Tag: muzaka

  • Testamenti i Gjon Muzakës – Nga MOIKOM ZEQO

    Testamenti i Gjon Muzakës – Nga MOIKOM ZEQO

     (NIL SUB SOLE NOVUM-ASGJË E RE NËN DIELL)

    Në 3 qershor 1510 princi i thinjur arbër Gjon Muzaka u ul tek tryeza e shkrimit.

    Pati ndjesinë marramendëse se u fiksua pazgjidhshëm në një objekt sekret që e ripërtërinte, por edhe e rrëqethte.

    Sot mbushte 52 vjeç, por ndihej i mplakur si një patriark. Para tij qe Bibla në latinisht.

    E shfletoi i sigurt. Ezekieli (21,3): “… i thuaj pyllit të Negevit: Dëgjo fjalën e Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti: unë po ndez tek ty një zjarr, që do të gllabërojë çdo dru të blertë; flaka e zjarrtë nuk do të shuhet dhe çdo fytyrë nga veriu në jug do të digjet. Çdo mish do ta shohë që unë, Zoti, e kam ndezur, nuk do të shuhet…”.Gjon Muzaka u mendua: “Dhe trupi im digjet dhe nuk shuhet më”. Pastaj lexoi më tej: “Zoti e thirri një njeri të veshur me rroba liri, që mbante kallamarin prej briri të shkruesit në krah dhe i tha: “Kalo mes qytetit të Jeruzalemit, dhe u bëj një shenjë në ballë njerëzve, që psherëtijnë dhe vajtojnë gjithë gjërat që ndodhin mes tyre dhe mes meje, zotit, zotit…”. Vegim qetësues, udhërrëfyes.

    Tani shkruesi duhet të jem unë, psherëtiu Gjon Muzaka.

    Lexoi në latinisht përsëri “Nil sub sole novum”, domethënë “Asnjë e re nën Diell”.

    U trondit nga kjo e vërtetë qartësisht mizore.

    Mori pendën e mjellmës, e ngjeu në kallamarin antik dhe nisi të shkruajë mbi një fletë letre: “Cuncta sub sole vana. Venite fili, audite, timorem domini docebo vos. Oculi domini supre iustos, et aures eius in preces eorum, vultus outem domini super facientes male, ut perdat te terra eos. Clamaverunt iusti, et dominus exaudivit eos, et ex omnibus tribulationibus eorum liberavti eos”.

    Muzaka e përktheu në shqip njëkohësisht në mendje tërë frazat latine: “Çdo gjë nën Diell është kotësi. Ejani, bij, do t’ju mësoj që të kini frikë Zotin. Zoti i ka drejtuar sytë ndaj njerëzve të drejtë dhe veshet ndaj lutjeve të tyre, fytyra e Zotit është edhe përballë njerëzve të liq, me qëllim t’i zhdukë nga faqja e dheut. Njerëzit e drejtë e ngritën zërin dhe zoti së largu i dëgjoi ata dhe i çliroi nga të gjitha shqetësimet e tyre”.

    Princi Muzaka ndaloi së shkruari.

    Pa nga dritarja e dhomës peizazhin e Napolit.

    Kishte shumë vite që kishte braktisur Arbërinë, me gjithë familjen, e kishte ndalur në Itali. Arbëria tani i përkiste perandorisë otomane.

    Principata e tij rezidenca në kështjellën e Beratit, kujtimet etj,. qenë ngrirë, konservuar katastrofikisht nën kupolën e rëndë dhe të pakapshme të pushtimit.

    Çdo gjë intime i dukej e largët, e pakapshme.

    Për shumë vjet në Napoli gjeti një ngushëllim të pakët, por shqetësimi ju shumëfishua.

    Këtu qe si një princ teatri, pra jo i vërtetë, qe thjesht një emër, por jo njeriu i dikurshëm dhe i fuqishëm, një fantazmë ekzotike dhe krejt e papërfillshme, aspak i gjallë, konkret dhe i rrezikshëm.

    Ah, klithi pa zë.

    Çdo gjë ka stinën e vet, përsëriti me vete, çdo situatë ka një kohë nën qiell, një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të korrur, një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të rrënuar dhe një kohë për të ndërtuar, një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të vallëzuar dhe një kohë për të mbajtur zi, një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për t’i mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar, një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje, një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur, një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen…

    Muzaka u drodh në një lloj ëndërrimi shekujsh. Vendosi të shkruante përsëri. do të bënte një kronikë të familjes, skemën e gjenealogjisë, ftillesat, të përshkruante lavdinë, disfatën, të ringjallte kronikat e vdekura.

    U tendos, i shpërthenin idetë, mendimet vërtitëse, imazhet e zbehëshme nga koha. Mendoi se do të vdiste së shpejti, bijve të tij dhe fëmijëve të tyre duhet t’u linte një tekst testamenti, që të mos humbiste Arbëria fantazmagorike brenda tij, që kur t’i shuhej trupi, të mos shuhej dhe të humbiste kjo Arbëri.

    U frymëzua, nisi të shkruaj me hov, me shpresë e ndoshta me delir.

    Kujtoi të parët e hershëm, të lindur pranë burimit mitik, “ku pishtarët e fikur ndizeshin në çast dhe pishtarët e ndezur shuheshin”, përngjasi emrin e Muzakëve me atë të fisit të Molosëve, rikujtoi Pirron e Madh të Epirit, pastaj perandorët e Bizantit që u kishin dhënë tituj të mëdhenj paraardhësve të tij si dhe stemat familjare, plot simbole shqiponjash dykokëshe dhe alegori pushteti perandorak.

    Kujtoi martesat, emrat e të lindurve që kishin vdekur, dhe të të lindurve të tjerë, që gjithashtu do të vdisnin ritualisht dhe pashmangësisht.

    Besonte, se pinjollë të ardhshëm do të ktheheshin dikur në Arbëri, përshkroi hartografinë e pronave të familjes, hollësisht, mjeshtërisht, konkretisht. Ah, pronat, pronat! E drejta historike e pronës! Shenjtëria e pronës. Burimi i pushtetit, miti i plotfuqisë në mijëvjeçarët që ndryshojnë dhe zhbëjnë gjithçka. Ah, pronat, pronat!La pendën e mjellmës mbi letër. Rilexoi ç’kishte shënuar, ndihej si lehona, që sapo ishte çliruar nga foshnja e porsalindur, u mrekullua, u mallëngjye, por u ndje tmerrësisht i lodhur, i sfilitur, tejet i vdekshëm me shpejtësi të përllogaritur nga misteret e të Pashmangshmes!Ah, pronat, pronat!

    Ndjeu befas një errësim, një ide e befasishme, e skëterrshme gati e shkatërroi. Ç’është e drejta historike e pronës? Përderisa prona shitet dhe blihet a mund të jetë e shenjtë, a mund të jetë një e drejtë historikisht ekskluzive e patjetërsueshme?

    A thua vallë, mbas 4 ose 5 shekujsh do të mbijetonin pasardhësit e Muzakajve? E nëse do të ktheheshin në Arbëri me testamentin e tij të pavdekshëm a mund ta zbatonin? O kotësi e kotësive, gjithçka është kotësi, ajo që ka qenë është gjë që do të jetë, ajo që është bërë është ajo që do të bëhet. “Nil sub Sole novum”. Asgjë e re nën Diell.

