Tag: ndryshimet

  • Çiklistët në këto vende mund të përballen me burgim të përjetshëm në rast të aksidenteve fatale

    Çiklistët në këto vende mund të përballen me burgim të përjetshëm në rast të aksidenteve fatale

    Në Angli dhe Uells, çiklistët që shkaktojnë vdekjen e këmbësorëve për shkak të vozitjes së rrezikshme, së shpejti mund të përballen me dënimin maksimal të burgimit të përjetshëm. Kjo parashikohet në ndryshimet e reja të Ligjit për Kriminalitetin dhe Policinë, të njoftuara këtë javë nga Ministria e Transportit.

    Megjithëse dënimi i përjetshëm do të zbatohet vetëm në rastet më të rënda, ndryshimet synojnë të ashpërsojnë ndjeshëm përgjegjësinë ligjore për çiklistët. Aktualisht, vozitja e rrezikshme ose e pamenduar me biçikletë dënohet me një maksimum prej deri në dy vjet burg.

    Sipas amendamenteve të paraqitura të enjten në Parlament, çiklistët që shkaktojnë viktima përmes vozitjes së rrezikshme do të trajtohen sipas të njëjtave standarde si shoferët e makinave. Ligji i ri është përshëndetur nga shumë deputetë dhe qytetarë, përfshirë Matt Briggs, i cili humbi gruan e tij, Kim, në vitin 2016 nga një aksident i tillë. “Pas humbjes së Kim, nisa një fushatë për miratimin e këtyre ligjeve. Jam i kënaqur që qeveria laburiste ka pasur parasysh kërkesat tona,” u shpreh ai për The Telegraph.

    Megjithatë, jo të gjithë janë dakord me ndryshimet. Ish-çiklisti olimpik dhe komisioneri kombëtar për udhëtime aktive në Angli, Chris Boardman, paralajmëroi se ligjet e reja mund të dekurajojnë përdorimin e biçikletave në vend. Sipas tij, nevojitet një qasje më e balancuar për të promovuar sigurinë pa penguar udhëtimet aktive.

    Ndërkohë, debati mbi sigurinë dhe rregullat në trafik për çiklistët vazhdon të zgjerohet në Britaninë e Madhe.

  • “Revolucioni” vazhdon, ja ndryshimet që do të implementojë UEFA në “Champions-in e ri”

    “Revolucioni” vazhdon, ja ndryshimet që do të implementojë UEFA në “Champions-in e ri”

    UEFA po shqyrton mundësinë për të bërë disa ndryshime në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, i cili këtë sezon nisi me një fazë lige me 36 skuadra përpara se të kalohej në eliminatoret direkte. Sipas gazetës gjermane “Bild”, këto janë disa nga ndryshimet që po diskutohen:
    1. Avantazhi i fushës deri në gjysmëfinaleDy skuadrat që përfundojnë në vendin e parë dhe të dytë në fazën e ligës do t’i luajnë ndeshjet e kthimit në shtëpi deri në gjysmëfinale. Katër skuadrat e para do ta kenë këtë avantazh në çerekfinale. Kjo do të zgjerojë përfitimin që tani iu jepet vetëm dy skuadrave të para në 1/8 finale.
    2. Heqja e shtesaveNë rast barazimi në rezultatin e përgjithshëm në fund të ndeshjes së kthimit, nuk do të luhem më shtesa (30 minuta). Do të kalohet drejtpërdrejt te penalltitë për të shmangur lodhjen shtesë të lojtarëve.
    3. Ndalimi i dueleve mes ekipeve të së njëjtës ligëUEFA po mendon të rikthejë rregullin e vjetër që ndalon takimet mes ekipeve të së njëjtës ligë (kampionati kombëtar) deri në çerekfinale. Aktualisht, ekipe të një kombësie mund të përballen që në “play off”-in para 1/8 finale, siç ka ndodhur këtë sezon. Kjo iniciativë është më e vështira për t’u zbatuar për shkak të kritereve të shortit.
    📅 Kur vendoset?Të gjitha këto ndryshime do të diskutohen më 30 maj, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, një ditë para finales së Champions League 2024-25, që do të zhvillohet në Mynih. Nëse miratohen, këto rregulla do të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën se si përjetohet Champions-i, duke theksuar edhe më shumë rolin e pozicionimit në fazën e ligës.

