Tag: ndërtuesit

  • Udhëzues për blerësin/ Agjenti imobiliar: Si të shmangni kurthet e tregut në Tiranë

    Udhëzues për blerësin/ Agjenti imobiliar: Si të shmangni kurthet e tregut në Tiranë

    Blerja e një apartamenti, veçanërisht ‘në gropë’, është një hap me risk të lartë për familjet shqiptare. Agjenti për shit-blerjen e pronave, Armand Shkëmbi, i ftuar në ‘Kush Paguan’ në Syri TV, me moderatore Klaudia Karabolli dhe Flavia Shahinaj, dha një sërë këshillash praktike për të minimizuar rreziqet.

    Ai theksoi rëndësinë absolute të reputacionit të ndërtuesit dhe se blerja nga kompani anonime ose pa një histori të provuar është tejet e rrezikshme. Zgjidhja ideale, sipas agjentit, është përdorimi i një kredie bankare ku banka merr si garanci (kolateral) pronat e vetë ndërtuesit. Ky mekanizëm ofron një nivel sigurie shumë më të lartë për blerësin, pasi përfshin një verifikim të thelluar nga ana e bankës. Të joshur nga një çmim më i ulët, shumë blerës neglizhojnë këto masa sigurie, duke vënë në rrezik kursimet e një jete.

    Armando Shkëmbi: Ka elementë të riskut, pse? Ti investon në një pallat në ndërtim e sipër, sidomos kur është herët. Si garantojnë lekët e tua? Nëse një bankë do hynte dhe do investonte në një ndërtim, dhe bankat shqiptare nuk përzihen me firmat e ndërtimit. Pra nuk investojnë në ndërtim e sipër. Do kërkonte garanci për lekët e veta. Ti si konsumator tani, vete blen në ndërtim e sipër, ti nuk ke garanci për lekët e tua. Garancia jote është kjo kontratën e porosisë, sipërmarrje, ka lloj-lloj emrash. Kanë filluar dhe nga kontrata premtim-shitje tani. Pra çfarë bëjnë një pjesë e ndërtuesve? Del leja. Që para se t’u zbardhur lejen, që të zbardhin lejen duhet të paguajnë taksën e infrastrukturës, që është 8% e çmimit të referencës të pallatit, që për hir të së vërtetës është e fryrë.

    Dhe në këtë pikë nuk kanë shumë faj ndërtuesit sepse është shumë e lartë si taksë. Do ta parapaguash pa filluar ndërtimin fare. 8%-shin plus i kanë dhe 3% të pastrehët, që duhet t’i japin dhe 3% lekë ose apartamente. Por po themi, e ka për të paguar këtë. Që mos të konsumojë likuiditetet e veta, fillojnë dhe shesin me kontratë premtim-shitje, pa iu zbardhur leja e vet. Por kjo është ligjërisht e pranueshme tani, nuk e pengon njeri. Risku është që konsumatori i thjeshtë është i ekspozuar. Pra larg qoftë, një firmë ndërtimi falimenton. Një ndërtues, ku di gjë unë, ka vese dhe i konsumon ato lekët, ku do vesh do ta gjesh të drejtën?

    Ky është risku për familjet. Prandaj unë njerëzve u sugjeroj, bli kur ndërtimi të ketë avancuar çikë. Bli nga një ndërtues që ka reputacion, pra është një kompani që ka një emër për të ruajtur. Përpiqu të paguash me këste. Idealisht, merr kredi e cila si kolateral ka pronat e ndërtuesit. Ka ndërtues që me ndihmën e bankave të ndihmojnë ty të marrësh kredi në ndërtim e sipër por kolateral, pra garancinë, ka lënë prona të tjera. Këto janë më të sigurta se me shku në një pallat që është në fazat fillestare dhe t’i çon 90 apo 100% të lekëve për të marrë një çmim të mirë. Dhe ne shqiptarët e kemi trigër çmimin. Ne po na dhe çmim, i lëshojmë që të gjitha.

  • Vijon aksioni për ndërtimet pa leje në Farkë, Koçiu: Askush nuk është mbi ligjin! Ndërtuesit të kenë kujdes, objektet do të shemben

    Vijon aksioni për ndërtimet pa leje në Farkë, Koçiu: Askush nuk është mbi ligjin! Ndërtuesit të kenë kujdes, objektet do të shemben

    Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu së bashku me punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, kanë shkruar në Farkë ku është bërë verifikimi i objekteve në ndërtim me qëllim konstatimin ose jo të shkeljeve ligjore. 

    Koçiu u shpreh se shkeljet ligjore nuk vijnë vetëm nga ndërtuesi, por edhe nga punonjësit publik, të cilët shpërdorojnë detyrën. Në vijim të kësaj, ministrja thotë se askush nuk është mbi ligjin ndërsa thekson se për çdo ndërtues që ka shkelur kriteret e përcaktuara në lejen e ndërtimit, do të merren masa të rënda, duke filluar nga gjoba, ndjekja penale si dhe shembje e menjëhershme e objektit. 