    Princi Gjon Muzaka gati u nguros, u statujizua!

    Mendimet, idetë përplasen dhe shkatërrojnë njëri-tjetrin.

    Kuptoi se teksti i tij tashmë qe apokrif, se edhe miliona të tjerë para tij e kishin shkruar, se edhe miliona të tjerë pas tij do ta shkruanin përsëri, çdo gjë është kalimtare, e lëvizshme, çdo gjë është palimpsest dhe njeri dhe prona, dhe librat dhe ëndrrat, dhe porositë dhe ankthet, dhe mençuria dhe injoranca, dhe e vërtetë dhe gënjeshtra, dhe jeta dhe vdekja janë palimpsest, një palimpsest rrethor, i vërtitshëm, sepse, në fund të fundit, princi vizionar dhe i shastisur Gjon Muzaka qartësoi parabolën e burimit “ku pishtarët e fikur ndizeshin në çast dhe pishtarët e ndezur fikeshin”.

    E ardhmja, Zoti janë ky burim misterioz. Muzaka qe pishtari i ndezur që po fikej tashmë mbi burimin ndjellës. Ndoshta do të jem 5 shekuj pishtar i fikur, i harruar, i mbyllur në terr, në kotësi, në hiç.

    Por ndoshta, ndoshta në një kohë të panjohur pishtari im i fikur do të afrohej mbi burimin fatal dhe atëherë, o Zot, do të ndizej verbueshëm, me një ndriçim mahnitës dhe të përjetshëm! /InforCulture.info

  • Andrea I Muzaka ishte një Princ mesjetar Arbëror nga familja fisnike e Muzakajve

    Andrea I Muzaka ishte një Princ mesjetar Arbëror nga familja fisnike e Muzakajve

    Andrea I Muzaka

    Andrea I Muzaka ishte një Princ mesjetar Arbëror nga familja fisnike e Muzakajve. Datëlindja e tij e saktë nuk është e ditur, por mendohet që ai të ketë lindur mes viteve 1250-1265. Sundimi i Andrea Muzakës filloi në vitin 1279-80, si vasal i Mbretërisë Anzhuine të Arbërisë (1272-1368) me titull “Marshalli i Arbërisë”.

    Pasi Anzhuinët u dëbuan kryesisht nga Shqipëria (1281) nga një koalicion i bizantinëve dhe forcave lokale shqiptare, në fund të shekullit 13, Muzakajt duke përfituar nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror bizantin, mundën të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit.

    Meqenëse ai kishte titullin e lartë të gjykatës bizantine ‘Sebastokrator’, ai me sa duket u njoh zyrtarisht nga Perandori Andronikos II si guvernator i Shqipërisë së Mesme. Në aleancë me Bizantinët, Muzaka gjithashtu u rezistoi serbëve të cilët, nën mbretin Stefan Milutin, sulmuan Arbërinë nga veriu. Andrea kishte 2 fëmijë, Teodor I Muzakën (1319-1331) dhe Matrangon (Mentula?). Andrea Muzaka vdiq në vitin 1319.

  • Saga e lavdishme e familjes Muzaka

    Saga e lavdishme e familjes Muzaka

    Nga: Luan Rama

    Në historinë mesjetare franke, një vend të nderuar zë dhe stradioti i famshëm Muzaka, një nga bijtë e Gjon Muzakës, i cili ishte një nga bashkëluftëtarët më të afërt të Skënderbeut.

    Sipas studiuesit të njohur të historisë së Greqisë dhe shqiptarëve të Greqisë, Carl Hopf, në librin e tij “Chroniques greco-romaines” shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte nën komandën e tij një trupë prej 300 stradiotësh dhe me ta luftoi kundër anglezëve të veri të Francës. Por, më pas mësohet se, i helmuar, vdiq në veri të Francës, në Picardie, në vitin 1526. Ndërkohë, vëllai i tij i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij “Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë” (Despoti d’Epirio e principi di Macedonia), ishte nga të pakët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës.

    Cilët ishin këta prijës të mëdhenj dhe cila ishte jeta e tyre? Vallë Konstandini mbeti përfundimisht në Francë? Ku vallë? Pranë oborrit mbretëror? Ndoshta një ditë arkivat e vjetra do të na zbulojnë të dhëna të reja për bëmat e tyre.

    Në kujtimet e tij, Gjon Muzaka u kujtonte bijve të vet, por dhe historisë, se “kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ai shkoi në Napoli tek mbreti Ferrante i Aragonës, ku ai e priti në oborrin e tij dhe i premtoi mjaft toka në Apicie”. Ai kujton gjithashtu se kur ikën në Napoli, “biri i tij Theodhori ishte një vjeç e gjysmë, Adriani një muajsh, ndërsa Konstandini lindi në Napoli”. Gjon Muzaka, i cili nuk pranoi të ndryshonte fenë siç ia kërkoi sulltani, e përshkruan ikjen e tij dhe të familjes së tij në mënyrë romaneske… Ai iku fshehurazi natën, pa e parë kush, aty nga viti 1476, duke marrë një anije për tu hedhur në brigjet e jugut të Italisë. “Gruaja ime dhe nëna juaj, Maria Dukagjini”, shkruante ai, “ishte shtatzënë me Don Adrianin dhe në muajt e fundit të barrës u detyrua të ikë në Durrës, duke mos treguar se kush ishte dhe u strehua në shtëpinë e disa fisnikëve, miqve tanë, ku dhe solli në jetë Adrianin. Ai u çua në kishë të pagëzohej si një fëmijë i gjetur i ndonjë fshatari, aq sa dhe kumbarët nuk e dinin se biri i kujt ishte. Don Theodori dhe Dona Helena u fshehën edhe ata në shtëpitë e fisnikëve të tjerë. Dhe, kur erdhën të dërguarit e turqve për të kërkuar në qytet nënën tuaj bashkë me bijtë, ajo u fsheh në shtrojën e një shtrati prej puplash, i cili pasi u rregullua mirë e mirë, nuk jepte përshtypjen se kishte brenda një njeri. Të dërguarit turq kërkuan nëpër shtëpi, por Zoti mëshirëplotë desh që mos t‘i zbulonin. Kështu i shpëtoi tërbimit të turkut e bashkë me fëmijët e saj ajo nuk ra në duart mizore. Pas ndonjë muaji, fisnikët e mësipërm, bashkë me disa burra të mirë që ishin vasalët tanë, morën me qera një anije, ku hipën nënën bashkë me fëmijët dhe i shoqëruan ata shëndoshë e mirë deri në Pulje”.

    Emri i Gjon Muzakës gjendet dhe në ditaret e historianit italian Sanudo ku, më 1499, duke iu referuar letrës së guvernatorit Jacomo Lion, ka shkruar: “Thuhet se Gjon Muzaka, kapiten i Francavila-s, djalë i të ndjerit Muzak Arianiti, i cili pat qenë zot i Muzeqesë në Shqipëri, ishte i gatshëm të shkonte me 300 kalorës në Shqipëri, në shërbim të Sinjorisë sonë, duke premtuar të bënte shumë punë”.

