Tag: mozaiku

  • “Dielli i Ditës Tjetër” nxit reagime…Me kokën e “qethur”, pse “u transformua” vajza me pushkë e mozaikut në Tiranë?

    “Dielli i Ditës Tjetër” nxit reagime…Me kokën e “qethur”, pse “u transformua” vajza me pushkë e mozaikut në Tiranë?

    si i ishte mozaiku-isntalacioni

    TIRANË- Instalacioni artistik “Dielli i Ditës Tjetër” krijuar nga artistja Blerta Kambo, ka ngjallur valë reagimesh në rrjet. Në zemër të Tiranës, në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, Blerta Kambo ka sjellë ndërhyrjen artistike “Dielli i Ditës Tjetër”, ku në qendër qëndron gruaja me xhubletë, brezin me shqiponjën e Skënderbeut, e cila ngre duart lart, fitimtare, si metaforë e Shqipërisë që ecën përpara. 
    Por, pamja e vajzës me pushkë, një nga figurat më të njohura të veprës, shfaqet me pamje të ndryshuar. Siç shihet edhe në foton e mëposhtme, në pamjen e re, ajo me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë. Një ndryshim që ka ndezur reagime të ashpra dhe keinterpretime në rrjet, me disa, të cilët e kanë interpretuar me konotacione të reja simbolike, deri në referenca ndaj estetikave të komunitetit LGBTQ.

    pamja origjinale dhe ajo e ndryshuar

    Reagime të shumta kanë shpërthyer nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë ndryshimin që ka pësuar Muzeu Historik Kombëtar. Gazetari Arsen Rusta ka shprehur kundërshtinë e tij, ku me nota ironie dhe kritika të ashpra, shigjeton drejtpërdrejt Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sporti, Blendi Gonxhja. 
    “MOZAIKUN E KAP KANCERI I GJIRITëTFFONDE OJF PROVOKIME E BLA BLATë qethësh qeros një grua e ta shesës si ART ndërgjegjësuesBravo PO PSE U DESH: Mbi 2 vite a 3 restaurime mitik fshehur nën petkun e BE-së e bla bla”Për të qethur qeros një Grua në Mozaik”Po ça është Mozaiku more që e kapka Kanceri i GJIRIT atëher me kauzat që medemek e krahason z.Gonxhei heqim Skëndërbeut, Helmetën Shpatën edhe Kalin po të doni dhe …….Tani na tregoni sa kushtoi e qeshura se ndoshta edhe duhet depiluar MOZAIKUo z.Gonxhe por është tetori muaji i depistimi jo nëntori siç po na shisni Mozaikun pa flokë”, shkruan gazetari.

    Ndërkohë që më herët, vetë ministri Gonxhja kishte publlikuar pamjet e ndërhyrjes artistike, me të cilat sipas tij, Muzeu Historik Kombëtar ka marrë një dimension të ri. 
    “Fasada e Muzeut Historik Kombëtar ka marrë një dimension të ri përmes ndërhyrjes artistike “Dielli i Ditës Tjetër” të artistes Blerta Kambo, e cila lidh trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor në një mesazh solidariteti, guximi dhe shprese. Mozaiku monumental “Shqipëria” bëhet hapësira ku historia dhe arti bashkëkohor ndërthuren, ndërsa figura ikonike e gruas me xhubletë rikontekstualizohet me një gjest të fuqishëm simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit. E realizuar me të njëjtën mjeshtëri mozaiku dhe e vendosur përkohësisht pa prekur strukturën origjinale, vepra shërben si një thirrje e qartë për ndërgjegjësim dhe humanizëm, një dedikim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me këtë sëmundje.”, shkruan ministri Gonxhja.