    “Vijojmë me operacionin për vendosjen e ligjshmërisë mbi territor si pjesë të gjerë që po zbatohet në të gjthë vendin. Kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin nuk janë vetëm çështje individiësh që ndërtojnë pa leje, por shpesh lidhen dhe me mospërmdushjen detyrës nga punonjësve publik. Askush nuk do të mbrohet nga opozicioni që mban kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Dua të theksoj se ligji është i barabartë për të gjithë. 

    Në këtë proces ndërtuesit duhet të jenë të parët që tregojnë kujdes. Shfrytëzimi i cdo metri katror më shumë se nga është lejuar do të penalizohet rëndë, me gjobë, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme”, tha ndër të tjera Koçiu. 

    Ndërkohë, disa ditë më parë një kantier ndërtimi me objekte 2-3 kate në Farkë është bllokuar nga shteti pasi kishte tejkaluar kriteret e lejes së ndërtimit. 

  • I favorizoi vetë për tre vite, Rama ndryshon ligjin për ndërtuesit, qyetarët i ndëshkon me gjoba dhe u shemb shtesat

    I favorizoi vetë për tre vite, Rama ndryshon ligjin për ndërtuesit, qyetarët i ndëshkon me gjoba dhe u shemb shtesat

    Ervisi e la ndërtimin pas 20 vitesh pune. Në moshën 46-vjeçare, ai thotë se arsyeja nuk ishte vetëm lodhja fizike.

    “Rrogën e marrim gjysmën në dorë e gjysmën në bankë, pushime s’ka se janë të papaguara. Siguracionet janë në pagën minimale, por ajo që është më e rëndë është përbuzja që i bëhet punëtorit të ndërtimit,” – tregon a.

    Në dy dekada punë, Ervisi ka ndërruar disa kompani, por përfundimi është i njëjtë: “Janë të pangopur, ne marrim thërrime pavarësisht punës së vështirë.”

    I ka ndjekur prej vitesh daljet publike të kryeministrit Edi Rama, i cili herë pas here del me tone të ashpra kundër ndërtuesve që shkelin ligjin. Por për Ervisin, gjithçka është “shoë politik”.

    “Nuk iu hyn gjembë në këmbë atyre,” – thotë ai.

    Këtë fillim muaji, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë 100-minutëshe për forcimin e kontrollit të territorit dhe mbrojtjen e hapësirave publike. Pas një lumi kritikash ndaj ndërtuesve, në prani të dy ministrave që nuk morën fjalën, Rama lajmëroi një ndryshim ligjor.

    “Do të propozojmë ndryshime ku shfuqizohet e drejta e parablerjes në procedurë konfiskimi dhe e drejta për kontrata me premtim shitjeje,” – deklaroi Rama.

    Ndryshimet lidhen me VKM-në nr. 589/2022 dhe ligjin nr. 66/2023 duke i hequr ndërtuesve mundësinë për të blerë mbrapsht kate të paligjshme.

    Me pak fjalë, ndryshimet zhbëjnë pikërisht vendimin që vetë ai miratoi tre vite më parë. Por sipas kryeministrit Rama parablerja ishte lejuar “sepse ndërtuesit ua kishin shitur njerëzve dhe shtetit nuk kishte çfarë të konfiskonte”.

    Erjon Harizi nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i tha Faktoje.al se ndryshimet nuk janë diskutuar me ndërtuesit.

    “Nuk ka më trima që i bëjnë këto gabime” – shton ai, teksa i referohet shtesave pa leje.

    Skemë përfitimi

    Zef Preçi, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike, thotë se e drejta e parablerjes nuk ishte gjë tjetër veçse legjitimim i shkeljeve të ligjit.

    “Ajo justifikon evazionin, favorizon pozicionin juridik të ndërtuesve shkelës dhe mbulon korrupsionin e një ushtrie nëpunësish që kanë detyrë të licensojnë, monitorojnë, lëshojnë leje dhe të vjelin taksat publike. Abrogimi i kësaj të drejte në një terr informativ vetëm ushqen mosbesimin publik ndaj institucioneve që shpesh veprojnë në favor të lobistëve, grupeve të interesit dhe oligarkisë, jo të interesit publik.”

    Vendimi për shfuqizim vjen pas akuzave të përsëritura se një grup ndërtuesish të afërt me qeverinë përfituan miliona euro nga skema e konfiskimeve. Një investigim i BIRN zbuloi se ndërtesat e sekuestruara në 2022 u rishitën me çmime rreth 10 herë më të ulëta se tregu, ndërsa ndërtuesit u amnistuan nga rreth 2 milionë euro detyrime fiskale.

    “Bazuar në ekspertiza kontradiktore mbi vlerën e objekteve ato iu rishitën ndërtuesve për çmime që janë 10 herë më të ulëta se çmimet e tregut, ndryshe nga sa pretendon Rama, me justifikimin që ishin në nivel karabinaje. Për më shumë për mijëra metra katrorë pa leje, ndërtuesve përmes ligjit të posaçëm iu falën tarifat dhe taksat që paguan normalisht kur merr një leje ndërtimi dhe këto në vlerë disa milion euro,” – shpjegon për Faktoje.al gazetari i BIRN, Vladimir Karaj.