  • Qytetet termale historike të Europës në rrezik nga ndryshimet klimatike

    Qytetet termale historike të Europës në rrezik nga ndryshimet klimatike

    Temperaturat në rritje, përmbytjet dhe thatësira kërcënojnë burimet natyrore të ujërave termale që kanë formuar qytetet e famshme termale të Europës, një trashëgimi që daton prej kohës së Romës së lashtë dhe që ka tërhequr për shekuj vizitorë në kërkim të shëndetit dhe mirëqenies.

    Njëmbëdhjetë prej këtyre qyteteve – si Bath në Mbretërinë e Bashkuar, Baden Baden në Gjermani dhe Vichy në Francë – janë të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Sot, përballë sfidave që sjell ngrohja globale, këto qytete po bashkohen me programin “Preserving Legacies” të Shoqatës National Geographic për të mbrojtur trashëgiminë e tyre nga rreziqet klimatike.

    Në kuadër të këtij programi, qytetet do të përfitojnë mjete të reja, trajnime teknike dhe bashkëpunim me rrjete partnerësh për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, duke shërbyer si model për qytetet e tjera të Europës.

    Sipas Naomi O’Toole, koordinatore e komunikimit për organizatën The Great Spa Towns of Europe, ndryshimet klimatike tashmë po japin efektet e para. Përmbytje të shpeshta kanë prekur qytetin austriak Baden bei Wien në vitin 2024 dhe Spa në Belgjikë në 2021. Në Bath, pishinat historike Cleveland janë mbyllur përkohësisht për shkak të dëmeve nga përmbytjet e përsëritura – megjithëse ishin projektuar për përmbytje që ndodhin një herë në 100 vjet, ato janë përmbytur çdo vit për tre vite radhazi.

    Këto fenomene përbëjnë jo vetëm humbje të trashëgimisë së çmuar kulturore, por edhe rrezik ekonomik, pasi turizmi kulturor përbën 40% të turizmit global dhe kontribuoi me 9.1% në PBB-në botërore gjatë vitit 2023.

    “Trashëgimia kulturore është më shumë se bukuri estetike – ajo është baza ekonomike e shumë komuniteteve përmes turizmit, zanateve dhe bujqësisë tradicionale,” thotë Victoria Herrmann, drejtoreshë ekzekutive e Preserving Legacies dhe eksploruese e National Geographic.

    Ajo paralajmëron se mungesa e investimeve në përfshirjen e trashëgimisë në politikat e rezistencës ndaj klimës është një mangësi serioze dhe e rrezikshme.

    Përmes programit “Preserving Legacies”, liderët lokalë do të trajnohen për të kryer vlerësime të rreziqeve klimatike dhe për të zbatuar strategji përshtatjeje që do të mbrojnë burimet natyrore termale dhe peizazhet kulturore për brezat e ardhshëm.

    Sipas Chiara Ronchini, sekretare e përgjithshme e The Great Spa Towns of Europe, qëllimi afatgjatë është krijimi i një modeli të aplikueshëm edhe për destinacione të tjera në Europë që po përballen me pasoja të ngjashme nga ndryshimet klimatike.

  • Sot, Dita Ndërkombëtare e Tokës/ OKB thirrje për veprim: Natyra po vuan, oqeanet mbushen me plastikë, zjarret nxehtësia

    Sot, Dita Ndërkombëtare e Tokës/ OKB thirrje për veprim: Natyra po vuan, oqeanet mbushen me plastikë, zjarret nxehtësia

    Në kalendarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sot është Dita Ndërkombëtare e Tokës. Më 22 prill 1970, në SHBA, u mbajt manifestimi i parë më i madh ekologjik, prej nga edhe doli ideja për shpalljen e kësaj date si Dita Ndërkombëtare e Tokës. “Natyra po vuan, oqeanet mbushen me plastikë dhe bëhen më acide. Nxehtësia ekstreme, zjarret dhe përmbytjet, kanë prekur miliona njerëz”, shkruan OKB.
    Qëllimi i kësaj dite është angazhimi i të gjithë njerëzve anë e mbanë botës në mbrojte të Tokës. Po ashtu, qëllimi i kësaj date mbetet mbrojtja e planetit Tokë dhe të gjitha burimeve nga ndotja. Ndryshimet klimatike, ndryshimet e bëra nga njeriu në natyrë si dhe krimet që prishin biodiversitetin, si shpyllëzimi, ndryshimi i përdorimit të tokës, intensifikimi i bujqësisë dhe prodhimi i blegtorisë ose tregtia e paligjshme e kafshëve të egra në rritje, mund të përshpejtojnë shkatërrimin e planetit.
    OKB bën thirrje të rivendoset ekuilibri i ekosistemeve të dëmtuara, gjë që do të ndihmojë për t’i dhënë fund varfërisë, për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të parandaluar shfarosjen masive. Në këtë ditë, OKB fton t’i kujtojmë vetes, më shumë se kurrë, se ne kemi nevojë për një zhvendosje drejt një ekonomie më të qëndrueshme që funksionon si për njerëzit ashtu edhe për planetin.