    “Dielli i Ditës Tjetër” është realizuar nga artistja në kuadër të fushatës së 17-të të YëCA, organizata nismëtare e luftës kundër kancerit të gjirit në Shqipëri. Pamje e re e gruas heroike, pa flokë dhe me shenjë gjoks, vjen si një dedikim për gratë që diagnostikohen me kancerin e gjirit.
    Në kuadër të diskutimeve që kanë shpërthyer, artisja ka bërë një reagim në rrjetet e saj sociale, ku sqaron publikun. Blerta Kambo sqaron se “Instalacioni nuk prek dhe dëmton mozaikun artistik. Ai është vendosur mbi mozaik, në një distancë rreth 10 cm nga sipërfaqja, si një shtresë e përkohshme simbolike pa asnjë ndërhyrje fizike në monument. Instalacioni është i përkohshëm dhe do të qëndrojë vetëm për 12 ditë, në nder të 1 në 12 grave të diagnostikuara me kancer gjiri. Vepra nuk ka lidhje me agjenda politike, ideologjke apo sociale. Vepra i dedikohet grave shqiptare që përballen me kancerin e gjirit, Ky instalacion është një homazh për forcën, dhimbjen dhe shpresën e tyre.”
    Ndërhyrja artistike, e cila vlen të theksohet se është e përkohshme, do të qëndrojë për 12 ditë në zemër të Tiranës./ZËRI

  • Bukuroshja e Durrësit, historia e mozaikut më të famshëm në Shqipëri

    Bukuroshja e Durrësit, historia e mozaikut më të famshëm në Shqipëri

    Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” u zbulua në vitin 1918 nga arkeologu austriak Kamilo Prashniker dhe daton në shekullin e katërt para Krishtit.

    Studiuesi i huaj ishte i pari që gjatë Luftës së Parë Botërore, në themelet e një shtëpie të vjetër në Durrës, zbuloi pamjen e mozaikut të lashtë.

    U desh përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, rreth vitit 1947, që vepra të pastrohej nga dherat që e kishin mbuluar për t’ju nënshtruar kujdesit maksimal që e solli në dokumentarët e Muzeut.

    Figura kryesore e mozaikut është një vajzë e re që harmonikisht qëndron e rrethuar nga lule të shumta. Mozaiku ka formë vezake dhe është rreth 9 m2. Kompozimi i veprës, të quajtur në mënyrë metaforike “Bukuroshja e Durrësit,” përmban gurë të vegjël me ngjyra të forta në të kuqe, të bardhë, të zezë, të kaltër e të portokalltë, transmeton ‘konica.al’.

    Studiuesit thonë se fytyra e vajzës në mozaik është në unitet me tërë zbukurimoren prej lulesh dhe komunikon nëpërmjet mjeshtërisë së artit edhe në ditët tona.

    Në përgjithësi, dyshemetë me mozaikë në Shqipëri janë elementë karakteristikë që hodhën rrënjë në shumë ndërtesa publike apo shtëpi private ndër shekuj.

    Sot ky mozaik gjendet në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    AKILI KUNDËR HEKTORIT, ZBULOHET MOZAIKU I ILIADËS

    Një vilë romake ende ruan një prej skenave që Homeri përshkruan tek ”Iliada”! Ndërtesa u gjet në arën e një fermeri në Britaninë e Madhe, sipas BBC mozaiku, zbuluar në Rutland, është cilësuar si shembulli i parë i këtij lloji në vend.

    Ai u zbulua nga djali i pronarit të tokës dhe u shqyrtua nga arkeologët nga Universiteti i Leicesterit. Zbukurimi është përshkruar si “një nga më të shquarit e më domethënësit” të gjetur ndonjëherë në Britaninë e Madhe.

