Tag: natyrore

  • Edhe pas tri dekadash, ende shpresa tek emigracioni, rekord në botë në raport me popullsinë

    Edhe pas tri dekadash, ende shpresa tek emigracioni, rekord në botë në raport me popullsinë

    Shqipëria ka kaluar tre valë të mëdha emigracioni. Kur vendi doli nga diktatura në fillim të viteve ’90 ishte ndër shtetet më të varfra në botë. Shpresat ishin të mëdha në një vend të vogël, por me burime të pasura, që po shfaqte potenciale pa fund. Dikush e gjeti rrugën nëpërmjet emigracionit, me valën e parë të viteve 1990-2000 që pa largimin e 600-650 mijë personave (shifra e bazuar në të dhënat e shtesës natyrore dhe të Censeve 1989-2001.
    Në një vend ku shtesa natyrore ishte 40-60 mijë persona në vit, kjo valë dha pak ndikim në popullsinë totale, që u zvogëlua me vetëm 100 mijë persona në dekadën e parë të pas tranzicionit. Emigracioni vijoi, me rreth 500 mijë të ikur në periudhën 2001-2011, por gjithsesi shtesa natyrore vijoi të ishte midis 15-20 mijë persona në vit, duke bërë që popullsia të reduktohej me rreth 300 mijë persona në dekadën e dytë të tranzicionit.
    Dekada e tretë e tranzicionit e gjeti vendin në një pozicion më të favorshëm. Vendi nuk ishte më ai i fillimviteve ’90, bizneset vendase ishin forcuar, sipërmarrjet e huaja po shfaqnin interes, pagat po rriteshin, për procesin e integrimit në Bashkimin Europian po flitej gjithnjë e më shumë. Por, sërish modeli i zhvillimit të vendit frymëzoi shumë pak. Korrupsioni i lartë, shpërdorimi i fondeve publike, sistemi arsimor i dobët, shërbimi shëndetësor që detyronte pagesat më të larta në Europë nga xhepi, pagat e ulëta që reflektonin një ekonomi të dobët jokonkurruese, bënë që nga vendi të ikte një forcë vitale si ajo e të rinjve.
    U larguan dhe familje të tëra nga shtresa e mesme, pritshmëritë e të cilave për jetën ishin shumë të ndryshme nga ajo që u ofronte realiteti. Në periudhën 2012-2023 rezulton që ikën nga vendi rreth 500 mijë persona. Por, me shtesën natyrore që vitet e fundit ka shkuar pothuajse drejt zeros, rënia e popullsisë ishte në nivele rekord me 400 mijë persona më pak, duke mbetur në 2.4 milionë shqiptarë. Rreth 1.6 milionë të ikur në tre dekada, për një popullsi që në vitin 1989 numëronte 3.2 milionë banorë janë një protestë e heshtur për një qeverisje që nuk arriti të ngjallte shpresë, duke nxitur një emigracion me përmasa jonormale.
    Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se emigracioni vazhdon. Vetëm në 2022-2023 janë regjistruar gati 100 mijë emigrantë nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që lejet e qëndrimit për herë të parë u rritën sërish në 2022-2023 me mbi 70 mijë në vit. Ritmet me të cilat po vazhdojnë të largohen shqiptarët janë alarmante për një vend që tashmë e ka humbur gjysmën e popullsisë, duke qenë rekord në Europë, madje më të larta sesa shtetet ku banorët ikin për shkak të luftërave e konflikteve civile.
    Të dhënat e Eurostat për vitin 2023, tregojnë se në raport me popullsinë, shtetasit shqiptarë ishin të parët që përfituan shtetësi, me 18.3 për 1000 banorë, shumë më të larta se Siria e konflikteve (4) dhe Maroku (2.8). Një sondazh i zhvilluar në fund të vitit të kaluar në faqen e “Monitor”, ku u përgjigjën mbi 1000 persona, gjeti se shqiptarët tashmë nuk ikin më vetëm për më shumë të ardhura, por janë në kërkim të një cilësie jetese, që mesa duket nuk po arrijnë ta gjejnë në Shqipëri.
    Përtej fasadës së një vendi që po lartësohet çdo ditë, të anketuarit, pjesa më e madhe e të cilëve me arsim të lartë e pasuniversitar, thanë se arsyeja kryesore e largimit është mungesa e perspektivës për të ardhmen dhe e standardeve të larta të jetesës./ Monitor

  • Nënshkruhet marrëveshja për mineralet e rralla, pikë kthese në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë

    Nënshkruhet marrëveshja për mineralet e rralla, pikë kthese në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë

    Ujdi pas javësh negociatash! Marrëveshja SHBA-Ukrainë i garanton Shteteve të Bashkuara qasje tek pasuritë natyrore të Ukrainës. Vetë vendi ruan kontrollin mbi burimet e veta.
    Pas një beteje jo të lehtë negociuese, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë rënë dakord të krijojnë një fond rindërtimi që do t’i japë gjithashtu Shteteve të Bashkuara qasje në burimet natyrore ukrainase. Të dyja palët e konfirmuan marrëveshjen në Uashington.

