Tag: nderuar

  • Nga qelia në Kushtetuese: si e kundërshtoi Erion Veliaj shkarkimin e diktuar nga Rama

    Nga qelia në Kushtetuese: si e kundërshtoi Erion Veliaj shkarkimin e diktuar nga Rama

    Pas muajsh në qeli, Erion Veliaj u shfaq në Gjykatën e Kushtetuese me kostum e kollaro, paksa i dobësuar, shkuar aty me pranga të cilat iu hoqën më pas, për të kundërshtuar, me argumentat e tij, shkarkimin nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në fillim nga Këshilli Bashkiak e më pas nga Presidenti.
    Kështu, ai bëri një mbrojtje duke kombinuar logjikën politike me atë juridike, si një shans për t’i përcjellë publikut mitin e padrejtësisë ndaj tij, si politike e si juridike.
     
    Fjala e plotë:
    E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese,
    Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
    Edhe pse e di mirë se kjo është e drejta ime kushtetuese, dua t’ju falënderoj me respekt që më keni dhënë mundësinë të jem sot i pranishëm, për të ushtruar të drejtën time për t’u dëgjuar para Jush dhe para gjithë shqiptarëve.
    Beteja ime për t’u dëgjuar prej jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese, për të dëgjuar se çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbyllur në një qeli me regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë.
    Kam përjetuar një periudhë të gjatë, të mbushur me shkelje të të drejtave të mia themelore si qytetar i kësaj Republike, por mbi të gjitha, një periudhë denigrimi dhe përpjekjeje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri, tre herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.
    Por kjo nuk është thjesht përpjekje për të më denigruar mua, por është përçmim ndaj vetë votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Dhe përçmimi ndaj saj është përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët; është përçmim i fuqisë që populli i jep Republikës për ta drejtuar në emër të tij.
    Siç thoshte Martin Luther King: “Harku i Universit Moral është i gjatë dhe rraskapitës, por në fund anon nga e drejta.”
    Ndaj jam sot këtu përpara Jush si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të kombit tonë, me të drejtën që ma kanë dhënë 160 mijë vota qytetarësh të lirë të këtij qyteti, në fund të këtij harku 9-mujor në kërkim të së drejtës.
    Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë. Demokracinë për të cilën, si unë ashtu edhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta mbrojmë — jo në letër, por me veprim, edhe në këtë sallë, sot.
    Ky mandat nuk është i imi. Ky mandat është një besëlidhje publike, një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj unë do të bëj gjithçka që më lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime.
    Do ta mbroj deri në fund, sepse nuk po mbroj një karrige, por shpirtin e një lidhjeje të shenjtë midis qytetarit dhe të zgjedhurit të tij.
    Populli i këtij vendi, përmes Kushtetutës së tij, ka vendosur qartë se askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri vendor përpara afatit, përveçse kur ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit.
    Ky nuk është një zbulim i ri; është një premtim solemn i Republikës ndaj vetvetes, një kufi moral dhe ligjor që askush — as unë dhe as Ju — nuk duhet ta shkelë pa rrëzuar më parë themelet e besimit publik mbi të cilat ngrihet vetë shteti.
    Prandaj, me respekt të plotë dhe solemn për këtë Gjykatë, pyes sot:
    Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës?
    Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli është detyrim imi ndaj qytetarëve.
    Besimi im se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë.
    Bindja ime se drejtësia duhet të burojë nga Kushtetuta dhe jo nga protagonizmi politik apo etja për karrierë mbi kurriz të lirive themelore të qytetarëve është e palëkundur.
    Ato çfarë Kushtetuta i mbron, shpresoj që në këtë sallë të thuhen me zë të lartë, të arsyetohen nga Ju dhe të dëgjohen nga çdo shqiptar që ende beson se ligji duhet të të mbrojë, jo të të sulmojë padrejtësisht.
     
    Të nderuar gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,
    Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare, themelet mbi të cilat qëndron shteti ynë.
    Sepse që nga dita kur miratuam Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe pranuam demokracinë si vlerën më të lartë të ushtrimit të pushtetit nga sovrani — nga populli — të gjithë ne, qytetarë, politikanë, nëpunës të shtetit dhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë vlerë.
    Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë.
    Kjo është çështja gjyqësore që përcakton nëse pushteti do t’u përkasë ende qytetarëve apo do t’u merret atyre në mënyrë të fshehtë e hileqare, pas perdeve të lojërave me nene dhe germa të ligjit.
    Nëse ligji do të përdoret për të mbrojtur demokracinë apo për ta përmbysur atë në emër të formalizmave.
    Sepse kur pushteti që buron nga vota tjetërsohet me taktika për të anashkaluar vetë vullnetin e votës, atëherë besimi i qytetarëve kthehet në tradhti morale.
    Pushteti që ata na kanë dhënë për t’u shërbyer, përdoret për t’i sunduar, me të njëjtat mjete që na ka vënë në dorë për t’i mbrojtur.
    E atëherë, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga vetë ata që, nën betimin për ta mbrojtur, e përdorin për ta nënshtruar.
    “Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve.”
    Ky ishte një fragment nga formula e betimit tim si Kryetar Bashkie, tre herë i zgjedhur.
    Ndaj jam sot këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim — kontratën time me qytetarët e Tiranës. Një kontratë që ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në diell e në shi, në çdo rrugë të shtruar, në çdo kënd lojërash, në çdo shkollë, kopsht, çerdhe, apo bulevard, kala, shesh e park që ka ndryshuar Tiranën — nga pandemia e kobshme, ku çonim ndihma të izoluarve, te tërmeti kur ndërtuam shtëpitë e mijëra familjeve.
    E do ta mbroj edhe këtu, përpara jush, deri në fund. Sepse nuk besoj se ka diçka më fisnike për t’u bërë, as diçka më frymëzuese për një njeri që i shërben publikut, sesa të mbrojë besimin që i është dhënë me votë.
    Besimin për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, por kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, një qytet që rreh me pulsin e gjithë kombit.
    E kur beson se ke dhënë gjithçka për këtë mandat të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra:
    “Mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj.”
    Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin.
    Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë.
    Kjo “akuzë” nuk më lëndon për fjalën dhe shkresat e shkreta, por për padrejtësinë që ajo përfaqëson. Siç thotë shprehja: Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.
    Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje.
    Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.
    Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike.
    Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundon dëshira dhe vullneti politik, dhe jo ligji.
    Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është vetëm nëna dhe familja ime — për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër.
    Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë.
     
