Tag: nestor

  • Koncerti recital i kompozitorit Nestor Kraja

    Koncerti recital i kompozitorit Nestor Kraja

    Në datën 15 nëntor në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve u mbajt një koncert me veprat e kompozitorit Nestor Kraja. Ai kishte përzgjedhur këtë mbrëmje disa nga veprat e tij të cilat, sipas intervistës me autorin kërkonin “të tregonin karakteristikat e stilit kompozicional, por dhe  përthyerjet në kohë të ndryshme”, duke nisur në fillimet e viteve 90′. Ato shpalosën një gamë të gjerë gjinish muzikore, që nga romanca vokale, kuarteti apo kuinteti i harqeve e deri tek Poema Simfonike për orkestër e shkruar kohët e fundit. Në koncert morën pjesë disa nga artistët e njohur të skenës shqiptare si Lorenc Radovani, Gëzim Belegu, Klejda Tare, Nina Muho Silvana Skënderi, Gridi Kraja etj.
    Pjesëmarrja e orkestrës Simfonike të Radio-Televizionit mbylli koncertin me lojën dhe mjeshtërinë e saj, e përcjellë nga duartrokitje të gjata të spektatorëve. Duke shfletuar titujt e veprave të përzgjedhura, por dhe idetë që ato transmetuan në sallë vërejmë një sërë tematikash, që shkojnë nga ato rinoret me temën e dashurisë (kujtimi i dashurisë së humbur- romanca Plepi), temën e përpjekjes ekzistenciale që shpaloste Kuinteti me Flaut i shkruar në vitin 1997, gjendja emocionale që shkaktojnë në çdo rast enigmat që ndeshim përpara (si tema bazë e pjesës për piano solo me titullin “Enigma”), si dhe deri tek tematika apo idetë universale të Poemës Simfonike “Laokonti”. Sipas prezantimit në sallë kjo vepër mbështetet mbi mitin e lashtë të priftit Laokont, të cilit perëndesha Era, e cila mbështeste ushtrinë greke i dërgoi dy gjarpërinj për të mos treguar mashtrimin e Kalit të Trojës. Pra, Laokonti u përpoq të zbulojë mashtrimin e grekëve, ndërkohë që perënditë kishin vendosur shkatërrimin e Trojës. Ide këto të mëdha aq sa vjetërsia e tyre shkaktuan gjendje të forta emocionale në sallë. Përmes tyre kompozitori shpalosi një nga karakteristikat e krijimtarisë së tij: Kërkesën për të komunikuar hapur dhe me tematika të mprehta e aktuale me publikun.
    Siç ai shprehet në intervistë: “arti muzikor në thelbin e tij ka komunikimin e ideve të mëdha apo të vogla, por që ngjallin gjendje të forta emocionale tek dëgjuesit. Drejtimet e tjera artistike janë muzikë dëfryese e largët për mendimin apo inteligjencën njerëzore. Në të gjitha arritjet e saj madhore muzika ka rrezatuar pikërisht mjeshtërinë dhe inteligjencën e ndërthurjes së tingujve për të përhapur ide të mëdha të jetësore”. Kjo vepër është vepra e tretë simfonike e Krajës shkruar katër vitet e fundit dhe të ekzekutuara nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, të cilat kanë lënë mbresë tek artdashësit dhe në radhët e profesionistëve muzikës. E para, e titulluar “Vallja e Shtrigave” (2022) është një Kapriç Simfonik tepër miklues përsa i përket materialeve të saj tematike dhe artikulon idetë e një shthurjeje të shumfishtë që autori ndjen në jetën aktuale të vendit. E dyta, poema simfonike “Imazhe digjitale” (2023) pasqyron përplasjen midis të bukurës (tema e dytë) dhe  falsitetit dhe aparencës, që shfaqet në jetën e përditshme si një përplasje e dy filozofive që ballafaqohen kudo në jetën e përditshme.  Kështu, kompozitori Nestor Kraja shfaqet si një krijues që rrok tema aktuale me dimensione njerëzore e jetësore.

