dje Ngjela.

  • Spartak Ngjela: Tetori do të jetë muaji i lëvizjeve ‘sizmike’ në politikë, Sali Berishën dhe të korruptuarit i pret…

    Spartak Ngjela: Tetori do të jetë muaji i lëvizjeve ‘sizmike’ në politikë, Sali Berishën dhe të korruptuarit i pret…

    Rigels Seliman
    Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka bërë një deklaratë të forta, teksa paralajmëron se muaji tetor do të sjellë “lëvizje sizmike” që do të tronditin themelet e pushtetit në Shqipëri. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, avokati i njohur deklaron se Sali Berishën dhe politikanët e korruptuar i pret “ferri” i drejtësisë, pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) është gati për goditjen fatale. Sipas tij, disa nga pronat e ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij tashmë janë nën sekuestro, ndërsa shërbimet mike dhe diplomacia amerikane po punojnë për t’ia kthyer pasuritë e grabitura popullit shqiptar. Madje Ngjela nuk kursen ironinë, duke kujtuar se shumë nga këta pushtetarë erdhën në politikë “me kostum teritali dhe këpucë të Gjirokastrës” por sot numërojnë miliona euro pasuri.
    Ndërkohë Z. Ngjela shprehet se korrupsioni i lartë ka zgjatur shumë dhe fundi i kësaj epoke të zezë është i pashmangshëm. “Prisni dhe do shihni gjyqet antikorrupsion të shtatorit e tetorit”, thekson Ngjela, duke paralajmëruar se asnjë i korruptuar nuk do t’i shpëtojë SPAK-ut. “Saliu tani pasi shkatërroi industrinë e Shqipërisë dhe vetë Shqipërinë sot flet si një i marrë që nuk ka më asnjë shqetësim veçse të mbrojë paratë që ka fituar me korrupsionin e tij. Por nuk i mbron dot: as ai dhe as dhëndëri i tij. Sipas të dhënave të mia pronat janë nën sekuestro nga SPAK. Por shërbimet mike po punojnë në favor të shqiptarëve dhe do ta çojnë deri në fund rrafshimin e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Sepse ajo ka qenë një vjedhje që i është bërë popullit shqiptar.
    Diplomacia amerikane më ka thënë: do t’ia kthejmë popullit shqiptar të gjitha pronat dhe paratë e korrupsionit. Korrupsioni i lartë në Shqipëri ka dyshime; por nuk di asgjë se çfarë po bëhet. Ekspertët ndërkombëtarë kanë thënë: të gjitha pronat e vjedhura me korrupsion do t’i kthehen popullit shqiptar. SPAK po punon; dhe shqiptarët po presin rrafshimin dhe rrënimin e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Dhe SPAK po drejtohet nga ekspertët që kanë ardhur nga Uashingtoni. Pyetja që bën historia sot është kjo: Ku i gjetën milionat që u janë kapur të korruptuarve të lartë në Shqipëri, kur dihet se ata kanë ardhur në pushtet me një kostum teritali dhe me këpucë të Gjirokastrës? Prisni dhe shikoni gjyqet antikorrupsion të muajit shtator-tetor në SPAK”, shkroi Ngjela dje.
    Ngjela godet Berishën
    Më herët gjatë kësaj të shtune, avokati Spartak Ngjela ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të Sali Berishës, pas ndërprerjes së sinjalit të televizionit “News24”. Sipas Ngjelës, Berisha po e përdor retorikën e “sulmit ndaj lirisë së medias” si një mburojë politike, pa treguar nëse kjo media ka respektuar detyrimet ligjore dhe fiskale ndaj shtetit. Ai e akuzon ish-kryeministrin se gjatë gjithë karrierës së tij ka shkelur ligjin, ndërsa Shqipëria nuk ka pasur një drejtësi të pavarur deri në krijimin e SPAK.
    Ngjela ironizon se Berisha ende mendon e vepron sikur është në mbrojtje të Partisë së Punës ose në realitetin e mesjetës, duke kërkuar më shumë sesa i takon. Në përfundim, Ngjela nënvizon se koha e ka lënë pas liderin historik të PD-së, duke e bërë të pavlefshme strategjinë e tij të sulmeve politike. “Sali Berisha reagon jashtë çdo baze ligjore pas ndërprerjes që i është bërë në fundjavë sinjalit të televizionit News24. “Sulm ndaj lirisë së medias!” – thotë Saliu. Por nuk na thotë: a i ka paguar kjo media në shtet detyrimet që ajo ka pasur në aktivitetine saj ekonomik? Apo – a është shkelur ndonjë ligj me këtë akt shtetëror kundër televizionit Neës24.
    Semos është hera e parë: Saliu në të gjithë veprimtarinë e tij kundër Shqipërisë; ka shkelur ligjin; por këtu në Shqipëri; derisa doli SPAK, nuk ka pasur pushtet gjyqësor të pavarur. Por duhet thënë se: Saliu nuk ka treguar ndonjëherë logjikë kur sulmon kundërshtarin e tij; se ai kujton që është – ose në mbrojtje të Partisë së Punës; ose është në mesjetë. Prandaj koha e ka lënë pas; sepse kërkon shumë. Por anglezët na kanë thënë: Riching beyond the rich he reached nothing at all – duke dashur të marrë më shumë se ç’mundet, ai nuk merr dot asgjë”, shprehet avokat Spartak Ngjeja.