  • Paralajmëron studimi: Ndryshimet klimatike rrezikojnë dhurimin e gjakut dhe rrisin kërkesën për transfuzione

    Paralajmëron studimi: Ndryshimet klimatike rrezikojnë dhurimin e gjakut dhe rrisin kërkesën për transfuzione

    Ndryshimet klimatike pritet të ndikojnë ndjeshëm në disponueshmërinë dhe kërkesën për gjak, përmes ndikimit të tyre në shëndetin e popullatës dhe kushtet e furnizimit, ka zbuluar një studim i ri i botuar në The Lancet Planetary Health. Studiuesit nga Kryqi i Kuq Lifeblood dhe Universiteti i Bregut të Diellit (UniSC) në Australi paralajmërojnë se rritja e temperaturave dhe moti ekstrem po rrezikojnë seriozisht sistemet ekzistuese të dhurimit dhe transfuzionit të gjakut.

    Sipas studimit, përhapja e sëmundjeve infektive të transmetueshme përmes gjakut, si Ethet e Dengës, Malaria dhe Virusi i Nilit Perëndimor – të ndikuara nga rritja e reshjeve dhe temperaturat më të ngrohta – mund të kufizojnë ndjeshëm numrin e dhuruesve të gjakut. “Ndryshimi i klimës mund të ndikojë në disa sëmundje infektive që mund të transmetohen përmes gjakut dhe mund t’i pengojnë njerëzit të dhurojnë,” tha Dr Elvina Viennet, një nga autoret e studimit.

    Studiuesit gjithashtu paralajmërojnë se fatkeqësitë natyrore, përfshirë përmbytjet, zjarret dhe temperaturat ekstreme, mund të kufizojnë lëvizshmërinë e dhuruesve dhe të pengojnë transportin dhe ruajtjen e gjakut, i cili ka një jetëgjatësi të kufizuar. Këto kushte gjithashtu ndikojnë negativisht në shëndetin fizik dhe mendor të dhuruesve, duke përfshirë presionin e gjakut, hidratimin dhe efektet psikologjike si “ankthi i klimës”.

    Në të njëjtën kohë, kërkesa për gjak pritet të rritet si pasojë e rritjes së sëmundjeve të lidhura me ndryshimet klimatike, përfshirë komplikimet në shtatzëni, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e qelizave drapër. Aktualisht, çdo vit transfuzohen rreth 25 milionë njësi gjaku në Evropë, një numër që mund të rritet ndjeshëm nëse parashikimet e studimit dalin të sakta.

    Për të përballuar këto sfida, studimi sugjeron masa zbutëse si ngritja e qendrave të lëvizshme të dhurimit, shpëtimi i qelizave për transfuzione vetjake, dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për garantimin e rezervave të qëndrueshme të gjakut. “Me rritjen e nivelit të detit që shton normat e migrimit, është thelbësore që të kemi dhurues nga një spektër i gjerë etnik,” theksoi Helen Faddy, autore kryesore e studimit.

    Ky paralajmërim vjen në një kohë kur ndryshimet klimatike po trajtohen gjithnjë e më shumë si kërcënim për sistemet shëndetësore në mbarë botën./ Euronews – Syri.Net

  • Politikat për ndryshimet klimatike, Trump lëshon urdhërin ekzekutiv

    Politikat për ndryshimet klimatike, Trump lëshon urdhërin ekzekutiv

    Presidenti i 47-të i SHBA-ve Donald Trump ka lëshuar një urdhër ekzekutiv, që synon të bllokojë zbatimin e ligjeve shtetërore të miratuara për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile dhe për të luftuar krizën klimatike.

    Masa është e fundit në një varg përpjekjesh të administratës së Trump për të rritur prodhimin e brendshëm të energjisë dhe për të kundërshtuar politikat e udhëhequra kryesisht nga demokratët për të frenuar emetimet e karbonit. Ajo erdhi vetëm disa orë pasi Trump, lëshoi ​​urdhra për të rritur prodhimin e qymyrit.

