Plakja e popullsisë është një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Ndaj qeveria ka miratuar dokumentin e moshimit dhe planin e veprimit 2025-2030. Ku paralelisht me ndërhyrjen në rritjen e pensionit mesatar dhe dhënien e pensionit të 13-të, qeveria do të krijojë edhe lehtësira fiskale për të moshuarit me qëllim reduktimin e varfërisë.
Një nga lehtësirat fiskale të parashikuara është përjashtimi nga taksat për pronat e pasurive të patundshme të pronarëve të moshuar. Kjo vlen për taksat që vendosen për shtëpitë e banimit, tokën, apo ullinjtë e vreshtat në zonat rurale apo dhe në rastet e apartamenteve, shtëpive në bregdet apo zona malore, të cilat mund të përdoren si Airbnb dhe shfrytëzohen për përfitime personale me qëllim rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e varfërisë kur pronarët janë individë të moshës 60+. KU 100% nga kjo lehtësi do të përfitojnë të moshuarit me pension social dhe ata që kanë të ardhura nën nivelin e pensionit mesatar. Po ashtu përcaktohet dhe heqja e taksës vjetore për automjetet vetjake.
Në këtë dokument janë përfshirë edhe lehtësirat shëndetësore, siç është rishikimi i listës së barnave veçanërisht për të moshuarit që janë me diabet, Alzhaimer, Parkinson, probleme të shëndetit mendor apo që kanë humbur autonominë, të cilët jetojnë të vetmuar.
Të dhënat e censit 2023, tregojnë se ndryshimet demografike të popullsisë duhet të merren seriozisht nga qeveria, pasi një në pesë individë ose 20% e popullsisë janë 65 vjeç e lart, ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite. Klan News
Tag: moshuarit
-

Dokumenti, lehtësira fiskale për pensionistët/ Përjashtohen nga taksa e pronës dhe..
-

“Rritje 50% dhe pension të 13-të”/ Zbulohet plani i qeverisë: Do të arrijë deri në 276 euro, ndihmë të veçantë për të moshuarit e vetmuar
Të moshuarve shqiptarë do t’u rritet me 50% pensioni, por dhe t’u sigurohet një i 13-të.
Është ky vendimi i qeverisë që do të ndërmerret në 5 vitet e ardhshme i publikuar në Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025–2030.
Qeveria planifikon të rrisë pensionin mesatar në qytet nga 18 mijë e 341 lekë që është aktualisht në mbi 27 mijë e 511 lekë. Ndërsa në fshat do të arrijë në 16 mijë e 576 lekë.
Me qëllim realizimin e kësaj mase është parashikuar mbi 95 për qind e buxhetit të dedikuar e cila do të shkojë për të garantuar pavarësinë financiare të kësaj kategorie.
“Zhvillimi i politikave për rritjen e të ardhurave për pensionistët, i cili në totalin e shpenzimeve zë më shumë se 95% të totalit të shpenzimeve. Ky aktivitet kryesisht mbulohet nga buxheti i shtetit për përmirësimin e politikave të pensioneve.”
Jo vetëm 50% më shumë por dhe pensioni i 13-të do të jetë i prekshëm për pensionistët deri në 2030. Për të cilin pritet t’u dedikohet një buxhet rreth 25 milionë euro më tepër.
“Me gjithë progresin e bërë nga reforma e pensioneve apo mbështetja që Qeveria Shqiptare ka dhënë për të moshuarit, çështja e pavarësisë financiare të të moshuarve e në mënyrë të veçantë, të moshuarve të vetmuar, burrave dhe grave, mbetet prioritet për një jetesë dinjitoze.”
Por gjatë kësaj periudhe do të rritet edhe mosha e daljes në pension ndërsa do të miratohet edhe formula e indeksimit të diferencuar të pensioneve.
“Ndryshimet kryesore përfshinin rritjen graduale të viteve të kontributit nga 35 në 40 deri në vitin 2025, si dhe rritjen e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Pas këtij viti, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dy gjinitë në vitin 2056“
Dokumenti parashikon investime të rëndësishme në shërbimet shëndetësore dhe sociale, përfshirë ngritjen e kapaciteteve geriatrike, dhe ndërtimin e qendrave të rehabilitimit dhe rezidenciale për të moshuarit. Ndërsa pas nuk do të lihen edhe pensionistët e vetmuar për të cilët do të ketë politika të vecanta ndihmëse.
SA DO TË RRITEN PENSIONET
ISHTE BËHET
QYTET 18.341 LEKË 27.511 LEKË
FSHAT 11.051 LEKË 16.576 LEKË
Top Channel
-

