Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pasditen e sotme ka zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Kuçovës. Kreu i qeverisë siguroi banorët se do të vijojnë të mbështesin bashkinë e Kuçovës me gjithçka që do të munden dhe do të vijojnë të mbështesin qarkun e Beratit, i cili ka hyrë në një dinamikë të re.
Rama: Kuçova e ka mbështetur pa rezervë PS dhe më vjen mirë që nuk e kemi marrë mbështetjen tuaj si diçka që e kemi në xhep. Kemi bërë jo aq sa do të donim, por aq sa kemi mundur, në mënyrë që ky komunitet i mrekullueshëm ta ndiejë ndryshimin që ka ndodhur në gjithë Shqipërinë.
Gjithashtu renditi arsyet se pse është shumë e rëndësishme që Shqipëria të integrohet në BE.
Rama: Si gjithë Shqipëria, edhe ky qark, ka nevojë për diçka më të madhe, përmbushja e një misioni historik për Shqipërinë, anëtarësimi në BE. Në rrugëtimin e këtyre tre mandateve ne kemi pasur mbështetje nga BE. Ka qenë një mbështetje që ka ardhur në rritje. Ne kemi marrë nga BE diçka më shumë se 1 mld euro nga të cilat 90% janë kredi të buta, por janë borxhe. Ndërkohë që me anëtarësimin në BE, Shqipëria do të marrë 1 mld euro çdo vit. Nuk do të jenë 90% kredi, por do të jenë 90% kontribut i asaj shtëpie të përbashkët për Shqipërinë. Në bujqësi kemi ecur më shumë se asnjëherë tjetër në këto vite. Kemi marrë shumë më pak se 200 mln euro mbështetje, por ka qenë një shumë e konsiderueshme. Me anëtarësim në BE bujqësia do të marrë 300 mln euro në vit. E gjitha mbështetje e drejtpërdrejtë dhe jo kredi.
Rama tha se këto dy të dhëna mjaftojnë për të kuptuar se me hyrjen në atë shtëpi, Shqipëria bëhet me një buxhet ekstra, përveç atij që krijohet nga të ardhurat si rezultat i rritjes ekonomike të vendit.
Rama: Ajo është një shtëpi të pasurish. Ka dy kategori; kontribuesit dhe përfituesit, siç do të jetë Shqipëria. Ajo shtëpi funksionon si një familje. Ata që kanë nevojë të forcohen, familja kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Kreu i qeverisë theksoi se BE nuk e ka hapur derën përgjithmonë dhe prandaj është e rëndësishme zgjedhja që do të bëhet më 11 maj./vizionplus.tv