    Urdhri udhëzoi prokurorin e përgjithshëm të SHBA-së të identifikonte ligjet shtetërore që adresojnë ndryshimet klimatike, iniciativat ESG, drejtësinë mjedisore dhe emetimet e karbonit dhe të ndërmarrë veprime për t’i bllokuar ato.

    Trump përmendi në mënyrë specifike ligjet në Neë York dhe Vermont që gjobisin kompanitë e lëndëve djegëse fosile për kontributin e tyre në ndryshimin e klimës, politikën e Kalifornisë për kufirin dhe tregtin  dhe paditë nga shtetet që kanë kërkuar të mbajnë kompanitë e energjisë përgjegjëse për rolin e tyre në ngrohjen globale.

  • Trump godet sërish/ Firmos urdhrin ekzekutiv që bllokon politikat shtetërore për ndryshimet klimatike

    Presidenti amerikan, Donald Trumo lëshoi ​​një urdhër ekzekutiv të marten, që synon të bllokojë zbatimin e ligjeve shtetërore të miratuara, për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile dhe për të luftuar krizën klimatike.

    Masa është e fundit, në një varg përpjekjesh të administratës së Trump për të rritur prodhimin e brendshëm të energjisë dhe për të kundërshtuar politikat e udhëhequra kryesisht nga demokratët, për të frenuar emetimet e karbonit. Ajo erdhi vetëm disa orë pasi Trump, një republikan, lëshoi ​​urdhra për të rritur prodhimin e qymyrit.

    Urdhri udhëzoi prokurorin e përgjithshëm të SHBA-së të identifikonte ligjet shtetërore që adresojnë ndryshimet klimatike, iniciativat ESG, drejtësinë mjedisore dhe emetimet e karbonit dhe të ndërmarrë veprime për t’i bllokuar ato.

    “Shumë shtete kanë miratuar, ose janë në proces të miratimit, politika të rënduara dhe të motivuara ideologjikisht, ‘ndryshimet klimatike’ ose energjetike që kërcënojnë dominimin energjetik amerikan dhe sigurinë tonë ekonomike dhe kombëtare,” thuhej në urdhër.

    Trump përmendi në mënyrë specifike ligjet në Nju Jork dhe Vermont, që gjobisin kompanitë e lëndëve djegëse fosile për kontributin e tyre në ndryshimin e klimës, politikën e Kalifornisë për kufirin dhe tregtinë, dhe paditë nga shtetet që kanë kërkuar të mbajnë kompanitë e energjisë përgjegjëse për rolin e tyre në ngrohjen globale./ The Guardian.

  • Ndryshimet në peshë për shkak të sëmundjes, Selena Gomez zbulon se mërzitet me komentet: Nuk ndodh njësoj për burrat

    Ndryshimet në peshë për shkak të sëmundjes, Selena Gomez zbulon se mërzitet me komentet: Nuk ndodh njësoj për burrat

    Selena Gomez zbuloi se mërzitet kur lexon komente për ndryshimet e saj në peshë, duke theksuar se e njëjta rreptësi nuk vlen për meshkujt. Këngëtarja dhe aktorja e njohur, duke folur në podcast “On Purpose with Jay Sethi” me të fejuarin e saj, Benny Blanco , theksoi se imazhi i saj i jashtëm ndikohet nga mjekimi që merr për shkak të sëmundjes autoimune nga e cila vuan.
    Ylli i popit 32-vjeçar tha se përpiqet të injorojë komentet negative në rrjetet sociale, por nuk është gjithmonë e lehtë. “Unë jam njeri dhe ndonjëherë lexoj gjëra ”, tha ajo në mënyrë karakteristike.
    Gomez theksoi se nuk do të duket kurrë si modele, gjë që ia atribuon mjekimit që merr për lupusin. ” Unë nuk jam model dhe nuk do të jem kurrë. Dhe mendoj se modelet janë të shkëlqyera, thjesht nuk i përkas asaj kategorie”.

    Duke folur për kritikat e vazhdueshme që merr për pamjen e saj, ajo vuri në dukje se femrat i nënshtrohen komenteve shumë më intensive se meshkujt. “Është personazh ai që vlerësohet. Unë nuk jam mjaftueshëm i bardhë, nuk jam mjaftueshëm meksikan… Askush nuk merret me këto gjëra kur bëhet fjalë për burrat ,” vuri në dukje ajo.
    /vizionplus.tv

  • Pse Keni Dhimbje Koke Kur Ndryshon Moti?

