Nga Julia Vrapi
Dokumentimi dhe konservimi i disa mozaikëve të banesës romake D “Vila e Athinasë” në parkun arkeologjik në Apoloni do të vijojë përgjatë këtij viti. Projekti i përbashkët “Inventari i Trashëgimisë në Shqipëri, Inventari i mozaikëve në Shqipëri” solli edhe takimin mes specialistëve shqiptarë dhe atyre francezë. Në ambientet e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore u zhvillua një takim pune ndërmjet përfaqësuesve të këtij instituti dhe Qendrës Kombëtare për Studime Shkencore – Universiteti i Sorbonës-Paris IV, znj. Anne Cave dhe znj. Marie-Patricia Raynaud. Sipas IKTK-së ky takim u zhvillua në kuadër të vijimit të projektit të përbashkët “Inventari i Trashëgimisë në Shqipëri, Inventari i mozaikëve në Shqipëri”, ku qëllimi final i tij është publikimi në disa volume i “Korpusit të Mozaikëve të Shqipërisë”. Volumi i parë u botua në vitin 2018, mbi mozaikët e Butrintit, ndërsa volumi i dytë në dhjetor 2024 dhe ka të bëjë me mozaikët e bazilikave përgjatë via Egnatia. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije se fushata e këtij viti, do të përqendrohet në disa prej mozaikëve të banesës romake D “Vila e Athinasë” në parkun arkeologjik të Apolonisë. “Këtë vit na pret një udhëtim i ri në zbulimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore!”, shprehet instituti. Do të realizohen: Dokumentime grafike dhe fotografike me dron; Regjistrimi i detajeve dhe elementeve të veçanta; Studimi i teknikave të realizimit; Ndërhyrje konservuese. Vila e Athinasë përfaqëson një nga elementët më interesantë të arkitekturës private të periudhës romake në Apoloni.
Misioni studimor-shkencor “Korpusi i Mozaikëve”
Misioni studimor-shkencor “Korpusi i Mozaikëve” është një bashkëpunim disavjeçar mes Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore të vendit tonë dhe Qendrës Kombëtare për Studime Shkencore, CNRS, ku fushata e tij përqendrohet në disa prej mozaikëve të parkut arkeologjik të Apolonisë dhe Bylisit. Çdo vit në këto parqe arkeologjike në vendin tonë kemi një mozaik, ku ndërhyhet në konservimin e tij, si edhe një studim të imtësishëm, për mënyrën e ndërtimit, atelien që ka punuar për të, materiale dhe teknikat, ku sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në vijim fushata e këtij viti, do të përqendrohet në disa prej mozaikëve të banesës romake D “Vila e Athinasë” në Apoloni. Parku kombëtar arkeologjik i Apolonisë është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qarkut të Fierit e më gjerë. Parku ndahet në zonën A dhe zonën B. Qytet antik (zona A) rreth 120 ha është i rrethuar me mur fortifikues rreth 4.5 km i gjatë, me arkitekturë greko-romake dhe bizantine. Zona B përfaqësohet nga territori ekstramural: nekropoli arkaik, helenistik dhe romak; tempuj dhe ndërtime private ekstramurale. Pak ditë më parë në kuadër të procesit të përditësimit të zonifikimit arkeologjik dhe hartimit të rregullores së administrimit për parkun arkeologjik të Apolonisë, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me specialistët e parkut, realizuan një inspektim në terren.
Tag: mozaikëve
-

Dokumentimi i mozaikëve të banesës romake D “Vila e Athinasë” në Apoloni, studim dhe konservim i tyre