Tregimet për gladiatorë që përballeshin me luanë të egër në Koloseun e lashtë të Romës janë legjendare. Skena të këtyre përballjeve vdekjeprurëse janë paraqitur në tregime, piktura dhe mozaikë (një konflikt Njeriu kundër Mace së Madhe është sugjeruar edhe në filmin “Gladiatori”, megjithëse nuk është shfaqur drejtpërdrejt). Por deri më sot, nuk ka pasur asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë fizike që këto ndeshje ndodhnin vërtet.
Një zbulim i ri që tregon gjurmë dhëmbësh mbi një kockë njeriu sugjeron se këto përshkrime artistike janë më shumë gazetari sesa trillim. Kjo është dëshmia e parë arkeologjike mjekoligjore që përballjet njeri-luan ndodhnin vërtet gjatë Perandorisë Romake, sipas një artikulli të publikuar në PLOS One.
“Për vite me radhë, të kuptuarit tonë mbi luftimet e gladiatorëve dhe spektaklet me kafshë në Romën antike është mbështetur kryesisht në tekste historike dhe përshkrime artistike,” tha Tim Thompson, arkeolog në Universitetin Maynooth në Irlandë dhe autori kryesor i studimit, në një deklaratë për shtyp. “Ky zbulim ofron dëshminë e parë të drejtpërdrejtë dhe fizike që ngjarje të tilla ndodhnin vërtet gjatë kësaj periudhe, duke ndryshuar mënyrën si e perceptojmë kulturën argëtuese të Romës.”
Dëshmia nuk vjen nga Italia, por nga një varrezë romake në York të Anglisë. Qyteti, i njohur për katedralen e tij të madhe gotike, Minster, është gjithashtu vendi ku ndodhet një varrezë gladiatorësh.
Një varrezë 1800-vjeçare ndodhet përgjatë një rruge romake që del nga York-u. Gërmimet atje nisën në vitin 2004. Arkeologët kanë analizuar që atëherë 82 skelete burrash. Por nuk kishte pasur prova përfundimtare se mbetjet, që dukeshin si të rinj të fortë, ishin ndonjë gjë tjetër përveç ushtarëve apo skllevërve, deri tani.
“Gjurmët e kafshimit, me shumë gjasa nga një luan, konfirmojnë se skeletet e varrosura në këtë varrezë ishin gladiatorë, dhe jo ushtarë apo skllevër, siç ishte menduar fillimisht. Ky është konfirmimi i parë osteologjik i një përballjeje njerëzore me mishngrënës të mëdhenj në një kontekst lufte ose argëtimi në botën romake,” tha Malin Holst, pedagoge në Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e York-ut dhe bashkautore e studimit.
Studiuesit krahasuan gjurmët e kafshimit në skelet me kafshime nga një luan në një kopsht zoologjik dhe përcaktuan se përputheshin. Plaga nuk tregonte shenja shërimi, çka tregon se ndoshta ishte shkaku i vdekjes së njeriut. Arkeologët vlerësuan se burri ishte midis 26 dhe 35 vjeç dhe gjithashtu duket se i ishte këputur koka pas vdekjes, një rit i mundshëm varrimi në Romën e lashtë.
Vendndodhja e varrimit gjithashtu tregon se garat e gladiatorëve gjatë Perandorisë Romake nuk ishin ekskluzivitet vetëm i Romës.
“Zakonisht kemi një imazh në mendje të këtyre përleshjeve që ndodhin në mjediset madhështore të Koloseut në Romë, por këto zbulime të fundit tregojnë se këto ngjarje sportive kishin shtrirje shumë më të gjerë, përtej territoreve qendrore romake,” tha Holst. “Ka shumë mundësi që të ketë ekzistuar një amfiteatër në York-un romak, por ende nuk është zbuluar.” / Sky News – Syri.net