Dorëheqjet e drejtorëve në të gjitha bashkitë e vendit kanë qenë dhe një ndër zhvillimet më të “nxehta” të kësaj vere në vendin tonë. Lidhur me këtë “tërmet” 7 ballë që erdhi vetëm pas një fjalë të tij, kryeministri Edi Rama ka folur së fundmi në rubrikën “Sy m’Sy”.
Për kreun e qeverisë dorëheqja e drejtorëve në bashkitë e vendit ishte e domosdoshme dhe kjo me qëllim për t’i dhënë bashkive një tjetër impuls.
“Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë domosdoshmëri për t’i dhënë impuls tjetër bashkive, për të shkundur mekanizmat e topitur të disa bashkive, dhe për të adresuar problematika që nuk lidhen me buxhete të mëdha por me vëmendje të madhe dhe përkushtim të madh”, tha Rama duke përmendur Vlorën, ku sipas kryeministrit, mjaftoi vetëm pak vëmendje shtesë dhe që puna të vendoset në “shina”.
Ai tha se u ndie i detyruar që të ndërhynte pasi kuptoi se punët nuk ishin duke shkuar ashtu si dhe duhej dhe kishte nevojë për një shtytje të fortë nga lart.
“Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje? Në një shoqëri demokratike të konsoliduar, secili e di se ku e ka kufirin. Nuk fillon gjëra nga inspektori apo kontrollori por nga secili që di se ku ka kufirin. Më Pas inspektori dhe kontrollori janë aty për të kontrolluar dhe siguruar që ai kufi të ruhet në funksion të asaj shumice që atë kufi e respekton”, tha Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Të mos i fusim të gjithë në një thes dhe të mos ngatërrojmë të njohim me të thatin. Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë domosdoshmëri për t’i dhënë impuls tjetër bashkive, për të shkundur mekanizmat e topitur të disa bashkive, dhe për të adresuar problematika që nuk lidhen me buxhete të mëdha por me vëmendje të madhe dhe përkushtim të madh.
Vlora është rasti tipik. Çfarë ndryshimi po ndodh në një kohë të shkurtër, dhe nuk është ndryshim me buxhet shtesë por me vëmendje shtesë, dhe ku është hapur një proces për të ftuar djem dhe vajza të reja, që duan t’i shërbejnë Vlorës dhe të aplikojnë për të qenë drejtuesit e rinj të bashkisë Vlorë.
Asnjëri nga ata që drejtuan për vite s’ka pse të qëndrojnë aty dhe ka të tjerë që mendojnë se duhet ta kenë këtë mundësi, kudo, në të gjitha bashkitë e mëdha të vendit, ku ka burime njerëzore që janë të pashfrytëzuara.
Të gjitha qeveritë në historinë e njerëzimit janë krijuar për të bërë punën dhe jo një vezë të kuqe, dhe qeveritë dallojnë te mënyra se si e bëjnë punën. Edhe drejtuesit, edhe liderët. Jo sesa vezë të kuqe bëjnë. Kjo nuk është çështje mburrjeje,. Por diskutimi, sqarimi e reflektimi. E dyta, e përsëris. Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart.
Tag: ndërhyj
-
Shkarkimet nëpër bashki, Rama: U detyrova të ndërhyj. Shikoni Vlorën, ndryshoi në kohë rekord