Tag: muçaj

  • “Besa Agro Invest” e Bajram Muçaj, 3 mln euro “gropë”, shpall falimentin

    “Besa Agro Invest” e Bajram Muçaj, 3 mln euro “gropë”, shpall falimentin

    Në vitin 2014, shoqëria e mikro-kredive “Fondi Besa”, në pronësi të sipërmarrësit Bajram Muçaj, synoi zgjerimin në tregun shqiptare, duke krijuar një kompani bijë “Besa Agro Invest”, me qëllim investime në fushën bujqësore.
    Me një kapital rreth 5 milionë euro, “Besa Agro Invest” e Muçajt shpresonte që të rriste portofolin financiar. Por, pa mbushur një dekadë nga nisja e aktivitetit, subjekti tregtar u gjend në kushte të vështira financiare. Në vitin 2023, aksioneri kryesor, “Fondi Besa”, tashmë me emrin e ndryshuar “Albania Besa Capital-ABC”, kërkon falimentin e shoqërisë “bijë”.
    Në foto: Presidenti i “Fondi Besa”, Bajram Muçaj
    Procedurat për shpalljen e falimentit kanë nisur në vitin 2023, ku shoqëria e Bajram Muçaj dorëzoi kërkesën përkatëse pranë Gjykatës së Tiranës.
    Gjyqtarja Antonela Prendi, me vendimin e datës 4 Mars 2024, urdhëroi nisjen e procedurës për shpalljen e falimentit të “Besa Agro Invest”.

    Sipas dokumentave të siguruar, rezulton se shoqëria bujqësore e Bajram Muçaj ka detyrime rreth 3 milionë euro dhe paaftësi paguese për shlyerjen e tyre.

    Dështimi i “Besa Agro Invest”
    Kapitali i shoqërisë “Besa Agro Invest” është 485.000.000 lekë të reja. Ortaku i vetëm shoqërise “Besa Agro Invest” sh.p.k është fondacioni “Albanian Besa Capital”, i cili zotëron 100% të kuotave.
    Shoqëria “Besa Agro Invest” sh.p.k, në pozicionin e subjektit debitor i është drejtuar gjykatës për hapjen e procedurave të falimentimit.
    Para gjykatës, subjekti “Besa Agro Invest” parashtroi se “…vitet e fundit, shoqëria është përballur me vështirësi financiare, të shkaktuara nga përkeqësimi i situatës së likuiditeteve, si pasojë e rënies së shitjeve”.
    Në foto: Pjesë nga vendimi i gjykatës për shpalljen e falimentit për “Besa Agro Invest”
    Referuar raportit të paaftësisë paguese “rezulton se shuma e detyrimeve që shoqëria ka ndaj të tretëve është 288.967.508 lekë të reja”. Sipas planit të shpërndarjes, këto borxhe përbëhen nga; (1) detyrimi ndaj Bashkise Krujë 5.016.878 lekë të reja; (2) detyrimi ndaj Ministrisë së Bujqësise dhe Zhvillimit Rural, 281.055.127 lekë të reja; dhe (3) detyrimi ndaj furnitorëve 2. 895.503 lekë të reja.
    “Besa Agro Invest” ka paraqitur në gjykatën e Tiranës se “shoqëria ka detyrime të maturuara dhe paaftësi paguese, fakt që dikton nevojën e likujdimit të pasurive dhe shpërndarjes së të ardhurave, nëpërmjet procedures së falimentimit”.
    Pikëpyetjet mbi falimentin
    Procedurat e falimentit, në përgjithësi, janë shoqëruar me dyshimin mbi riskun e mashtrimit apo veprime fiktive, në dëm të kreditorëve. Për këtë arsye, ligji i vitit 2016 “Për falimentin” përshkohet nga fryma e dyshimit dhe kërkon që autoritetet përkatëse të mbajnë në vëmendje interesin më të lartë të borxhlinjve, pra, të atyre që mund të dalin të humbur financiarisht nga falimentimi i një subjekti tregtar.
    Në foto: Selia e “Fond Besa”, aksionere e “Besa Agro Invest”
    Këto parime ligjore janë përmendur edhe në vendimin e Gjykatës së Tiranës për nisjen e procedurave të falimentit për “Besa Agro Invest”.
    Gjyqtarja Prendi thekson në vendimin e marsit 2024 se “…kjo procedurë (falimenti) synon të shlyej në mënyrë kolektive detyrimet e debitorit përmes shpërndarjes së të ardhurave që mund të sigurohen nga shitja e pasurive të tij ose arritjes së një marrëveshje për riorganizimin e aktivitetit”.
    /Bodlnews.al/