    Ministri amerikan i Financave, Scott Bessent dhe zëvendëskryeministrja ukrainase Julia Svyrydenko nënshkruan marrëveshjen në Uashington. Teksti i marrëveshjes nuk u publikua fillimisht. Megjithatë parashikohet një fond investimi i planifikuar për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve natyrore të Ukrainës, i cili synon të gjenerojë fonde për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
    SHBA sigurojnë me këtë qasje të privilegjuar në burimet e Ukrainës, duke përfshirë mineralet e rralla, të cilat janë të rëndësishme për teknologjinë e avancuar sot dhe të rëndësishme nga ana strategjike. Bessent nuk ishte shumë specifik për përmbajtjen e marrëveshjes, por u shpreh i kënaqur.
    Fond i barabartë me SHBAZëvendëskryeministrja ukrainase Svyrydenko dha më shumë detaje. Me fondin e ardhshëm i rindërtimit do të investohet në projekte për nxjerrjen e mineraleve, naftës dhe gazit, si dhe në infrastrukturën përkatëse, shpjegoi ajo. “Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të përcaktojnë bashkërisht projektet e investimeve që do të financohen”, shkroi ajo në Facebook.
    Ukraina nuk duhet të paguajë ndihmat ushtarak amerikane. Një pikë mosmarrëveshjeje në negociata kishte qenë, nëse Ukraina do të duhej të paguante ndihmën ushtarake dhe financiare të SHBA-së nëpërmjet shfrytëzimit të lëndëve të para të saj. Sipas Swyrydenkos nuk ka për të qenë kështu..
    Investimet mund të bëhen vetëm në Ukrainë. Në dhjetë vitet e para, fondi nuk do të shpërndajë fitime dhe të ardhura, por do t’i riinvestojë ato. Për të adresuar shqetësimet në Ukrainë për një shitje të mundshme të burimeve, Swyrydenko theksoi se fondi do të operohej në baza të barabarta me Shtetet e Bashkuara. Ukraina nuk do ta ofrojë pjesën e saj në fond nga projektet ekzistuese të lëndëve të para, por do të japë 50 për qind të të ardhurave nga licencat e ardhshme të prodhimit ose shitjet e lëndëve të para.
    Rritja masive e presionit nga TrumpMarrëveshja u përfundua në një fazë vendimtare të negociatave për një marrëveshje paqeje: Presidenti i SHBA, Donald Trump kërkon fund të shpejtë të luftës në Ukrainë dhe së fundmi ka shprehur zhgënjimin për mungesën e progresit.
    Më parë republikani Trump ushtroi presion masiv mbi Ukrainën lidhur me çështjen e burimeve natyrore. Ai i konsideron fitimet e mundshme nga nxjerrja e burimeve si kompensim për mbështetjen financiare dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
    Pas marrëveshjes së arritur ndërkohë, Trump theksoi se SHBA do të rimarrë shumë më tepër sesa ka investuar deri më tani. Ai përsëriti qëndrimin e tij se një prani ekonomike e SHBA në Ukrainë përfaqëson gjithashtu një garanci sigurie për vendin. DW

  • VIDEO – “Lumit Buna i kthehet rrjedha e tij natyrore”, Benet Beci: Ndërhyrje në zonën e Dajlanit…

    VIDEO – “Lumit Buna i kthehet rrjedha e tij natyrore”, Benet Beci: Ndërhyrje në zonën e Dajlanit…

    Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: IKMT, në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombetar te Peshkimit dhe Policinë e Shtetit, ndërhyri sot në shtratin e lumit Buna, në zonën e Dajlanit.
    Kjo ndërhyrje i jep fund zënies së kësaj hapësire, që dëmtonte biodiversitetin duke cënuar një pasuri natyrore të çmuar për Shkodrën. Me këtë veprim lumit Buna i kthehet rrjedha e tij natyrore.

    Mund të udhëtosh me qerre, Fiat ose Ferrari. Zgjedhja është në dorën tuaj! Lidhu me SHKODRAWEB, mjafton të klikoni Kontaktoni për të mësuar më shumë.
    Ju mirëpresim!

  • Thirrje për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Korçë/ Fermerët drejt kolapsit pas ngricave të Prillit

    Thirrje për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Korçë/ Fermerët drejt kolapsit pas ngricave të Prillit

    Këshilltarët bashkiakë në Korçë kanë kërkuar zyrtarisht shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pas dëmeve masive të shkaktuara nga ngricat e papritura të datave 7–10 prill, që kanë prekur rëndë frutikulturën në këtë zonë. Përmes një letre drejtuar institucioneve përgjegjëse, ata e përshkruajnë situatën si “katastrofike”, ku në disa raste humbjet arrijnë 100% të prodhimit.