    Sipas tij, vendimi për t’u dhënë ndërtuesve të drejtën e parablerjes ishte një ndërhyrje jo e nevojshme ligjore dhe kontradiktore.

    “Legjislacioni penal parashikon konfiskim për ndërtimet pa leje dhe dënime për përfitimet e tilla. Ndërhyrja shtesë duket si një përpjekje për të favorizuar ndërtuesit dhe legalizuar ndërtesat. Dhe kjo ndodhi.”

    Karaj thotë gjithashtu se ndërtuesit që kundërshtonin gjobat e vogla të IKMT-së pranuan VKM-në që u kushtonte miliona, duke tërhequr paditë pa filluar gjykimi.

    Përfundim

    Tre vite pas premtimeve për “ndëshkim shembullor” ndaj ndërtuesve, realiteti tregon një tjetër histori. Ndërsa disa ndërtues kanë përfituar nga skema e parablerjes, qytetarët e zakonshëm vazhdojnë të përballen me gjoba dhe shembje të shtesave pa leje./Faktoje.al

  • Rama ndryshon vendimin me të cilin ‘amnistoi’ kullat e oligarkëve

    Rama ndryshon vendimin me të cilin ‘amnistoi’ kullat e oligarkëve

    Kryeministri Edi Rama njoftoi të premten se do të shfuqizonte një vendim qeverie dhe pjesë të ligjit që i mundësonin ndërtuesve të mëdhenj të legalizonin shtesa pa leje me çmime shumë më të ulëta se tregu dhe me përjashtime nga detyrimet fiskale.
    Në një konferencë për shtyp që zgjati një orë e 40 minuta – ku dy ministrat që e shoqëronin nuk folën asnjë sekondë, Rama deklaroi se do t’ua hiqte ndërtuesve të drejtën e parablerjes së kateve të ndërtuara pa leje.
    Propozimi synon ndryshimin e VKM nr. 589 të vitit 2022 dhe të ligjit të vitit 2023 “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje…”, përmes të cilëve Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) kishte sekuestruar mijëra metra katrorë ndërtimesh pa leje në Tiranë, por më pas ia kishte kthyer të njëjtëve ndërtues kundrejt një pagese shumë të ulët.
    “Në fund fare do të propozojmë disa ndryshime… ku shfuqizohet e drejta e parablerjes në një procedurë konfiskimi dhe e drejta për të lidhur kontratë me premtim shitjeje. Ky është thelbi i këtij ndryshimi,” tha Rama.
    Vendimi vjen pas akuzave se një grup ndërtuesish të afërt me qeverinë përfituan nga skema për të legalizuar kate të tëra ndërtimesh në Tiranë, ndërsa qytetarët e zakonshëm janë gjobitur ose u janë shembur shtesat.
    Pamje e Tiranës. Foto: LSA.
    “Ndërsa mijëra familje në fshat ose qytete të vogla janë gjobitur dhe shembur për një dhomë apo shtesë të vogël, në mes të Tiranës janë legalizuar kate të tëra për ndërtuesit e mëdhenj, të cilët pastaj u ‘amnistuan’ përmes skemës së parablerjes me çmime qesharake,” tha deputetja demokrate Jorida Tabaku, duke shtuar se skema ka shërbyer për të shmangur detyrimet tatimore të ndërtuesve.
    Edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e cilësoi nismën e Ramës propagandistike.
    “Dakordësia mes ndërtuesit dhe KKT për numrin real të kateve bëhet që në gropën e themelit. Arsyeja pse Edi Rama deklaron se do ta eliminojë këtë skemë spekulative është e paqartë. Unë mendoj se është thjesht një deklaratë propagandistike dhe asgjë më shumë,” tha ai.
    Gjatë konferencës, Rama e mbrojti skemën si të suksesshme, duke argumentuar se konfiskimi i plotë ishte i pamundur pasi ndërtuesit kishin shitur tashmë apartamentet, dhe se pagesat ishin bërë me çmime tregu.
    “Janë detyruar t’i blejnë me çmimin e tregut vetëm për një arsye, dhe këtë parablerjen e hoqëm tani, se s’ka nevojë më,” tha ai.
    Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë të kundërtën: ndërtimet e konfiskuara iu kthyen ndërtuesve me një çmim mesatar prej vetëm 223 euro për metër katror – rreth dhjetë herë më pak se çmimet e tregut, dhe me kontrata që i amnistonin edhe nga rreth 2 milionë euro detyrime fiskale.
    Shumë prej këtyre ndërtuesve janë aktualisht nën hetim penal nga Prokuroria e Tiranës për shkeljet në ndërtim.
    /Reporter.al/

  • Rama me masa të rrepta: Listë e zezë për ndërtuesit, s’do marrin leje për 5 vite