  • Kufizime të reja për makinat dhe kamionët, ja çfarë parashikon Kodi Rrugor i ri

    Kufizime të reja për makinat dhe kamionët, ja çfarë parashikon Kodi Rrugor i ri

    Kodi Rrugor do të pësojë ndryshime, në lidhje me përmasat apo peshën e automjeteve që lejohet të qarkullojnë në vendin tonë. Gjatë prezantimit në komisionet parlamentre, zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeljeda Muçaj tha se ndryshimet synojnë përmbushjen dhe përputhshmërinë me Direktivat e Bashkimit Evropian.
    Muçaj foli edhe për kostot që mund të lindin nga detyrimet e reja për biznesin, duke i konsideruar si kosto legjitime.
    Aktualisht, Kodi Rrugor shqiptar përcakton se çdo mjet rrugor, duke përfshirë edhe ngarkesën e tij, duhet të ketë: gjerësi maksimale jo më të madhe se 2.55 m, lartësi maksimale jo më të madhe se 4 m dhe 4.3 m për autobusët dhe trolejbuset e destinuar për linjat e shërbimeve publike, si dhe gjatësi 7.50 – 12 m sipas numrit të akseve të mjetit. Kodi vendos kufizim edhe për rimorkiot, si dhe për peshën që duhet të ketë çdo mjet transporti. Ndërkaq, sipas ndryshimeve kufizimet hiqen nga Kodi Rrugor dhe përcaktohen me vendim qeverie, qe do të duhet të dalë menjëherë pas miratimit të Kodit të ri. Kjo bëhet për arsye se, përmasat gabaritë të automjeteve janë subjekt përditësimi të vazhdueshëm i direktivës evropiane dhe se këto përditësime do të bëheshin më mirë përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave. Ndryshimet e propozuara nuk prekin mjetet jashtë norme dhe transportet në kushte jonormale.

  • U zhvillua një takim me shkrimtarin shqiptar, Dine Dine- i burgosur politik/ Përkujtohet edhe Teki Dervishi

    U zhvillua një takim me shkrimtarin shqiptar, Dine Dine- i burgosur politik/ Përkujtohet edhe Teki Dervishi