    Në fakt, në vitin 1498, ai kishte shkuar një herë në brigjet shqiptare dhe pasi kthehet nga kjo luftë, kërkon të shkojë përsëri. Në vitin 1512, siç shkruhet në një dokument, “Giovanni Musaçhio albanese“ lufton për mbrojtjen e Pratos dhe në vitin 1529 lufton në Toskana kundër trupave gjermane të perandorit Maximilian. Lidhur me Teodoro albanesen (Teodoro Musaçhio) shkruhet se në vitet 1525-1526 ai luftonte në krahinën e Piemontit, në Monferrato, Ceva etj., në krye të 100 kalorësve, ku merr pjesë dhe në mbrojtjen e Milanos. Por, në vitin 1529, gjatë një beteje kundër perandorit Maximilian, bie në fushën e betejës.

    Në dokumente të tjera flitet dhe për një pinjoll tjetër të Gjon Muzakës, Musaçhino di Musaçhio, i cili kishte luftuar kundër pizianëve, kundër venecianëve të Bartolomeo d’Alviano-s. Po kështu kishte luftuar dhe kundër spanjollëve në Prato dhe kundër gjermanëve në veriun italian. Beteja e tij e fundit shënohet ajo e mbrojtjes së Firences në vitin 1530. Pesë vjet më vonë shkruhet se ka vdekur.

    Në vitin 1550, shumë vite pas vdekjes së atit të tij Gjon Muzaka, Konstandini shtoi në këtë memorie dhe shënime të tjera që i përkisnin familjes dhe se çfarë ndodhi më pas me ata, si dhe princat e tjerë ku flitet dhe për birin e Skënderbeut, Gjon Kastrioti dhe nënën e tij. “Ta dini se im vëlla Adriani, kishte një kalorësi të lehtë prej njëqind kalorësish në shërbim të mbretit të Francës dhe se paguhej mirë si në luftë ashtu dhe në paqe. Dhe ky i quajturi zot Adrian Muzaka, vdiq në dhjetë të muajit maj, i helmuar nga ca zotërinj francezë që shërbenin në Monsinjori Vendôme-s, për t’i marrë vendin dhe paratë dhe se ai kishte nën vete 12 mijë këmbësorë. Të tjerë i morën kuajt dhe paratë. Ai ishte vendosur në qytetin e Bivilles që është në provincën Picardie, ku i përmenduri mbret i kishte dhuruar një kështjellë me emrin Mundi, pranë Monrosë dhe Bivilles. Pra, ai vdiq në dhjetë të muajit maj të vitit 1526”.

    Në Analet e udhëtimeve gjeografike dhe historike, Conrad Malte-Brun shkruan për kapitenin legjendar Muzakën e “vjetër“ (Musachio ancien et preux capitaine) dhe kavalerinë e tij prej 500 kalorësish, duke përmendur edhe një nga trimat e tij, Nicola Masi, “një kapiten plot kurajo”, emri i të cilit në shqip ishte “mëzi“, “poledro“… Stema e familjes Muzaka ishte shqiponja dy-krenore me një yll në mes.

    Një histori e çuditshme më kishte ndodhur me këtë stemë në pranverën e vitit 1992, në Ambasadën shqiptare në Paris. Një pinjoll i Muzakajve, familja e të cilit nga Kalabria kishte emigruar prej kohësh në Francë, erdhi në Ambasadë dhe më solli një emblemë të madhe të Muzakajve, të derdhur në bronz. Meqë ishte shumë e rëndë, e lamë atë në korridorin e brendshëm të Ambasadës, mirëpo ylli me pesë cepa, në mes krerëve të shqiponjës, u bë shqetësues për ish-emigrantët shqiptarë monarkistë, të cilit shihnin në të një simbol komunist, pra një nostalgji për epokën që sapo kishte perënduar. Dhe, atëherë, emblemën e rëndë e hoqëm. Por, në fakt, ai yll nuk ishte shtuar nga ai pinjoll si shenjë adhurimi për Shqipërinë komuniste. Ai yll kishte të drejtë të qëndronte në emblemë pasi ai kishte ekzistuar i tillë tetë shekuj më parë, që në kohën bizantine. Historiani Xhufi shkruan se “meqë Andrea Muzaka, kishte luftuar dhe kishte mundur ushtrinë serbe të Vukashinit në vitin 1369, në Perister, perandori bizantin i kishte dhuruar Muzakës emblemën perandorake: shqiponjën me dy krerë dhe me yllin në mes”. Çuditërisht, epoka bizantine dhe epoka totalitare kishin pikëtakuar njëra-tjetrën në një histori parisiane…

  • Andrea II Muzaka ishte një fisnik mesjetar Arbëror që sundonte Principatën e Muzakajve

    Andrea II Muzaka ishte një fisnik mesjetar Arbëror që sundonte Principatën e Muzakajve

    Andrea II Muzaka

    Andrea II Muzaka ishte një fisnik mesjetar Arbëror që sundonte Principatën e Muzakajve.

    Andrea lindi në vitin 1319 dhe ishte djali i Teodor I Muzakës. Sundimi i Andreas filloi në vitin 1331. Diku rreth vitit 1335, ai mori titullin e lartë “Despot i Arbërisë”. Në marrëveshjet e nënshkruara më 30 dhjetor 1336 me Luigj Anzhunë, ai njohu pushtetin e Mbretit të Napolit, i cili më pas i konfirmoi fisnikut Arbëror pronat dhe gradat e larta, në këtë mënyrë ai pati një aleat të fuqishëm.

    Në kohën e pushtimit të Stefan Dushanit (1345-1355), Andrea ishte vazhdimisht në luftë me qeveritarin sllav, Ivan Asen Komneni.

    Sundimi i Andreas shtrihej në zonat e Beratit, Vlorës, Kaninës, Myzeqes, Korçës, Devollit, Përmetit, Tomoricës, Kolonjës dhe Skraparit. Në vitin 1370 ai mundi në betejë Mbretin Vukashin në afërsi të Kosturit, dhe në këtë mënyrë ai mori dhe Kosturin. Kjo fitore u përshëndet dhe nga Perandori Bizantin Johani V i cili me këtë rast i konfirmoi titullin e Despotit.

    Andrea II Muzaka vdiq në vitin 1372 në Durrës.