  • Spartak Ngjela nxjerr detajet e forta: Ja dosja në SPAK që po tmerron Berishën, sa të jetë në krye të PD zgjedhjet…

    Spartak Ngjela nxjerr detajet e forta: Ja dosja në SPAK që po tmerron Berishën, sa të jetë në krye të PD zgjedhjet…

    Elmas Bogdani
    Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka shpërthyer ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin e konsideron jo vetëm pengesën më të madhe për përparimin e Shqipërisë, por edhe një figurë që ndodhet nën frikën e një dosjeje të rëndë në SPAK që rrezikon ta marrë të pandehur. Në analizën e tij Ngjela nxjerr në pah edhe kolapsin e lidershipit shqiptar në raport me çështjen kombëtare, duke e lidhur drejtpërdrejt stanjacionin politik me ekzistencën e Berishës në krye të Partisë Demokratike. Në reagimin e tij, Ngjela bën një skaner të situatës politike në vend dhe mungesës së zhvillimeve serioze në planin kombëtar, veçanërisht për marrëdhënien Shqipëri-Kosovë, duke ngritur dyshime të forta për vullnetin dhe aftësinë e lidershipit. “Asgjë e re nga fronti i çështjes kombëtare Shqipëri; Kosovë.
    Dhe kjo flet për dyshim të lidershipeve dhe jo për paaftësinë e tyre. Të jesh apo të mos jesh patriot për vendin tënd si çështje për një kryeministër, është thelbi i një sistemi politik… Pas kësaj nuk ka më as pyetje dhe as besim për kryeministrin aktual të Shqipërisë, i cili kuptohet se nuk ka lidhje as me Shqipërinë dhe as me popullin shqiptar. Por a është në armiqësi me ta? Jo, nuk se është në armiqësi, por nuk është ende Shqipëria në perspektivë historike. Dhe kjo nuk është pak. Atëherë? Kjo që po kalojmë është një kohë pa perspektivë, por jo një kohë antikombëtare”, shprehet Ngjela. Në këtë pasqyrë të zymtë politike, Ngjela e identifikon burimin e kësaj stanjacioni historik dhe politik. “Kjo është rrjedhojë e ekzistencës politike të Sali Berishës.
    Domethënë është qenia politike si kryetar i Partisë Demokratike që ka Sali Berisha, shkaku i staniacionit të Shqipërisë? Po, sigurisht; dhe po të vijojë të jetë kështu ky formacioni politik, sa të jetë Saliu në krye të Partisë Demokratike; zgjedhjet në Shqipëri do t’i fitojnë gjithmonë socialistët”, thotë ai. Me këtë konstatim, Ngjela nuk lë vend për dilema: Sali Berisha nuk është më thjesht një lider opozitar, por pengesa kryesore për demokracinë dhe për ndërrimin e pushtetit në mënyrë të ndershme në Shqipëri.