    Fort të nderuar,
    Që nga dita e parë kur u betova në vitin 2015 si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jeta ime është bërë njësh me këtë qytet.
    E kam drejtuar me gjithë forcën time shpirtërore, mendore dhe fizike, pa kursyer asgjë nga vetja. Ky qytet ka qenë familja ime e madhe.
    Nuk pretendoj se çdo gjë e kam bërë mirë, apo se çdo gjë që kam dashur ta bëj, kam mundur ta bëj. Por një gjë e di me siguri: Askush nuk mund të më “akuzojë” se nuk kam qenë në detyrë.
    Sepse kush thotë se unë kam munguar, fyen inteligjencën e të gjithë qytetarëve të Tiranës që më kanë besuar tre herë me radhë, pikërisht sepse e panë me sytë e tyre përkushtimin tim, dashurinë time për punën dhe për qytetin.
    Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk e donin Erion Veliajn në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën — epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme.
    Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij. Dhe e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi disproporcional, nga letra anonime dhe zell përsekutues, që më privoi jo vetëm nga liria, por edhe nga qyteti im, përpara se të provohej çdo fajësi.
    Si mund të quhet “shkelje” mungesa e një Kryetari Bashkie që është fizikisht i ndaluar nga vetë organet e shtetit, në bazë të një vendimi që nuk është i formës së prerë?
    A mos vallë duam të legjitimojmë idenë se çdo funksionar i zgjedhur mund të largohet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa vendim fajësie, duke i marrë popullit mandatin që ai vetë ia ka dhënë me votë të lirë?
    Nëse kjo pranohet, atëherë çdo mandat i zgjedhur nuk është më një garanci e sovranitetit qytetar, por një leje që mund të të hiqet në çdo kohë nga vullneti politik.
    Nëse pranohet një gjë e tillë, atëherë parimi i prezumimit të pafajësisë humbet kuptimin, dhe ndëshkimi pa vendim gjyqësor kthehet në praktikë të zakonshme.
    Kjo do të ishte një rrëshqitje e rrezikshme nga shteti i së drejtës në shtetin e paragjykimit.
    Kjo nuk është vetëm një padrejtësi njerëzore, por një kontradiktë e hapur kushtetuese, sepse më ndëshkon për një fakt që nuk është as veprim, as shkelje, por një gjendje e imponuar me forcën disproporcionale të vetë shtetit.
    Nëse kjo kthehet në precedent, atëherë çdo qytetar i këtij vendi do të jetojë me frikën se mund të ndëshkohet jo për atë që ka bërë, por për atë që cilido pushtet vendos t’i faturojë apriori.
     
    E nderuar Gjykatë,
    Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit.
    Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin.
    Kjo nuk është demokraci.
    Kjo është përmbysje e demokracisë.
    Ky nuk është prezumim pafajësie, por prezumim fajësie, dhe aty ku pafajësia zëvendësohet nga paragjykimi, drejtësia pushon së ekzistuari.
     Unë nuk jam sot këtu për të kërkuar mëshirë apo privilegj. Vij për të kërkuar drejtësi kushtetuese.
    Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që mbron rregullin që na mban bashkë si shoqëri.
    Ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi.
    Në këtë moment vendimtar, Ju nuk jeni thjesht një gjykatë që shqyrton një shkarkim nga detyra të një kryebashkiaku.
    Ju jeni — siç e ka përshkruar Alexander Hamilton, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara — “trupi ndërmjetës midis popullit dhe pushtetit”, i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta.
    Kur pushteti e tejkalon veten, kur vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin, vetëm gjykata juaj Kushtetuese ka fuqinë dhe detyrën ta ndalojë.
    Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe të mbrojë qytetarin nga abuzimi i pushtetit që ai vetë ia ka dhënë.
     
     
     

  • Kurti pranon dështimin për krijimin e kabinetit të ri: “Procesi do të vazhdojë me zgjedhje të reja”

    Kurti pranon dështimin për krijimin e kabinetit të ri: “Procesi do të vazhdojë me zgjedhje të reja”

    Pasi dështoi në krijimin e qeverisë në Kosovë, ka ardhur edhe reagimi i kreut të VV, Albin Kurti.
    Përmes një statusi në rrjetet sociale teksa ka falënderuar deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen, Kurti thotë se pa arritjen e 61 votave, nuk mundet të nisë mandati për të udhëhequr vendin.
    Në reagimin e gjatë, Kurti thotë se pavarësisht dështimit për të mos siguruar 61 vota, si qeveri në detyrë, do të vijojë punën për të garantuar zgjedhjeve të reja parlamentare.
    Statusi
    Falenderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Në vijim është teksti i plotë i ekspozesë sime sot:
    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
    Të nderuar deputetë të Kuvendit,
    Të nderuar anëtarë të kabinetit të ri qeveritar,
    Të nderuar ambasadorë dhe anëtarë të korit diplomatik,
    Familje të dëshmorëve të kombit,
    Zonja dhe zotërinj,
    I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës z. Dimal Basha,
    Nënkryetare Albulena Haxhiu,
    Ju faleminderit të gjithëve për praninë tuaj dhe për përkushtimin që dëshmoni sot ndaj shtetit tonë.
    Sot, mbi 6 muaj që prej thirrjes së seancës konstituive më 15 prill, më në fund kemi Kuvend të konstituuar dhe kemi arritur në pikën e formimit të qeverisë si materializim i rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit sivjet. Kjo është një vonesë e paprecedentë në historinë e Republikës, ku 5 nga këta 6 muaj deputetët ishin duke pritur Gjykatën Kushtetuese.
    Kjo vonesë ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve shtetërore: janë vonuar marrëveshjet ndërkombëtare, Plani i Rritjes me Bashkimin Evropian, proceset e reformave, dhe është lënduar besueshmëria e shtetit tonë para partnerëve tanë ndërkombëtarë.
    Në këto gjashtë muaj, përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme e shterruese. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bëmë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje megjithëse vota e qytetarit kësaj radhe kishte përcaktuar që duhej të kishte një koalicion qeverisës.
    Po të pranohej oferta jonë për bashkëpunim, sot do të kishim mundësinë t’i jepnim vendit edhe qeverinë e re të koalicionit, por do të kishim edhe numrat e nevojshëm për të tejkaluar sfidën e zgjedhjes së presidentit, sfidë kjo e cila na pret pas 4 muajsh.
    Sidoqoftë, si pasojë e mosgatishmërisë nga partitë tjera parlamentare që të marrin përgjegjësinë që ua ka deleguar qytetari me votë, sot ndodhemi përpara një situate ku qeveria e re propozohet për votim jo si produkt i një koalicioni politik, por si një akt i shërbimit ndaj vendit.
    Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore.

