Dhjetëra varka, aktivistë nga 44 vende dhe mijëra mbështetës në tokë që po organizojnë mobilizime.
Afrohet nisja e Global Sumud Flotilla, misioni ndërkombëtar i shoqërisë civile që synon të arrijë në Rripin e Gazës për të dërguar ndihma humanitare dhe për të ushtruar presion mbi komunitetin ndërkombëtar.
“Përballë një pasiviteti që zgjat prej më shumë se 20 muajsh, është shoqëria civile që po lëviz”, deklarojnë organizatorët.
Nisjet edhe nga Italia
Sipas planit, më 31 gusht, nëse lejon moti, pjesa e parë e flotës do të niset nga Spanja dhe Genova. Më 4 shtator do të nisen edhe anije të tjera nga Sicilia, Tunizia dhe Greqia, të gjitha me destinacion Gazën.
Iniciativa nuk është pa rrezik. Edhe më parë, velierët Madleen dhe Handala janë ndaluar në ujëra ndërkombëtare, ekuipazhet e tyre janë arrestuar, mes tyre edhe aktivistja Greta Thunberg dhe eurodeputetja Rima Hassan, të cilat më pas u dëbuan me ndalim hyrjeje 100-vjeçar në Izrael.
Greta Thunberg përsëri në bord
Pavarësisht ndalimit, Greta Thunberg do të jetë sërish mes aktivistëve që do të nisen nga Barcelona, bashkë me Thiago Avila dhe Yasemin Acar.
Organizatorët kujtojnë se emri i flotiljes, Sumud, që në arabisht përfaqëson rezistencën dhe qëndrueshmërinë, është simbol i misionit të tyre.
Pjesëmarrje globale
Flotilja ka marrë mbështetje edhe nga Azia Juglindore: Indonezia, Pakistani, Maldivet, Sri Lanka, Bangladeshi, Tajlanda dhe Filipinet kanë përgatitur delegacionet e tyre. Në bordin e anijeve do të jenë gjithashtu parlamentarë, gazetarë, juristë dhe mjekë.
“Nuk jemi kërcënim, por frikësohemi nga dhuna”
“Flotilja është paqësore dhe jo e dhunshme”, shpjegon përfaqësuesja italiane Maria Elena D’Elia. Anijet janë të vogla, me jo më shumë se dhjetë pasagjerë, për të shmangur çdo keqinterpretim.
Megjithatë, organizatorët druajnë nga një reagim i ashpër i Izraelit, siç ka ndodhur edhe më parë. Kujtohet rasti i vitit 2010, kur komando izraelite sulmuan anijen turke Mavi Marmara, duke vrarë 10 aktivistë.
Mobilizimi në Itali: 45 tonë ndihma
Nga Genova është nisur një fushatë e madhe për mbledhjen e ushqimeve dhe barnave të emergjencës, me synimin për të mbushur velierët me të paktën 45 ton ndihma humanitare.
“Jo vetëm do ta arrijmë, por do ta tejkalojmë këtë objektiv”, thonë organizatorët.
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Gazën qendrore, pasi një kamion që transportonte ndihma humanitare u përmbys mbi një turmë civilësh që prisnin për ushqime.
Ngjarja ndodhi pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, në një nga zonat më të goditura nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas një deklarate nga Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës, e cila vepron nën administrimin e Hamasit, incidenti ndodhi rreth mesnatës, në një rrugë të dëmtuar rëndë nga bombardimet izraelite, ku qindra civilë të uritur po prisnin ndihmat.
“Njëzet persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën rreth mesnatës… ndërsa qindra civilë po prisnin ndihmë,” – deklaroi zëdhënësi i agjencisë, Mahmoud Bassal.
Shoferët e kamionëve kanë deklaruar se shpërndarja e ndihmave është bërë gjithnjë e më e rrezikshme.
Hamasi ka akuzuar Izraelin se i detyron kamionët të ndjekin rrugë të pasigurta për të arritur në qendrat e shpërndarjes, ndërsa civilët kanë pritur me javë për nevojat më bazike.
Ndërkohë, përpjekjet për ndërmjetësim mes Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar javën e kaluar, pavarësisht presionit të shtuar ndërkombëtar për një armëpushim që do të lehtësonte krizën humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.