    Dosja që po tmerron Berishën
    Në një tjetër reagim, Ngjela zbardh edhe më shumë dimensionin penal dhe moral të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha, duke iu referuar drejtpërdrejt 21 janarit dhe vrasjeve para Kryeministrisë, një nga dosjet më të rënda që ndodhet sot në SPAK. “Dëgjoni se kë keni pasur president dhe kryeministër për shumë vjet në Shqipëri. Sali Berishën, që vrau demonstruesit përpara kryeministrisë me urdhrin e tij dhe, që e ka urdhrin të regjistruar edhe me zërin e tij; por që na tha se i vrau Edi Rama brenda protestës që ata bënin. Kurse sot na tha: Ishte vrasje nga Pakujdesia; në një kohë që trupat e Saliut shtinë me armë drejt demonstruesve me kërcënimet e tij”, shprehet Ngjela. Ai ironizon me përbuzje justifikimet e fundit të Berishës, duke e cilësuar “një mbrojtje prej hiçi”, ndërsa e përshkruan frikën që po e mbyt Berishën përballë drejtësisë së re.
    “Ishte shumë i trembur Saliu, se atë ditë ai mendoi që do ta zinin rob. Por gënjeu menjëherë pas ngjarjes, kur tha se: shtinë demonstruesit kundër njeri-tjetrit. Dhe tani që ka frikë se mos SPAK e merr si të pandehur edhe për këtë krim, Saliu po flet përçart me një mbrojtje prej hiçi.” Avokati i njohur thekson edhe një aspekt ligjor që rrëzon çdo tentativë të Berishës për të shmangur përgjegjësinë penale. “Vrasje nga pakujdesia do të ishte, nëse garda e tij, me urdhrin e Saliut, kishte shtirë për të vrarë sorrat dhe vrau ca policë, të cilët nuk i pa se ishin aty nëpër pozicione; por që gardistët duhej t’i kishin parë. Kjo quhet vrasje nga pakujdesia në të Drejtën Penale në Shqipëri”, tha ai.
    Ngjela e përmbyll me një mesazh të prerë për publikun shqiptar: “E kuptoni tani se kë keni pasur president e kryeministër? Një mjek antishtet që e ka drejtuar Shqipërinë drejt shkatërrimit të saj.” Ky artikulim i Ngjelës vjen në një moment kur SPAK ka konfirmuar se dosja e 21 janarit është një nga dosjet kryesore. Dhe deklaratat e Sali Berishës, që po ndryshojnë vazhdimisht pas çdo lëvizjeje të SPAK, sipas Ngjelës, janë shenja të qarta se frika ka nisur ta mbërthejë nga të gjitha anët.

  • Spartak Ngjela: Ja si do të shembet kështjella e të korruptuarve në Shqipëri dhe kush po i lëviz ‘fijet’ në…

    Spartak Ngjela: Ja si do të shembet kështjella e të korruptuarve në Shqipëri dhe kush po i lëviz ‘fijet’ në…

