Tag: natyra

  • Qytetet që rikthehen nga harresa: Rishfaqja e vendbanimeve të braktisura ngre pyetje për klimën dhe historinë

    Qytetet që rikthehen nga harresa: Rishfaqja e vendbanimeve të braktisura ngre pyetje për klimën dhe historinë

    Qytete dhe fshatra të braktisura, të cilat prej dekadash qëndronin nën ujë apo të mbuluara nga natyra, po rishfaqen në disa zona të botës. Ky fenomen lidhet kryesisht me uljen e nivelit të ujërave për shkak të thatësirave të gjata dhe ndryshimeve klimatike, por gjithashtu edhe me zhvendosjet natyrore të tokës dhe projektet e vjetra të përmbytjes së rezervuarëve.

    Pamjet e këtyre vendbanimeve – disa të rrënuara, të tjera të ruajtura pothuajse të paprekura – kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave, duke u kthyer në pika të reja turizmi. Arkeologët i konsiderojnë këto shfaqje si “laboratorë natyrorë historie”, pasi ndërtesat e ruajtura nën ujë ofrojnë informacion të vlefshëm për jetën e së kaluarës: arkitekturën, objektet shtëpiake dhe organizimin shoqëror të komuniteteve.

    Megjithatë, rritja e interesit dhe vizitave paraqet sfida. Strukturat janë të brishta dhe mund të dëmtohen lehtësisht, ndërsa kthimi i reshjeve mund t’i zhdukë sërish. Prandaj, disa vende po investojnë në dokumentim digjital dhe skanime 3D për t’i ruajtur këto dëshmi historike.

    Ekspertët theksojnë se rishfaqja e qyteteve fantazmë nuk është vetëm një kuriozitet, por edhe një paralajmërim për ndikimin e drejtpërdrejtë të ndryshimeve klimatike mbi burimet ujore. Ndërkohë që këto vendbanime rikthehen përkohësisht në dritë, sfida mbetet se sa shpejt mund të studiohen e ruhen para se natyra t’i mbulojë sërish.

  • Stina e vjeshtës: Këshilla për mbrojtjen e shëndetit

    Stina e vjeshtës: Këshilla për mbrojtjen e shëndetit

    Me ardhjen e vjeshtës, natyra na paraqet një mozaik ngjyrash dhe ndryshime klimatike që ndikojnë edhe në shëndetin tonë.

    Kjo stinë sjell me vete ndryshime në temperaturë dhe lagështi, të cilat mund të kenë impakt në sistemin tonë imunitar. Ja disa këshilla të thjeshta por efektive për të mbajtur një jetë të shëndetshme gjatë vjeshtës.

    Hani ushqime sezonale

    Vjeshta është koha kur natyra ofron një larmi të madhe të frutave dhe perimeve të pasura me vitamina dhe minerale. Është e rëndësishme të përfshihen në dietën tuaj kunguj, kërpudha, mollë dhe rrush, të cilat janë të mbushura me antioksidantë dhe fibra.

    Mbajeni trupin të ngrohtë

    Ndërrimet e shpeshta të motit mund të bëjnë që trupi juaj të jetë më i ndjeshëm ndaj ftohjeve dhe infeksioneve. Sigurohuni që të visheni shtresë-shtresë dhe të mbani pjesët kritike të trupit, si qafa dhe këmbët, të ngrohta.

    Ruani aktivitetin fizik

    Edhe pse ditët bëhen më të shkurtra dhe më të ftohta, mos harroni rëndësinë e aktivitetit fizik. Gjendet kohë për ecje në natyrë ose stërvitje në shtëpi për të ndihmuar në forcimin e sistemit imunitar dhe menaxhimin e stresit.

    Përdorni suplemente nëse është e nevojshme

    Me mungesën e ekspozimit të mjaftueshëm ndaj dritës së diellit, mund të keni nevojë për suplemente si vitamina D. Konsultohuni me një profesionist shëndetësor për të përcaktuar nevojat tuaja specifike.

    Kujdesi për shëndetin mendor

    Vjeshta mund të sjellë me vete ndjenja të trishtimit ose melankolisë për disa njerëz, të njohura si “depresioni sezonal”. Është kyç të flisni për ndjenjat tuaja dhe të kërkoni mbështetje nëse ndiheni të mbingarkuar.

    Pini ujë të mjaftueshëm

    Edhe pse mund të mos ndjeheni aq të etur si në verë, hidratimi i duhur është thelbësor për funksionimin optimal të trupit dhe për mbajtjen e lëkurës të hidratuar.