    Pa votimin e qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale, dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publik, pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, furnizimit me barna, funksionimin e organeve të rendit dhe të sigurisë, por edhe të shumë projekteve kapitale që janë në proces e sipër. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara.
    Në mungesë të një Kuvendi funksional gjatë këtyre muajve, janë edhe 33 agjenci dhe institucione të pavarura shtetërore që kanë mbetur pa mbikëqyrje institucionale. Kjo ka krijuar vakum drejtues, vonesa në vendimmarrje dhe rrezik në zbatimin e politikave publike. Ngjashëm, çdo ditë pa qeveri me kompetenca të plota është një ditë humbje për zhvillimin, për qytetarin dhe për shtetin. Për më tepër, përderisa nuk votohet qeveria e re, kjo nënkupton zgjatje e mandatit të qeverisë në detyrë. Pra qeveri do të ketë, vetëm se deputetët e kanë të pamundur ta mbikqyrin dhe të kërkojnë llogari nga një qeveri në detyrë, të cilën nuk e kanë votuar si legjislaturë e re.
    Sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet, megjithëse kemi pasur ofertë të sinqertë për partitë tjera për bashkëqeverisje, por jemi këtu për ta vënë pushtetin në shërbim të qytetarëve pa dallim dhe të republikës sonë të përbashkët.
    Prandaj, ftoj secilin deputet të Kuvendit që sot kur qeveria të hidhet në votim, të votojë jo thjeshtë për interes partiak, por për interesin publik e shtetëror, që t’i japim vendit qeverinë e re, të prodhuar nga rezultati zgjedhor i 9 shkurtit, dhe t’u mundësojmë institucioneve vijimësi duke e votuar buxhetin e vitit të ardhshëm.
    Me të marrë besimin tuaj, të nderuar deputetë, 5 vendimet e para që do t’i marrim si qeveri që në javën e parë do të jenë:
    Miratimi i projektligjit të buxhetit për vitin 2026;
    Vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek rreth 200 mijë pensionistë;
    Vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50% mbi nivelin aktual që prek rreth 400 mijë fëmijë;
    Vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat, gjithashtu prek edhe të rinjtë që janë të angazhuar përmes platformës “Superpuna”, si dhe gratë lehona të cilat përfitojnë nga shtesat;
    Miratimi i ndryshim-plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët e UÇK-së që janë përfitues të benefitit të veteranit.
    Janë edhe një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare që janë në pritje, përfshirë edhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, e që do të jenë prioritet i yni si qeveri që t’i sjellim sa më parë në Kuvend, dhe shpresoj që edhe ju deputetë të nderuar, do të keni vullnetin që t’i mbështesni me votën tuaj.
    Katër vitet e fundit kemi ndërtuar, me krejt çfarë kemi ditur e mundur, themelet e një Kosove më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartën në rajon, përkundër sfidave globale, me një rritje mesatare prej 6% dhe duke mos rënë në asnjë vit nën 4%. Sfidën e inflacionit që ka goditur të gjithë kemi arritur ta menaxhojmë me politika mbështetëse për qytetarin dhe jemi vendi me shkallën më të ulët të inflacionit në rajon këto 4 vite, pas Shqipërisë. Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar dhe kemi rritur edhe të ardhurat e familjes duke rritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik.
    Kemi bërë shumë punë të mira, por kemi edhe shumë punë tjera të cilat na presin. Kemi liberalizuar vizat me zonën schengen, dhe tani pasaporta jonë e shtetit tonë të përbashkët është më e fortë se kurrë. Kemi përmirësuar imazhin e vendit duke u ranguar në top lista për siguri dhe rend, siç ishte ajo e institutit Gallup, dhe kemi siguruar edhe vlerësimin kreditor sovran BB-, që nuk është keq për fillim, gjë që na hap dyer të reja për investime të huaja direkte.
    Rritja ekonomike po vazhdon, megjithëse kemi qenë qeveri në detyrë. Në tremujorin e dytë ishte 4.58% të BPV, dukshëm më e larta në rajon, dhe kjo për ata që shpesh e kontestojnë, është shkalla e rritjes reale, pra pasi që t’i hiqet inflacioni. Llogaritja e rritjes për tremujorin e tretë publikohet në dhjetor, e që gjithashtu pres të jetë më mirë se i gjithë rajoni, sepse këtë e konfirmojnë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
    Është në dorën tuaj të nderuar deputetë që të na e mundësoni që të vazhdojmë punët e mira për vendin.
    Normalisht, që për të gjitha veprimet, punë dhe arritjet e qeverisë, edhe mund të kemi mospajtime. Por kjo është vlera e demokracisë. Demokracia ka zëra të ndryshëm, ide të shumta, dhe debate të forta. Kjo nuk është dobësi, kjo është fuqi. Mospajtimet janë thelbi i sistemit demokratik, por ato nuk duhet të bëhen pengesë për të vepruar bashkë në çështjet madhore dhe për të ecur përpara si shoqëri dhe si shtet.
    Ne jemi vendi më demokratik në rajon, një arritje kjo e përbashkët e qytetarëve dhe institucioneve tona dhe e të gjitha partive politike në Kosovë. Institucionet tona janë të ndërtuara mbi vullnetin qytetar dhe ky standard duhet të ruhet, të mbrohet dhe të zhvillohet.
    Kuvendi është tempulli i demokracisë. Është vendi ku ballafaqojmë idetë, ku i debatojmë politikat dhe ku i kërkojmë zgjidhjet. Roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e qeverisë duhet të forcohet, jo për ta ndalur qeverinë, por për ta bërë më të përgjegjshme.
    Andaj pres që të debatojmë zellshëm për dallimet tona politike, por gjithnjë me respekt për njëri-tjetrin, për institucionet dhe për vullnetin e qytetarëve. Debat që mbështetet në argumente, dhe argumente që mbështeten në fakte.
    Unë do të jem përherë i gatshëm, siç edhe kam qenë në këto katër vite, për diskutime deri në shterrim. Dy debatet e fundit të këtilla ku kam marrë pjesë kanë qenë: prezantimi për projektbuxhetin për vitin 2025, më 11 nëntor të vitit të kaluar, dhe, raporti im për qeverisjen katërvjeçare më 2 dhjetor 2024, me kërkesë të opozitës. Të dyja këto debate kanë qenë shumorëshe. Bashkë duhet të synojmë konsensus në tema madhore si arsimi dhe shëndetësia, siguria dhe mbrojtja, politika e jashtme dhe ajo e energjisë.
    Të dashur qytetarë,
    Më lejoni së pari t’ju falënderoj juve, ata që votuan Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe ata që i votuan subjektet e tjera për pjesëmarrjen në zgjedhje, për shprehjen e vullnetit të lirë dhe për përgjegjësinë e lartë qytetare përgjatë gjithë procesit zgjedhor dhe pas tij.