    Avokati i njohur, Spartak Ngjela shpreh bindjen se garancia e vetme për drejtësinë dhe proceset zgjedhore në vend është Prokuroria e Posaçme (SPAK), i cili tashmë është i pavarur dhe i mbështetur ndërkombëtarisht. Sipas tij, epoka kur pushteti gjyqësor ishte i korruptuar ka marrë fund, dhe çdo manipulim zgjedhor do të gjykohet vetëm nga drejtësia e re. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, Ngjela thekson se SPAK jo vetëm që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, por është shndërruar edhe në mburojë për demokracinë shqiptare. Ai paralajmëron se goditjet ndaj politikanëve të zhytur në afera janë çështje kohe, ndërsa rrjetet e fshehta që kanë mbrojtur të korruptuarit do të shkatërrohen një nga një. “Sot, për herë të parë, zgjedhjet dhe drejtësia janë të garantuara ndërkombëtarisht”, thekson avokat Ngjela, duke lënë të kuptohet se ofensiva e re e SPAK pritet të tronditë themelet e politikës shqiptare.
    “Ka një rregull strikt në zhvillimin kombëtar të një shteti: A është e aftë qeveria që po i drejton. Por duhet të theksojmë se në një vend demokratike qeverinë e zgjedh vetë populli me zgjedhje të lira të drejta. Atëherë gjithçka varet nga zgjedhjet? Por, a kanë qenë të lira zgjedhjet; apo fituesi i tyre i ka manipuluar? Ja kjo është çështja. Por pikërisht këtu del kjo pyetje: cili është autoriteti që jep vendimin që zgjedhjet nuk kanë qenë të lira, por të manipuluara nga partia fituese? Atëherë. Gjithçka duhet të zgjidhet në një gjykatë. Por edhe këtu ka një kusht thelbësor: Gjykata duhet të jetë e pavarur; e drejtë dhe e zgjedhur nga një organ demokratik e strikt ligjor. Atëherë këtu del kjo pyetje: Cili organ është ai që vendos se zgjedhjet elektorale kanë qenë të manipuluara nga fituesi? Ai organ është vetëm gjykata pavarur.
    Po në Shqipëri? Në Shqipëri pushteti gjyqësor ka pas qenë i korruptuar. Po tani? Tani në Shqipëri kemi një gjykatë që është e pavarur dhe e drejtuar ndërkombëtarisht. Cila është kjo gjykatë. Është vetë SPAK. Kjo don të thotë se sot në Shqipëri ne e kemi të garantuar procesin zgjedhor. Po! SPAK është garanci për zgjedhjet; dhe kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Domethënë për këtë aspekt ne sot jemi të garantuar. Po drejtësia që jep SPAK, është e garantuar ndërkombëtarisht”, shkruan Ngjela në rrjetet sociale.
    Ngjela shpërthen ndaj Berishës: Mbrojtja e Metës është një farsë, ndërkombëtarët qeshin me ish-presidentin
    Ndërkohë në një status tjetër në rrjetet sociale, avokat i njohur, Spartak Ngjela ka reaguar ashpër ndaj Sali Berishës, duke e cilësuar mbrojtjen që ish-kryeministri po i bën Ilir Metës si një manovër të kotë dhe pa asnjë bazë ligjore përpara gjykatave. Sipas tij, edhe vetë Berisha është nën akuzë nga SPAK për korrupsion, ndërsa ndërkombëtarët, që e dinë se SPAK funksionon nën mbështetjen e SHBA-ve, shprehen me ironi për rolin e tij historik në politikën shqiptare. Ngjela paralajmëron se deri në vjeshtë pritet një tronditje e madhe në skenën politike shqiptare, ku drejtësia e re do të marrë në dorë fatet e vendit. “Mbrojtja që po i bën Saliu Ilir Metës, është fare pa themel juridik para një gjykate, sepse edhe vetë Saliu është i akuzuar nga SPSK.
    Por Saliu këtë e ka më shumë si një mbrojtje ndaj vetes, pikërisht sepse edhe ai është i akuzuar për korrupsion në SPAK. Dhe nuk janë pak tani këta të akuzuarit nga SPAK. Por pyetja është kjo: cili organ po i akuzon. Saliu me nivelin e tij jashtë sistemit logjiko-mendor, thotë që Metën e  ka akuzuar Edi Rama. Kurse ndërkombëtarët që e dinë se SPAK – u drejtohet dhe paguhet nga USA; qeshin me Saliun dhe pyesin njëri-tjetrin: Vërtet ky Berisha ka qenë president dhe kryeministër i këtij vendi për shumë vjet?! Po! Ishte përgjigjja që iu dha atyre. Dhe ata qeshën me ironi dhe shtuan: Çdo diktaturë e çdo diktator adhuron individin e paaftë. Por ky do të jetë një rast i fundmë në Shqipëri. Sepse edhe këtu do të drejtojë mendja e lartë e një burri të drejtë. Por: kur do të na vijë edhe neve kjo kohë? pyetën gazetarët e huaj. Shumë shpejt- thanë ata –  sepse deri në shtator, tetor; gjithçka do të ndryshojë në rrjedhën politike të drejtimit të Shqipërisë. Dhe ne po presim”, nënvizon Ngjela.

