Në një vend që supozohet të jetë ndër më të mbrojturit. Aty ku çdo lëvizje, çdo hyrje dhe çdo kthesë filmohet e regjistrohet nga dhjetëra kamera, ndodhi që siguria u thye në formën më të ashpër nga plumbat e kallashnikovëve.
Pak pas mesditës së datës 11 nëntor 2025, rreth orës 14:15, një makinë e ndaluar në rrethrrotullim, në hyrje të rrugës që të çon drejt Aeroportit “Nënë Tereza”, kishte ndaluar duke pritur një tjetër makinë që do të dilte nga parkingu i Rinasit.
Në 75 sekonda ndodh gjithçka. Të paktën 82 plumba të shkrepur drejt një “Mercedes”-i të bardhë lanë të vdekur në vend një 47-vjeçar pasagjer në këtë mjet dhe drejtuesi 42 vjeç u plagos rëndë dhe ndërroi jetë pas 4 ditësh në spital.
Hetimet flasin për profesionalizëm të lartë e një koordinim në kufijtë e perfeksionit.
Çfarë e mundësoi që një veprim i tillë të realizohej në një zonë të mbikëqyrur? A ishte dështim teknik? Një rrjedhje informacioni? Apo diçka më e errët, koordinim nga brenda?
Hetimi do të kërkojë përgjigje në videot që regjistruan çdo kënd, në dëshmitë e kalimtarëve dhe në komunikimet që po shqyrtohen tashmë nga grupi hetimor.
Por një detaj i ftohtë vjen si një goditje tjetër. Vetëm 2 minuta pas largimit të autorëve, një delegacion shtetëror kaloi në të njëjtën rrugë. Pranë makinës së bërë shoshë nga plumbat e ku brenda saj ndodhej një i pajetë e një tjetër që vetëm merrte frymë.
Një kalim që ngrit pyetjen më të thjeshtë dhe më shqetësuese: Çfarë na tregon kjo për kontrollin dhe për menaxhimin e informacionit në zemër të kryeqytetit?
Në orët dhe ditët që vijojnë, ne do të ndjekim gjurmët që lë pas kjo ngjarje. Prova, video, dhe njerëzit që mund të dinë më shumë. Sepse kur një akt i tillë kriminal ndodh në vendin që e konsiderojmë më të sigurtin, dyshimet mbeten se kush e rrëzon gardhin e kontrollit dhe për çfarë arsye?
Rëndësinë një krimi të tillë, nuk ia jep vetëm vendi ku ndodhi ngjarja, por edhe personazhi që u ekzekutua. E po ashtu edhe grupi që mori pjesë për realizimin e atentatit. Katër autorë, 3 kallashnikovë dhe një pistoletë.
Viktima ishte Gilmando Dani. Një emër i njohur ndër vite në konfliktet më të ashpra të Tiranës. Por më tepër, i njohur si njeriu më i besuar i Emiljano Shullazit, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe që ka një historik të gjatë arrestimesh, akuzash e ngjarjesh ku është dyshuar e hetuar se mund të jetë përfshirë bashkë me 47-vjeçarin që mbeti i vrarë.
Personi që u plagos rëndë në këtë atentat e më pas ndërroi jetë, ishte pjesë e strukturave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i emëruar aty në shtator të vitit 2025, në rrethana të dyshimta. Megjithatë në atë ngjarje nuk ishte si agjent i AMP-së. Ishte si bashkëshoqërues i Gilmando Danit në udhëtimin e tij 5 ditor në Barcelonë, ku udhëtuan, qëndruan e u kthyen bashkë. Ndërsa ditën e ngjarjes ishte drejtues i makinës që u sharrua nga plumbat.
Të tjera pikëpyetje për sigurinë ngre edhe largimi i atentatorëve. Makina e tyre përshkoi 14 kilometra nga vendi i ngjarjes deri në fshatin Halil të Fushë – Krujës, ku u gjet në flakë bashkë me armët e krimit brenda. Një skemë tipikë e atentateve të ngjashme, e kryer edhe në dhjetëra vrasje të tjera, madje pothuajse edhe në të njëjtin vend.
Pistat? Larje hesapesh, hakmarrje por dhe reagim pas mesazhe të errëta të dalë nga rrjetet e koduara.
Por si mund të ndodhë një vrasje e tillë në një zonë kaq të monitoruar?
Dhe kë duhet të trembë kjo goditje?
A është kjo ngjarje rikthim i një “lufte” të vjetër?
Aty ku në ditë të tjera qëndrojnë efektivë Policie, patrulla, madje dhe grupe të gatshme, më 11 nëntor 2025, nuk kishte asnjë prej tyre. Madje vetëm disa makina që qarkullonin pa trafikun e rënduar që jemi mësuar të shohim.
Në orën 14:14, makina e atentatorëve “Toyota” me targa greke të vjedhura është e ndaluar me bllokazh në afërsi të rrethit në krahun e djathtë.
Makina qëndron aty dhe pas 20 sekondash fillon të lëvizë dhe kalon në krahun tjetër të rrethit, përballë, vetëm pak metra larg Komisariatit të Rinasit, duke qëndruar po me bllokazh edhe 20 sekonda të tjera.
Më pas hapen dyert dhe zbresin 3 autorët, sapo shohin që makina ku ndodhej objektivi i tyre po i afrohej rrethit dhe nisin menjëherë të qëllojnë.
Pasi goditet me armë për 4 sekonda, drejtuesi i mjetit humb drejtimin dhe pa kryer harkun në rreth, mjeti ecën diagonal derisa mbetet i ndaluar.
Në një moment 3 atentatorët kthehen për të hipur në mjetin e tyre, por pasi shohin makinën e objektivit që kishte ndaluar kthehen sërish për ta qëlluar.
Njëri prej tyre, me hap normal, përshkon mes për mes rrethit, me automatik në dorë dhe i afrohet makinës. Menjëherë pas tij shkon edhe autori tjetër, pasi në dukje, të parit i ngec arma dhe personi tjetër i jep një armë që në dukje është e shkurtër, e ngjashme me pistoletë. Ndërsa makina e tyre vijon rrugën për pak metra me dyer të hapura.
Personi që i dha armën kthehet tek makina, ndërsa autori tjetër, me dy armët në duar, vijon i qetë drejt mjetit të ndaluar ku ishte objektivi, hedh njërën armë në tokë dhe me tjetrën afrohet tek xhami, në krahun e pasagjerit, ku ishte Gilmando Dani dhe qëllon edhe disa herë drejt tij.
Në këtë moment bashkëpunëtori i tij kthehet serish dhe ecën me vrap në drejtim të tij. Teksa i pari merr armën që kishte hedhur në tokë, i dyti qëllon edhe disa herë të tjera, në distancë, drejt makinës “Mercedes”.
Gjithçka zgjat 75 sekonda. Më pas autorët hipin në makinë e cila lëviz me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon drejt Fushë – Prezës dhe Fushë-Krujës.
Rezulton që autorët të kenë përdorur një rrugë rurale, e përdorur edhe në ngjarje të tjera, që të çon drejt Niklës dhe fshatit Halil ku u gjet e djegur makina.