    Vjeshta është një kohë e mrekullueshme e vitit për të rifokusuar energjitë tuaja në kujdesin ndaj vetes dhe përgatitjen për muajt më të ftohtë që vijnë.

     

     

  • Natyra është ‘aplikacioni’ më i mirë për sytë, si ta parandaloni miopinë tek fëmijët

    Natyra është ‘aplikacioni’ më i mirë për sytë, si ta parandaloni miopinë tek fëmijët

    Gjithnjë e më shumë fëmijë në Evropë po përballen me miopi, një problem shikimi që po merr përmasa shqetësuese.

    Ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2050, deri në 70% e fëmijëve mund të kenë nevojë për syze, dhe shkaktarët kryesorë janë telefonat, tabletët dhe kompjuterët. Pasojat e përdorimit të tepruar të ekraneve përfshijnë sy të thatë e të lodhur, djegie, dhimbje koke dhe përkeqësim të shikimit.

    Oftalmologia Dr. Marija Trifunović thekson se ndërsa shumica e fëmijëve të vegjël hyjnë në shkollë me shikim të plotë, përqindja e atyre me dioptri minus po rritet ndjeshëm në Evropë, duke ndjekur tendencën e vendeve aziatike dhe të SHBA-së. “Fëmijët shikojnë gjatë në ekrane, nuk i pulsin sytë, dhe kjo shkakton tharje dhe lodhje më të shpejtë të syve”, thotë ajo.

    Këshillat e mjekëve për prindërit

    • Kufizoni kohën e ekranit: deri në 1 orë në ditë për fëmijët 2–5 vjeç dhe 2 orë për ata në moshë shkollore.

    • Nxisni aktivitetet fizike dhe kohën në natyrë, të cilat ndihmojnë në relaksimin e muskujve të syrit.

    • Ndiqni rregullin e OBSH-së: çdo 20 minuta punë nga afër, 20 sekonda shikim në distancë.

    • Kontrolloni rregullisht fëmijët te oftalmologu, sidomos nëse shfaqin shenja si ngushtimi i syve, fërkimi i tyre i shpeshtë ose qëndrimi shumë afër ekraneve.

    “Zbatimi më i mirë për sytë tanë është natyra – parku, qielli, gjelbërimi. Nuk jemi krijuar për të jetuar të mbyllur para ekraneve”, thekson Dr. Trifunović.

    Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrja e hershme dhe kujdesi i prindërve mund të bëjnë diferencën mes një shikimi të shëndetshëm dhe një gjenerate që rrezikon të shohë botën përmes lenteve të syzeve.
     

  • Rama ndan videon unike nga natyra shqiptare: Habitatet e sigurta për speciet e shumëllojshme

    Rama ndan videon unike nga natyra shqiptare: Habitatet e sigurta për speciet e shumëllojshme

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në mëngjes një video nga natyra shqiptare, e realizuar përmes kamerave kurth në Zonat e Mbrojtura.
    Në një postim në rrjetet sociale, i shoqëruar me përshëndetjen “Mirëmëngjes ”, Rama ka publikuar një kolazh të botës së egër, duke vënë në pah pasurinë natyrore të vendit.
    “MIRËMËNGJES dhe me këtë kolazh unik të botës së egër, nëpërmjet kamerave kurth të Zonave të Mbrojtura, të cilat çdo ditë e më shumë na njohin me habitatet e sigurta për speciet e shumëllojshme, ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan Rama.

    Videoja përmban pamje të rralla të kafshëve të egra që jetojnë të lira në habitatet e tyre natyrore, duke reflektuar përpjekjet për mbrojtjen dhe ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri.
    Ky postim vjen në një kohë kur mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kthyer në tema gjithnjë e më të rëndësishme në diskursin publik dhe qeveritar.

  • Poeti që e bëri Shqipërinë të njohur në botën anglofone

    Poeti që e bëri Shqipërinë të njohur në botën anglofone

    “Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi mbi ty,O nënë e rreptë burrash t’egër!”

    Udhëtimet në një vend ekzotik si Shqipëria po shndërroheshin në një farë mode për anglezët, të cilët kërkonin aventura dhe dalje nga një jetë rregullash shumë të forta dhe kodesh të pathyeshme drejt ”lirisë”, ku natyra kishte falur pa kursim ngjyrat, relievet, larminë pa kufi brenda territoresh të kufizuara. Një ndër ta është Lordi Bajron, aq i njohur për të gjithë shqiptarët për gjithçka që shkruajti për ne në poemën e tij ”Child Harold”, ku romantizmi dhe ekzaltimet nga natyra rebele shqiptare duket se kanë ndikuar dukshëm në portretet e detajuara. Ishte ajo poemë që e bëri atë të shkëlqente menjëherë pas botimit. Ai e vizitoi jugun e Shqipërisë pothuajse fill pas William Martin – Leake-ut. Në letrën e tij dërguar nënës, ai i përshkruan shqiptarët në veshjet e tyre kombëtare si veshja më madhështore në botë. Një kopje e portretit të tij me kostumin kombëtar shqiptar gjendet e ekspozuar në National Portrait’s Gallery në Londër. Ai është konsideruar edhe si portreti më i bukur i tërë kohërave i përzgjedhur me të drejtë në atë muze arti. Ai është objekt studimi i një filmi dokumentar të BBC – së .

    Njohja me veprën e Bajroni-t dhe veçanërisht me këto dy letra dërguar nënës së tij, si dhe me udhëtarin tjetër Hobhouse na jep një pamje interesante mbi ndërtimin e marrëdhënieve shpirtërore (ende jo diplomatike) midis shqiptarëve dhe anglezëve. Kjo përbën një pikënisje të njohjes së kombeve tona shumë kohë para se Shqipëria të ribëhej shtet dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Britaninë e Madhe. Ai vuri një gur të rëndë themeli në historinë tonë me përshkrimet e tij për suliotët, Ali Pashain, shqiptarët trima e të paepur, si dhe vendin që zinin ata në raport me grekët e kohës, etj.

    Shenim: Portreti i Lordit Byron i pikturuar nga Thomas Philips vlerëson poetin e njohur në kostumin tradicional shqiptar. (Fotografuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve, Londër)

    Bajron – i e ka blerë këtë kostum shqiptar në vitin 1809 ndërkohë që po bënte turneun e madh europian bashkë me mikun e tij John Hobhouse (1786 – 1869). Ai ka pozuar me të për këtë portret në vitin 1813, kur ishte njëzet e pesë vjeç. / Nga Mal Berisha / KultPlus.com

  • Parga – Fotografuar bukur dhe nga kënde të ndryshme prej gjeografit Ernst Nowack mes viteve 1930-1932

    Parga – Fotografuar bukur dhe nga kënde të ndryshme prej gjeografit Ernst Nowack mes viteve 1930-1932

    Ilir Ikonomi

    Natyra është treguar e pakursyer në këto vise.Isha aty para ca vitesh. Peizazhi qendronte i paprekur. Pashë gjire të pashkelur, ku pishat ceknin detin e pastër. Nuk vura re shenja betoni.Të shtyn të ulurasësh nga dëshpërimi: Zot, ç’po i bëjmë vetes ne këndej! A do të nxjerrim mësime para se ta kemi shkatërruar të gjithë bregdetin?Natyra na jepet për qindra e mijëra vjet, jo për 10-15 vjet sa mandati i një, dy ose tre qeverive.

  • ‘Është kënaqësi të sodisësh kuqërrimin e agimit, pasqyrën e detit, llamburitjen e yjeve’

    ‘Është kënaqësi të sodisësh kuqërrimin e agimit, pasqyrën e detit, llamburitjen e yjeve’

    Nga Arshi Pipa

    Domethënia e artit

    Me përqafimin e njerëzimit, veprimi moral e ka kryer misionin e vet. Përtej kësaj pike ai nuk mund të shkojë. Në këtë drejtim, kufijtë janë mbyllur. Por, moraliteti nuk e shteron dinjitetin njerëzor. Dhe, kur njeriu pushon së vepruari, zbulon natyrën.

    Ç’është natyra? Është mbretëria e ndjeshmërisë, është tërësia e gjithçkaje që është trup: është kafsha, bima, fushat e lumenjtë, pyjet e malet, e gjithë toka; por edhe qielli e yjet. A nuk është vetë njeriu një trup? A nuk i jeton ai, në vetë trupin e tij, aq të dashur për të, ngjarjet e vetë natyrës? Sapo të duket dallëndyshja e parë, ai do të hovi menjëherë nga gëzimi, një fije bari që mbin do ta mbushë me habi, furtuna e detit do t’ia trazojë shpirtin dhe perëndimi i qetë do t’i shkaktojë një melankoli të ëmbël e të vagët. Përpara natyrës njeriu zbulon botën e tij të ndjenjave, pra ndërgjegjen e menjëhershme të ndijimeve të tij: një gamë të ndryshueshme, të nuancuar, shumë të lëvizshme, të papërqendrueshme, që polarizohet në kënaqësi dhe vuajtje; e para rrit tonalitetet e të jetuarit, e dyta i dobëson ato.

    Mirëpo, a s’ka qenë tashmë njeriu subjekt veprues në lidhje me natyrën? Po, por për të vepruar mbi të, domethënë për ta përdorur si një mjet për qëllimet e tij. Ai ka prerë pemën për të bërë dru, ka vrarë kafshën për t’u ushqyer me mishin e saj. Ka konsideruar çdo gjë që jeton, vetëm ne raport me të, gati sikur gjërat të ishin krijuar për përdorimin e tij ekskluziv: ka lënë pas dore të kërkuarit në to të një kuptimi të pavarur. Por, tashti që ai e sodit natyrën, kupton se ajo ka një vlerë të sajën: ai nuk mund të mos e vërejë këtë të vërtetë të thjeshtë, mjaft të dëgjojë atë që shfaqet në jetën e tij të ndjenjës. Pse shpirti i tij përmallohet thjesht duke soditur kafshët e bimët? Pse ai dashuron tek ata atë që është e bukur dhe urren atë që është e shëmtuar? A mund të ndiente ai kësisoj, sikur të mos e lidhte diçka me këto qenie, megjithëse të ndryshme me të? Nëse ato janë të ndryshme me të në disa drejtime, janë të ngjashme me të në disa të tjera: një Jetë e njëjtë rrjedh në të gjitha ato, një parim më i gjerë se mendimi, që përmbledh së bashku gjithçka që jeton. Kafsha dhe bima e shfaqin farefisninë e tyre, më shumë apo më pak të largët me njeriun, në jetën e bërë të ndërgjegjshme për vetveten, në formën e vet të drejtpërdrejtë të ndjenjës. Njeriu e ndien errtas që u detyrohet për diçka edhe atyre. Sigurisht, nuk është kjo ndjenja që kemi ndeshur në jetën morale: njeriu ka detyrim vetëm ndaj njerëzimit. Si subjekt moral, unë ndihem i detyruar të respektoj humanitetin e përbashkët që gjendet në çdo njeri. Si subjekt estetik, unë nuk ndiej detyrim ndaj asgjëje: ndihem vetëm i prirur të simpatizoj me jetën e çdo qenieje të gjallë. Vetëm solidariteti njerëzor është detyrë; solidariteti natyror është vetëm një nevojë sentimentale. Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon se ai është prodhim i evolucionit natyror, se kafsha e bima janë tashmë pjesë e tij, se një lidhje e pandashme e bashkon me ta dhe, nëpërmjet tyre, me natyrën e tërë.

    Ndjenja e kulluar, pa problemet praktike, që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje. Derisa ne veprojmë, emocionet e shpirtit tonë janë pak a shumë të vrullshme. Këtu, përkundrazi, emocionet janë zbutur, nuk është më vala e shkumëzuar, është dridhja e saj. Kënaqësia këtu është e brishtë, fine, dhe po kështu është edhe dhimbja: gëzim në rastin e parë, melankoli në të dytin. Prandaj, gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë.

    Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton. Është kënaqësi të sodisësh kuqërrimin e agimit, pasqyrën e detit, llamburitjen e yjeve. Gjithçka që bie nën pushtetin e ndijimit mund të jetë objekt soditje dhe do të shkaktojë tek unë gëzim ose melankoli. Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është perceptim i çinteresuar.

    Nga qëndrimi soditës lind arti. Të ndiesh natyrën, të jetosh në komunikim me të, kjo nuk i mjafton njeriut. A nuk është dhe ai vetë natyrë në thellësinë e vet? Prandaj, ai do të shtyhet të imitojë atë që bën natyra, dhe jo vetëm ta imitojë, por ta vazhdojë e ta përkryejë: sepse ai është gjithnjë shpirt që qëndron mbi natyrën.

    Çfarë bën natyra? Për të nuk mund të themi me të vërtetë se vepron, veprimi është aktivitet që zhvillohet kur ka qëllimshmëri, të cilat janë në përfytyrimin, në mendimin. Natyra nuk ka asnjë qëllimshmëri të vërtetë: çka jeton, kërkon vetëm të jetojë.

    Natyra krijon: të krijuarit është forma e saj e veçantë e të vepruarit. Krijimi është, së fundi, organizimi i materies bruto në një individ nga ana e spontanitetit jetësor. Krijimi është formimi i formave, duke qenë se materia është një e dhënë fikse e një sasie energjie.