    Rama me masa të rrepta: Listë e zezë për ndërtuesit, s’do marrin leje për 5 vite

    Shefi i qeverisë, Edi Rama prezantoi të gjitha masat e marra për forcimin e kontrollit mbi territorin dhe mbrojtjen e hapësirave publike. I shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Albana Koçiu dhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, kryeministri Rama vuri edhe njëherë “pikat mbi i” për ndërtuesit dhe zaptuesit e hapësirave publike.
    Për çdo ndërtim që tejkalon lejen në masën 2%-10%, shtesa e bërë pa leje do të konfiskohet për interes publik, për t’u përdorur për zyra, apo për strehim special. Në rastet kur leja tejkalohet mbi masën 10% konfiskohet i gjithë ndërtimi për interes publik. Të gjitha hapësirat publike do të regjistrohen në një regjistër, ndërsa një tjetër do të jetë edhe për lejet e ndërtimit.
    Me qëllim kontrollin e territorit do të ketë monitorime në kohë reale përmes teknologjisë, me dronë, apo GPS e kamera në kantieret e ndërtimit, me qëllim që mos të devijohet nga lejet e ndërtimit. Vijat e kuqe ua kujtoi edhe njëherë të gjithë ndërtuesve, të cilët nëse do shkelin lejet, emrin e tyre do ta gjejnë në një listë të zezë, e cila do të jetë publike dhe për 5 vite nuk do të marrin më leje. Në listën e zezë s’do jenë vetëm ndërtuesit, por edhe administratorët, ortakët, pronarët përfitues e deri te arkitektët. Këta të fundit do të përballen edhe me përgjegjësi në rast se devijohet leja e ndërtimit, të cilëve do t’u hiqet licenca për 5 vite.
    Rama tha se me këtë paketë masash synohet forcim i kontrollit të territorit, ndërsa theksoi se arkitektët do të jenë subjekt i ligjit nëse do të konstatohen shkelje gjatë zbatimit të një projekti ndërtimi.
    “Kam bindjen që do na japë rezultate të konsiderueshme, pasi krijon kushtet për disiplinim të gjithë procesit të ndërtimit, jo vetëm lidhur me ndërtimet pa leje, por edhe me ndërtimet me leje, që rëndom bëhen shkak deri për situata të vështira për njerëzit që paguajnë për të blerë një shtëpi dhe pastaj hasin pengesa deri edhe pamundësinë për të regjistruar shtëpinë e tyre si pronë të patundshme, apo pamundësinë për të hyrë në shtëpi”, tha Rama.
    Do merret leje edhe për muret rrethuese.
    “Padiskutim që siç merret leje për ndërtimin, merret edhe për murin rrethues. Muret pa leje do t’i nënshtrohen korrigjimit, të adaptohen sipas modeleve tip që do t’i vënë në dizpozicion bashkitë dhe patjetër që kudo ku janë ndërtuar në godina për qëllim fitimi se ka mure rrethuese shtëpish që procedura do të jetë mirëkuptuese dhe do jepet kohë që t’i adaptojënë si duhet. Kurse çdo mur rrethues nëpër resorte, pallate e godina për qëllim fitimi do prishet. Për çdo mur duhet marrë leje, sepse muret, e keni parë vetë, edhe kur keni shkuar në jug, që ato muret kanë tendencë të gllabërojnë treçerekun e trotuarit në të cilën nuk ecën dot çift por të ecësh anash që të mos biesh në rrugë. “, tha Rama.

  • Rama paralajmëron arkitektët dhe ndërtuesit, 10 vite burg për ndërtim pa leje dhe sekuestrim banese, si kryeministri…

    Rama paralajmëron arkitektët dhe ndërtuesit, 10 vite burg për ndërtim pa leje dhe sekuestrim banese, si kryeministri…

    Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantuan dje ndryshimet drastike në Kodin Penal, që synojnë të godasin fenomenin e ndërtimeve pa leje. Sipas propozimit, i cili pritet të miratohet në tetor, kushdo që kryen shtesa apo ndërtime pa leje do të përballet me sekuestrimin e objektit dhe deri në 10 vite burg, sidomos nëse shkeljet ndodhin në zona të mbrojtura.
    Manja bëri të ditur se edhe në rastet kur punimet pa leje arrijnë vetëm 10 për qind të objektit, do të ketë sekuestrim të plotë. Kryeministri Rama paralajmëroi ndërtuesit dhe arkitektët se shteti nuk do të tolerojë më devijime nga projektet, duke njoftuar edhe krijimin e një “liste të zezë” për kompanitë që shkelin ligjin. Kjo listë do t’i përjashtojë ndërtuesit për një periudhë të caktuar nga çdo leje ndërtimi, duke vendosur standarde më të forta për disiplinimin e tregut. Rama theksoi se masat e reja janë të lidhura me procesin e integrimit europian, duke e quajtur këtë një “kartë” që Shqipëria duhet ta luajë me vendosmëri.
    Ai shtoi se ndërtime të paligjshme nuk do të amnistohen më dhe çdo rast do të ndëshkohet pa kompromis. Këto ndryshime kanë ngjallur debat të fortë në sektorin e ndërtimit, pasi konsiderohen si goditje e drejtpërdrejtë për bizneset që kanë funksionuar deri tani me praktika abuzive. Ndërkohë, qytetarët shpresojnë se kjo reformë do të sjellë më shumë transparencë dhe rregull në urbanistikën e vendit. Më poshtë po pasqyrojmë pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së djeshme për mediat, ku u prezantua paketa e re e masave ligjore për mbrojtjen e territorit
    “Nuk është makthi i një nate vere”, Rama: Nuk ka ‘Shqipëri 2030’ në BE me ndërtime pa leje
    Konkretisht në fjalën e tij, kryeministri thotë se aksioni për çlirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje do të vazhdojë deri në goditjen përfundimtare të këtij fenomeni. Rama thotë se aksioni nuk është thjesht “makthi një nate vere”, por do të vijojë deri në fund, pasi nuk mund të ketë ‘Shqipëri 2030’ në BE me ndërtime pa leje. “Kthesa e re që ne kemi marrë në rrugën e gjatë të vendosjes së rendit ligjor mbi territorin, për çlirimin e hapësirave publike nuk do të mbarojë pa mbaruar njëherë e mirë. Jo thjeshtë ato ngrehina që janë instrumente të zaptimit, por vetë fenomeni.
    E di që ka shumë njerëz që shpresojnë se kjo do të jetë si makthi i një nate vere, por nuk do të jetë kështu, kjo do të vazhdojë pa u ndalur me këmbëngulje, se nuk ka Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje, që arrijnë deri në pikën sa bllokojnë komunitet banorësh për të hyrë e të dalë. Hyjnë e dalin prindërit nëpër lokale që të kalojnë nga apartamenti tek rruga”, deklaroi dje Rama.
    Rama: Penalizim për çdo zyrtar apo punonjës shteti që shfrytëzon një ndërtim pa leje
    Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama paralajmëroi edhe zyrtarët dhe punonjësit e shtetit që abuzojnë me ndërtimet pa leje. Kreu i qeverisë përmendi edhe disa situata absurde, që sipas tij, ndodhin në lagje urbane, ku individë përdorin hapësirat e përbashkëta si prona private për qëllime bujqësore. “Çdo zyrtar apo punonjës i shtetit që gjendet në kushtet që shfrytëzon një ndërtim pa leje, familja e tij për qëllim fitimi, do penalizohet. S’mund të paguhesh nga taksat dhe të kesh ndërtim pa leje dhe medemek familja. Shko te kioska atje por mos puno në shtet.
    Zaptimi i hapësirës publike lidhet edhe me një keqkuptim shumë të madh të një numri të madh njerëzish edhe në administratë dhe për këtë kemi pasur diskutime të forta edhe gjatë kësaj vere. Hapësira publike nuk është domosdoshmërisht një hapësirë që është pronë në shtet, është edhe pronë private për sa kohë është pronë private e pa zhvilluar në çdo kushtetutë të botës, ajo është një pronë e cila mirëmbahet nga shteti si hapësirë publike. Nuk mund dot të thuash se unë kam një shesh mes pallateve në Tiranë, është toka ime dhe do t’u marr njerëzve para se fusin makinën apo më keq akoma, unë jetoj në kat të parë, e rrethoj tokën e pallatit dhe rrisë pula, dele e lopë. Këto janë realitet, s’po flasim në mënyrë hipotetike.
    Mjelin lopë në kat të parë. Jo nuk është e jotja pavarësisht se mund të kesh një certifikatë prone, nuk mban dot lopën aty dhe nuk rrethon dot aty se është hapësirë publike e përbashkët deri në ditën kur bashkia thotë do të bëjmë një fermë dhe këtij zotërisë do t’i japim mundësinë të rrisim lopë. Po nuk e disponove lejen nuk bën dot asgjë. Flasim për ata që kanë marrë prona në mënyrën më të paimagjinueshme, në territore ku jetojnë mijëra njerëz dhe i bëjnë karshillëk komunitetit sikur jetojnë mbi kopsht zoologjik.
    Për pallatet e reja as nuk bëhet fjalë fare, kur ke bërë një marrëveshje të shfrytëzimit të pronës dhe ke thënë si pronar bashkohem me ndërtuesin, marr kaq e kaq nga kjo pronë. Çfarë të takon ty është çfarë merr nga ndërtimi, çdo gjë tjetër është e të gjithëve. Të gjithë ata që hyjnë në atë pallat e kanë të përbashkët hapësirën. Është logjika më elementare e qytetit. Nuk mund të pranojmë logjikën se është prona ime. Kam ndërtuar një biznes”, u shpreh Rama.
    Rama u përgjigjet kritikëve për ndërtimet pa leje: Shkelja është shkelje! Inspektorët do kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë
    Po ashtu, kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikëve për aksionin kundër ndërtimeve pa leje. Rama thotë se shkelja është shkelje në çdo kohë. Rama thotë se nga ana tjetër inspektorët do të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë. “Shkelja është shkelje në çdo kohë, vepra penale është vepër penale. Nuk ka pse i la shteti, pse polici nuk e pa ku ri vrau, ai tani nuk duhet kapur. Jam dakord me njerëzit që thonë këta i bënë, po ata tjerët që i panë, që i lanë. Nuk bëhet fjalë për ndërtesa në fund të botës, por që janë kudo.