  • Fallsifikimi i historisë. E vërteta mbi historinë e Gjon Muzakës

    Fallsifikimi i historisë. E vërteta mbi historinë e Gjon Muzakës

    Ilirjan Gjika*

    Pak kohë më parë me disa miq të mi intelektualë zhvilluam prezantimin e librit te Historianit të njohur. Pëllumb Xhufi, të titulluar: ”Nga Paleologët tek Muzakaj”. Në këtë aktivitet ku nuk mungoi edhe autori, u shpalosën ide interesante dhe u diskutuan probleme të rëndësishme të kësaj vepre madhore për historinë e Shqipërisë Mesjetare.    Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se ne te çertifikohet historia e qyteteve tona si: Vlora, Berati dhe familjeve fisnike Shqiptare të Muzakajve, Gropajve, Matrengëve, etj. Midis morisë së problemeve Prof. Xhufi trajton edhe kronikën e Gjon Muzakës duke i bërë asaj dhe një kodifikim kritik. Për here të parë ai shpjegon sesi u zbulua ajo, në ç’formë u publikua, si erdhi në Shqipëri dhe ç’qëndrim mbajtën studjuesit ndaj saj. Ja se ç’thotë në librin e tij historiani i njohur, kur për here të parë tregohet si u zbulua ky dorëshkrim. Kronika e Gjon Muzakës u gjet në shtëpinë e sekretarit mbretëror në Napoli, Skipion Volpiçelës nga Karl Hopf, historian Gjerman, i cili për ta vlerësuar atë ja dorëzoi albanologurt Georg Hann si njeri kompetent në fushën e historisë për ta publikuar në botën shkencore. Hanni, duke mos njohur Shqipërinë nga afër ja dha një kopje Doktor Auerbahut, Konsullit Austro-Hungarez në Vlorë, njeri i apasionuar pas historisë dhe arkeologjisë. Më pas kronika ra në duart e Peshkopit të Beratit Anthim Aleksudhit, i cili e dorëzoi në vitin 1885 në Bibliotekën Kombëtare të Athinës. Që këtej kopja erdhi në Shqipëri ku u pasua nga botime dhe ribotime të ndryshme, ndërsa botimi i parë i saj u bë në vitin 1813. Ndërkohë që këtu fillojnë përsëri problemet Shqiptare të cilat do të përpiqemi ti sqarojmë më poshtë.    Në librin në fjalë të botuar në Itali në vitet 1508-1510 nga Princi Gjon Muzaka, thuhet se: ”Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm”. Këtë fakt të çuditshëm që Muzaka e citon në librin e tij ne e kostatojmë si kontradiktor, sepse Sinja dhe Gardhi i poshtëm nuk gjenden në Mat, por sot ato përfshihen në Dibër. Për këtë të dhënë por edhe për fakte të tjera të tilla Gjon Muzaka është vënë nën shënjëstrën e akuzave të studjuesve të historisë. Kronikën e tij, Babingeri e quan si material me të dhëna të rreme. Ndërsa Dyselie thekson se ai është një material me të dhëna konfuze.    Ndërkohë për të gjykuar origjinën regjionale Shqiptare të Kastriotëve, historianët e shkollës Gjermane si Thalloczy, Jireçek dhe Shuflai e gjykuan të saktë idenë se Kastriotët ishin nga Mati. Le të citojmë Milan Shuflain i cili në faqen 31 të librit ”Serbët dhe Shqiptarët” thotë: Gjergj Kastrioti është pjella më e shkëlqyer e kësaj përzgjedhjeje të vdekur, luftëtari më i tmerrshëm të cilin e krijoi lufta e Europës me Turqit. Europa perëndimore e mbuloi atë me legjendë ende sa ishte gjallë. Bestytnia mbi fuqinë e tij të mbinatyrshme e bëri armikun turk që të humbte besimin në fat. Fantasia e popujve të Ballkanit, të cilët të shtypur nga të pafetë krijoi nga Skënderbeu heroin e këngëve dhe të rrëfimeve të tyre. Shqiptarët këndonin deri në shekullin e XVII, madje dhe në prani të turqve këngë për Skënderbeun, Emri i tij është ruajtur edhe sot e kësaj dite në Mat si dhe ndër disa fusha, duke filluar nga Fandi deri në Pukë dhe ndër shpella, prej të cilave njëra mban emrin Gjurma e kalit të Skënderbeut.    Ndërsa në një tjetër pasazh të po këtij libri në faqen 27, Shuflai duke ju referuar Jireçekut dhe Thalloczy-t thotë: Në një kartë sërbe të sundimtarit të Vlorës dhe Kaninës, Aleksandrit të birit të despotit Jovan përmendet (1366) qefalia i Kaninës Kastrioti. Ai mori nga Balsha i II-të aty nga viti 1383 dy fshatra në Shqipërinë e mesme në Mat.    Pra është i qartë pohimi i tre emrave autoritare të historografisë se Kastriotët janë nga Shqipëria e mesme pikërisht nga Mati. Por le ti kthehemi përsëri Muzakës. Përse ai thekson se Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm!.    Ne qofte se do të bëjmë një analize të thjeshtë na del se në kohën e Gjon Muzakës në shekullin e XV Mati kishte shtrirje më të gjerë deri në Korab, duke futur brenda tij edhe luginën e Drinit të zi, ku shtriheshin Sinja dhe Gardhi. Ose Muzaka në mënyrë të qëllimshme dhe dashakeqe thotë se Kastriotët janë nga Mati, por thekson se ata zotërojnë në të dy fshatra të cilat rezultojnë se ndodhen sot në Dibër, siç është rasti i Sinjës dhe Gardhit. Pra duket se hipoteza se Dibra e mirëfilltë shtrihej përtej kufijve të sotëm krahinore është e vërtetë dhe se territori ku shtriheshin dikur Sinja dhe Gardhi mesjetar i përkiste dikur Matit. Mos ndoshta Muzaka ka vërtet të drejtë, sepse i ati i heroit Gjoni dhe vetë Skënderbeu mbanin titujt Princa të Matit. Megjithatë le të vazhdojmë ta trajtojmë Muzakën përsëri në mënyrë Kritike.    Vetë Muzaka në një pasazh të Kronikës nuk e fsheh inatin që ka me burrin e kushërirës, Skënderbeun, kur e akuzon se i ka marrë Myzeqenë e vogël dhe Beratin me forcë.    Gjithashtu në antitezë me origjinën e Kastriotëve, ai bën një tjetër gafë, duke e nxjerrë origjinën e familjes Muzaka nga Perandorët e Kostandinopojës, një sajesë tepër të hiperbolizuar.    Pra Gjon Muzaka në mënyrë apriori dëshmon se: Pal Kastrioti i kishte zotërimet në Mat, por sikur të mos mjaftonte kjo gjë në Kronikën e Muzakajve do të ndodhnin çudi të tjera. Në botimin e saj të bërë në kohën e Shqipërisë socialiste një dorë specialisti e hoqi termin Mat. Pra, nëqoftë se Muzaka shkroi se Pal Kastrioti zotëronte në Mat Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm, në botimin e monizmit doli pasazhi se Pal Kastrioti zotërone dy fshatra Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm. Këto dy të fshatra ndodhen në Dibër dhe duke u nisur nga ky “fakt” i fallsifikuar në vitin 1974 doli teza se Kastriotët ishin nga Dibra.    Në Shqipërinë e asaj kohe kur historia shkruhej me urdhër nga lart dhe kur vlerësoheshin si figura të historisë kombëtare qe nuk ishin te tilla si p.sh Haxhi Qamili, nuk ishte e vështirë që Skënderbeut ti ndërrohej origjina, nga Matjane në Dibrane. Fundja ndonjë gjë e madhe nuk ishte, sepse ai përsëri Shqiptar mbetej. Megjithëse ai kurrë nuk u quajt Dibrani, sepse nuk ishte prej Dibrës. Me këtë llagap quhej një tjetër figure e shquar e luftës Shqiptaro-Turke të shekullit të XV, Moisiu i Dibrës ose Moisi Dibrani bashkëluftëtari i Skënderbeut dhe një nga miqtë e tij të afërm, Moisi Golemi. Pra nuk ka dyshim që ndryshimi i këtij fakti i interesonet klanit të Dibrës, e cila në raport me krahinat rreth saj nuk kishte nxjerrë një figure historike të një rangu të tillë. Kështu piknisje ishte kronika e Gjon Muzakës, për të vazhduar më pas me toponime dhe legjenda, për Skënderbeun të cilat nuk mungojnë në ish territoret e Principatës së Kastriotëve si në Mat, Krujë, Dibër, etj.    Tek Vepra e Prof. Pëllumb Xhufit ”Nga Palelogët tek Muzakaj” vëmë re se në pjesën e fundit të saj botohet në dy gjuhë Italisht dhe Shqip, Kroniken e Gjon Muzakës, autori e komenton duke bërë sqarime të rëndësishme dhe me shumë vlera. Por edhe aty në faqen 454 nuk citohet fjalia origjinale e shkruar nga despoti Gjon Muzaka ”Se Gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti dhe ky zotëronte në Mat dy katunde që quheshin Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm”, por edhe këtu mungon termi Mat. Kjo gjë jo për faj të P. Xhufit, por për shkaqet e mësipërme ku qellimisht është hequr emri i Matit. Për ta ilustruar këtë gjë po japim një shembull tjetër. Në librin e tij të botur së fundmi në Shqipëri Antalogji Historike, albanologu dhe Politikani Mustafa Kruja, rrëfen pa dashje të vërtetën. Në kapitullin e XII, të titulluar ”Beteja e parë e fushë Kosovës dhe arbëreshët”, megjithëse ithtar i tezës se Kastriotët ishin nga Dibra, kjo figure e shquar e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX-të, na bën një shërbim të shquar duke cituar tekstin autentik të kronikës të botimit të parë të Hopfit, botuar në Berlin në vitin 1875 në të cilin thuhet se Gjyshi i Skënderbeut zotëronte në Mat dy fshatra: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm.    Pra Muzaka i ngratë që vdiq në ekzil pavarësisht se çfarë shkroi, në fillim të deklaratës së tij pranon që Kastriotët janë nga Mati. Kështu me dashje ose pa dashje shkojmë përsëri tek e dhëna e Barletit se Kastriotët ishin nga një derë fisnike nga Mati.    Këtij fakti ju bashkuan edhe historianët dhe albanologët Hopf, Hann, Jireçek, Thalloczy dhe Shuflai, të cilët duke gjykuar në mënyrë të drejtë kronikën në fjalë pohuan me mënyrë të drejtë se Kastriotët ishin nga Mati.    Kjo derë e shquar që nxorri Gjon Kastriotin zotërues së një pjese të Shqipërisë, Gjergj Kastriotin heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjonin, Dukë i Shën Pjetrit të Galantinës në Mbretërinë e Napolit, Don Ferrante Kastriotin e të tjerë personalitete, nuk ishe një derë dosido që zotëronte vetëm dy katunde në periferi të Shqipërisë. Këtu nis edhe një nga dyshimet e forta mbi kronikën e Muzakës, faktet e së cilës janë jo vetëm në kontraditë me njëra tjetrën, por duan një kodifikim më të thellë për të arritur tek e vërteta e pa mohueshme se Kastritotët janë nga Mati.

