Murtaja e Zezë me të drejtë mbetet epidemia më e njohur e historisë. Por në Europën mesjetare dhe të Rilindjes u përhap edhe një sëmundje shumë më e çuditshme: murtaja e kërcimit, e njohur edhe si koreomania.
Ajo përfshinte grupe të mëdha njerëzish që vallëzonin për orë ose ditë të tëra në mënyrë të çrregullt dhe të furishme, pa qenë në gjendje të kontrollonin lëvizjet apo të ndalonin, derisa rrëzoheshin nga lodhja, madje disa edhe vdisnin. Grupet rriteshin deri në qindra persona, ndërsa sëmundja dukej sikur ishte ngjitëse. Dhjetëra raste të tilla janë regjistruar në botë nga shekulli i 7-të deri në shekullin e 19-të, me kulmin në Europë mes shekujve 14 dhe 17.
“Pamja e koreomanisë është diçka që është e vështirë ta imagjinosh sot,” thotë Kathryn Dickason, studiuese e kërcimit mesjetar. “Ajo që i hutonte klerikët atëherë dhe që ende i mahnit lexuesit sot, është fakti se u prekën shumë njerëz; ndoshta ishte vërtet ngjitëse. Vetë përmasa kolektive e saj e bënte një spektakël,” shpjegon ajo.
Rasti më i njohur i murtajës së kërcimit është ai i qytetit të vogël të Strasburgut, në Alsasë, në Perandorinë e Shenjtë Romane (sot Francë), në mesin e viteve 1500. Për këtë ngjarje kemi edhe më shumë të dhëna, pasi kanë mbijetuar disa dëshmi të kohës.
Ja historia e këtij fenomeni të frikshëm dhe teoritë kryesore pse një qytet i tërë vallëzoi deri në vdekje.
Çfarë ishte murtaja e kërcimit?
Me 14 korrik 1518, në Strasburg, në një rrugë të ngushtë me kalldrëm përpara shtëpisë së saj, Frau Troffea u kap papritur nga lëvizje të dhunshme dhe filloi të vallëzonte pa kontroll gjatë gjithë ditës, derisa u rrëzua nga lodhja. Burri i saj i lutej të ndalonte, por të nesërmen ajo vazhdoi të vallëzonte, edhe pse këmbët i ishin ënjtur dhe i rridhnin gjak. Brenda një jave, më shumë se 30 njerëz iu bashkuan.
Brenda një muaji, turma u rrit në rreth 400 persona. Disa kronika tregojnë se çdo ditë disa valltarë vdisnin nga infarkti, lodhja ose uria. Në shtator 1518, këshilli i qytetit i dërgoi valltarët në faltoren e Shën Vitusit për shërim hyjnor dhe, sipas burimeve, ata u shëruan.
Ngjarja bëri bujë të madhe në kohën e vet, u përshkrua në gjashtë kronika dhe u pasqyrua edhe në art, si në gravura. Më vonë, piktori holandez Pieter Brueghel II e paraqiti këtë mani në pikturën e tij të vitit 1592, “Valltarët e Shën Gjonit në Molenbeek”.
Ajo që e bën Strasburgun veçanërisht tërheqës është sasia e madhe e detajeve, thuajse si në një film horror me suspans. “Ka shumë hollësi intriguese. Kemi emra, dimë që burri i saj nuk u prek, njerëz që bashkohen e vallëzojnë derisa u del gjak nga këmbët. Është shumë dramatike,” thotë Dickason. Por elementi më i çuditshëm është se, pavarësisht gjithë këtyre detajeve, ende nuk dimë pse ndodhi.
Çfarë e shkaktoi murtajën e kërcimit të vitit 1518?
Në atë kohë, ngjarja në Strasburg dhe të tjera si ajo shiheshin si me origjinë mbinatyrore, për shkak të bindjeve të forta fetare dhe supersticioze. Mendohej se ishte një mallkim nga shenjtorë të zemëruar, pushtim nga demonë ose ndëshkim hyjnor për mëkatet.
“Trajtimi i kërcimit të pandërprerë i përkiste vetëm kishës,” shpjegon Lynneth Miller Renberg, profesoreshë e historisë.
Studiuesit modernë kanë propozuar shumë teori, por asnjë nuk është përfundimtare. A mund të ketë qenë helmim nga kërpudhat në ushqim? Apo epidemi encefaliti, epilepsie apo tifoje? Edhe pse këto sëmundje mund të shkaktojnë lëvizje të çrregullta, asnjëra nuk shkakton kërcim të pakontrolluar.