  • Ngjela: Pse kot rrijnë trupat amerikane në Kosovë?

    Ngjela: Pse kot rrijnë trupat amerikane në Kosovë?

    Nga Spartak Ngjela
    Asgjë nuk i bëjnë dot Kosovës sot. Kot shqetësohen gazetarët mediokër shqiptarë që nuk luajnë për Kosovën. Por kot rropaten si budallenj. Kosova ka dalë e pavarur me luftë botërore; sepse u bombardua Beogradi.

    Dhe këtu merr fund gjithçka në favor historik për shtetin e pavarur të Kosovës. Të gjitha ata që flasin në shtyp kundër këtij fakti, paguhen nga Beogradi. Kush e njëh politikën historike duhet ta kuptojë që një sulm kundrejt Kosovës është luftë me Amerikën. Pse në Kosovë kot po rrinë sot trupat e Shteteve të Bashkuara?

    Kjo është pyetja që mbyll çdo diskutim. Dhe gazetarët që paguhen nga Beogradi, le të vijojnë të tjerin fjalë kot. Shqiptaria sot është shumë e fortë në të dy shtetet e saj.
    Beogradi duhet ta dijë se është në krizë bashkë me Rusinë. Dhe duhet ta kuptojë këtë. Gazetarët e shitur shqiptarë që flasin kundër realitetit shqiptar; duhet të kenë kujdes se e ardhmja e tyre mund të shkojë drejt akuzave penale; se aleati ynë i madh i ka provat gati.

  • Spartak Ngjela: Berisha si “xhol” që futet kudo, Veliaj prezumohet i pafajshëm

    Spartak Ngjela: Berisha si “xhol” që futet kudo, Veliaj prezumohet i pafajshëm

    Avokati Spartak Ngjela kryedemokratin Sali Berisha e cilëson si “xhol” që mund të hyjë kudo dhe në çdo çështje.
    Një deklaratë e tillë u bë duke folur për “MCN Live” lidhur me deklaratën e tij për dhunë çnjerëzore ndaj të “burgosurit politik” siç e konsideron Ilir Metën dhe të burgosurin “ordiner” Erion Veliaj.
    “Saliu mendon se mund të hyjë kudo, ka një lojë me letra që quhet xhol dhe xholi hyn kudo në funksion të lojës. Saliu e di veten xhol, se me që është xhol politika, thotë unë jam xhol i saj. I kanë rënë kredot, por ai bën luftën për ekzistencë.
    Të shohim gjithçka do të shihet nga procesi. Dje i kanë paraqitur akuzën zotit Veliaj, për korrupsion dhe të tjera, jemi ende te koncepti i prokurorisë i akuzës, nuk është absolut, është mbrojtja që do bësh në gjykatë, janë provat që ka mbrojtja e të pandehurit, është vendimi i gjykatës.
    Pasi të mbarojnë këto kemi të drejtë të japim mendimin tonë. Veliaj akoma prezumohet i pafajshëm.
    Të fajshëm i ka thënë akuza, kurse ligji e prezumon të pafajshëm, kështu që nuk flasim dot pa dëgjuar procesin dhe pa marrë formën e prerë vendimi i gjykatës.” – u shpreh Ngjela.
    Sa i takon marrjes së të pandehur të deputetes socialiste Klotilda Bushka lidhur me dosjen “Veliaj”, ai deklaroi se si kryetare e Komisionit të Ligjeve, ka nivel shumë të lartë dhe pritet të shihet se si do të ecin gjërat.
    Klotilda Bushka akuzohet për veprën penale të kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas SPAK, Bushka dyshohet se ka kryer veprimeve aktive për intimidimin e dëshmitarëve.