    Ata tjerët që i panë dhe i lanë, do të jenë pjesë e një zinxhiri përgjegjësish të ndara dhe çdo zonë, do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Paçavuret që janë për tu çuar nëpër shkolla riedukimi për tu thënë njerëzve shiko ca të bën analfabetizmi i ca inspektorëve në Vlorë, që certifikojnë çdo lloj shkelje të mundshme, s’do të jenë më të mundura sepse do të dënohet inspektori drejtpërdrejtë”, tha Rama.
    Rama: Arkitektët që nuk raportojnë deformimet e projektit nga ndërtuesit, do konsiderohet vepër penale
    Ndërkohë kreu i qeverisë u bëri thirrje arkitektëve që të raportojnë çdo deformim të projektit nga ana e ndërtuesit. “Nga ana tjetër është e rëndësishme që të bllokohet zinxhiri sepse ndërtuesit nuk operojnë në vetmi, operojnë me arkitektët të cilët pranojnë deformimet dhe nuk njoftojnë autoritetin përkatës shtetëror siç ndodh në gjithë botën.
    Ky mosnjoftim do konsiderohet vepër penale, pjesëmarrje në një vepër penale dhe natyrisht që arkitekti do humbasë gjithçka. Sepse nëse një arkitekt pranon deformimin e projektit, nuk është një pikturë që pranon të vijë dikush e të fusi duart se në fund të ditës mbetet një pikturë, por është një pasuri të cilën e kanë blerë të tjerët. Dhe këtu nuk është çështje as thjesht dhe vetëm pasojash imediate, është çështje pasojash në gjenerata sepse nuk mund t’i lëmë gjeneratave godina të deformuara nga shija vulgare e atyre që numërojnë vetëm metra katrorë, që kanë më shumë vetura se çorape.
    Njerëzit nuk vishen thjesht sepse mbrohen nga i ftohti, njeriu përpiqet të vishet sa më me shije. Si mund t’i veshim godinat e qytetit si zhele? Si mundet që fasadat e projektuara nga arkitektët të transformohen në fasada të bëra shkel e shko nga ndërtues që nuk dallojnë më shumë se 4 ngjyra? Është e patolerueshme. Në çdo fazë të projektit kjo nuk do lejohet”, tha kryeministri Edi Rama.
    Deformimet e ndërtimeve, Rama paralajmëron arkitektët: Kujdes mos bini në gropë, se do shkoni te supa pastaj
    Më tej kryeministri u bëri thirrje arkitektëve që të mos pranojnë deformimet e projekteve të tyre nga ndërtuesit, por t’i raportojnë. Masat e reja përfshijnë edhe punën e arkitektëve, e si e tillë, Kryeministri Rama bëri një paralajmërim për ta që ta shqyrtojnë me vëmendje paketën e re ligjore, në të kundërt mosveprimet e tyre kur bëhen deformime të projekteve do të konsiderohen vepra penale.
    “Ka disa arkitektë të rinj këtu, ja u them këtë arkitektëve, bëhuni burra se ju arkitektët burra jeni më pak trima se arkitektet dhe vendosini ‘kufirin te thana’ këtyre ndërtuesve, ti nuk lëviz nga projekti im, ky është projekti im dhe pikë. Sa ta mësojnë nuk do ta kërkojnë më. Uroj shumë të na mbështesni e të na ndihmoni edhe që mos bini në ndonjë gropë se nuk ju nxjerrim dot më pastaj, se po të shihni këto që tha ministri se njeriu kur dëgjon neni kaq e neni aq fillon humbet vëmendjen, por merrini shikojini mirë se është plot me gropa për ju aty. Po ratë në ndonjë gropë nuk ju nxjerr dot më njeri pastaj, edhe thoni sa të doni jam arkitekt, do shkoni atje në radhë te supa”, theksoi Rama.
    Rama: Listë e zezë për ndërtuesit që zihen në faj, masa të rënda dhe për ata që shesin apartamente dy herë
    Ndërkaq kryeministri Edi Rama paralajmëroi një listë të zezë për ndërtuesit që kryejnë ndërtime të paligjshme apo që abuzojnë me lejen. Sipas kryeministrit, e gjithë hallka, duke filluar nga arkitekti do të vihen para përgjegjësisë. Paralajmëroi se do të ndëshkohen edhe ata që shesin dy herë një apartament, dhe objekti do të konfiskohet menjëherë. “Veç rregullores do krijojmë kushte për të asistuar subjektet që do duhet të vendosin me leje dhe me norma e kritere të qarta edhe strehë apo tendë.
    Nuk bën vaki më me platforma dhe me hapje të tyre deri te rruga. E dyta, është ajo për paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm, që është një tjetër fenomen që ne do të bëjmë gjithçka që ta ndalim. Ka një përmirësim të ndjeshëm. Mua s’më intereson përmirësimi por çfarë nuk shkon.
    Ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime duke i ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallka e zinxhirit të ndërtimit nga arkitekti, supervizori dhe inspektorët përkatës. Sepse në një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet e deformohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në abuziv të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie në qendër është ndërtuesi. Për këtë arsye, ndërtuesit që do të zihen në këtë faj, do të hyjnë në listën e zezë dhe s’do të mund të marrin më asnjë leje dhe të zhvillojnë asnjë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh që mendoj se duhet të jetë më i madh se ai që propozoi grupi i punës.
    Nuk mund të vazhdojmë të shohim sesi disa ndërtues mashtrojnë qytetarët të cilëve mund t’ju themi se në një sistem që kemi zgjedhur, marrëdhënie kontraktuale janë marrëdhënie mes palëve, jo marrëdhënie ku qeveria mund të ndërhyjë dhe për sa kohë keni marrë përgjegjësi, s’kemi ça të bëjmë…por kjo nuk është zgjidhja se qytetarët kanë paguar dhe rrinë jashtë.
    Ndodh siç ndodhte në atë pallatin ku shkuam me ministrin që nuk i lenë as të futen brenda ose faktivisht nuk marrin dot shtëpinë se arrijnë deri në absurd që një apartament shitet dy herë. Për këtë arsye, masa do të jetë e rëndë për ata që e bëjnë një gjë të tillë dhe përveç listës së zezë, do të jetë imediat konfiskimi i objektit. Pra nuk do ta administrojë më ai që e ka ndërtuar, por do ta administrojë shteti dhe do ta bërë në dispozicion të atyre që kanë paguar për ta blerë”, nënvizoi dje Rama.
     