  • Koncert recital i kompozitorit Nestor Kraja, në skenë këtë mbrëmje artistët me një përmbledhje të veprave të tij

    Koncert recital i kompozitorit Nestor Kraja, në skenë këtë mbrëmje artistët me një përmbledhje të veprave të tij

    Nga Julia Vrapi
    Artistët këtë mbrëmje në skenë me krijimtarinë muzikore të kompozitorit Nestor Kraja. Këtë mbrëmje zhvillohet koncerti recital i kompozitorit Nestor Kraja, që gjithashtu ndërthur dhe krijimtarinë e muzikës së dhomës dhe atë simfonike. Në jetën muzikore në vend veprat e kompozitorit  Kraja kanë qenë herë pas here pjesë e aktiviteteve të ndryshme, por këtë mbrëmje të 15 nëntorit koncerti recital që do të zhvillohet në sallën e madhe të Universitetit të Arteve premton të jetë një mbrëmje e veçantë muzikore. Koncerti këtë mbrëmje ngjit në skenë disa nga artistët e njohur në vend, ndërsa sjell vepra që janë shkruar në vite, mes tyre edhe një vepër e re. Nestor Kraja është një ndër kompozitorët më aktivë të proceseve të reja muzikore shqiptare. Përveç aspektit krijues dhe veprat e interpretuara në rajon si dhe Gjermani, Itali, Austri, etj, profesor Nestor Kraja shquhet edhe me aktivitetin e tij shkencor, hulumtues dhe organizativ. Ndërsa programi muzikor këtë mbrëmje përmban: Kuintet Harqesh, “Prelud Kromatik” për piano, “Enigma” për piano, “Plepi” romancë, Kuartet Harqesh, “Përmes dashurisë”, Sonata për Violinë Koha II, etj. Në koncert këtë mbrëmje janë të ftuar edhe dy figura të rëndësishme të artit shqiptar në Itali. Violinistja Anyla Kraja dhe pianisti e ish pedagogu i këtij universiteti Aleksandër Gashi, që jetojnë në Itali. Të dy artistët do të përshëndesin publikun edhe me dy numra të zgjedhur nga Shopen dhe Rahmaninov. Kraja e Gashi do të interpretojnë këtë natë Kohën e parë të Sonatës për violinë të Nestor Krajës, e cila është kompozuar në dedikim të nënës së tij.
    Artistë të tjerë pjesëmarrës në koncert
    Në këtë koncert marrin pjesë disa artistë të njohur, ku i ftuari i nderit është tenori shqiptar Josif Gjipali, i cili ka shkëlqyer në të gjitha skenat e botës me zërin e tij. Në këtë koncert Gjipali do të interpretojë romancën “Plepi”, shkruar në vitin 1996, e cila shquhet për ndjenjat e holla dhe nostalgjinë që sugjeron si ndjenja njerëzore dhe universale. Gjipali do të shoqërohet këtë mbrëmje në piano nga pianistja Silvana Skënderi (zv.dekane e Fakultetit të Muzikës), e cila ka një jetë të pasur koncertore. Gridi Kraja ka drejtuar orkestra të ndryshme në shumë vende të Shqipërisë si dhe në disa vende Evropiane. Këtë mbrëmje ai do të drejtojë Orkestrën Simfonike për të ekzekutuar “Poemën Simfonike” të shkruar posaçërisht për të, nga kompozitori Nestor Kraja me titullin “Laokonti”. Me subjekt mitologjik vepra evokon ide dhe mesazhe të rëndësishme për kohën tonë, përmes pikturimit të figurave kontrastuese dhe të materializuara nga tingëllime të reja orkestrale. Pjesëmarrëse është edhe Nina Muho që do të hapë koncertin me pjesën vokale “Përmes dashurisë”, e cila është orkestruar dhe aranzhuar nga kompozitori dhe klarinetisti Fatos Qerimaj. Pianistja Klejda Tare do të interpretojë “Prelud Kromatik”, një pjesë shumë e vështirë, ndërtuar mbi tri nota: Mi, Re, La. Ndërsa Nikol Tuka do të ekzekutojë pjesën pianistike “Enigma” shkruar për piano solo në vitin 2007. Patricia Maria Roshka vjen nga Bukureshti-Rumani dhe këtë mbrëmje do të interpretojë Tokatën për piano. Të tjerë artistë të njohur në koncert përmendim dhe violinisti Lorenc Radovani, pjesëmarrëse është dhe Erinda Agolli, Ajola Laska e Albana Kola, Gëzim Belegu, Zyle Rexha e Arben Basha.