Që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka qenë një nga çështjet më të debatueshme dhe më të rrezikshme për stabilitetin e rajonit. Nga luftërat e viteve ’90, deri tek diskutimet për “korrigjime territoriale” mes Kosovës dhe Serbisë, çdo tentativë për rivizatim kufijsh ka ngritur shqetësime për rikthim të tensioneve etnike dhe konflikteve. Tani, Uashingtoni duket se e mbyll përfundimisht këtë kapitull.
Kujtojmë se ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan u rikthye fuqishëm në qendër të debatit pas vitit 2018, kur në tavolinat diplomatike u hodh projekti për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Kjo nismë, e mbështetur në prapaskenë nga Aleksandër Vuçiç dhe disa aktorë ndërkombëtarë u mbështet fuqishëm publikisht edhe nga Edi Rama. E gjithë skema e ndarjes ishte bërë nën ndikimin e fondacionit të George Sorosit. Propozimi synonte ndarjen e veriut të Kosovës, por hasi në kundërshtim të ashpër nga Uashingtoni dhe Berlini, që e panë si kërcënim për stabilitetin e rajonit. Tani, me projektligjin e ri amerikan, kjo çështje duket se mbyllet përfundimisht dhe kështu fiken edhe shpresat e Ramës, Vuçiçit dhe Sorosit për këtë projekt antishqiptar.
“Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perëndimor” është projektligji që po pret miratimin nga Kongresi dhe Senati në Amerikë.
Në mesin e shumë pikave, ky dokument thekson angazhimin e Shteteve të Bashkuara që politika e tyre e jashtme të mos mbështesë ndarjen e territoreve, shkëputjen apo ndonjë ndryshim tjetër kufitar bazuar mbi etni në Ballkanin Perëndimor, përfshirë marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndarjen e mundshme të Republika Sërpskas.
Ky parashikim është pjesë e Seksionit 11 të projektligjit, që merret me raportet midis Kosovës dhe Serbisë.
Aty theksohet se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e arritur më 27 shkurt 2023 me mbështetjen e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet shpejt. Ligji promovon gjithashtu biseda bilaterale, iniciativa konkrete për rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe mbështetje nga SHBA-ja për një marrëveshje përfundimtare.
“SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”, thuhet në projektligj.