    Gjon Muzaka

    Shqiponja dykrenare ne krye te tertamentit per pasardhesit e familjes Muzaka /usalbanianmediagroup.com/

  • Pjesëmarrja shqiptare në Betejën e Kosovës (28 qershor 1389)

    Pjesëmarrja shqiptare në Betejën e Kosovës (28 qershor 1389)

    Depërtimi i vrullshëm i osmanëve në Ballkan, rrezikoi zotërimet e sundimtarëve arbërorë, të cilët më 1389 u bashkuan me Koalicionin Ballkanik të komanduar nga princ Llazari. Koalicioni Ballkanik përbëhej nga sundimtarë arbërorë, kroatë, serbë, hungarezë, boshnjakë, rumun etj, të cilët bashkuan fuqitë e tyre kundër osmanëve të komanduar nga sulltan Muradi I.

    Sundimtarët arbër që morrën pjesë në betejën e Kosovës në vitin 1389 ishin Teodor II Muzaka, Andrea Gropa, Dhimitër Jonima etj.

    Beteja e Fushë Kosovës u humb nga Koalicioni, por të dyja ushtritë patën humbje të mëdha. Sulltan Muradi u vra nga kalorësi Millosh Kopili. Në këtë betejë humbi jetën dhe princi arbëror Teodor II Muzaka.

    Gjon Muzaka në kronikën e tij shkruar më 1510, për këtë betejë thotë:“Llazari, Despoti i Serbisë, Mbreti Marko i Bullgarisë dhe Teodor Muzaka, i linduri i dytë i familjes sonë, dhe zotërit e tjerë të Arbërisë u bashkuan dhe u nisën për betejë, të cilën të krishterët e humbën. Aty u vra Teodori i lartpërmendur, i cili kishte me vete një ushtri të madhe shqiptarësh.”

    Njoftime mbi pjesmarrjen e shqiptarëve në këtë betejë ndeshen dhe në burimet bizantine. Me rëndësi është njoftimi që na jep Jeraksi, i cili shkruan në kronikën e vet “Mbi Perandorinë Turke”, se në betejën e Kosovës shkuan arkondë nga Arvanitia (domethënë nga Shqipëria) nga viset që quhen Dardania (Kosova), Misia, Himara, Epiri dhe më së fundi nga bregdeti i Adriatikut.

    Jeraksi nuk është i vetmi kronist mesjetar që e quan Dardaninë pjesë të Shqipërisë, dokumente të shumta bëjnë të njejtën gjë. Tre muaj më vonë nga përleshja që ndodhi në Kosovë, në një letër të shkruar nga Philip Mesiere dhe të botuar nga S. Ljubiç, autori njofton se beteja ku mbeti i vrarë sulltan Murati I ishte zhvilluar në “viset e Arbërisë” (es partice d’Albanie).

  • Dinastia Muzaka në Albani dhe Itali (pjesa l)

    Dinastia Muzaka në Albani dhe Itali (pjesa l)

    DINASTIA MUZAKA NË ALBANI DHE NË ITALI (PJESA II)- Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

    Fitoret e Andrea II Muzakës kundër bullgarëve dhe dyndjeve serbe, e entuziasmuan Perandorin e Bizantit, i cili krahas titullit sevastokrator i njohu të drejtën të përdori në stemën e Muzakëve, stemën perandorake me shqiponjën dykrenore me krahët e hapura, me kurorat mbi kokat dhe yllin gjashtëcepa në sfond blu mbi kokat e shqiponjës. Për këto merita dhe forcimin e pozicionit politik dhe ushtarak të Andrea II Muzaka, perandori i dha titullin Dhespot i Epirit dhe i njohu privilegjin të përdori vulën e artë me stemë perandorake, si dhe i dhuroi një fron dhespotal, që kishte në pjesën e sipërme të shpinores shqiponjën dykrenore të qendisur me perla. Në një nga stemat e Muzakëve, në gjoksin e shqiponjës janë tre gjethe dushku, simbol hyjnor i lidhur me tempullin e Dodona. Gjon Muzaka në kujtimet e tij, tregon se krahas shqiponjës dykrenore, Perandori i Bizantit iu kishte dhënë të drejtën të vendosnin në stemën e tyre “Burimin e jetës”. [Giovanni Musachi, Breve memorie, p. 282]. Sipas Rosario Jurlario, kjo e drejtë lidhet me raportet e bashkëpunimit të Muzakëve me familjet perandorake. Për Muzakët është karakteristike ruajtja e stemës heraldike me shqiponjën dykrenare, në ndryshim nga Kastriotët, Granai, Bua etj, të cilët e ndryshuan stemën në vartësi të meritave dhe të titujve që iu njohën nga Venediku, nga Aragonezët dhe nga Anzhuinët. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8] [Giancarlo Vallone. Pirro Granai Castriota educato a Copertino. Intervento di Il Bardo Anno I, Nr. 1, Settembre 1991].