    Nga Afrim Demiri

    Së fundi në Muzen e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit , në organizim të Shoqatës Molla e kuqe, një lexim skenik i ka bë bashkë dy shkrimtarë shqiptarë. Mbase ata nuk janë njohur ndër veti, por kanë pasë një fat të njejtë; që të dy si miturakë kanë vuajtur nëpër burgje të komunizmit! Dine Dine, nga Maqellara e Dibrës, vuajti në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës, kurse Teki Dërvishi nga Gjakova, vuajti në Goli Otokun e Titos!Aktori Afrim Muçaj, e hapi mbrëmjen e takimit me shkrimtarin Dine Dine duke lexuar fragmente nga romani i tij “Mbi varkën e Karontit”. Derisa Muçaj sillte atmosferën e hetuesisë ndaj Dines, shkrimtari Dine i ulur përballë tij emocionohej.” – Hë pse nuk përgjigjesh, përse hesht? S’po kuptoj asgjë, – i thash. – Sepse pikë së pari, ju që më keni thirrur këtu dhe po bëni hetuesin tim, duhet të keni mësuar se qysh prej moshës pesë vjeç e kam filluar karvanin e vuajtjeve dhe vazhdoj ta vuaj në këto çaste që po më pyesni ju. Jam 36 vjeç dhe nga ajo moshë e deri më sot, kurrë s`kam qenë as ta shoh dhe as ta njoh vendlindjen time… ndërsa ti me pyet se kë njoh në Bllatë, kur unë për fat të keq as e di nga i bie kjo Bllata”, deklamonte Muçaj tekstin e Dines.Dine Dine është bërë i njohur, në letrat shqipe me veprat e tij autobiografike, pikërisht me rrëfimet e tij nga burgu.“Mbi varkën e Karontit” është romani memuaristik që shpalosë mbijetesën e autorit dhe rrugën e kalvarit të gjatë çnjerëzor, gjatë pesë dekadat të diktaturës komuniste. Kalvari i autorit Dine nis në moshën 6 vjeçare me internimin familjar në burgun famëkeq të Kështjellës së Ali Pashës në Porto Palermo, për të vazhduar më pas me sprovën e kampit të vdekjes në Tepelenë. Më vonë, ai përballet me një varg kampesh internimi, deri me arrestimin dhe gjyqin që e dënoi 10 vjet me privim lirie, që e vuan në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Ky libër autobiografik përfshin proceset e montuara të dënimeve politike në Shqipëri, arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin e autorit.I ftuar enkas për këtë mbrëme 𝐃𝐢𝐧𝐞 𝐃𝐢𝐧𝐞 iu drejtua të pranishmëve me pak fjalë. ” Jam i prekur me nderin që ma bëtë, unë shkruaj thjeshtë atë që kam përjetuar, po më vjen mirë që lexuesit po e pëlqejnë artin tim, nuk kam filluar të shkruaj që të bëhem shkrimtar, por që të ruhet kujtesa për rrugën që kemi kaluar”, u shpreh ai.

    Varka e Karontit rikthehej në burg, por tash Dine ishte i mbijetuari që sfidonte vdekjen. Përpos këtij romani Dine ka shkruar edhe veprat “Alida”, “Gjykimi i Shopenhauerit” si dhe “Kujtime nga Spaçi”.Asgjë më mirë se teksti nga romani “Palimpsest për Dush Kusarin” nuk do ta plotësonte atmosferën e mbrëmjes ku arti sfidonte totalitarizmin e kuq.Lexim skenik dhe performanca muzikore me 𝐀𝐫𝐛𝐞𝐧 𝐁𝐚𝐣𝐫𝐚𝐤𝐭𝐚𝐫𝐚𝐣 dhe 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐚 𝐑𝐮𝐤𝐚𝐣 sollën refuzimin estetik të Dervishit, mosdëgjueshmërinë e tij ndaj diktatit, reagimin e tij ndaj cenzurës.“Biruca pa dritare, ditë e natë, drita e verdhë e diskut, ditë nuk ka, natë nuk ka, orë nuk ka, kohë nuk ka. Për çka nuk ke kohë ? Ç’sy qenkan ata që shohin vetëm dritë dielli, dritë elektrike, dritë pishe? Cila dritë i hap shteg udhës time?”, kumbonte hapësira e shëtitores së Burgut nga deklamimet e Bajraktarit dhe timbri i zërit të Rukajt. Ky projekt është i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me qëllim të funksionalizimit të Burgut idealit.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    TEKI DËRVISHI, RRUGËTIMI I UDHËSIT

  • BE investon 60 mln € në hekurudhën shqiptare, ja cili segment pritet të rinovohet

    BE investon 60 mln € në hekurudhën shqiptare, ja cili segment pritet të rinovohet