    Sot duket si kujtim i largët, por katër vite më parë, në fjalimin tim inaugures, Kosova ishte nën ethet e pandemisë e ndërkohë u ballafaquam me kriza të shumëfishta. Nga pandemia COVID-19 që kishte tkurrur ekonominë dhe rënduar shëndetin publik e spitalet gjithandej, te kriza e energjisë dhe e inflacionit e deri te provokimet e shumta, sulmet e shpeshta dhe agresioni i Serbisë.
    Brenda një viti siguruam vaksinat në bashkëpunim me aleatët tanë dhe menaxhuam me sukses procesin e vaksinimit të mbi 60% të popullatës. Rikthyem shpresën dhe hapëm ekonominë, e cila u rikthye fuqishëm me një rritje prej mbi 10% në vitin e parë të qeverisjes, ndërkohë që patëm një mesatare vjetore prej 6% përgjatë mandatit katërvjeçar.
    Kjo çoi në rritje të BPV-së, të buxhetit e në hapje të vendeve të reja të punës.
    Kriza globale e energjisë dhe rritja e çmimeve që kanë prekur çdo familje e çdo biznes, Kosovën e gjeti me një krizë të trashëguar të sistemit energjetik. Termocentrale të vjetra që janë jo vetëm ndotëse të ambientit por edhe të ndjeshme ndaj çdo ndërprerjeje teknike.
    Krahas sigurimit të energjisë dhe mbrojtjes së qytetarëve nga rritja e çmimeve përmes skemave të subvencionimit të faturave, investuam në tranzicionin e gjelbër me investime në energji të ripërtëritshme dhe në përmirësimin e eficiencës. E nëpërmjet Koorporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) u sigurua investim prej 236.7 milionë dollarë në ndërtimin e baterive me kapacitet 170 MË (për rezerva 340 MËh), që e vendos Kosovën në vendin e parë në botë për kapacitet të baterive për kokë banori. Themeluam Bursën Shqiptare të Energjisë Shqipëri-Kosovë, ALPEX, dhe hapëm ankandin e parë solar prej 100 MË (në Kramovik të Rahovecit).
    Në mandatin që na pret, do të shqyrtojmë mundësinë e përdorimit të resursit më të vlefshëm që kemi, përdorimin e linjitit përmes gazifikimit për gjenerim të energjisë elektrike. Ky do të jetë projekti më i rëndësishëm në dekadat që do të vijnë.
    Ofruam pakon më të madhe mbështetëse për përballje me inflacionin dhe krizën energjetike si përqindje e Bruto Produktit Vendor. Në Bankën Botërore kaluam nga përfitues në donator. Ndërkohë që shënuam rritjen më të madhe ndonjëherë në të gjithë indikatorët e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të korrupsionit.
    Unë nuk kam qenë vetëm kryeministër i shqiptarëve, por edhe i pakicave kombëtare apo i komuniteteve joshumicë, të cilët përbëjnë rreth 8% të popullsisë te ne dhe janë pasuri e shoqërisë sonë. Kemi lansuar masën e veçantë të punësimit për 2000 qytetarë të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut dhe përveç kësaj në Polici të Kosovës, janë të punësuar 199 kadetë serb prej nëntorit të vitit 2022 e këtej, kurse nga pranvera e vitit 2023 i kemi mbi 100 serbë lokalë të punësuar me kontratë pune të rregullt në katër komunat veriore dhe mbi 200 të tjerë me kontratë mbi vepër.
    Kemi ndarë 12.3 milionë euro për 149 projekte kapitale për komunat me shumicë serbe gjatë vitit 2023 dhe 11 milionë euro të tjera në 2024 për 150 projekte kapitale. Ndamë 3.9 milionë euro përmes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për rrugë në vendet e banuar me komunitetet joshumicë në Dragash, Graçanicë, Istog, Kllokot, Mamushë, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Partesh, Prizren, Ranillug dhe Shtërpcë, me gjatësi totale prej 65 km, dhe plus 1.8 milionë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shtëpinë e kulturës dhe të rinisë në Mamushë, si dhe gjysëm milionë euro nga Ministria e Ekonomisë për projektin për ujë të pijshëm në fshatra me popullatë joshumicë në Rahovec. Në vitin 2023, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka dyfishuar mbështetjen e komunitetit joshumicë me 88 projekte të përkrahura me më shumë se 400 mijë euro, ndërkaq në vitin e kaluar ministria e njëjtë, ka vazhduar mbështetjen për 73 projekte të tjera me vlerë prej 367 mijë euro.
    Me bazën e re ligjore, është mundësuar shpallja e konkurseve për vende të punës vetëm për komunitete joshumicë. Deri tani, konkurse janë hapur në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Ministrinë për Zhvillim Rajonal dhe në Zyrën e Kryeministrit.
    Të nderuar deputetë,
    Gjatë këtyre viteve, jemi përballur me provokime të vazhdueshme dhe me sulme të shpeshta të Serbisë, e cila solli katër herë brenda dy viteve të para qeverisëse ushtrinë në kufirin me Kosovën. Patëm dy sulme të mëdha terroriste, në Banjskë të Zveçanit në shtator 2023 që la të vrarë rreshterin e Policisë, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe në infrastrukturën kritike në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut në fund të nëntorit të vitit të kaluar.
    Ndërkohë kishim edhe barrikadat, bojkotimin e institucioneve dhe sulmet ndaj institucioneve të shtetit në veri të vendit, si dhe sulmet ndaj misionit të NATO-s, KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, nga struktura kriminale të lidhura me Beogradin zyrtar.
    Por, si kurrë më parë, u trefishua buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, u dyfishua numri i ushtarëve tanë të cilët vijnë nga të gjitha komunitetet, u katërfishuan trajnimet jashtë vendit dhe u shumëfishuan investimet në blerjen e armatimit. Ndërkohë, kontraktuam sistemin antiraketor Javelin, dronët luftarakë Bayraktar, helikopterët Black Haëk, si dhe fabrikën e municionit.
    Së fundmi, arritëm marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë.
    Si rezultat ushtria e Kosovës sot është më e fortë e më e madhe se kurrë më parë.
    Në anën tjetër, Policia e Kosovës shkatërroi 135 grupe kriminale, mbylli 37 rrugë ilegale – 27 prej tyre në veri të vendit – ndërtoi 9 stacione të reja policore në veri për kontrollin e kufirit dhe, në bashkëpunim me institucionet e ndjekjes, mbylli dhjetëra struktura ilegale në veri dhe anembanë vendit të cilat për vite me radhë vepronin të paprekura e të papenguara.
    E kryeterroristi dhe grupi i tij që vrau rreshterin e policisë së Kosovës, heroin Afrim Bunjaku, u luftuan në një nga operacionet më të sofistikuara, që dëshmoi forcën dhe profesionalizmin e lartë të Policisë së Kosovës.
    Sot, grupet kriminale që kryen sulmet terroriste në veri, janë shkatërruar; strukturat ilegale janë mbyllur në masë; dokumentet ilegale janë zëvendësuar me ato të Republikës; dinari është zëvendësuar me euron; siguria është rritur, sovraniteti është forcuar dhe kryekrimineli Radojçiq është në arrati, i kërkuar nga Prokuroria e Kosovës me një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe 44 shokët e tij paramilitarë e terroristë.
    Kosova sot, të nderuar deputetë, të dashur qytetarë, është më e sigurtë se kurrë më parë.