    Pse Keni Dhimbje Koke Kur Ndryshon Moti?

    Nga stuhitë deri në ditët me diell, ndryshimet e motit mund të shkaktojnë dhimbje koke ose simptoma të migrenës.

    Për të deshifruar lidhjen midis kushteve meteorologjike dhe dhimbjes së kokës, si dhe mënyrat për t’i shmangur ato AgroWeb.org ju fton të vazhdoni leximin.

    A mund të shkaktojë moti dhimbje koke?

    Përgjigjja e shkurtër është po! Kjo sepse njerëzit ndikohen nga ndryshimet e presionit barometrik, drita, temperatura dhe lagështia.

    Por si ndodh kjo?

    Ndryshimet e presionit barometrik

    Ndryshimet në presionin barometrik (ose të ajrit) shpesh ndodhin gjatë një stuhie kur ajri i ftohtë dhe i ngrohtë përzihen së bashku.

    Këto ndryshime, të cilat ndryshojnë forcën (ose peshën) e ajrit, mund të prishin ekuilibrin e lëngjeve në sinuset tuaja dhe të shkaktojnë dhimbje koke.

    Në veçanti, rënia e presionit barometrik është një nga shkaktarë e njohur të migrenës.

    Gjatë luhatjeve të presionit të ajrit, enët e gjakut në tru zgjerohen dhe më pas ngushtohen, duke shkaktuar një dhimbje tillë.

    Nxehtësia dhe rrezet e diellit

    Jo të gjitha dhimbjet e kokës vijnë nga moti i keq ose i ftohtë. Për të tjerë, migrena është më e shpeshtë në ditët e bukura me diell.

    Ditët e nxehta me diell mund të jenë problematike për njerëzit që vuajnë nga migrena fotosensitive.

    Një kombinim faktorësh

    Studimet zbulojnë se njerëzit raportojnë dhimbje koke nga migrena gjatë ditëve me re por edhe gjatë ditëve me diell.

    Dhe kjo mund të tregojë se një sërë variablash dhe kushtesh atmosferike mund të shkaktojnë migrenë. Këto faktorë ndryshojnë nga një person në tjetrin.

    Si të parandaloni dhe menaxhoni dhimbjet e kokës

    AgroWeb.org ndan disa këshilla për masat parandaluese që mund të merrni për të minimizuar dhimbjet e kokës.

    Mbani një ditar – Rregjistroni dhimbjet e kokës për të parë se sa ditë keni dhimbje koke. Kjo do t’ju ndihmojë të identifikoni shkaktarët dhe të hartoni mënyra për të shmangur ose kufizuar ekspozimin ndaj tyre.

    Krijo një strategji për të parandaluar dhimbjen – Strategjia juaj duhet të përqendrohet rreth parashikimit dhe zbutjes së shkaktarëve. Kjo mund të përfshijë rritjen e hidratimit, përdorimin e përkohshëm të medikamenteve dhe shmangia e ushqimeve dhe faktorëve që aktivizojnë migrenën.

    Përvetësoni zakone të shëndetshme – Ndjekja e zakoneve të shëndetshme të jetesës si ushqimi i duhur, stërvitja e rregullt, gjumi mund të ndihmojnë në ndërtimin e një sistemi të fortë imunitar. Kështu ju mund të zvogëloni rrezikun nga sulmet e migrenës.

    Mbani syze dielli – Nëse rrezet e diellit janë një nga shkaktarët e migrenës, syzet e diellit mund të jenë një zgjidhje e dobishme.

    Dhe për shkak se drita blu e ekraneve dhe ndjeshmëria ndaj dritës mund të shkaktojë migrenë , ju gjithashtu mund të mbani syze me filtrim të dritës blu ndërkohë që jeni në ambiente të brendëshme./AgroWeb.org

  • Erlind Sulo largohet nga KESH, caktohet drejtor i AKBN

    Erlind Sulo largohet nga KESH, caktohet drejtor i AKBN

    Ndryshimet në kabinetin qeveritar, kanë sjellë lëvizje në drejtimin e disa institucioneve.
    Pas emërimit të Petrit Malaj Ministër i Financave, në krye të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, është vendosur Erlind Sulo.
    Sulo i cili prej pak muajsh drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare.