Tag: muzikore

  • Ndahet nga jeta sopranoja e mirënjohur Luiza Çako, bashkëshortja e Gaqo Çakos

    Ndahet nga jeta sopranoja e mirënjohur Luiza Çako, bashkëshortja e Gaqo Çakos

    Skena shqiptare e operës humbi sot një nga emrat më të shquar të saj. Sopranoja Luiza Çako Papa është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike dhe një boshllëk të thellë në kulturën muzikore të vendit.
    E njohur për interpretimet e saj të ndjera, teknikën vokale të lartë dhe elegancën skenike, Luiza Çako ishte një nga figurat më të respektuara të artit operistik shqiptar. Ajo ishte bashkëshortja e të ndjerit Gaqo Çako, një tjetër ikonë e muzikës shqiptare, dhe nëna e kantautorit të njohur Pirro Çako.
    Gjatë një karriere të gjatë dhe të suksesshme, Luiza Çako interpretoi role kryesore në vepra të rëndësishme operistike brenda dhe jashtë vendit, duke kontribuar në pasurimin dhe zhvillimin e kulturës muzikore shqiptare. Ajo mbetet një figurë frymëzuese për brezat e rinj të artistëve dhe një emër i paharruar në historinë e muzikës sonë.

    Ndarja e saj nga jeta shënon një humbje të madhe për artin dhe kulturën shqiptare, por zëri dhe vepra e saj do të jetojnë gjatë në kujtesën e publikut dhe në skenat muzikore të vendit.
    /vizionplus.tv

  • Presion në industrinë muzikore? Fifi: Publiku është lodhur nga muzika bastarde

    Presion në industrinë muzikore? Fifi: Publiku është lodhur nga muzika bastarde

    Mbrëmjen e kaluar, Fifi ishte e ftuar në emisionin “Pardon My French”. Ajo zbuloi detaje nga jeta e saj, karriera dhe suksesi që ka arritur përgjatë viteve dhe gjithashtu ka treguar disa sekrete në lidhje me albumin e ri që do të sjellë.
    Pyetja- Për të publikuar një këngë, është më shumë qejf për Fifin apo është dhe njëfarë presioni duke qenë se në këtë periudhë tani çdo gjë po varet nga klikimet dhe viraliteti?

    E kam pas ndjerë këtë presionin derisa erdhi një moment dhe thashë që ‘duhet vetëm të krijoj muzikë’. Që prej këngës “Zemrën” kam thënë që do të nis tani që të publikoj dhe të bëj vetëm muzikë që mua më pëlqen dhe të mos them vetëm ‘të bëj një hit’. Më fal por çfarë dreqin, ku e dinë ata se kush është hit dhe kush jo. Kur unë i kam bërë këngët më të bukura të jetës sime kam thënë që dua të bëj një këngë të mirë që njerëzit të më dëgjojnë mua dhe këtë gjë e kam përdorur deri tek kënga “HANA”. Pastaj nisa të influencohesha prej tregut dhe aromës bastarde që lëshon muzika këto vitet e fundit.

    Artistja shtoi ndër të tjera se ka vendosur sërish të rikthehet në pikën që dëshiron të bëjë muzikën siç ajo e ndjen dhe jo të influencohet nga artistë të tjera apo rrymat muzikore.

    Këngët e mia unë nuk i hap t’i dëgjoj të them të drejtën, këngët që unë i dëgjoj janë vetëm këngët e reja që nuk kanë dalë ende dhe më duhet që t’i hap që të shikoj nëse duhet të ndryshoj ndoshta diçka. I dëgjoj në momente të ndryshme që të shikoj nëse ma japin sërish emocionin e njëjtë. A ja vlejnë ose jo.

  • U përfshi në fushatë kundër Palestinës/ Dua Lipa shkarkon menaxherin e saj

    U përfshi në fushatë kundër Palestinës/ Dua Lipa shkarkon menaxherin e saj

    Këngëtarja, Dua Lipa, ka shkarkuar nga puna menaxherim e saj, David Levy, pas zbulimeve që e lidhin atë me një fushatë të fshehtë për të ndaluar grupin e repit nga Irlanda e Veriut, Kneecap, të performonte në Festivalin Glastonbury këtë vit, për shkak të pretendimeve se ata po nxitnin “antisemitizëm”. 
    Sipas mediave të huaja, Levy, së bashku me disa figura të tjera të industrisë muzikore, ishte nënshkruesi i parë i një letre “private dhe konfidenciale” dërguar themeluesit të festivalit, Michael Eavis, ku i kërkohej ndalimi i grupit pro-palestinez për akuza të pabazuara mbi lidhjet e tyre politike me disa organizata të armatosura. 
    Pas kësaj Dua Lipa siguroi që David Levy të mos merrej më me prodhimin e muzikës së saj, pasi këngëtarja është një mbështetëse e hapur e të drejtave të palestinezëve dhe nuk pranon një menaxher që është mbështetës i Izraelit. 
    “E sheh atë si një mbështetës të luftës së Izraelit në Gaza dhe trajtimit të tmerrshëm të palestinezëve. Kjo u bë shumë e qartë përmes letrës që ai nënshkroi,” tha burimi i industrisë muzikore për Daily Mail. 

  • “Serenights” në Korçë/ Atmosferë festive në pazarin e vjetër, serenatat u interpretuan në një formë të re

    “Serenights” në Korçë/ Atmosferë festive në pazarin e vjetër, serenatat u interpretuan në një formë të re

    Në Pazarin e Vjetër të Korçës, serenatat korçare kanë rikthyer emocionet e një tradite të veçantë muzikore.

    Artistët vendas dhe të ftuar, të shoqëruar nga Orkestra e Forcave të Armatosura, sollën për publikun një mbrëmje magjie me tingujt e serenatave të rikompozuara.
    “Serenights”, në edicionin e tij të dytë, solli një udhëtim mes nostalgjisë dhe risisë, ku tingujt e kitarave dhe zërat e artistëve dëshmojnë se serenata mbetet një nga simbolet më të forta identitare të Korçës. Për kompozitorin Josif Minga, sjellja e serenatës në një formë të rikompozuar e bën atë më të aksesueshme dhe të afërt me publikun, duke ruajtur njëkohësisht elementët autentikë të traditës muzikore.
    Publiku ka shijuar atmosferën festive në Pazarin e Vjetër të Korçës, ku serenata është interpretuar në një formë të re, duke bashkuar traditën me risinë muzikore duke sjellë edhe emocione të veçanta për artistët
    Atmosfera e mbrëmjes mbeti një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që e përjetuan, duke dëshmuar  se tradita dhe risia mund të bashkëjetojnë harmonikisht.
    Nga kitarat e ruajtura brez pas brezi dhe interpretimi tradicional në rrugicat e kalldrëmta e deri te prezantimi i serenatave në një formë të rikompozuar ky edicion i cili  ka zgjatur tre mbrëmje radhazi, solli në qendër të vëmendjes një nga elementët më identifikues të qytetit të Korçës.

    Top Channel

  • Noizy flet për ndryshime të mëdha në karrierën e tij muzikore

    Noizy flet për ndryshime të mëdha në karrierën e tij muzikore

    Showbiz E Martë, 9 Shtator 2025 21:45
    Një nga emrat më të përfolur dhe më të kërkuar të industrisë muzikore shqiptare, Noizy, ka dhënë së fundmi një intervistë ku rrëfeu pjesë nga jeta e tij dhe planet për të ardhmen.
    Ai zbuloi se po mendon të tërhiqet nga skena e klubeve shqiptare, duke lënë hapësirë vetëm për koncertet e mëdha në stadiume dhe sheshe. Ky hap sipas tij do të krijojë mundësi për emra të rinj që të shfaqen në skenën e klubeve dhe të zhvillojnë karrierën e tyre.

    Noizy nuk ka dhënë ende një datë konkrete se kur do të ndodhë ky tërheqje nga performancat në diskoteka, por është e qartë se kjo është pjesë e planeve të tij afatshkurtra dhe një ndryshim strategjik në rrugëtimin e tij muzikor.

  • Wall Street në kërkim të kthimeve nga investimet, fokusohet te obligacionet muzikore

    Wall Street në kërkim të kthimeve nga investimet, fokusohet te obligacionet muzikore

    Investitorët grumbullojnë një rekord prej 4.4 miliardë dollarësh në borxhe të mbështetura nga të drejtat e këngëveInvestitorë mes të cilëve Blackstone, Carlyle dhe fondi i pensioneve të shtetit të Michiganit kanë mbledhur këtë vit të paktën 4.4 miliardë dollarë borxh të mbështetur nga të ardhurat e këngëve, një shumë rekord që i ka kthyer të ashtuquajturat “Bowie Bonds” nga instrumente dikur të pazakonta, në një praktikë të zakonshme financiare, duke i pozicionuar në qendër të financave ndërsa Wall Street kërkon fitime.Bowie bonds janë obligacione të mbështetura mbi të ardhurat e ardhshme nga muzika, të quajtura kështu sepse u përdorën për herë të parë nga David Bowie në vitin 1997, kur ai siguroi 55 milionë dollarë duke vendosur si garanci të ardhurat nga albumi i tij muzikor me yield 7.9 %. Ky instrument i jepte artistit para të menjëhershme pa pritur vitet e ardhshme të pagesave nga royalties, ndërsa investitorët merrnin kthime të rregullta e të parashikueshme nga shitjet dhe licencimet e këngëve.Që prej asaj kohe, modeli është zgjeruar duke u kthyer në një mënyrë për artistët të monetizojnë krijimtarinë e tyre dhe për investitorët të diversifikojnë portofolin me një klasë aktivesh që sjell të ardhura të qëndrueshme.Investitorët e mëdhenj kanë nisur të shndërrojnë këngë në instrumente të siguruara nga të ardhurat e hiteve të yjeve si Justin Bieber, Lady Gaga dhe The Beatles. Shuma e borxhit të mbështetur nga muzika në vitin 2025 është mbi 3.3 miliardë dollarë në 2024, sipas një analize të Financial Times. Në vitin 2021 u realizuan vetëm 300 milionë dollarë marrëveshje të tilla, ndërsa në 2020 nuk pati asnjë.Rritja e “Bowie Bonds” shënon kthesën më të fundit në ekonominë amerikane ku kërkimi për rendiment ka zhvendosur kufijtë e financave.Tani, ky vrull i financimeve të lidhura me muzikën po ndodh teksa një rritje e gjerë në treg ka ngritur vlerësimet në aksione dhe obligacione tradicionale, si edhe në kënde më komplekse, përfshirë pasuritë e paluajtshme komerciale dhe borxhin e strukturuar më të pazakonë. Kjo ka rezultuar pozitive për pronarët e këngëve, të cilët kanë shfrytëzuar momentin dhe kanë marrë hua në mënyrë agresive.Obligacionet muzikore vetëm së fundmi kanë filluar të marrin vlerësime të rregullta nga agjencitë e mëdha të kredive si S&P Global, Fitch dhe Moody’s, sipas pjesëmarrësve të tregut.Bob Valentine, drejtues ekzekutiv i kompanisë muzikore Concord me qendër në Nashville, tha: “Kur bëmë marrëveshjen e parë në 2022, kishim një vlerësim vetëm nga një agjenci, çka ishte shumë mirë, por ende ishte një proces mësimi. Tani, katër vjet më pas, investitorët e kuptojnë se kjo është e sigurt.”Concord, që zotërohet kryesisht nga fondi i pensioneve i Michiganit, në 2022 shiti 1.8 miliardë dollarë obligacione të lidhura me këngë të Cyndi Lauper dhe Pink Floyd. Valentine tha se që prej asaj kohe “kemi parë trefishim të numrit të institucioneve që paraqiten në takimet e prezantimeve.”Me tregjet tradicionale që ofrojnë rendimente modeste dhe kapital privat të papërdorur në nivele rekord, investitorët po kthehen drejt aseteve jo të zakonshme, nga të drejtat muzikore te patentat farmaceutike, në kërkim të fitimeve më të larta. Edhe pse tregu i të drejtave muzikore (royalty) mbetet i vogël krahasuar me financimet e strukturuara si kreditë e makinave apo borxhet e kartave të kreditit, ai po tërheq gjigantë si Apollo, KKR dhe Blackstone.Obligacionet e mbështetura nga muzika perceptohen si instrumente me kthime të qëndrueshme dhe risk relativisht të ulët, por me yield më të lartë se borxhet korporative.Një financim prej 372 milionë dollarësh nga Recognition Music, i mbështetur mbi këngë të Red Hot Chili Peppers, Justin Bieber dhe Shakira, ofroi një yield 5.6%, rreth një pikë më shumë se obligacionet e korporatave amerikane me maturim e vlerësim të ngjashëm.Sipas Jeevan Sagoo nga Ares, tërheqja lidhet me rritjen e fortë të industrisë dhe mbrojtjen ligjore që të drejtat e autorit kanë fituar. “Muzika ka treguar për dekada të ardhura të parashikueshme, thuajse si pensionet,” tha ai, duke e cilësuar një investim tërheqës. /FTKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Noizy në duet me ikonën e muzikës moderne greke

    Noizy në duet me ikonën e muzikës moderne greke

    Showbiz E Martë, 2 Shtator 2025 17:56
    Noizy po vazhdon të ndërtojë një profil gjithnjë e më të gjerë në skenën muzikore ndërkombëtare. Këtë herë ai ka zgjedhur një bashkëpunim ndryshe nga zakonisht, jo me një reper, por me këngëtarin e njohur grek Konstantinos Argiros.
    Projekti titullohet “Nero”, e cila publikohet me 5 shtator, dhe vetë Noizy e ka cilësuar si një krijim të veçantë. Ky bashkëpunim pritet të forcojë edhe më tej lidhjen muzikore mes artistëve të rajonit dhe të hapë horizonte të reja për publikun e gjerë që ndjek me kuriozitet çdo hap të reperit shqiptar.

    Brenda muajit ai ka paralajmëruar edhe një tjetër surprizë, këtë herë me Dhurata Dorën, një nga bashkëpunimet më të kërkuara nga fansat. Përveç kësaj, reperi ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 do të publikojë edhe një album të dytë, duke e kthyer këtë vit në një periudhë intensive krijimtarie dhe projektesh të mëdha.

  • Miron Kotani: Mungesa e rregullores së pranimit të këngëve në Festivalin në RTSH e bën të çrregullt fazën e parë

    Miron Kotani: Mungesa e rregullores së pranimit të këngëve në Festivalin në RTSH e bën të çrregullt fazën e parë

    Nga Julia Vrapi
    Festivali i Këngës në RTSH këtë vit pritet që të zhvillojë edicionin e tij të 64-t, por për krijues të ndryshëm procesi i pranimit të këngëve duhet të ishte më transparent. Disa ditë më parë u publikua dhe thirrja për të gjithë artistët, që do t’i bashkohen festivalit, por kompozitori Miron Kotani shprehet se edhe me këtë edicion këtë vit mundësia e përsëritjes së gabimeve të së shkuarës më parë është reale. Në reagimin e tij kompozitori Miron Kotani, i cili herë pas here sjell në vëmendje problemet që janë sot në fushën e muzikës thotë se mungesa e rregullores e bën të çrregullt këtë fazë të parë për këngët, që do të pranohen në festival. “Për kritikën muzikore të munguar: Prag festivali, pak ditë na ndajnë nga faza e parë e pranimit të këngëve në Festivalin e 64 të Këngës në RTSH. Mungesa e rregullores së pranimit të këngëve dhe transparenca se si do të realizohet ky proces e bëjnë kaotik e të çrregullt këtë fazë të parë. Mundësia e përsëritjes së gabimeve të së shkuarës është reale dhe evidente. Fjala vjen- a do të pranohen krijues të huaj të marrin pjesë si konkurrent me krijimet e tyre?”, shprehet Miron Kotani kompozitor.
    Kritika muzikore të jetë e pranishme
    Prurjet muzikore në Festivalin e Këngës në RTSH kanë ngjallur jo pak diskutime edhe më parë. Por kompozitori Miron Kotani thotë se edhe kritika muzikore duhet të jetë më e pranishme, ndërsa sjell në vëmendje dhe probleme që kanë shoqëruar Festivalin e Këngës në RTSH ndër vite. “Kritika muzikore heshti në Fest. 58 në RTSH kur çmimi i parë i këngës fituese u kompozua nga kompozitori i huaj Darko Dimitrov apo dhe nga disa autorë të tjerë, të cilët u lejuan nga RTSH të garonin në garën muzikore të festës së këngës shqiptare si të barabartë me krijuesit shqiptarë. Kujtoj se për herë të parë kjo dukuri u shfaq në Festivalin e 30-të në vitin 1991 kur autorë italianë si poeti Xhankarlo Milone e muzikanti Gaxibo ishin anëtarë të ekipit të këngës fituese “Jon”, që fitoi çmimin e parë ( Gaxibo si orkestrues – Xhankarlo Milone si autor i tekstit). Më pas edhe në rastin e Elsa Lilës kemi praninë e dy pjesëmarrjeve të saj të fundit në festival të dirigjentit e muzikantit italian që shoqëruan Elsën drejt suksesit të sigurt”, shprehet Miron Kotani në një reagim të tij, që e ka ndarë dhe në Facebook. Por sipas kompozitorit nëse kjo ndodh sërish e ç’bën festivalin e këngës dhe prish me themel traditën. “Sepse festivali nuk është më i këngës shqipe, por i një minieurosongu ( përfytyro nëse të gjithë këngëtarët të kenë në stafin e këngës së tyre autorë të huaj); festivali nuk është me një garë e barabartë, por e çbilancuar duke e çuar në një event të pakuptimtë”, vijon më tej Miron Kotani në reagimin e tij.
    Funksionimi i festivalit
    Festivali i Këngës në RTSH edhe këtë vit do të sjellë në skenë krijime të reja muzikore dhe pritet që të zhvillohet në muajin dhjetor. Por sipas kompozitorit Miron Kotani mungesa e rregullores ka ndikimin e saj në funksionimin e eventin. “Si konkluzion, mungesa e një rregulloreje- kushtetutë të festivalit do të çojë në amulli dhe kaos funksionimin e eventin, duke e paragjykuar pa filluar mirë që në embrion. Le të shpresojmë që gjërat do të rregullohen”, thotë Kotani. Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të festivalit sipas njoftimit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar që është bërë me dije më parë. Para dorëzimit të këngëve, stafi drejtues i festivalit ju kujton artistëve dhe krijuesve të sjellin vetëm krijime të reja dhe të papublikuara në asnjë formë tjetër.

  • “Origjina e lahutës ndër shqiptarë daton e dokumentuar në vitin 1335…”

    “Origjina e lahutës ndër shqiptarë daton e dokumentuar në vitin 1335…”

    Në Shqipërinë Veriore lahutë quhet një vegël muzikore me një kordë,prej qimesh kali,së cilës i bihet me hark; ndërsa në Shqipërinë jugore llahutë quhet një vegël tjetër e gjinisë kordofone,e pajisur me katër palë tela,të cilëve u bihet me pendëz. Pra,pavarësisht nga emri i përbashkët,kemi të bëjmë me dy vegla të ndryshme si për ndërtimin e tyre,ashtu edhe për mënyrën e përdorimit, veçoritë e tingëllimit,prejardhjen ose historikun e tyre etj. Pa u zgjatur rreth burimit dhe ndryshimeve që ka pësuar ky emer gjatë kalimit të kohës,në këtë shkrim do të ndalemi kryesisht rreth lahutës së Shqipërisë veriore.

    Malësorët tanë e përdorin me ëndje këtë vegël dhe e dëgjojnë me vëmendje kur shoqëron këngët e trimërisë nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare. Lahuta përdoret në ato krahina të Shqipërisë Veriore ku këndohen këngët e kreshnikëve,domethënë nëpër trevat mbi lumin Drin. Nepërmjet shtegëtimeve blegtorale të malsorëve tanë kjo vegël ka zbritur deri në jugun e Lezhës. Kurse nepër krahinën e Matit e të Dibrës nga njëra anë deri në rrethin e Krujës e nepër malësitë e Tiranës nga ana tjetër, përdoret një variant i lahutës (“laurija”) me dy,tre ose katër tela,të cilët nxjerrin tinguj nëpërmjet fërkimit me hark. Një vegël e tillë përdoret gjithashtu nga arbëreshët e Greqisë.Përhapja gjeografike e këtyre dy veglave nuk është e kufizuar vetëm nepër krahinat e Shqipërisë Veriore dhe verilindore.

    Vegla muzikore pak a shumë si lauria dhe lahuta jonë ( e cila përfaqëson tipin më të hershëm të veglave kordofone me hark) përdoren nga disa popuj të afërt e të largët. Të tilla janë psh “gusla” e sllavëve jugorë që banojnë në vargmalet Dinarike,apo “ravanastroni” i Indisë,gjithashtu “kobizi” i Kazakistanit,”hixhaku” i Uzbekistanit dhe i Armenisë,”komisi” i Kirkizisë,”Uhr-Sieni” i Kinës,”rebabi” i Arabisë,”ceravali” i Etiopisë etj. Po kështu e afërt me laurinë tonë është “lira” e disa krahinave të Greqisë,apo “lirica” e Bullgarisë e Maqedonisë. Gjithë këto vegla kan pak a shumë të njejtin ndërtim dhe të njejtën mënyrë përdorimi. Por kjo nuk do të thotë se ato kan gjithashtu të njejtat shprehi muzikore. Padyshim midis këtyre veglave ka lidhje origjine ose “farefisnie”. Rreth prejardhjes së tyre studiuesit kan shprehur mendime të ndryshme. Disa thonë se ideja për nxjerrjen e tingujve nepërmjet fërkimit të kordave me anë të harkut paska lindur në kohën e lashtë nga imitimi i sharrës ose nga vetë harku i shigjetës. Kjo është vetëm një hamendje. Historikisht dihet se kultura e vjetër egjiptiane,asiro-babiloneze,greko-romake etj. nuk ka pasur vegla muzikore me hark. Ndërkohë studimet muzikologjike më të përparuara e kan flakur tezën antihistorike të prejardhjes së veglave kordofone me hark nga Skandinavia apo nga India dhe kan provuar me argumente se djepi i tyre është Lindja e Mesme,kryesisht Persia. Së andejmi këto vegla janë përhapur gjatë shekujve nepër shumë vise të Azisë,Evropës dhe Afrikës.

    Me sa duket shtegëtimi i tyre për në Evropë ka filluar pas shekujve VIII – IX,nepërmjet Bizantit, nga njëra anëdhe,nga ana tjetër,nepërmjet dyndjes së arabëve në Spanjë. Hë për hë është ende shumë e vështirë të përcaktohet koha e depertimit të këtyre veglave në vendin tonë. Dëshmia më e hershme që kemi rreth përdorimit të veglave muzikore me hark nepër vendbanimet e shqiptarëve ndodhet në manastirin e Deçanit,konkretisht në një afresk të pikturuar rreth vitit 1335,ku paraqitet një grup burrash që vallzojnë sipas tingujve të laurisë,gloriskës,lodërtisë dhe tullumbacit. Kjo është dëshmia më e herëshme që njihet në Ballkan. Meriton të vihet në dukje roli i rëndësishëm etik dhe edukativ që kan luajtur lahutarët në jetën e shoqërisë sonë,duke ruajtur,përpunuar dhe përçuar brez pas brezi repertorin e tyre. Gjatë robërisë shumëshekullore këngët e rapsodëve që lartësonin virtytet, veprimtarinë dhe shpirtin liridashës të trimave,ngjallnin tek dëgjuesit, dëshirën për të ndjekur shembullin e më të mirëve. /Nga Ramadan SOKOLI/Shkodraweb.com/

  • Rafet Rudi: Në mes të trashëgimisë së pasur dhe modernizmit

    Rafet Rudi: Në mes të trashëgimisë së pasur dhe modernizmit

    -Prolog-

    …q𝑒̈𝑙𝑙𝑖𝑚𝑖 𝑖 𝑃𝑟𝑜𝑔𝑟𝑎𝑚𝑖𝑡 𝑞𝑒̈ 𝑉𝑂𝐶𝐴𝐿 𝐸𝑁𝑆𝐸𝑀𝐵𝐿𝐸 𝑅𝐸𝑀𝑈𝑆𝐼𝐶𝐴 𝑑𝑜 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑟𝑒𝑧𝑎𝑛𝑡𝑜𝑗 𝑛𝑒̈ 𝐾𝑜𝑛𝑐𝑒𝑟𝑡𝑖𝑛 𝑒 𝑑𝑎𝑡𝑒̈𝑠 5 𝑠ℎ𝑘𝑢𝑟𝑡 2023, 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑟𝑢𝑘𝑠𝑒𝑙 (𝑛𝑒̈ 𝑠𝑎𝑙𝑙𝑒̈𝑛 𝑝𝑟𝑒𝑠𝑡𝑖𝑔𝑗𝑖𝑜𝑧𝑒 ‘𝐹𝑙𝑎𝑔𝑒𝑦’) 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑝𝑢𝑏𝑙𝑖𝑘𝑢 𝑖 𝐵𝑟𝑢𝑘𝑠𝑒𝑙𝑖𝑡 𝑡𝑎 𝑛𝑗𝑜ℎ 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑐𝑜𝑝𝑒̈𝑧 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑟𝑎𝑠ℎ𝑒̈𝑔𝑖𝑚𝑖𝑠𝑒̈ 𝑠𝑒̈ 𝑝𝑎𝑠𝑢𝑟 𝑚𝑢𝑧𝑖𝑘𝑜𝑟𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑘𝑒̈𝑡𝑖𝑗 𝑝𝑜𝑝𝑢𝑙𝑙𝑖 𝑡𝑒̈ 𝑣𝑗𝑒𝑡𝑒̈𝑟 𝑏𝑎𝑙𝑙𝑘𝑎𝑛𝑖𝑘, 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑘𝑢𝑝𝑡𝑜𝑗 𝑠𝑦𝑛𝑖𝑚𝑒𝑡 𝑒 𝑠𝑜𝑡𝑚𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑖𝑗 𝑑𝑟𝑒𝑗𝑡 𝑚𝑜𝑑𝑒𝑟𝑛𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖𝑡 𝑒𝑢𝑟𝑜𝑝𝑖𝑎𝑛…

    Edhepse kultura muzikore (profesionale) kosovare është relativisht e re, ajo sot posedon të gjitha karakteristikat domethënëse të muzikës bashkëkohore europiane. Sot, ajo përfaqësohet me një jetë muzikore të institucionalizuar përmes Orkestrës simfonike dhe Korit të Filharmonisë, përmes Institucionit të Operës, përmes Konzervatorit të Muzikës, përmes disa formacioneve kamertale cilësore, përmes festivaleve dhe, gjithashtu prej një rrjeti të gjërë të shkollave muzikore. Zhvillimin e hovshëm ajo fillon ta ketë nga mesi e shekullit të kaluar, siç dihet, në kuadër të ish Jugosllavisë. Nga konteksti i tillë kulturor, i hapur ndajbotës dhe jetës së zhvilluar muzikore të qendrave të mëdha, çfarë kanë qenë Zagrebi, Ljubjana etj., kultura muzikore kosovare ka përfituar shumë. {Duhet cekur se të gjithë kompozitorët tanë aktual të Kosovës janë formuar në qendra të mëdha kulturore europiane}.

    Në deceniet e fundit, falë hulumtimeve muzikologjike shqiptare dhe fal angazhimit të veçantë të Korit të Filharmonisë së Kosovës (me dirigjent R. R.), publiku i gjërë i Kosovës, fillon t’i njoh disa emra të rëndësishëm të kompozitorëve të vjetër shqiptarë (arbëror), origjina e të cilëve deri atëherë ka qenë e kontestuar, madje e kontestuar mbetet, fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite. Ndër këta emra të famshëm, në veçanti, duhet përmendur autorin e ‘Te Deum’-it të kompozitorin Niket Dardani (Niketa i Remisianës), nga shekulli IV dhe të dy kompozitorëve tjerë: Jan Kukuzeli, nga shekulli 13 e 14 dhe Gjergj Danush Llapacaj (Georgius Danuscio Lapaçaya), nga shekulli 16, veprat e të cilëve do të jenë në programin e Koncertit të Brukselit. Që të dy këta kompozitorë të fundit kanë lindur në qytetin e Durrësit, një qytet antik i Shqipërisë, qytet që edhe sot ruan pasuritë arkeologjike të kohës së lashtë, të para erës sonë. Duhet shtuar se kompozitori Jan Kukuzel ishte këngëtar dhe reformator i këngës byzantine, kurse për veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme ai është i shpallur si shnjëtor i Kishës Lindore. Kompozitori tjetër (Gjergj Lapazaya) ishte një dijetar shumëdimenzional, erudit dhe matematicient i njohur i epoka e Renesansës. Si pjestar i Kishës perendimore, ai shërbeu si Abat i qytetit Monopoli, të Jugut italian.

    Derisa në fushën e letërsisë, pikturës, arkitekturës, shkencës etj., janë të ndriçuara emrat e famshëm shqiptarë të epokave të kaluara, të mesjetës, të renesansës e barokut të cilët kanë jetuar dhe vepruar edhe në toka të huaja nw shekujt XVII-XIX (si Onufri, Andrea Aleksi, Viktor Karpaçi, David Selenicasi, Marin Barleti, Sinan Atiq Aga, Hoxhë Tahsimi, Karl Gega etj.), në fushën e muzikës, për një kohë ta gjatë, nuk ka pasur hulumtime të thella në ndriçimin hisorik të së kaluarës tonë muzikore. Ta zëmë, emri i Gergj Danush Llapacaj (vepra e të cilit është në programi e këtij koncerti) nuk është ditur deri vonë. Fal punës së vyeshme të muzikologut dhe organistit të njohur italian Domenico Morgante, është kuptuar për prejardhjen e tij shqiptare (D. Morgante, Una fonte musicale italo-albanese del primo Cinquecento: l’Antifonario dell’Abate Lapazaya nell’Archivio Diocesano di Monopoli … Editrice Tipografica- Bari, 1994, pp. 149–171).

    Nga literatura botërore, në program përfshihen edhe veprat e mjeshtërve të vjetër Claudio Monteverdi, Tomas, Luis de Victoria, Wiliam Byrd, por edhe emra të rëndësishëm të muzikës korale bashkëkohore si John Tavener, Erics Esevalds.Të gjitha këta emra frekuentojnë shpesh në programet e koncertve të ansambleve korale në Kosovë.

    Në pjesën e fundit të programit përfshihen disa vepra korale nga krijimtaria e kompozitorëve aktual shqiptarë si Mendi Mengjiqi, Rauf Dhomi, Thoma Simaku, Memli Kelmendi. Në veçanti do të kisha përmendur se përmes veprave të Mengjiqit, Simakut dhe veprës së fundit në program (Janinsë ç’i panë sytë), shpaloset bota tingullore e këndimit tepër specifik të Jugut të Shqipërisë – iso polifonia, këndim që është nën mbrojtjen e UNESKOS, si trashëgimi botërore. Kjo pasuri muzikës polifonike shqiptare bazohet në dy karakteristika kryesore: pentatonikë dhe në burdon. Këtë vlerë të jashtëzakonshme arkaike shqiptare, e konfirmon edhe kompozitori G. Ligeti, kur shprehet se “ky lloj i burdonit me tinguj mbajtës të gjatë, të cilët përcjellin meloditë melizmatike, është i përhapur ende sot, në Jugun e Shqipërisë”.

    Qëllimi i Programit që VOCAL ENSEMBLE REMUSICA do të prezantoj në Koncertin e datës 5 shkurt 2023, në Bruksel (në sallën prestigjioze ‘Flagey’) është që publiku i Brukselit ta njoh një copëz të trashëgimisë së pasur muzikore të këtij populli të vjetër ballkanik, dhe të kuptoj synimet e sotme të tij drejt modernitetit europian. Nga ky qëllim vjen titulli i koncertit të sotëm : “Në mes trashëgimisë së pasur dhe Modernismit”

    /R. RUDI: PROLOG për Koncertin e VOCAL ENSEMBLE REMUSICA në Bruksel/

    FOTO: David Selenicasi La Nativite. 1726 Eglise de Sainte-Nicolas-Voskopoje (Korçë-Alabanie)