    Të gjitha këto sfida që i patëm, u përballuan me sukses. Ndërkohë që sfidat edhe i kemi kthyer në mundësi për progres.
    Si kurrë më parë pra, investuam në ushtri dhe në fuqizimin e policisë, në shtrirjen e sovranitetit dhe luftimin e kriminalitetit; në politikat sociale për nënat e fëmijët, për të rinjtë e pensionistët, në mbështetje të fermerëve dhe bizneset e vogla. Prekëm çdo shtresë e çdo qytetar në çdo cep të republikës.
    Shteti që po ndërtojmë bashkarisht nuk zgjedh midis zhvillimit ekonomik dhe drejtësisë sociale, por i përqafon të dyja si shtylla të pandashme të progresit dhe të mirëqenies së përbashkët.
    Ne besojmë thellësisht se një ekonomi e fuqishme dhe një shoqëri e barabartë janë të ndërlidhura, se bizneset dhe startup-et nuk janë vetëm motori i rritjes, por edhe kontribues i mirëqenies së përgjithshme.
    Vizionin tonë e realizojmë jo vetëm mbi parimet tona politike, si dhe mbi vlerat që i kemi të mishëruara në Kushtetutën tonë; mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, garantimin e dinjitetit njerëzor, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe barazinë për çdo qytetar, pa dallim. Këto janë udhërrëfyes për çdo vendim që marrim, për çdo reformë që nisim.
    Ushtria dhe Policia e Kosovës sot njëmend janë më të forta se kurrë më parë dhe Kosova është më e sigurtë e më e drejtë dhe më e barabartë, por puna vazhdon drejt reformave të domosdoshme e për këtë unë kërkoj pjesëmarrjen edhe të komuniteteve joshumicë përveçse të shumicës shqiptare.
    Do të vazhdojmë investimet që ta forcojmë sovranitetin për të garantuar që të gjithë qytetarët tanë, të kenë paqe e siguri, në familjet, në rrugët, në lagjet e në komunat e tyre, pavarësisht përkatësisë etnike, ata do të jenë të mbrojtur, të përfaqësuar dhe pjesëmarrës të barabartë në republikën tonë.
    Kosova është një dhe e pandashme dhe askush nuk do të jetë mbi ligjin, por as jashtë tij apo anash tij në asnjë pjesë të saj.
    Institucionet tona sot janë më të besueshme dhe më të qëndrueshme se kurrë më parë, por jemi të vetëdijshëm që po jetojmë në një kohë të brishtë të sigurisë. Bota sot është shumë ndryshe prej asaj para pesë vitesh, bota sot është më e paparashikueshme dhe më e pasiguritë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme, tensionet po e transformojnë hartën gjeopolitike.
    Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar me NATO-n dhe me vendet mike nuk do të lëkundet sepse ky bashkëpunim nuk është thjesht strategji, është vlerë. Sepse ne nuk jemi vetëm pjesë e kontinentit evropian, por pjesë e vlerave të tij: lirisë, solidaritetit dhe barazisë.
    Në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha, jam i bindur që nuk kemi mënyrë tjetër përveçse të gjejmë rrugën e bashkëpunimit për interesat vitale. Kërkesa e aleatëve dhe partnerëve tanë është e qartë: ne duhet të rrisim investimet në mbrojtje e në mirëqenie. Këtë e kemi bërë dhe do ta bëjmë edhe në vijim.
    Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë një miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do ta shumëfishojmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do të zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, dhe do të zhvillojmë dronët luftarakë “Made in Kosova”.
    Nga kufizimi i lëvizjes e vetëkufizimi në anëtarësime e njohje të reja, siç e dini përveçse u liberalizuan vizat me Bashkimin Evropian, Emiratet e Bashkuara, Izraelin e Tajlandën. U bëmë anëtarë në organizata e mekanizma të rinj ndërkombëtarë, aplikuam për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, kurse Kenia e Sudani tashmë e njohin Republikën e Kosovës.
    Sepse kur zhvillohet ekonomia, luftohet korrupsioni e krimi, kur fuqizohet sundimi i ligjit dhe institucionet, kur investohet në siguri, në paqe e në mbrojtje, kur rritet mirëqenia dhe investimet, hapen dyert e mundësive për të gjithë qytetarët dhe imazhi i shtetit përmirësohet.
    Do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal mbi bazën e barazisë dhe përfaqësimit të barabartë, sepse besojmë që fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal i kontribuojnë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë.
    Do të punojmë me këdo që shtrin dorën e bashkëpunimit mbi bazën e respektit të ndërsjelltë.
    Normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut, përmes marrëveshjes tonë bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri. Por, siç kemi vepruar në katër vitet e kaluara, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, pra si raport bilateral e i jashtëm e kurrsesi ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme. Qeveria do të mbrojë dhe zbatojë kushtetutën dhe ligjet në fuqi, në çdo cep të vendit.
    Të nderuar deputetë,
    Para nesh, kemi raundin e balotazhit për zgjedhjet lokale, dhe në prill të vitit që vjen, në fakt, në mars të vitit që vjen, ato për president të ri të Republikës.
    Në zgjedhjet e fundit parlamentare, misioni vëzhgues i BE-së raportoi se RT Balkan dhe Sputnik Srbija, të mbështetura nga Rusia, publikuan rreth 60 artikuj vetëm në janar sivjet për zgjedhjet në Kosovë, me qëllim përhapjen e dezinformatave dhe manipulimin e opinionit.
    Lufta hibride është bërë normë. Nëse para pesë viteve ishte lajm aty ku kishte luftë hibride, sot është lajm aty ku nuk ka luftë hibride. Avancimi i teknologjisë dhe personalizimi i përmbajtjes në rrjetet sociale ka bërë që qytetarët të ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj informatave që ushqejnë atë që psikologët e quajnë “konfirmim i animit” – prirja për të besuar vetëm informacionet që përforcojnë bindjet ekzistuese.
    Për fat të keq, lajmet negative dhe polarizuese tërheqin më shumë vëmendje dhe gjenerojnë më shumë klikime sesa ndonjë lajm pozitiv. Me ardhjen e inteligjencës artificiale, gjenerimi i përmbajtjeve të tilla është përshpejtuar dhe shumëfishuar dhe ky trend nuk duket që do të ndalet. Kjo është sfidë për të gjitha demokracitë e Kosova nuk bën përjashtim.
    Dezinformata nuk është vetëm problem etik i gazetarisë, është kërcënim për sigurinë, për të vërtetën dhe për demokracinë. Zgjedhjet, demokracia dhe sistemi ynë ligjor varen nga e vërteta dhe nga një qytetar i mirë-informuar.
    Si shoqëri, duhet të lundrojmë me kujdes midis lirisë së shprehjes, që është themel i demokracisë, dhe, dezinformimit që shfrytëzon këtë liri në dëm të saj. Ne jemi demokraci dhe republikë, dhe asnjëherë asnjë qeveri nuk duhet t’u tregojë qytetarëve apo mediave çfarë të thonë apo çfarë të publikojnë. Por nëse duam që demokracia të mbrohet, atëherë është përgjegjësi e secilit që ta mbrojë atë.
