Alfred Muharremi
TIRANË-Alfred Muharremi, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka ndarë për publikun historinë e trishtë personale, ku ka rrëfyer sesi u braktis nga nëna për shkak të një keqkuptimi dhe tregoi takimin e parë me babain e tij. Ai rrëfen se i ati ishte i detyruar të largohej për në Greqi për të marrë vizën amerikane, por pa mjete komunikimi, nëna e tij mendoi se babai po e braktiste dhe ky keqkuptim solli në braktisjen e zyrtarit të Partisë Socialiste.
“Babai im ishte i detyruar të largohej për në Greqi për të marrë vizën amerikane, pasi nuk ishte konsull. Kjo periudhë tranzitore zgjati rreth gjashtë muaj. Gjatë kohës që ai mungonte, marrëdhënia me mamain tim, e cila nuk ishte e martuar me të, u ndërlikua. Pa mjete komunikimi, nëna mendoi se babai po e braktiste, filloi një histori tjetër dhe kështu ndodhi keqkuptimi që më solli mua në situatën e braktisjes”, rrëfeu Muharremi në emisionin “Off the Record” në A2 CNN.
Muharremi kujtoi edhe takimin e parë me të atin, përvojat e tij të vështira gjatë adoleshencës, duke përfshirë dhunën fizike dhe psikologjike, si dhe vështirësitë ekonomike.
“Babai erdhi bashkë me dy vëllezërit e mi. Nuk e dija nga po vinte. Ishte një moment shumë domethënës, sepse instinktivisht e kuptova që ai ishte babai im. Djali im, Arvi, shkoi drejt tij instiktivisht. Takimi ishte shumë emocionues. Gjatë muajit pasues, u takuam shpesh, edhe pse ndihesha sikur isha në një fushatë, duke takuar njerëz. Por babai më priti shumë mirë. Tirana ka qenë një tmerr për mua. Kam përjetuar abuzime verbale, fizike dhe diskriminim në shoqëri. Kur isha jashtë dyerve të fshatit SOS, duhej të përballoja jetën i vetëm. Institucionet nuk ofronin asnjë mbështetje reale. Merim një pagesë prej 3 000 lekësh dhe duhej të ndiqnim shkollën dhe të punonim. Unë kam punuar deri në orën 1:00 të natës si kamarier dhe në mëngjes para orës 3:00 paraqitesha sërish në punë. Nuk kisha luksin më të vogël; p.sh. dy palë xhinse në vit nuk ishin të mundura, vetëm një palë xhinse dhe një palë atlete. Mësimet që të jep dhimbja nuk t’i jep askush tjetër. Ato janë kthyer në model dhe përpiqem t’i tregoj shoqërisë se nuk jemi viktima. Ne meritojmë kushte të barabarta dhe mund të kontribuojmë në çdo komunitet”, theksoi Muharremi.