    Stema heraldike e familjes Muzaka.

    Stema heraldike e Muzakëve ruhet ende në fasadat e disa pallateve dhe të disa kishave të komunës Mesagne, ku u vendos fillimisht Gjon Muzka me familjen e tij. [Profilo Antonio, Vie piazze, vichi e corti di Mesagne, Schena Editore, 1993 p. 229 – 249]. Në pjesën e mbetur nga kisha Shen Maria Mëshirëmadhe, në paretin anësor janë katër bazorilieve, njëri prej tyre prezanton një kombinim të stemës të Muzakëve me shqiponjën dy krenore me kurorat dhe me yllin gjashtëcepash, me gjysmën e djathtë me luanin në këmbë, me shpatë drejtuar zambakut (Fior de Lise), që ishte pjesë e stemës të familjes të Gjon Granai Kastrioti. Lidhur me këtë kombinim të stemave të dy familjeve, historianët Rosario Jurlaro dhe Anselmo Leopardi theksojnë se ky bazoriliev është element i varrit të Gjon Granai Kastriotit (nipi i Vrana Kontit), i cili vdiq në Mesagne më 2 gusht 1514 dhe e varrosën në kishën Shen Maria Mëshirëmadhe, kishë e ndërtuar në shekullin XVI me kuntributet bujare të familjeve Granai dhe Muzaka. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8] [Anselmo C. Leopardi, Mesagne: città dalle 50 chiese; Santuario della Misericordia; Barocco Pugliese, La chiesa della Misericordia, Radici-online.com. 28 febbraio 2020].Për meritat ushtarake dhe forcimin e pozicionit politik të princit të Muzakisë, sebastokratorit Andrea II Muzaka, Perandori i Bizantit Androniku II Paleologu e emëroi Dhespot i Epirit. Emërimi dhespot i fisnikëve në Perandorinë Bizantine, bëhej me ceremoni, si përshkruhet në “Cronaca di Carlo Tocca”, gjatë emërimit të Karlit dhespot nga Michele VIII Paleologo (1223-1282). Ceremonia zhvillohej në oborrin perandorak, ku mblidheshin komandantët e ushtrisë dhe njëri nga dinjitarët lexonte vendimin, që theksonte meritat dhe sukseset në detyrat e ngarkuara nga Perandori, ndërsa kryekomandanti i ushtrisë shpallte emërimin Dhespot personin direkt, ose ambasadorin e dërguar prej tij. Në shekullin XIII – XIV, prijësit e Muzakisë kishin titujt sebastonkreator dhe protosebast, ndërsa Andrea II Muzakën e emëruan Dhespot i Epirit dhe i Muzakisë, madje ishte i katërti në rradhë ndër dhespotët e emëruar nga Perandori i Bizantit. [Davide Shamà, I di Tocco Principi di Montemiletto e duchi di Leucade. Studio storicogenealogico. 2009] [Walter Haberstumpf, I Tocco, duchi di Leucade, e il principato d’Acaia (secoli XIV-XVI), in Venezia e le Isole Ionie, Venezia 2005, p. 59] [G. Musachi, breve memorie, pp. 294]Nga martesa e Andrea II Muzaka me Eftiminë lindën pesë fëmijë, tre djemë: Gjini II, Teodori, Stoja dhe dy vajza Komita e Kirana. Andrea II Muzaka vdiq në vitin 1372 dhe e varrosën në Kishën e shen Antonio në Durrës. [G. Musachi p. 282]Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, nga konflikti i Paleologut me Kantakuzenin, Perandoria Bizantine rrezikohej të shpërbëhej. Paleologu për të thyer Kanatakuzenin kërkoi ndihmën e Sullta Muratit I, i cili duke filluar nga viti 1363 sulmoi shtetet Ballkanike. Ushtria turke pasi pushtoi Dhespotatet e Artës dhe të Janinës, sulmoi trojet e Muzakëve. Princat arbëror me në krye Balshën II, me Muzakët, Gropa, Topia etj, më 18 shtator 1385 e pritën ushtrinë turke në Savër të Myzeqesë dhe pas një beteje të ashpër, forcat e koalicionit arbëror u thyen dhe princat arbëror u detyruan të bëhen vasalë të Perandorisë Osmane.Sukseset e ushtrisë Osmane, e shtuan oreksin e Sulltan Muratit I, i cili avancoi në veri. Dhespoti i Serbisë Lazari, mbreti i Bullgarisë Marko dhe Dhespoti i Epirit Teodori I Muzaka, së bashku me prijësat e tjerë arbëror Gjergji II Balsha, Pal Kastrioti, Dhimitër Joanima, Andrea Gropa etj, i bashkuan ushtritë kundër ushtrisë turke të Muratit I. Më 28 qershorë 1389, në Fushë Kosovë u zhvillua një betejë e ashpër, ku mbeti i vrarë prijësi i Teodori I Muzaka (djali i Gjonit II Muzaka) dhe dhespotti i Serbisë Lazari. Nga viti 1394 e në vazhdim, shteti i Muzakëve u sulmua nga ushtria dhe nga flota turke.Fillimisht, Muzakët i rezistuan dhe i zbrapsën sulmet turke, por më pas, në saj të superioritetit numerik dhe armatimeve të ushtrisë turke, u detyruan të tërhiqen e të njohin sovranitetin e sulltanit, por ruajtën një pozicion diplomatik, si ndërmjetës mes Perandorisë Osmane, me republikat e Venecias dhe të Raguzës. Athanas Gegaj shkruan: “Prijësi i Muzakëve, në vitet e para të shekullit XV, priti ambasadorin e Republikës së Raguzës Mikele de Resti, të cilit i kërkoi të ndërmjetësonte te turqit, që të lironin princin Nikita Topia të Krujës, që e kishin arrestuar dhe burgosur. [Athanas Gegaj, L’Albanie et invasion turque au XV-e siècle, Paris 1937, p. 26].Pas vdekjes më 1389 të Gjinit II dhe Teodorit I, në krye të zotërimeve të Muzakëve ishte Andrea III Muzaka, i ati i Gjinit III Muzaka dhe gjyshi i Gjon Muzaka, autori i kujtimeve të familjes Muzaka.Gjini III u martua me Kirana, mbesa e sevastokratorit Pal Matranga i Gorës dhe kishin tetë fëmijë, dy djemë e gjashtë vajza. Gjini III Muzaka, ishte prijësi i fundit që ruajti sovranitetin e shtetit të Muzakisë. Gjini III Muzaka vdiq në Sereizabunga në verën e vitit 1417, para se Berati të pushtohej nga Turqit. Gjinin III e varrosën në kishën e Shen Maria në Bunga, madje në këtë kishë varrosën dhe Kiranën gruan e tij (nëna e Gjon Muzakës) [G. Musachi, breve memorie, pp. 275, 282, 283, 293 – 300]Në verën e vitit 1417, hordhitë osmane pushtuan Beratin, me trevat dhe fshatrat në vartësi të Muzakëve dhe ngrijtën administratën turke në Berat dhe në të gjitha trevat që ishin në zotërim të Muzakëve. Në vitet 1432 dhe 1436, prijësi i muzakëve Teodori III Muzaka u bashkua me Gjergj Arianitin, kunatin e tij në kryengritjen