    Sipas raportimeve të para në terren dhe komunikimeve të drejtpërdrejta me fermerët, ngricat e rënda kanë shkatërruar thuajse tërësisht disa nga kulturat më të rëndësishme të zonës, si qershitë, kumbullat, dhe varietete të ndryshme të mollëve. Konkretisht, raporti përmend:

    Qershi dhe kumbulla: 100% humbje të prodhimit
    Dardha: 100% humbje
    Mollë Starking: 60–70% humbje (në disa zona deri në 100%)
    Mollë Golden: 80–100% humbje
    Mollë Fuji: 70–90% humbje
    Mollë Granny Smith: deri në 80% humbje

    “Bëhet fjalë për një fatkeqësi natyrore me përmasa të jashtëzakonshme,” thuhet në letrën e firmosur nga këshilltarët, të cilët kërkojnë nga autoritetet vendore dhe qendrore mobilizim të menjëhershëm.

    Letra i referohet Ligjit 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, ku përmendet qartësisht se temperatura ekstreme klasifikohen si fatkeqësi natyrore dhe se në raste të tilla mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga Këshilli i Ministrave, për të lehtësuar pasojat dhe për të mundësuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë të shtetit.

    Përtej shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë, këshilltarët kërkojnë:

    Dëmshpërblim të plotë financiar për fermerët e prekur, përmes fondeve emergjente vendore dhe fondeve të posaçme qendrore.
    Vlerësim të detajuar të dëmeve në çdo njësi administrative, për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për kompensimet.
    Koordinim institucional mes Bashkisë, Prefekturës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për të siguruar ndihmë sa më të shpejtë dhe efektive për të gjithë fermerët e goditur nga kjo fatkeqësi.

    Rrezik për pasojë zinxhir

    Sipas paralajmërimit të këshilltarëve, mungesa e të ardhurave do të ketë pasoja të thella ekonomike dhe sociale: “Fermerët nuk do të jenë në gjendje të shlyejnë kreditë bujqësore, të paguajnë taksat apo të vijojnë aktivitetin bujqësor. Kjo mund të sjellë një valë të re emigrimi dhe boshatisje të zonave rurale.”

    Ata e mbyllin letrën me një thirrje të qartë: “Çdo vonesë në reagim do të thellojë krizën dhe do të dëmtojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.”

    Zyrtarët vendorë janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha institucionet për të ndihmuar komunitetin në këtë moment kritik. Ndërkohë, sytë e dhjetëra mijëra qytetarëve të Korçës janë tashmë drejt Tiranës, në pritje të një vendimi që mund të vendosë fatin ekonomik të të gjithë zonës.

  • “Flood North Albania”, BE: Shqipëria po ndërton sisteme më të forta të mbrojtjes civile

    “Flood North Albania”, BE: Shqipëria po ndërton sisteme më të forta të mbrojtjes civile

    Në qytetin e Shkodrës përfundoi sot stërvitja ndërkombëtare “Flood North Albania”, një simulim i koordinuar për përballimin e përmbytjeve.

    Në këtë stërvitje morën pjesë 13 partnerë nga Ballkani dhe vende të tjera europiane, me fokus në testimin e gatishmërisë së forcave të mbrojtjes civile dhe koordinimin ndërkombëtar në rast emergjencash natyrore.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë thekson se “Ushtrimi FloodNorthALB në Shkodër tregoi se si bashkëpunimi evropian bën diferencën në rastet e fatkeqësive natyrore”.

    “Ky projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, mblodhi partnerë vendas dhe ndërkombëtarë për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes civile dhe për të garantuar një koordinim më të mirë në përballjen me emergjenca të ndërlikuara, si përmbytjet e rënda”, njoftoi me tej delegacioni i BE.

    Sipas delegacionit të BE-së “me mbështetjen e BE-së, Shqipëria po ndërton sisteme më të forta të mbrojtjes civile dhe po luan një rol aktiv në përgatitjen rajonale, sepse gatishmëria është thelbësore për të shpëtuar jetë dhe për të minimizuar dëmet”.

    “Si një anëtare e re e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së që nga viti 2022, ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm. Ushtrimi në shkallë të plotë FloodNorthALB tregoi nevojën kritike për të forcuar gatishmërinë evropiane ndaj çdo lloj fatkeqësie, qoftë natyrore apo e shkaktuar nga njeriu. Një reagim i shpejtë dhe efektiv, veçanërisht në zona të populluara si rajoni i Shkodrës, është thelbësor për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur mjedisin,” tha Andre Rizzio, Shef i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në .

    Në katër ditët e organizimit të stërvitjes (8-12 prill), u zhvilluan skenarë të ndryshëm dhe forcat që morën pjesë në të stimuluan ngjarje të vërteta ku ata i vijnë në ndihmë popullsisë në zonat e përmbytura.