    Të nderuar deputetë, qytetarë, dhe partnerë ndërkombëtarë,
    Në mandatin që shkoi Kosova dëshmoi se është shembull i demokracisë dhe i zhvillimit në rajon, me rritjen më të madhe ndonjëherë në të gjithë indikatorët e demokracisë.
    Tani është koha të tregojmë se jemi shembull i inovacionit dhe i drejtësisë efikase.
    Në këtë mandat, reforma në drejtësi do të hyjë në fazën e saj vendimtare. Do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet pa frikë dhe pa favor në çdo cep të republikës.
    Reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, ajo ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme duhet të ecë përpara së bashku me vetingun ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme.
    Do të themelohet Prokuroria e re e specializuar për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore.
    Do të thellohet reforma në transformimin digjital. Çdo qytetar duhet të ketë mundësi të komunikojë me shtetin pa barriera, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe transparente, nga aplikimi për dokumente, deri te shërbimet sociale dhe biznesore. Digjitalizimi nuk është qëllim në vetvete, por mjet për t’i shërbyer çdo qytetari dhe do të përdoret për progres shoqëror, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, llogaridhënie të gjerë dhe cilësi të lartë.
    Në mandatin që lamë pas, eksportet dhe investimet e huaja direkte u dyfishuan por tani është koha të shumëfishohet prodhimi. Përgjatë katër viteve në vazhdim do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët. Bjeshkët tona të larta e të bukura nuk do të shijohen vetëm nga larg, por do të përjetohen nga afër duke investuar në turizëm malor. Kjo do të fillojë me 500 milionë euro për Brezovicën e cila do ta transformojnë atë në destinacion ndërkombëtar e evropian të turizmit.
    Mërgata tashmë është pjesë jo vetëm në politikat e qeverisë por është pjesë e bërjes së atyre politikave. Përmes “Dritares për investime të diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga diaspora deri në 100 milionë euro investime që bëhen në Kosovë.
    Për të lehtësuar vizitat e mërgatës sonë në vendlindje, do të themelojmë edhe aviokompaninë shtetërore, projekt ky që besoj do të ketë edhe mbështetjen e LDK-së sepse e kanë edhe ata në programin e tyre.
    E për gjithë progresin që është bërë në rritjen e barazisë përmes shtesave për lehona dhe fëmijë dhe për fuqizimin e grave dhe rinisë, do të fillojë projekti “Super Puna për gratë”, ashtu që kur punësohet një grua, qeveria do të mbështesë në lartësinë e pagës minimale gjashtë muajt e parë.
    E gjyshërit që kujdesen për fëmijët kur të dy prindërit janë në punë do të marrin 100 euro shtesë në muaj mbi pensionin bazë. Sepse kështu jo vetëm ndihmojmë prindërit dhe gjyshërit, por ndihmojmë familjen dhe ekonominë.
    Paga minimale do të ndjekë rritjen ekonomike. Ajo do të rritet menjëherë, në javën që fillon nesër, në nivelin e 500 euro sepse një Kosovë që zhvillohet nuk duhet të lë askënd mbrapa. Pjesëmarrja nënkupton gjithëpërfshirje.
    Në arsim, kemi filluar reformën më të thellë në dekada. Nga arsimi i hershëm deri tek ai universitar, po krijojmë standarde të reja cilësie dhe po rrisim investimet në infrastrukturë e në kapacitetet mësimore, edhe mësimdhënëse edhe mësimnxënëse. Janë ndërtuar dhe rinovuar çerdhe e shkolla, janë hapur qendra për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe arsimi po lidhet me nevojat e tregut dhe realitetin e sotëm. Ne duam arsim që ndihmon nxënësin të mendojë, të krijojë, të punojë, të zhvillojë e të ndërtojë.
    Do të vazhdojmë të rrisim qasjen në shëndetësi, edukim dhe siguri sociale, duke i bërë këto shërbime më efikase dhe më të qasshme për çdo qytetar.
    Do të përkrahim iniciativat kulturore dhe sociale që forcojnë ndjenjën e bashkësisë së komunitetit dhe përfshirjen e të gjithë qytetarëve në jetën publike, përfshirë këtu edhe infrastrukturën sportive që po ndërtojmë për ngjarjen madhështore të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
    Zonja dhe zotërinj,
    Më lejoni që në përputhje me atë çfarë pritet nga unë përveç ekspozesë, të paraqes para jush edhe kabinetin e ardhshëm qeveritar me të gjitha dikasteret e ekzekutivit që del nga kjo legjislaturë e nderuar.
    Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca,
    Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,
    Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka,
    Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati,
    Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti,
    Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
    Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
    Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu,
    Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
    Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani,
    Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu,
    Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,
    Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri,
    Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli,
    Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
    Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha,
    Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari,
    Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli,
    Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
    Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall.
    Zonja dhe zotërinj,
    Kosova jonë është më shumë se një vend e një shtet.
    Është ëndrra e mërgimtarit që ka lënë vendin dhunshëm me shpresën që do të kthehet së shpejti.
    Është amaneti i dëshmorëve dhe sakrifica e gjeneratave që u flijuan e u përpoqën që ne sot të gëzojmë lirinë.
    Është shpresa e prindit që sheh te fëmija një të ardhme më të mirë.
    Është djersa e punëtorit, dëshmia e studentit, dhe përkushtimi i mësuesit në një klasë në qosh të Kosovës.
    Është fjala shqip që këndohet me mall në skaj të botës e që kurrë nuk harrohet.
    Është ndjenja që na bashkon në gëzim dhe në dhimbje, në fitore dhe në sfida.
    Kosova është vend i zemrës, ku liria u pagua me jetë e ku paqja kërkon vëmendjen e përditshme.
    Do të ketë vështirësi dhe vonesa.
    Do të ketë dyshime dhe dekurajime.
    Do të kemi dallime në qasje dhe mendime dhe nuk do të pajtohemi çdo herë, por ne kemi vullnetin dhe mjetet dhe burimet për të shërbyer dhe unë çdo herë do të jem me ju i sinqertë për problemet dhe sfidat që kemi përpara. Për një Kosovë të drejtë e prosperuese!
    Ju faleminderit shumë për vëmendjen dhe për besimin tuaj.