Në vitet 1950, farmakologu suedez Eugene Louis Backman sugjeroi se fajtor mund të ishte një kërpudhë haluçinogjene e quajtur ergot, e cila kishte helmuar të korrat. Ai tha se përmbytjet e shpeshta në atë zonë favorizonin përhapjen e ergotit në drithëra. “Ergoti në thekër shkakton haluçinacione, shqetësim, shikim me ngjyra të forta dhe ndjeshmëri të shtuar ndaj ndikimeve të jashtme, si ritmi, i cili nxit kërcimin,” shpjegon Dickason.
Por thekra nuk ishte ushqim bazë në të gjitha zonat ku janë regjistruar raste koreomanie, thotë historiani i mjekësisë John Waller. Një problem tjetër është se nuk ka dëshmi për nxirje të gjymtyrëve nga gangrena, një shenjë tipike e helmimit nga ergoti.
Deri tani, teoria më bindëse është ajo e histerisë masive, e hedhur në vitet 1980. Dickason thotë se kjo histeri kolektive u formua si pasojë e tronditjeve të mëdha shoqërore, ndërsa Renberg thekson rolin e sjelljeve fetare rituale.
Murtaja e kërcimit e vitit 1518 ndodhi pas një vargu fatkeqësish për banorët e Strasburgut: përmbytje, temperatura ekstreme, murtaja, madje edhe “shenja qiellore ogurzeza”, si kometa e vitit 1492, që nxitën frikë apokaliptike dhe trazira. Tre vite urie para 1518-ës çuan në kryengritje fshatarësh dhe shumë vdekje nga kequshqyerja. Kërcimi nisi në mes të korrikut, gjatë një vere jashtëzakonisht të nxehtë.
“Kjo ishte një periudhë me shumë ndryshime: ngritja e shtresës së mesme, rebelime fshatarësh, uri, përmbytje, përhapja e shkencës, përndjekje për magji, murtaja e zezë,” shpjegon Dickason. Ajo e sheh koreomaninë si një mënyrë kolektive për të përballuar dhimbjen dhe kaosin. “Trupi i njeriut mbart brenda vetes dhimbjen dhe traumën e tronditjeve. Dhe nëse nuk përballesh plotësisht me to, ato shfaqen jashtë, në mënyra të çuditshme,” përfundon ajo.
Dickason shpjegon se në këto raste të koreomanisë ka shumë gjasa që të kenë ndikuar edhe faktorë gjinorë dhe shoqërorë, sidomos në rastet më të vona si ai i vitit 1518. Gjatë kësaj periudhe, në gjuetinë e shtrigave akuzoheshin kryesisht gratë fshatare; dhe jo rastësisht, ato shfaqen më shpesh edhe si viktima në këto raste të vona të koreomanisë.
A duhet të vazhdojmë të kërkojmë një shpjegim?
Këto episode të koreomanisë na tërheqin ende sot, sepse janë njëkohësisht të njohura dhe të çuditshme. Por ka shumë gjëra që mund t’i humbasim nëse i studiojmë vetëm me syrin e shkencës moderne. Renberg thotë se ka rrezik kur përqendrohemi vetëm te shkaku.
“Ne përqendrohemi aq shumë te pyetja se si ndodhi koreomania, saqë shpesh neglizhojmë pyetjen shumë më interesante: çfarë kuptimi kishte ajo për njerëzit e asaj kohe,” thotë Renberg. “Pse ata që i regjistruan këto ngjarje theksuan pikërisht ato gjëra që theksuan, dhe çfarë na tregon kjo për mënyrën si ata mendonin dhe për atë që e konsideronin të rëndësishme?”
Sipas Renbergut, këto pyetje na ndihmojnë të mos i shohim këto dukuri thjesht si ngjarje të çuditshme, por t’i kuptojmë me më shumë ndjeshmëri dhe mirëkuptim. Në kohën kur ndodhën këto “epidemi”, njerëzit kishin bindje, praktika kulturore dhe mënyra të të menduarit shumë të ndryshme nga tonat sot, shton Dickason.
“Nëse dikush i qaset koreomanisë vetëm nga këndvështrimi mjekësor, humbet shumë nga këto ndikime të rëndësishme kulturore,” thotë ajo. “Është shumë e rëndësishme që këta valltarë të vendosen në kontekstin e tyre kulturor dhe fetar, sepse pa këtë, fenomeni nuk kuptohet plotësisht.”
Sipas Renbergut, koreomania është një dukuri “e mbërthyer mes ideologjisë mesjetare dhe asaj moderne dhe e trajtuar sipas dy sistemeve shumë të ndryshme besimi”.