    Forma individuale riprodhon formën e species. Individët janë vetëm variacione më shumë ose më pak të theksuara mbi temën e species. Dhe speciet janë ato që shkenca tashmë i ka klasifikuar. Natyra nuk ka pushuar së krijuari specie të reja: por ritmi i saj është ngadalësuar shumë në periudhën e tanishme, në krahasim me kohën kur specia nuk ishte fiksuar ende, kur nga njëra specie te tjetra tranzicioni ishte i vazhdueshëm e shumë i lëvizshëm. Pasi krijoi speciet e ndryshme të gjalla, Jeta duket sikur është lodhur, shterur. Tashti ajo kufizohet te rikrijimi i asaj që është krijuar më parë. Njësoj si artisti që ka shterur damarin e tij krijues dhe që në moshën e tij më të pjekur përsërit vetveten.

    Por, evolucioni ka krijuar njeriun. Dhe ja, njeriu është spontaniteti që ka thyer rrethin. Përsa i përket njeriut, që është qenie shpirtërore, të krijuarit vazhdon: nuk është më përsëritja e asaj që është krijuar tashmë, është të krijuarit e formave gjithnjë e më të reja që pasurojnë jetën e shpirtit. Sigurisht, nuk është ai që do të krijojë forma të gjalla: njeriu s’është Zoti. Por ai mund të imitojë vazhdimin e jetës, duke i dhënë trajtë materies bruto. Mund të përvijojë linjat e lëvizjes së saj, duke i shoqëruar me një asortiment të pasur ngjyrash. Mund të bëjë më shumë: me anë të tingujve, mund t’ia japë vetë ritmin jetës, duke i kthyer modulimet e ndërgjegjes, dhe të asaj që qëndron poshtë saj, në melodi të ndjeshme. Mundet, më në fund, të përfaqësojë veprimin njerëzor në të gjithë varietetin e koklavitur të tij, duke e bërë të vetëdijshëm për veten me anë të lojës së ndjenjave dhe pasioneve.

    Gjeniu artistik është shpirti që vepron si natyrë. Dhe ai është natyrë, sigurisht, përderisa i bën të vetat zhvillimet e saj. Por nuk është imitim vepra e tij, veçse pjesërisht. Madje, në pjesën më të madhe, është fryt i spontanitetit të vet. Duke e paraqitur natyrën, ai do ta transfigurojë, domethënë do ta ngrejë në dinjitet njerëzor. Bima që ai do të vizatojë, kafsha që ai do të plazmojë, do të jenë shprehje të përkryera të jetës, por do të jenë edhe diçka më tepër. Ai do t’u shtojë atyre diçka nga vetja…

    …the gleamThe light that never was on sea or landThe consacration, and the Poet’s dream [1]

    Nëse është e vërtetë se çdo gjë që jeton, dëshiron tejkalimin e vetvetes, duke pasur pothuajse një parandjenjë për formën superiore që është specia njerëzore, artisti do ta kapë këtë dëshirë dhe këtë përpjekje, duke theksuar në përfytyrimin e tij disa tipare, pikërisht ato që afrohen me të, si qenie shpirtërore që është. Kështu natyra, me anën e artistit, që e ka bërë si mish të vetin e si gjak të vetin, përmbush në një farë mënyre atë që vetë ajo s’ka mundur ta bëjë: lartësohet në njerëzoren.

    Kjo kërkesë ideale është edhe më e theksuar kur objekti i paraqitur është vetë njeriu. Piktori që pikturon një fytyrë, nuk kënaqet duke shprehur mbi telajo fizionominë e saj si një barazim të përkryer: piktura nuk është fotografi. Ai do të kërkojë të verë në dukje disa tipare, me anë të të cilëve mund të shkëlqejë më mirë forma individuale, që të japë qartë, gati të prekshëm, atë spiritualitet të ngulitur në të. Nuk ka artist që ta gjejë natyrën përsosmërisht të përshtatshme me kërkesat e tij: edhe te një Helenë, ai do të dijë të dallojë një defekt të vogël. Kjo kërkesë e thellë e artistit për ta korrigjuar e përmirësuar natyrën, është në fund të fundit një kërkesë morale. Është shpirti që e modelon natyrën sipas vetes, prejse e gjen të papërshtatshme, është tejkalimi i reales dhe pajtimi me idealen që është tek ai. Dhe, po të ndodhë ndonjëherë, shumë rrallë, që artisti të arrijë të marrë një qëndrim gati armiqësor ndaj natyrës (Leopardi, Vigny), le ta kuptojmë këtë si shenjë që ka një domethënieje më të lartë: nga dashuria e tepërt, e urrejmë, sepse ajo nuk i përgjigjet idealit tonë, idealit që krijojmë ne për të.

    Arti arrin kështu, megjithëse me anë të ndjenjës, atë formë të veçantë universaliteti, që është e bukura artistike, superiore ndaj së bukurës natyrore. Ky është një universalitet më i gjerë se ai i arsyes, megjithëse ky i fundit më i stërholluar. Universaliteti i arsyes imponohet me detyrim; ai i ndjenjës vetëm sipas shijes: presupozon larushinë e temperamentit dhe të humorit, që e kushtëzojnë shijen. Çdokush do të jetë i prirur për ta quajtur të bukur atë që i pëlqen atij vetë. Por, nuk ndodh rrallë – dhe kjo ndodh më shumë për të bukurën natyrore, sesa për të bukurën artistike – që një lloj i së bukurës u pëlqen pothuajse të gjithëve. Dhe është ndoshta kjo arsyeja që shpjegon se përse arti klasik është më universal: sepse, nëse nga njëra anë u jep kënaqësi kërkesave ideale të njeriut, nga ana tjetër ai është më afër natyrës se çdo art tjetër.

    Jo të gjithë njerëzit janë të gatshëm ta pranojnë të mirën me ndërmjetësinë e së cilës vepron arsyeja: për faktin e thjeshtë se ata nuk arsyetojnë gjithmonë. Por ata do të jenë gjithmonë të gatshëm ta pranojnë të bukurën, t’i bëjnë jehonë të menjëhershme, sepse është e bukura që e bën jetën, madje të gjithë natyrën, që u flet dhe i thërret, e ata s’mund të qëndrojnë të shurdhër ndaj thirrjes së jetës, sepse janë të gjallë.

    Nga të gjitha aktivitetet shpirtërore, Arti është ai më i afërti me jetën, është më i përshtatshmi, pra, që t’ia zbulojë kësaj kuptimin. Dhe ja përse: derisa jeta vazhdon të jetë një sinol i trupit dhe i shpirtit, kulti i së bukurës do të përbëjë gëzimin më të lartë të njerëzimit, kurse priftërinjtë e saj, artistët, do të rrethohen nga dashuria e përgjithshme.

    E mundur gati gjithmonë në planin etik, natyra e kërkon shpagimin e të drejtave të saj në planin estetik. Në planin etik shpirti e trupi rrallë ishin dakord: dhe duhej që ligji moral ta bindte natyrën kundërshtuese, kokëfortë, duke e shtypur dhe ndëshkuar: si një kalorës të cilit i duhet ta zbusë një kalë të egër, para se të mund ta përdorë. Në planin estetik, përkundrazi, ata janë aleatë. Atje ishte natyra që ngrihej në dinjitet të shpirtit, këtu është shpirti që tkurret duke u ribërë natyrë. Dhe ja, të dy shkojnë tashti si miq të mirë. Por duhej që shpirti ta zbuste më parë natyrën, duhej ta mundte, ta fitonte këtë Brunhilde, këtë Circe, duke rrezikuar të përçudnohej, të humbiste. Nga superiorja tek inferiorja: kjo është rruga e drejtë në selinë shpirtërore të vlerave. Me anë të natyrës, nuk do ta arrijmë kurrë shpirtin: përpjekjet e kota të natyralizmit janë provë e mjaftueshme. Duhet të nisemi nga subjekti – çdo nisje tjetër është e dënuar të mos ketë sukses – nga subjekti që vepron si sintezë e shpirtit dhe e natyrës, për të ndjekur zhvillimin e veprimit deri në maksimalen e shtrirjes dhe të vlerës së tij. Dhe, vetëm pasi të ketë arritur në këtë pikë, vlen të tërhiqet në vetvete, për të zbuluar një formë tjetër spiritualiteti, që të jetë si një vazhdim i tij. Në këtë kuptim, arti është plotësuesi i nevojshëm i moralit. Aty ku mbaron zotërimi i veprimit, aty fillon fuqia e krijimit.

    Kështu, me anën e artit ne depërtojmë në zotërimin e gjerë të jetës, ku njeriu s’është veçse një specie mes specieve të tjera. Me anë të artit kemi kërkuar të gjejmë kuptimin e jetës në përgjithësi. Pengesat janë hapur në këtë anë: kemi provuar se jeta është një parim më përfshirës sesa arsyeja. Nëse kemi humbur në intensitet, kemi fituar në shtrirje. Arti plotëson moralitetin me atë që i mungon, një parfum thjeshtësie dhe natyrshmërie, një frymë që e bën fërgëlluese atë që është shumë e ngurtë dhe e rreptë në jetën morale. Natyralizmi, i mundur në planin etik, është plotësisht i justifikuar në art. E kundërshtuam më parë si të pamjaftueshëm dhe të papërshtatshëm. Por, tashti që kemi mësuar të zbulojmë me anën e artit një formë solidariteti më të gjerë, le të ndjekim rrymën natyraliste dhe të përpiqemi të kapim të vërtetat e saj.

    [1] Wordsworth: “…shkëlqimin / Dritën që s’qe kurrë në tokë as në det / Shenjtërimin dhe ëndrrën e Poetit.” / KultPlus.com

  • Situata e zjarreve, reagon Dom Gjergj Meta: “Një ditë natyra do të na hakmerret dhe ajo nuk fal!”

    Situata e zjarreve, reagon Dom Gjergj Meta: “Një ditë natyra do të na hakmerret dhe ajo nuk fal!”

    Nga Albert Vataj
    Në një kohë kur zjarret kanë vënë në provë jo vetëm hapësirat e gjelbra të Shqipërisë, por edhe ndërgjegjen kolektive të një shoqërie që shpesh hesht përballë plagëve që i hap natyrës, fjalët e Dom Gjergj Metës tingëllojnë si kambanë alarmi dhe një thirrje për t’u zgjuar nga letargjia morale.Si Ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit, që përfshin zona me një trashëgimi të pasur natyrore dhe kulturore, Mirdita me malësitë e saj të egra e të bukura, Mati me lumenjtë e rrëmbyeshëm, Bulqiza dhe Peshkopia me pasuritë minerare dhe gjelbërimin e tyre, Dom Gjergj Meta nuk është thjesht një vëzhgues i largët. Ai është një dëshmitar i përditshëm i plagëve që i shkaktohen këtij peizazhi, një bari shpirtëror që nuk mund të heshtë kur vëzhgon tjetërsimin e vendit, kur sheh se si djegiet, shfrytëzimet e pamëshirshme dhe zhvillimi i pakontrolluar po e lënë Shqipërinë pa frymë.

    Në postimin e tij në rrjetet sociale, ai shkruan me dhimbje dhe me një ton që përzien indinjatën me profecinë: “Nuk është marrë mësim nga diegia e pyjeve gjithë këto vite, prandaj këto ditë Shqipëria po gjendet në një kaos piroteknik të pashoq.”Këto fjalë janë një kujtesë e fortë se sa e shkurtër është kujtesa jonë kolektive. Sa herë është djegur një pyll, është prerë një mal, është ndryshuar një rrjedhë lumi, ne kemi harruar se natyra nuk është një depo pa fund, por një organizëm i gjallë, i cili, kur plagoset, hakmerret.“Një ditë natyra do të na hakmerret dhe ajo nuk fal.”Në këtë frazë gjendet thelbi i një të vërtete universale, nuk mund të ketë zhvillim të vërtetë në kurriz të ekosistemit. Kur prekim pyjet pa mëshirë, kur ndërhyjmë me lopata e shpërthime në themelet e lumenjve për të nxjerrë zhavorr, kur rrëmbejmë ujin për të ushqyer digat dhe tubacionet e HEC-eve, ne jemi duke shkelur ligjet e pashkruara të një harmonie mijëvjeçare. Dhe natyra, në mënyrën e saj të heshtur por të sigurt, e kërkon llogarinë, rrëshqitje dheu, thatësira, përmbytje, shkatërrim urash, zhdukje specie-sh.Dom Gjergj Meta nuk flet vetëm si një qytetar i shqetësuar; ai flet si një përfaqësues i Kishës, si një njeri i fesë që e sheh krijimin si një dhuratë hyjnore dhe që kujton vazhdimisht detyrimin tonë për ta ruajtur. Në këtë kuptim, mesazhi i tij merr një peshë më të thellë morale, nuk bëhet fjalë vetëm për dëmtim të pyjeve, por për një mëkat kundër së ardhmes, kundër vetë fëmijëve tanë.“Zhvillimi në Shqipëri po kalon nëpërmjet një procesi të dhunshëm shkatërrim-ndërtim. Do t’ia shohim hajrin ne dhe brezat që do të vijnë.”Këtu gjendet ironia e hidhur e realitetit tonë, ndërsa në letër flitet për projekte madhore, për zhvillim dhe investime, në terren ndodh e kundërta, një cikël shkatërrimtar ku shkatërrimi paraqitet si domosdoshmëri për ndërtimin. Por ndërtimi mbi rrënojat e natyrës nuk është zhvillim, është një borxh që do t’u lëmë brezave të ardhshëm, një trashëgimi toksike që do ta shlyejnë me mungesë uji, me tokë të varfëruar dhe me peizazhe të zhveshura nga gjelbërimi që dikur ishte krenaria e këtyre trevave.Ky reagim i Dom Gjergj Metës është një thirrje që të mos mbetemi spektatorë përballë zjarreve, përballë shkatërrimit, por të ngremë zërin, të ndryshojmë mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë. Në thelb, është një apel për një zhvillim të vërtetë të qëndrueshëm, që respekton ekuilibrin midis njeriut dhe natyrës. Dhe është një ftesë për ndërgjegje: Të mos lejojmë që heshtja jonë të bëhet bashkëfajësi, të mos lejojmë që përfitimi afatshkurtër të bëhet mallkimi i së nesërmes.
    Në fjalët e tij tingëllon një gjykim i drejtë dhe një dhimbje e thellë, por edhe një shpresë që, ndoshta, ende nuk është vonë për t’u kthyer në rrugën e duhur. Fjalët e tij nuk janë vetëm një reagim ndaj zjarreve të ditëve të fundit; janë një testament moral që na kujton se toka ku jetojmë nuk është thjesht një territor, por një amanet. Dhe ky amanet duhet ruajtur. Në të kundërtën, do të na e kërkojë llogarinë jo vetëm natyra, por edhe historia.

  • Rama uron mirëmëngjes dhe një të diel të qetë me pamjen magjepsëse nga Liqeni i Zambakëve në Shkodër

    Rama uron mirëmëngjes dhe një të diel të qetë me pamjen magjepsëse nga Liqeni i Zambakëve në Shkodër

    Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë këtë të diel me një përshëndetje të veçantë mirëmëngjesi, të shoqëruar nga një pamje që të lë pa frymë, një video ajrore nga Liqeni i Zambakëve në Shkodër. Në këtë peizazh magjepsës, natyra duket sikur ka shpalosur qilimin e saj më të bukur, një fushë e pafundme zambakësh të bardhë dhe të purpurtë që lëkunden mbi sipërfaqen e qetë të ujit, sikur të ishin të qepur me dorën e ndonjë hyjnie të padukshme.

    Pamja është e gjallëruar nga lëvizja e një kanoeje që, si një penel mbi telajon e një pikture të gjallë, çan qetësinë e kësaj lëndine ujore dhe lë pas një gjurmë që i shton poezinë çastit. Videoja, më shumë se një përshëndetje, është një ftesë për të ndalur për një moment dhe për t’iu dorëzuar hijeshisë së natyrës shqiptare, një kujtesë e butë se edhe brenda zhurmës së përditshme, ekziston një cep i paqtë ku bukuria flet pa fjalë.Ky gjest komunikimi nuk është thjesht një përzgjedhje estetike, por edhe një mënyrë për të rritur vetëdijen mbi thesaret natyrore që rrezatojnë fisnikëri dhe qetësi, siç është ky liqen i jashtëzakonshëm në zemër të Shkodrës.
    Magjepsja që shpërfaqet në videon e publikuar nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale nuk është thjesht një pasqyrim i natyrës, ajo është një poezi e gjallë, një simfoni ngjyrash dhe qetësie që ngas ndjesinë e një bote të paprekur, ku gjithçka frymon me ritmin e bukurisë së pastër. Liqeni i Zambakëve në Shkodër shfaqet si një ëndërr e tejdukshme, ku petalet e bardha dhe të purpurta lundrojnë mbi sipërfaqen e qetë të ujit si fjalë të pathëna në një letër dashurie të shkruar nga natyra.
    Kanoeja që rrëshqet butësisht mes kësaj lëndine të luleve të ujit duket si një lutje e heshtur që kapërcen kohën, një udhëtim meditimor përmes bukurisë që nuk kërkon përkufizime. Qielli reflektohet në ujë, uji reflekton zambakët, dhe zambakët reflektojnë një Shqipëri që përtej sfidave, di të jetë e hijshme, di të tregojë anën e saj më të përkorë e më të ndritshme.
    Është një çast që e kthen realitetin në poezi, një pamje që nuk të mjafton ta shohësh — duhet ta ndjesh, duhet ta mbash brenda vetes si një kujtim që nuk venitet, si një dëshmi se dhe në këtë kohë, natyra mund të flasë më bukur se çdo fjalë.
    Albert Vataj