  • “Projekte si kopshtet e Babilonisë”/ Rama: Është një ndërtues në Tiranë që ka marrë leje me një fasadë të mbuluar me pemë, por s’ka mbjellë asnjë

    “Projekte si kopshtet e Babilonisë”/ Rama: Është një ndërtues në Tiranë që ka marrë leje me një fasadë të mbuluar me pemë, por s’ka mbjellë asnjë

    Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në takimin për prezantimin e paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, kritikoi ndërtuesit.

    Ai madje ironizoi projektet që paraqesin në fillim ndërtuesit, ku pallatet duken si ‘kopshtet e Babilonisë’, por realiteti është krejt tjetër, tha Rama.
    “Njerëzit paguajnë për të blerë apartamente dhe dëgjojnë nga ndërtuesit lloj përrallash, te projektet kanë ato kopshtet si Babiloni”, u shpreh ai, duke përmendur një rast konkret.
    “Ka një ndërtues këtu në Tiranë, që ka marrë leje me një fasadë e mbuluar me pemë. Asnjë pemë s’ka aty. S’ka për të marrë më leje nëse nuk mbjell pemët një për një. Ti blen apartament dhe shpreson të të bjerë një komshhi i mirë dhe të bie një axhustator. Ditën kur sharrohet një dërrasë, ti e ke sharrën në tru dhe mezi pret ditën kur të ngjitet një gomë biçiklete që të mos dëgjosh asgjë. Është një nen magjik, që është përdorur në mënyrë abuzive nga njësitë vendore: Leje për punë përgatitore. Dhe janë bërë lloj lloj abuzimesh”.

    Top Channel

  • “Lista e zezë”/ Rama: Ata që shesin një apartament dy herë, konfiskim direkt

    “Lista e zezë”/ Rama: Ata që shesin një apartament dy herë, konfiskim direkt

    Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për masa më të rënda ndëshkuese ndaj personave që kryejnë ndërtime të paligjshme, apo ata që abuzojnë me lejen.
    Gjatë prezantimit të masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, Rama tha se edhe ndërtuesit që shesin dy herë një apartament, do të ndëshkohen dhe objekti do të konfiskohet menjëherë.
    “Nuk bën vaki më me hapjen e platformave deri të rruga. E dyta është për paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm. Një tjetër fenomen që do e ndalim njëherë e mirë. Ka një përmirësim të ndjeshëm, por nuk na intereson përmirësimi, por vetëm çfarë nuk shkon. Do të bëjmë të gjitha këto ndryshme duke ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallkat e ndërtimit.
     Në një ndërtim ku projekti transformohet shpërfytyrohet, të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie, në qendër është ndërtuesi. Ndërtuesit që do zihen në faj do hynë në listën e zezë dhe nuk do ndërtojnë dot më.  
    Nuk mund të vazhdojmë të shohim sesi disa ndërtues mashtrojnë qytetarët. Arrihet deri në absurdin që një apartament do shiten dy herë, masa do të jetë e rëndë dhe do jetë imediat konfiskimi i pronës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të bllokohet zinxhiri”-u shpreh Rama.