    Mozaiku dhe kompleksi i vilave përreth, tanimë janë mbrojtur si një monument i planifikuar nga Departamenti i Digjitalit, Kulturës, Medies dhe Sporteve (DCMS)…

    TEKSTN E PLOTË E GJENI KËTU

  • Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit, që ka një kompozim të rrallë

    Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit, që ka një kompozim të rrallë

    Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin. Në materialin e parkut kombëtar të Butrintit thuhet se përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë. “Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin”, thuhet për mozaikun.Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.
    Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
    Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit në zbatim të programit të monitorimit dhe ruajtjes së mozaikëve në parkun kombëtar të Butrintit nisi këtë sezon me hapjen e mozaikut të Termeve romake pranë Teatrit dhe të Kthinës veriore të Gjimnazit. Mozaiku në Termen romake pranë Teatrit paraqet një dizajn gjeometrik bardh e zi, të rrethuar me një kornizë të kuqe. Mozaiku në Kthinën veriore të Gjimnazit paraqet një dizajn me nyjet e Solomonit, një simbol antik që përfaqëson lidhjen midis tokës dhe parajsës.

  • Mozaiku i Kishës Paleokristiane në Antigone, i hapur deri më 22 gusht

    Mozaiku i Kishës Paleokristiane në Antigone, i hapur deri më 22 gusht

    Parku Arkeologjik i Antigones, një nga sitet më të rëndësishme historike në jug të Shqipërisë, po mirëpret gjatë kësaj periudhe një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.

    Natyra përreth dhe historia e pasur e bëjnë këtë park arkeologjik një ndër pikat më të vizituara nga turistët gjatë udhëtimeve të tyre në luginën e Drinos.

    Mozaiku i Kishës Paleokristiane në “Parkun Arkeologjik Antigone” është një prej objekteve të kultit më të vizituara nga turistët që zgjidhin këtë sit arkeologjik.

    Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se ky mozaik është i hapur për të gjithë vizitorët deri më datën 22 gusht.

    Mozaiku i Kishës Paleokristiane gjendet në skajin jugor të qytetit antik Antigone, ku ndodhen rrënojat e një objekti kulti i tipit Bazilikë, që daton më shek. V – VI.

    Motivi i aplikuar në pjesën qendrore të mozaikut i cili formon një figurë antropomorfe, ka trajtën e një gruaje dhe për studiuesit interpretimi, është në favor të “Shën Kristoforit” Krishtmbartës.

    Antigonea është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit. Brenda mureve fortifikuese të shek. III, vendbanimi ka një sipërfaqe prej 45 ha, ndërsa territori i parkut arkeologjik është mbi 90 ha.

    Emrin qyteti e ka marrë nga Antigona, gruaja e parë e mbretit Pirro.

    Rritja e interesit të vizitorëve për këtë destinacion po i jep një impuls pozitiv zhvillimit të turizmit kulturor në jug të vendit./atsh/KultPlus.com

  • Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit

    Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit

    Parku Kombëtar i Butrintit publikoi në rrjetet sociale pamje nga Mozaiku i Pagëzimores. Publikimi i i pamjes së mozaikut, i cili mbart një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore vjen në kuadër të rubrikës “Të njohim Butrintin”.

    Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin.

    Përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë.

    Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin.

    Muajin e kaluar, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore njoftuan për hapjen dhe ruajtjen e dy mozaikëve: mozaiku i termeve romake pranë teatrit dhe mozaiku i galerisë në oborrin verior të gjimnazit. Këta mozaikë të rrallë qëndrojnë të hapur për publikun nga 22 korriku deri më 15 gusht./atsh/KultPlus.com

  • Siri, gjendet mozaiku i rrallë që paraqet luftën e Trojës

    Siri, gjendet mozaiku i rrallë që paraqet luftën e Trojës

    Një mozaik 120 metra katrorë i zbuluar në Siri portretizon skena nga lufta epike e Trojës me Greqinë, konfliktit legjendar i më shumë se 2000 viteve më parë, është më i “rralli” i gjetur ndonjëherë për shkak të gjendjes së shkëlqyer që ndodhet.

    Vepra e ndërtuar 1600 vite më parë është e zbukuruar me ushtarë me shpata dhe mburoja, bashkë me emrat e tyre si dhe portete të Amazonave të bukura e të forta që luftonin së bashku me ta. Amazonat ishin një racë femrash të bukura luftëtare në mitologjinë greke, të cilat shtriheshin në territorin e Ukrainës së sotme.