    Komisioni i Ligjeve miratoi marrëveshjen për një grant në vlerën rreth 60.5 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë. Detajet e këtij projekti u dhanë në komision nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.
    “Faza e parë në Shqipëri është një projekt shumë i rëndësishëm. Vjen në kuadër pikërisht të rehabilitimit të linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë. Marrëveshja  parashikon një mbështetje të ardhur nga Komisioni Evropian me një grant i cili shkon më shumë se 50% të investimit në rastin konkret. Pra bëhet fjalë për një investim në total prej 120 milion euro. Por 60 453 160 euro vjen në formën e grantit e cila ndërkohë përcakton një mbështetje për korridorin tetë që do të lidhë pikërisht Italinë me bregun lindor të themi të Bullgarisë dhe pikërisht me detin e Zi”, tha Muçaj.
    Zëvendësministrja sqaroi se pritet që puna për rehabilitimin e kësaj linje me gjatësi 34 kilometra, të nisë në 2027-ën, dhe synohet që brenda 2028-ës të nisin udhëtimet me tren elektrik.
    “Në fakt tashmë jemi në fazën e prokurimit edhe për mbikëqyrësin e punimeve dhe në fillim të vitit 2027 fillon të themi procedura përsa i përket pjesës së ndërtimit. Brenda vitit 2028 ne mendojmë që të kemi zbatim të plotë të këtij projekti. Nuk bëhet fjalë për një linjë të re por bëhet fjalë për modernizim të saj. Do jetë absolutisht elektrike si Tiranë-Durrës-Rinas dhe kjo dhe Vorë-Hani i Hotit do jetë periudhë do jetë elektrike. Jemi duke rehabilituar diçka ekzistuese, modernizuar sipas standardeve më të mira të ndërlidhshmërisë”, tha Muçaj.
    Duke i konsideruar hekurudhat, rrjete të rëndësisë kombëtare Muçaj tha se të tjera projekte do të nisen në këtë fushë, që nuk do të shërbejnë vetëm për transport udhëtarësh e mallrash, por edhe për qëllime ushtarake.
    “Rrjeti hekurudhor shqiptar do rehabilitohet, madje do ndërtohen dhe linja të tjera. Për çfarë? Pikërisht për t’i dhënë një mundësi axhendës së gjelbër dhe të transportit të cilat i japin mundësinë një transporti me kosto sa më të ulët edhe për mjedisin. Nuk po flasim vetëm për udhëtarët, por po flasim dhe për mallrat dhe nuk po flasim edhe vetëm për këtë, por po flasim dhe për qëllime të sigurisë kombëtare”, tha ajo.
    Linja aktuale Durrës-Rrogozhinë është e amortizuar dhe për shkak të gjendjes së saj shpejtësia maksimale është 30 km/h, ndërsa me rehabilitimin e saj shpejtësia do të jetë 120 km/h. Kostoja totale e projektit, arri në 120.5 milionë euro, ku përveç pjesës së grantit do të merret nga hua 30 milionë euro nga BEI dhe 30 milionë euro nga BERZH.

  • Shkelja e sigurisë në punë, Muçaj: 883 masa më shumë se në 2024-n, në 7 muaj 35 milionë lekë gjoba

    Shkelja e sigurisë në punë, Muçaj: 883 masa më shumë se në 2024-n, në 7 muaj 35 milionë lekë gjoba

    Nga janari deri në muajin korrik 2025, Inspektorati i Punës ka kryer rreth 5.500 inspektime, ku në 50 për qind të rasteve janë konstatuar shkelje sa i përket mosrespektimit të Kodit të Punës dhe Sigurisë.

    Nga shifrat rezulton se për 7-mujorin e parë të 2025-ës janë marrë rreth 900 masa administrative më shumë po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    “Në këtë periudhë janë realizuar 5.500 inspektime në total dhe janë marrë rreth 2.800 masa. Pra, 50% e inspektimeve të realizuara janë shoqëruar me një masë administrative. Këtu përfshihen pezullimet, paralajmërimet dhe gjobat”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj.

    Gjatë kontrolleve janë vendosur mbi 130 gjoba që kapin vlerën e 35 milionë lekëve. Pjesa më e madhe e shkeljeve kanë qenë të lidhura me zbatimin e legjislacionit të Kodit të Punës.

    “Gjatë këtij 7-mujori, në vlerë absolute, Inspektorati i Punës ka vendosur një masë gjobash në vlerën 35 milionë lekë të rinj, e cila në numër është diku te 10-15% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Pjesa më e madhe e shkeljeve është e lidhur me informalitetin gri. Këtu baza është më e gjerë, ku do listoja mungesën e një kontrate pune, orët e zgjatura të punës, puna në ditët e pushimit, mospagesa e plotë e pagës ose paga e nëndeklaruar”, tha kryeinspektori Muçaj.

    Inspektorati i Punës ka intensifikuar kontrollet më së shumti tek subjektet që rezultojnë të jenë më problematike, si ndërtimi apo turizmi.