  • Bashkia e Vlorës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” Mira Murati, vlonjates që po habit botën

    Bashkia e Vlorës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” Mira Murati, vlonjates që po habit botën

    Bashkia e Vlorës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” Mira Muratin, biznesmenen, drejtuesen dhe pioneren inovatore të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale OpenAI, dhe aktualisht lancuese e start-up-it të njohur “Tninking Machines Lab”. Bashkë me të, me të njëjtin titull, u nderua edhe tenori Josif Gjipali.
    Ceremonia u zhvillua në Teatrin “Petro Marko” të qytetit, ku merrnin pjesë drejtues vendorë dhe qytetarë.

    Mira Murati nuk ishte vetë prezente, por titullin në emër të saj e tërhoqi nëna, që shprehu mirënjohjen.

    Në fjalën e saj, mes të tjerash ajo tha: “Faleminderit Vlorës, qytetin ku Mira lindi dhe u rrit. Ju falenderojmë edhe si familje. Pavarësisht se Mira tani jeton dhe punon jashtë, ajo ndjek me shumë vëmendje dhe interes zhvillimet dhe rrugën e Shqipërisë dhe të qytetit të saj, Vlorës. Shpreh në emër të Mirës dhe familjes tonë mirënjohjen më të thellë për Shqipërinë dhe Vlorën për këtë vlerësim dhe ju uroj suksese të gjithëve në punën dhe kontributin tuaj për qytetin”.

  • FOTO/ Rama merr pjesë për herë të parë në protestë: Të premten, në 17:00 për UÇK

    FOTO/ Rama merr pjesë për herë të parë në protestë: Të premten, në 17:00 për UÇK

    Edi Rama-fletëthirrja për prostestë

    TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka postuar një video në rrjetet e tij sociale ku shpreh mbështetjen për një thirrje publike që fton qytetarët shqiptarë në protestë. Kreu i qeverisë shprehet i nderuar që i është përgjigjur ftesës për të mbështetur këtë iniciativë. Në mesazhin e tij, Rama thekson se mijëra zemra nga të gjitha trevat dhe diaspora do të bashkohen në tubimin e 17 tetorit, në orën 17:00, për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët.
    Postimi i Ramës:
    Me kënaqësi dhe i nderuar t’u bindem organizatorëve për ta postuar këtë ftesë-thirrje LIRIA KA EMËR Nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, diaspora e çdo cep i trojeve shqiptare — mijëra zemra do të bashkohen këtë të premte, më 17 tetor, ora 17:00, për të kërkuar njëzëri DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT

    Në Tiranë, më 17 tetor do të zhvillohet protesta gjithëkombëtare me moton “Liria ka emër”, në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë dhe po hetohen për krime lufte. Në paraburgim në Hagë prej pesë vitesh ndodhen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte./ZËRI

  • Certifikohen 415 kursantë të Patrullës së Përgjithshme, Proda:Uniforma është nder dhe përgjegjësi, shërbeni me krenari

    Certifikohen 415 kursantë të Patrullës së Përgjithshme, Proda:Uniforma është nder dhe përgjegjësi, shërbeni me krenari

    415 kursantë të Patrullës së Përgjithshme u certifikuan sot në një ceremoni zyrtare në Akademinë e Sigurisë, në prani të Ministres së Punëve të Brendshme, znj. Taulanta Koçiu, përfaqësuesve të institucioneve dhe misioneve partnere, si dhe familjarëve të efektivëve të rinj.
    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, mbajti një fjalë përshëndetëse, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për vetë kursantët, por edhe për Policinë e Shtetit në tërësi. Ai i cilësoi të rinjtë si një brez të ri shprese për një polici më afër qytetarit, më profesionale dhe më të drejtë.
    Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda:
    E nderuar Ministre e Punëve të Brendshme, znj. Koçiu,
    Të nderuar përfaqësues të misioneve që asistoni Policinë e Shtetit,
    I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore z. Merkaj,
    I nderuar Rektor i Akademisë, pedagogë dhe lektorë,
    Të nderuar familjarë,
    Të dashur kolegë të rinj që sot certifikoheni;
    Sot padyshim është një ditë e veçantë për Policinë e Shtetit, për Akademinë e Sigurisë, por mbi të gjitha, sot është dita juaj.
    Një ditë që shënon fundin e një etape të rëndësishme përgatitjeje dhe fillimin e një rrugëtimi të ri, në shërbim të qytetarëve dhe të vendit.
    Ju keni zgjedhur një profesion të vështirë, por fisnik. Keni zgjedhur të shërbeni, të mbroni, si dhe të garantoni rendin dhe sigurinë.
    Ky është një mision që kërkon ndershmëri, guxim, përkushtim dhe humanizëm.
    Uniforma që do të mbani veshur është simbol përgjegjësie dhe nderi. Kujtoni gjithmonë që për këtë uniformë kanë dhënë jetën qindra dëshmorë të Policisë dhe të atdheut!
    Mos harroni kurrë, qytetarët janë të parët, silluni me ta me respekt dhe me maturi, si dhe përmbushni çdo detyrë me ndershmëri dhe profesionalizëm!
    Qytetarët presin shumë nga ju, si brezi i ri i Policisë së Shtetit, ata presin të shohin një polici më afër tyre, më njerëzore, më profesionale dhe më të drejtë.
    Nga ana tjeter organizata vetë, pret që përmes punës suaj të përditshme, të forcohet akoma më shumë besimi te Policia e Shtetit.
    Në çdo situatë, busulla juaj është ligji, jo zgjidhjet personale.
    Punoni me pasion dhe përulësi!
    Respektoni hierarkinë, bashkëpunoni me kolegët dhe mos harroni se çdo veprim i juaji është pasqyra e imazhit të institucionit tonë.
    Jam i bindur që ju do të jeni shembull i korrektesës, i respektit dhe i vendosmërisë, për ta bërë Policinë e Shtetit çdo ditë e më të mirë, më të besuar dhe më moderne.
    Si Drejtor i Përgjithshëm, do të jem pranë çdo punonjësi të ndershëm e të përkushtuar të Policisë së Shtetit, por po me aq vendosmeri do të qëndroj kundër kujtdo që abuzon me detyrën ose cenon uniformën dhe besimin e qytetarëve.
    Urime për certifikimin tuaj dhe mirë se vini në familjen e madhe të Policisë së Shtetit!
    Ta nderoni uniformën që do të vishni dhe t’i shërbeni me krenari flamurit dhe atdheut!
    Suksese të gjithëve!

