Pavarësisht dëshirës, energjisë, mundësive dhe motivimit për të punuar e për t’u përballur me sfidat e përditshmërisë, trupi ka nevojë për kohën e duhur për rikuperim, qetësi dhe pushim. Nëse njeriu nuk i dëgjon ‘thirrjet’ e organizmit, atëherë përballet me lodhje kronike, dhimbje e shumë simptoma të tjera. Ekspertët këshillojnë që njeriu të jetë i vëmendshëm ndaj sinjaleve që jep trupi, të cilat tregojnë qartë se organizmi ka nevojë të pushojë.
Një nga shenjat më të dukshme është pagjumësia. Aktiviteti i tepërt fizik shkakton stimulim të jashtëzakonshëm të sistemit qendror nervor, i cili më pas e bën të vështirë gjumin. Mungesa e gjumit është një nga pasojat më të dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik. Për këtë arsye, njerëzit që kanë pasur një stil jete më pasiv, duhet të mos e teprojnë me aktivitetin fizik dhe të marrin një ose dy ditë pushim midis seancave të ndryshme. Kjo periudhë pushimi do t’u japë mundësi muskujve të rikuperohen dhe gjumit të jetë më i qetë dhe cilësor.
Një tjetër sinjal që nuk duhet neglizhuar janë rrahjet e zemrës. Kur trupi është në pushim, rrahjet e zemrës duhet të jenë më të ulëta. Zemra e një të rrituri normalisht rreh nga 60 deri në 100 herë në minutë. Nëse rrahjet janë mbi 100, kjo do të thotë se trupi po përpiqet të punojë më fort për të shpërndarë oksigjenin në organet e ndryshme dhe është një shenjë e qartë e mbingarkesës fizike.
Po ashtu, dhimbjet fizike si kontraktimet e muskujve, dhimbjet e kyçeve apo të kokës, janë tregues se trupi mezi po qëndron në këmbë. Këto dhimbje shpesh tregojnë për praninë e një inflamacioni të brendshëm në organizëm. Trajtimi i tyre mund të bëhet përmes përdorimit të ilaçeve si ibuprofeni ose përmes ushqimeve që janë të pasura me acide yndyrore omega-3. Burimet më të mira të këtyre acideve janë salmoni, sardelet, arrat dhe farat.
Edhe oreksi është një tjetër tregues i rëndësishëm. Kur trupi është i lodhur, shpesh nuk ka energji as për të gatuar, dhe ndonjëherë as për të ngrënë. Mungesa e ushqimit e shteron organizmin nga energjitë, çon në rënie të flokëve, ul temperaturën e trupit dhe shkakton të dridhura apo marramendje. Përveç pushimit, është e domosdoshme që të siguroheni për një ushqim të shëndetshëm, të mjaftueshëm dhe të jeni të hidratuar gjatë gjithë kohës.
Nëse trupi juaj po jep këto sinjale, mos i injoroni. Pushimi nuk është luks, por nevojë biologjike për të mbajtur trupin dhe mendjen të shëndetshme.