  • ‘Listë e zezë për ndërtuesit që zihen në faj’/ Rama: Konfiskim imediat i objektit

    ‘Listë e zezë për ndërtuesit që zihen në faj’/ Rama: Konfiskim imediat i objektit

    Kryeministri Edi Rama paralajmëroi masa të ashpra për ndërtuesit.
    “Veç rregullores do krijojmë kushte për të asistuar subjektet që do duhet të vendosin me leje dhe me norma e kritere të qarta edhe strehë apo tendë. Nuk bën vvaki më me platforma dhe me hapje të tyre deri te rruga. E dyta, është ajo për paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm, që është një tjetër fenomen që ne do të bëjmë gjithcka që ta ndalim. Ka një përmirësim të ndjeshëm. Mua s’më intereson përmirësimi por çfarë nuk shkon.
    Ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime duke i bgarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallka e zinxhirit të ndërtimit nga arkitekti, supervizori dhe inspektorët përkatës. Sepse në një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet e deformohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në abuziv të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie në qendër është ndërtuesi. Për këtë arsye, ndërtuesit që do të zihen në këtë faj, do të hyjnë në listën e zezë dhe s’do të mund të marrin më asnjë leje dhe të zhvillojnë asnjë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh që mendoj se duhet të jetë më i madh se ai që propozoi grupi i punës.
    Nuk mund të vazhdojmë të shohim sesi disa ndërtues mashtrojnë qytetarët të cilëve mund t’ju themi se në një sistem që kemi zgjedhur, marrëdhëie kontraktuale janë marrëdhnëie mes palëve, jo marrëdhënie ku qeveria mund të ndërhyjë dhe përsa kohë keni marrë përgjegjësi, s’kemi ça të bëjmë…por kjo nuk është zgjidhja se qytetarët kanë paguar dhe rrinë jashtë. Ndodh siç ndodhte në atë pallatin ku shkuam me ministrin që nuk i lenë as të futen brenda ose faktivisht nuk marrin dot shtëpinë se arrijnë deri në absurd që një apartament shitet dy herë.
    Për këtë arsye masa do të jetë e rëndë për ata që e bëjnë një gjë të tillë dhe përveç listës së zezë, do të jetë imediat konfiskimi i objektit, do ta administrojë shteti dhe do ta bërë në dispozicion të atyre që kanë paguar”, tha Rama.

  • Në 2022 firmosi vetë vendimin që mbron ndërtuesit e paligjshëm, tani nuk ndal sulmin ndaj gjyqtarit Balliu

    Në 2022 firmosi vetë vendimin që mbron ndërtuesit e paligjshëm, tani nuk ndal sulmin ndaj gjyqtarit Balliu

    Kryeministri Edi Rama nuk ndal sulmin ndaj gjyqtarit të gjykatës Administrative, Hazbi Balliu për vendimin që lidhet me pallatin e konfiskuar nga KKT-ja, – një hotel 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik – ku qeveria kishte planifikuar të vendoste Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

    Në një postim në facebook Rama hedh aludime se gjyqtari nuk ka lexuar provat që shteti kishte vendosur në dispozicion.

    Atë që Rama nuk përmend është se vendimi i gjyqtarit Hazbiu u mbështet në një vendim që vetë Rama ka firmosur vendimin e qeverisë nr. 589, datë 7.9.2022, që favorizon ndërtuesit e paligjshëm dhe ligjëron antishtetin. 

    “As 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës

    Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë” shkruan Rama. 

    Vendimi

    Vendimi i vitit 2022 bën fjalë për konfiskimin e pallateve pa leje për interes publik.

    Vendimi u mundësoi shumicës së ndërtuesve që kishin shkelur lejet në qendër të Tiranës të parablinin shtesat pa leje me çmime 10 herë më lirë se vlera e tregut dhe të përfitonin qindra mijëra euro përjashtime nga taksat dhe tarifat.  

    Hoteli 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik, i ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit nga kompania RT Max në pronësinë e Thanas dhe Robert Biqikut, ishte në listën e godinave të konfiskuara me vendim të KKT-së, por ndryshe nga pallatet e tjera, kompanisë nuk iu dha e drejta e parablerjes edhe pse depozitoi 10% të vlerës së supozuar të ndërtimit në Ministrinë e Financave. Në qershor të këtij viti, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara vendosi ndryshimin e destinacionit të godinës në zyra për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pasi godina ekzistuese që ndodhet në afërsi të Parkut të Liqenit ishte vlerësuar si godinë me rrisk si pasojë e tërmetit të vitit 2019. Bazuar në këtë vendim Kompania RT Max u ankua në Gjykatë me një kërkesë për sigurim padie ndaj vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara.

    Dhe gjyqtari mori vendimin për sigurimin e padisë, e cila përndryshe nga sa thotë kryeministri, nuk heq konfiskimin, thjesht u lejon pronarëve të kontestojnë në rrugë gjyqësore rastin, duke pezulluar ekzekutimin e vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara

    Edhe kryetari i grupit parlametar të PD-së i bëri publik dje vendimin e Ramës që mbron ndërtuesit e paligjshëm.

    Ndërkohë edhe pse taksapaguesit (shqiptarë dhe evropianë) kanë shpenzuar mbi një miliardë euro për të rindërtuar objektet e dëmtuara nga tërmeti zyrën e Kadastrës e la të pariparuar.

    Lexo dhe: Rama la Kadastrën 4 vjet në godinën e dëmtuar nga tërmeti