  • Rey Manaj bëhet ikonë në mur – Mitrovica e nderon për golin ndaj Serbisë

    Rey Manaj bëhet ikonë në mur – Mitrovica e nderon për golin ndaj Serbisë

    Pas golit vendimtar që i dha fitoren Shqipërisë ndaj Serbisë në Leskovac, Rey Manaj është nderuar në Mitrovicë me një grafit në mur.
    Artistët lokalë kanë përzgjedhur momentin kur sulmuesi bën simbolin e shqiponjës për të nderuar performancën e tij dhe emocionin që i dhuroi tifozërisë shqiptare.
    Grafiti ka shndërruar zonën në një atraksion për banorët dhe tifozët, të cilët ndalen për të bërë foto me portretin e Manajt.
    Në ndeshjen e zhvilluar në transfertë, Shqipëria fitoi me rezultatin 0:1, duke shkaktuar humbjen e Serbisë në stadiumin e tyre dhe duke i shkaktuar shqetësime trajnerit Stojkoviç.

  • “Jam i nderuar dhe mirënjohës”! Besimi në FIFA, reagon Duka: Arritje e futbollit shqiptar

    “Jam i nderuar dhe mirënjohës”! Besimi në FIFA, reagon Duka: Arritje e futbollit shqiptar

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s (Member Associations Committee) për një mandat katërvjeçar.
    Ky komitet ka për qëllim të mbështesë federatat anëtare në zhvillimin e tyre institucional dhe teknik, si dhe në zbatimin e politikave të qeverisjes së futbollit.
    Ndërkohë Armand Duka ka reaguar në Facebook nëpërmjet këtij postimi:
    “Jam i nderuar dhe thellësisht mirënjohës për besimin që më është dhënë, duke u zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s për katër vitet e ardhshme.
    Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por mbi të gjitha një arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar dhe për rrugëtimin tone të përbashkët”, tha Duka. /Sport Ekspres/

  • Skandal në Kuvend, Enver Hoxha mes figurave që ‘duhen nderuar’ këtë muaj! Këlliçi: Ringjallje e komunizmit

    Skandal në Kuvend, Enver Hoxha mes figurave që ‘duhen nderuar’ këtë muaj! Këlliçi: Ringjallje e komunizmit

    Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një e-mail deputetëve pak ditë më parë, ku ka përfshirë edhe një listë me personalitetet e vendit që kanë lindur në muajin tetor dhe që duhen nderuar.

    Lista nis me Sulejman Delvinën dhe vijon me Mbretin Zog, Dritëro Agollin dhe Bashkim Finon.
    Por pjesë e listës është edhe ish-diktatori Enver Hoxha, për të cilin, në përshkrimin e bërë nga Biblioteka e Kuvendit thuhet “Udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës i Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën ANCC dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Pas cclirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumi të Kuvendit Popullor. Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste”.
    Futja e emrit të ish-diktatorit në listën e personaliteteve që duhen nderuar, është denoncuar nga deputetët e opozitës, Belind Këlliçi dhe Erald Kapri.
    “Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”, shkruan Këlliçi.
    Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i ka kërkuar Kuvendit ta tërheqë menjëherë këtë dokument.
    “Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, thuhet në e-mailin që deputeti i Mundësia i ka dërguar Kuvendit.

  • Administrata e Kuvendit e-mail deputetëve: Personalitetet që duhen nderuar në Tetor, në listë edhe Enver Hoxha. Këlliçi dhe Kapri: Ringjallje e komunizmit

    Administrata e Kuvendit e-mail deputetëve: Personalitetet që duhen nderuar në Tetor, në listë edhe Enver Hoxha. Këlliçi dhe Kapri: Ringjallje e komunizmit

    Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një e-mail deputetëve pak ditë më parë, ku ka përfshirë edhe një listë me personalitetet e vendit që kanë lindur në muajin tetor dhe që duhen nderuar.

    Lista nis me Sulejman Delvinën dhe vijon me Mbretin Zog, Dritëro Agollin dhe Bashkim Finon.
    Por pjesë e listës është edhe ish-diktatori Enver Hoxha, për të cilin, në përshkrimin e bërë nga Biblioteka e Kuvendit thuhet “Udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës i Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën ANCC dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Pas cclirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumi të Kuvendit Popullor. Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste”.
    Futja e emrit të ish-diktatorit në listën e personaliteteve që duhen nderuar, është denoncuar nga deputetët e opozitës, Belind Këlliçi dhe Erald Kapri.
    “Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”, shkruan Këlliçi.
    Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i ka kërkuar Kuvendit ta tërheqë menjëherë këtë dokument.
    “Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, thuhet në e-mailin që deputeti i Mundësia i ka dërguar Kuvendit.

    Top Channel

  • Fatbardh Kadilli e thotë troç: Do isha i nderuar të kandidoja për Bashkinë Tiranë

    Fatbardh Kadilli e thotë troç: Do isha i nderuar të kandidoja për Bashkinë Tiranë

    Ish-zyrtari demokrat, Fatbardh Kadilli, është shprehur i gatshëm të kandidonte për Bashkinë Tiranë, nëse do të merrte një ofertë.
    Komentet Kadilli i bëri teksa ishte i ftuar në ‘Ditari i Fundjavës’ me gazetarin Indrit Maraku në A2 CNN, ku tha se për ta bërë këtë, do të duhej një bashkim i vërtetë mes forcave opozitare.
    Megjithatë, ai shtoi se nuk ishte fjala vetëm për të, por në gjetjen e një projekti përbashkues për opozitën, gjë e cila sipas tij, do të çonte në fitoren e kandidatit të opozitës në Bashkinë Tiranë.
    Kadilli vijoi më tej duke thënë se opozitës i duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri.
    “Do isha i nderuar të kisha përgjegjësinë e një sfide të tillë për Tiranën. Por kjo si çdo gjë ka një por. A ka një bashkim të vërtetë? A ka një reflektim të vërtetë? A do heqim dorë nga strategjitë dhe makinacionet për të fshehur të vërtetën dhe për të kontribuar të gjithë? A do arrijmë të bashkojmë të gjithë spektrin opozitar? Nëse këto janë të mundshme, unë do isha i nderuar të kisha një sfidë të tillë. Por nuk është fjala për mua. Është fjala për të gjetur një projekt politik përbashkues. Dhe këtu kam parasysh njerëz që kanë vullnetin të kuptojnë.
    Ne kemi një PD në degradim në opozitë, kemi disa parti që më saktë janë kryetarë pa parti, kemi edhe një lëvizje radikale majtas, puritane në dukje, që ka ardhur në ngjitje. Dhe sfida e tyre është strategji efektive për ta, për të marrë vota maksimalisht. Dhe ku qëndron avantazhi i tyre? Duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri”, tha mes të tjerash Kadilli.