    Mozaiku u gjet së fundmi në Rastan, Sirinë veriore, distrikt që qeveria mundi ta merrte nga duart e rebelëve në vitin 2018 pas vitesh të tëra lufte, një vit pasi grupet e armatosura u përpoqën të shisnin copa të veprës duke e nxjerrë në platformat sociale.

    Arkeologët kanë nxjerrë vetëm 20 metra të mozaikut nga një ndërtesë që dikur mund të ketë qenë një banjë publike, por kërkimet vazhdojnë.

    Mozaiku është gjetja më e rëndësishme arkeologjike në Siri që prej fillimit të konfliktit në vend, rreth 11 vite më parë. Në secilin ndarje të tij ndodhen gurë të vegjël shumëngjyrësh në trajtë katrore, me madhësi rreth 1 cm./tvklan.al

  • Zbulimi i bujshëm arkeologjik në Siri

    Zbulimi i bujshëm arkeologjik në Siri

    Arkeologët kanë zbuluar një mozaik të madh të paprekur nga epoka romake në Siri, të cilin ata e përshkruajnë si zbulimin më të rëndësishëm arkeologjik në 10 vitet e fundit, raporton AP.

    Mozaiku prej 120 metrash katrorë u gjet në një ndërtesë të vjetër në qytetin Rastan, afër Homsit, gjatë hulumtimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Antikiteteve dhe Muzeve të Sirisë.

    Ndihmësdrejtori i gërmimeve dhe kërkimeve arkeologjike të drejtorisë, Humam Saad, tha se mozaiku përmban gjithashtu një skenë të rrallë mitologjike të lashtë romake të “luftëtareve gra amazone”.

    “Është një zbulim me rëndësi globale,” tha Saad. “Nuk mund të identifikojmë llojin e objektit, pra nëse ka qenë banjë publike apo diçka tjetër, sepse ende nuk e kemi përfunduar gërmimin”.

    Rebelët u përpoqën të shesin mozaikun

    Pikturat në mozaik, të pasura me detaje, përfaqësojnë gjithashtu skena nga lufta midis grekëve dhe trojanëve, një përshkrim i Neptunit, perëndisë së detit dhe 40 dashnoreve të tij.

    Në qytetin Rastan, pavarësisht rëndësisë së njohur historike, nuk ka pasur gërmime të rëndësishme për shkak të luftës në Siri.

    “Fatkeqësisht, grupet e armatosura u përpoqën të shesin mozaikun në vitin 2017”, tha Saad.

    Antikitetet siriane janë plaçkitur dhe shkatërruar sistematikisht gjatë dekadës së fundit, në luftën e vazhdueshme.

  • Mozaiku sensual, i vjedhur nga një oficer gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, kthehet në Pompei

    Mozaiku sensual, i vjedhur nga një oficer gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, kthehet në Pompei

    Një mozaik erotik, i vjedhur nga një kapiten nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, është kthyer në sitin antik të Pompeit.

    Mozaiku i vogël, që paraqet një burrë të shtrirë në një divan duke u shërbyer nga një grua me veshje të pakët, mund të ketë zbukuruar dyshemenë e një dhome gjumi në një vilë romake, tha Parku Arkeologjik i Pompeit në një deklaratë.

    Kur Pompei u shkatërrua nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit, ndërtesat, mijëra banorë dhe ky mozaik u mbuluan nga shtresa të hirit.

    Kjo mbulesë e ruajti në mënyrë të përkryer qytetin për më shumë se 1,600 vjet, duke e bërë atë një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në botë, pasi ofron një pamje të paçmueshme mbi jetën e përditshme romake.

    Pavarësisht se daton nga fundi i shekullit të 1 para Krishtit deri në shekullin e 1 pas Krishtit, mozaiku është ende me ngjyra të gjalla dhe të gjitha pllakat janë të paprekura, përcjellë KultPlus.

    Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë zona të Pompeit ishin tashmë zbuluar. Ky mozaik, sipas pjesëtarëve të parkut arkeologjik, u vodh nga një kapiten i Wehrmacht, që mbikqyrte zinxhirin ushtarak të furnizimit të Gjermanisë në Itali gjatë luftës.

    Ai ia dhuroi atë një qytetari gjerman pa emër, të cilit trashëgimtarët i kontaktuan policinë italiane duke pyetur se si mund ta kthenin.

    Një njësi specialiste e policisë italiane, përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit, më pas investigoi prejardhjen e mozaikut, duke e lidhur tentativisht atë me zonën e shkatërruar nga Vezuvio, megjithëse mungonin disa informacione mbi zbulimin e tij.

    “Çdo artefakt i plaçkitur që kthehet është një plagë që shërohet, prandaj shprehim mirënjohjen tonë për Punën e Njësisë së Mbrojtjes. Plaga nuk qëndron aq shumë në vlerën materiale të veprës, por në vlerën e saj historike, një vlerë që cenohet rëndë nga trafiku i paligjshëm i antikiteteve,” tha Gabriel Zuchtriegel, drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit, në një deklaratë.

    “Nuk e dimë prejardhjen e saktë të artefaktit dhe me gjasë as nuk do ta dimë kurrë,” shtoi ai, duke theksuar se parku do të kryejë teste të mëtejshme për të rindërtuar historinë e mozaikut sa më shumë që të jetë e mundur.

    Mozaiku do të ekspozohet përkohësisht në një muze në Pompei për shikim publik.

    Arti erotik është zbuluar më parë në Pompei. Arkeologët zbuluan një shtëpi të vogël të mbushur me afreske të hollësishme dhe ndonjëherë provokuese, në tetor 2024. Një tjetër shtëpi me afreske të guximshme u hap për publikun në janar 2023 pas një periudhe 20-vjeçare mbylljeje. Ndërsa një afresk tjetër, që paraqet një skenë erotike nga miti grek i Ledës dhe rosës, u zbulua në vitin 2018./CNN/KultPlus.com

  • Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane në fshatin piktoresk të Linit, në brigjet e Liqenit të Ohrit

    Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane në fshatin piktoresk të Linit, në brigjet e Liqenit të Ohrit

    Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane në Lini hapet për vizitorët – një thesar i lashtë që ndriçon historinë shqiptare
    Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane në fshatin piktoresk të Linit, në brigjet e Liqenit të Ohrit, është tashmë i hapur për vizitorët, duke sjellë në vëmendje një nga pasuritë më të rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare. Ky zbulim arkeologjik, që daton në shekujt V-VI pas Krishtit, konsiderohet një nga mozaikët më të vjetër dhe më të ruajtur në vendin tonë.

    I përbërë nga motive gjeometrike, simbole të hershme të krishterimit dhe elementë zbukurues të realizuar me mjeshtëri, mozaiku dëshmon për një zhvillim të hershëm kulturor dhe fetar në zonën e Linit. Rihapja e tij për publikun është jo vetëm një moment i rëndësishëm për arkeologjinë shqiptare, por edhe një shtysë e madhe për zhvillimin e turizmit kulturor në rajonin e Pogradecit.
    Institucionet përkatëse kanë bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për ruajtjen dhe ekspozimin e mozaikut, ndërsa vizitorët kanë tashmë mundësinë të eksplorojnë nga afër këtë pasuri të lashtë që ndriçon lidhjet mes artit, historisë dhe besimit në shekuj.
    Bazilika dhe mozaiku i saj përbëjnë një nga atraksionet më të veçanta në Shqipëri, duke e kthyer Linin në një destinacion të domosdoshëm për të gjithë ata që duan të zbulojnë rrënjët e qytetërimit dhe trashëgimisë sonë kulturore.