kundër pushtuesve turq dhe i thyen hordhita turke. Të drejtat që fituan Muzakët, e preokupuan sulltanin, i cili dërgoi ushtrinë e komanduar nga Turhan Pasha, që e rrethoi Beratin. Arbërorët rezistuan gjatë sulmeve turke. Në vitin 1443, të mbështetur dhe nga forcat e Gjergj Arianitit, ushtria turke u detyrua të tërhiqet dhe Muzakët rimorën Beratin dhe trojet e tyre. [Marinesco C, Alphonse V, roi d’Aragon et d’Naples et d’Albanie de Scanderbeg, Parigi, 1923, p. 16].Me kthimin e Gjergj Kastriotit në Arbëri, filloi periudha e re historike, rezistenca heroike kundër sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë turke. Më 2 mars 1444, në Lezhë, që ishte në zotërim të Venedikut, Gjergj Kastrioti mblodhi në kuvend princat arbëror Arianiti, Teodori III Muzaka, Dukagjini, Topia, Zakaria, Spani, Balsha, Dushmani, Cernoviči i Malit të Zi etj, etj, ku krijuan Beslidhjen e Lezhës, aleanca e princave për mbrojtjen e trojeve arbërore nga sulmet e ushtrisë të Perandorisë Osmane. Gjergj Kastrioti, u zgjodh kryekomandanti i ushtrisë arbërore. [Barletius M, Historia de vita et gestis Scanderbeg, Epirotum principis. Roma 1522]. [G. Musachi, breve memorie, pp. 274- 275]Muzakët ishin aleatët besnikë të Kastriotit, madje Gjergji Kastrioti dërgoi Gjinin III Muzaka, t’i kërkonte Gjergj Arianitit fejesën me Andronikën. Në kujtimet e tij Gjon Muzaka shkruan: “Scanderbegho… lo mandò a consultare con lo signor Ginno mio padre, che il detto signor Aryaniti era cognato a mio padre, përchè ebbe per moglie la Signora Maria Musachi, sorella del mio padre… Signor Scanderbego Castriota fu Signor de Dibra, de Mati e de Croya insino alla marina, e Deberina, cioè Randesio, e la paese de Guonimi – Kastrioti ishte zot i Dibrës, i Matit i Krujës deri në det ku përfshihej Kepi i Rodonit dhe ne veri trojet e Jonimëve. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275, 284] [L. Alia, Andronika dhe Gjoni II Kastrioti, Tiranë 2023, f. 26]Muzakët e mbështetën Gjergj Kastriotin në të gjitha betejat kundër ekspeditave të vazhdueshme të ushtrisë osmane. Në luftimet kundër turqëve mbeti i vrarë Teodori III Muzaka, i cili nuk ka lënë trashëgimtarë. Bazuar në gadishmërinë dhe besnikërinë e Muzakëve, Gjergj Kastrioti iu besoi misione të rëndësishme diplomatike, si rasti i Martin Muzaka të cilin në qershor 1460 e dërgoi në Vatikan, t’i dorëzonte një letër konfidenciale Papës Piu II dhe mbretit Ferrante II Anzhuin. [Arch. Status Venet., Sen. Mar R° 6 c. 183 (182) rt, d. 16. VI. 1460].Në betejën e Vajkalit në Bulqizë në vitin 1465, kapedanët Moisi Golemi, Gjin Muzaka (i biri i Matrenga Muzakës), Vladan Gjurica, Muzaka i Angjelinës, Gjin Manësi, Gjon Perlati, Nikolla Erizi, Gjergj Kuka, u kapën rob nga turqit e Ballaban Pashës, pasi u tradhëtuan nga çermenikasit Gjoni dhe Isufi, të cilët Sulltani i shpërbleu duke iu dhënë timaret e fshatrave Gradec, Lunik, Neshta e Kostenja, troje që ishin në pronësi të Muzakës të Angjelinës. [Arkivi i Institutit të Historisë. Defteri i vilajeteve të Dibrës, Dulgobërdës, Rjiekës dhe Ҫermenikës. 1467 (viti 871 i Hixhrit), f 69]. Gjin Muzaka së bashku me shtatë kapedanat e tjerë u dërguan në Stamboll dhe me gjithë kërkesat e insistuese të Gjergj Kastriotit, që t’i lironin kundrejt pagesës dhe shkëmbimit me robërit turqë, Sulltani nuk pranoi dhe urdhëroi dënimin me vdekje, duke i rjepur të gjallë në sheshin qendror të Stambollit.Vdekja e papritur e Gjergj Kastriotit më 17 janar 1468, e tronditi Arbërinë, Andronikën me djalin, të afërmit, fisnikërinë arbërore dhe popullin arbëror, ashtu si preokupoi mbretërinë e Napolit, Vatikanin dhe Venedikun, të cilët pas rënies së barrierës arbërore, u ndjen të kërcënuar nga Perandoria Osmane dhe krishtërimi i rrezikuar nga islamzimi i detyrushëm i popullatës. Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, në mars të vitit 1468 Andronika me Gjonin II dhe shumë familje fisnike arbërore emigruan në Mbretërinë e Napolit. Gjon Muzaka në kujtimet e tij shkruan: “Bashkë me Andronikën emigruan dy motrat e mia Maria (e martuar me Muzak Komnenin) me vajzën Porfida dhe Helena (martuar me zotin Gjergj Karli i Dibrës) me vajzën Vojsava, të cilët u mirëpritën në oborrin e mbretit Ferrante. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275 -276]Gjon Muzaka dhe prijësat e tjerë arbëror Arianiti, Dukagjini, Spani, Balsha vazhduan t’i rezistojnë sulmeve të ushtrisë turke, deri në rënien e Shkodrës dhe me aktin e pushtimit të trojeve arbërore nga Perandoria Osmane, të firmosur në Stamboll nga ambasadori i Venedikut dhe Sulltan Mehmeti II – Fatihu. Në kujtimet e tij, Gjon Muzaka tregon se gjatë viteve që ndodhej në Arbëri, i ruajti lidhjet dhe e mbështeti proveditorin e Venedikut në Durrës, madje kur Frederiku Aragon, shkoi me ushtrinë e të atit Ferrante II për të marrë Durrësin, Gjon Muzaka në krye të reparteve të kalorësisë dhe të këmbësorëve, shkoi në ndihmë të Venedikut për të mbrojtur Durrësin nga princi Federik. Por ky kontribut nuk u shpërblye nga Venediku, sepse kur firmosi aktin e paqës me mbretërinë e Naapolit, jo vetëm nuk e ftoi Gjon Muzakën, por dhe e braktisën. Këto qëndrime pabesie të Venedikut e kishin provuar dhe princa të tjerë arbëror. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275 -276]Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, Sulltan Mehmeti II i propozoi Gjon Muzakës, në se do të bashkohej me turqit dhe të konvertohej në fenë islame, do t’i njihte të drejtat e pronësisë të trojeve të Muzakisë. Rreth këtij propozimi të Sulltanit, Gjon Muzaka në kujtimet e tij shkruan: “Mehmeti disa herë më dërgoi letra, duke me shkruar se në se do të dëshiroja të shkoja te Ai së bashku me ju bijt e mi dhe të ndërroja fenë, më betohej se do të më lejonte të qeverisja të gjitha trojet tona, por unë nuk pranova të braktis fenë time të shenjtë ….. pra e ruajta nderin e shtëpisë tonë. Në këtë kohë disa miqë të mirë nga Durrësi, më informuan se duhej të largohesha, pasi më rrezikohej jeta. Kështu u detyrova të ndryshoj veshjen dhe një natë të vitit 1476 hypa në një varkë, bashkë me të tjerë, të cilët nuk dinin cili isha dhe kështu i shpëtova turqëve. Pas këtij viti gjithëçka shkoi së prapthi në trojet tona Atë kohë, bashkëshortja ime, nëna e juaj Maria Dukagjini, që ishte shtatëzënë me Andriano, shkoi në Durrës dhe u strehua në shtëpinë e miqëve tanë fisnikë, ku dhe e lindi Andrianon, të cilin e çuan në kishë dhe e pagëzuan pa e dijtur i biri i kujt ishte. Ndërkohë, Teodori dhe Helena ishin strehuar në shtëpitë e fisnikëve të tjerë durrsakë. Një ditë kur turqit u vunë në kërkim të nënës tuaj dhe të ju fëmijëve tanë, Maria u fsheh brenda një dysheku me pupla, kështu me ndihmën e zotit mëshirmadh nuk e zbuluan, miqtë tanë i mbrojtën nënën tuaj edhe ju, kështu shpëtuat mizorisë të turqëve. Një ditë, miqtë tonë fisnikë, e ndihmuan nënë tuaj, së bashku me ju të tre fëmijët tanë dhe iu hypën në një anije, që iu zbriti në brigjet e Pulias”. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275 -276]Gjon Muzaka dhe Maria Dukagjini kishin pesë fëmijë:– Teodori i lindur në vitin 1474 në Berat – Albania, ishte dy vjeç kur arrijti në Itali.– Elena e lindur në vitin 1475 në Berat – Albania. Ishte një vjeçe kur arrijti në Itali .– Andriano, i lindur në Durrës më 1476. Ishte më moshë 90 ditësh kur lundroi me anije për në Pulja. Pas shërbimit në ushtrinë e mbretit të Napolit Andriano shkoi komandant i kavalerisë në shërbim të mbretit të Francës. Vdiq i helmuar në Francë më 10 maj 1526. [G. Musachi, breve memorie, pp 273-277-282-314]– Kostantini, lindi në Napoli në vitin 1478. U martua me Lucrezia Egidio. Jetoi në Napoli. Ishte komandanti i një reparti kavalerie, në rradhët e ushtrisë të Gjonit II Kastrioti në luftimet kundër turqëve në Otranto [G. Musachi, Breve memorie, pp 273-282]– Porfida. Lindi në Napoli. U martua me Pietro Roka dhe me rekomandimin e Andronika Kastriotit shërbeu damë shoqëruese e mbretëreshës Xhiovana III e Napolit. [G. Musachi, Breve memorie, pp 282-532]Pasi zbarkoi në Pulja, Gjon Muzaka i deklaruar i çfronësuar nga titulli Dhespoti i Epirit dhe kushëriri i Gjergj Kastriotit, u vendos në qytetin Mesagne (Mezanje) në trojet e Otrantos e më pas kaloi në Provincën e Brindizit. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 16]Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit dhe shuarjes të rezistencës antiturke në vitin 1478, nga fundi i shekullit XV deri në shekullin XVIII, emigruan shumë familje fisnike arbërore, të shoqëruar nga masa të gjera popullore, të organizuar në tetë eksode masive, që çuan në largimin e mbi 300 000 arbërorëve, që u vendosën në Pulja, Kalabri, Siçili, Napoli, Venecia, Roma, Toskana dhe në veri të Italisë, ku u formuan komunitetet e shumta albanezo-italiane, të mirënjohurit arbereshët. Në historinë e komuniteteve arbërore në Itali, krahas Kastriotëve, Arianiti, Balsha, Granai, shquhen dhe Muzakët me vend nderi, madje pasardhësit e tyre u vendosën në shumë komuna dhe qytete të Mbretërisë së Napolit, madje dhe në veri të Italisë, si dëshmon F. Paci, i cili tregon për praninë e fisnikëve Muzaka në qytetin e Parmës. [F. Paci. Teatro della Nobiltà d’Europa, p. 139]Praninë e familjes Muzaka në Pulja, konfirmohet dhe nga nja letër e vitit 1517 e mbretëreshës Xhiovana III dërguar Bashkësisë të Mesagno, ku përmend fisnikët Muzaka, si dhe nga ekzistenca në fasadat e disa pallateve dhe të disa kishave të kësaj komune, të stemës heraldike të Muzakëve. [Profilo Antonio, Vie piazze, vichi e corti di Mesagne, Schena Editore, 1993 p. 229 – 249].Ndërsa Gjon Muzaka me familjen e tij emigroi në Mbretërinë e Napolit, Muzakët e tjerë që mbetën në Arbëri u konvertuan në fenë islame, kaluan në shërbim të Perandorisë Osmane, ku arrijtën të fitonin tituj dhe detyra të rëndësishme në adminsitratën turke. Megjithatë, vlen të theksohet se një pjesë e tyre u martuan me vajza të krishtera brenda fisit të Muzakëve, por fëmijët e tyre morën emëra myslymanë.Gjon Muzaka, në kujtimet e tij tregon dhe për pjestarë të familjeve Muzaka që u islamizuan.– Gjini, i biri i Bogdan Muzakës përqafoi fenë islame dhe i biri i tij Sinanbeu u martua me Yela Arianiti e bija e Suina dhe Muzak Arianiti Komnena. Yela ishte e martuar me Nikolla Dukagjinin dhe pasi i vdiq burri, u martua me Sinanbeun, që ishte i biri i Bogdan Muzakës, i konvertuar në fenë islame.– Andrea, i biri i Gjini II Muzaka (i dënuar me vdekje nga Sulltan Mehmeti II) u islamizua dhe si shpërblim e emëruan Zoti i Gorës.– Kirana e bija e Andrea Muzaka (i verbëri), u martua me Hajdarbeun, Sanxhakbeu i Smirna dhe kishin një djalë i quajtur Kazanbeu.– I biri i Pietro Bogdan Muzakës u islamizua me emërin Hasan dhe e emëruan Pasha në Rumani. Hasan Pasha vdiq gjatë luftimeve kundër Sufistëve në Persi në vitin 1514.– Vëllai i Pal Muzakës, i quajtur Karagunsbegla kishte dy djem Kazanbegu dhe Abarbeu, të cilët shkuan të jetonin në Turqi.– Gjon Muzaka thekson se gjyshi im Andrea kishte dy motra Helena dhe Kondisa. Helena ishte martuar me Aidin Klopes zoti i Vresda dhe kishin dy djemë Agibeun dhe Kasanbeun dhe një vajzë Despina e martuar me turkun Alibeu, që ishte sanxhakbeu i Ciorno. Agibeu kishte djalë Aidin dhe një djalë të jashtligjshëm Agubeu.Kazanbeu kishte katër djemë Andribeu, Klerbeu, Alibeu dhe Muratbeu. [G. Musachi, breve memorie, pp 273-277-282-314]

    Vijon …