Veliaj: Ashensor në pallatin ku banon, për të moshuarit 100% financim nga Bashkia
Përmes një njoftimi në Facebook, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fton qytetarët që të aplikojnë në Fondin e Komunitetit përmes të cilit mund të vendosësh edhe një ashensor të ri në pallatin ku banon.
Ai shkruan se për të moshuarit dhe pensionistët projektet financohen 100% nga bashkia.
Postimi i plotë:
“A e dije se duke aplikuar në Fondin e Komunitetit mund të vendosësh edhe një ashensor të ri në pallatin ku banon? Për të moshuarit dhe pensionistët projektet financohen 100% nga Bashkia e Tiranës.
Ndiqe videon dhe mëso më shumë”, shkruan Veliaj.
Qëllimi i Fondit të Komunitetit është të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe Bashkisë Tiranë për përmirësimin e ambienteve të përbashkëta në ndërtesat në bashkëpronësi, përmes një skeme bashkëfinancimi. Me anë të këtij investimi të përbashkët arrihet që të rritet edhe vlera e pronës. -

Të moshuarit do marrin pensionin e 13-të, përfituesit sipas kategorive
FOTO ILUSTRUESE
TIRANË- Të moshuarit shqiptarë do të përfitojnë pensionin e 13-të. Ky është një nga objektivat kryesorë të përfshirë në Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025-2030, i cili është miratuar nga qeveria ditën e djesheme si draft. Ky plan thuhet në dokument synon që ky objektiv të realizohet brenda vitit 2030.
Plani do të përgatitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e UNFPA dhe në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.
Në fokus të dokumentit është reformimi i skemës së pensioneve në Shqipëri. Qeveria parashikon rishikimin e moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë, si dhe ndryshimin e formulës së përllogaritjes. Një tjetër pikë kyçe është indeksimi i diferencuar i pensioneve, ku synohet për të siguruar rritje reale të të ardhurave të kësaj shtrese.
Nga ana tjetër është parashikuar rritja në masën 50% e pensionit mesatar, ndërsa numri i përfituesve të pensionit social do të dyfishohet, duke përfshirë më shumë qytetarë që aktualisht janë jashtë skemës. Një tjetër hap konkret do të jetë firmosja e Marrëveshjes së Pensioneve me Greqinë, duke zgjidhur një çështje të vonuar për mijëra pensionistë shqiptarë që kanë kontribuar në shtetin fqinj.
Censusi i fundit i vitit 2023 tregon se 1 në 4 qytetarë në Shqipëri është mbi 60 vjeç, një shifër që pritet të rritet më tej në vitet në vijim. Aktualisht, vendi numëron 721 mijë pensionistë, nga të cilët 607 mijë janë pensionistë pleqërie.
Plani i ri për moshimin është ndërtuar mbi parime si të drejtat e barabarta, integrimi social, përmirësimi i kujdesit shëndetësor, garantimi i aksesit në shërbimet sociale dhe mbështetja institucionale. Qeveria paralajmëron më shumë informim dhe ndërgjegjësim për qytetarët, sidomos në lidhje me përfitimet që ofron skema e pensioneve dhe rëndësinë e kontributeve në sistemin e sigurimeve. -

Qeveria miraton strategjinë 2025-2030, do të jepet pensioni i 13-të për të moshuarit
Qeveria ka miratuar strategjinë 2025-2030, përmes së cilës do të jepet pension i 13-të për të moshuarit.
Ky plan synon përmirësimin e cilësisë së jetesës për moshën e tretë në vend, objektiv që pritet të realizohet brenda vitit 2030.
Plani do të përgatitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e UNFPA dhe në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.
Synohet reformim i skemës së pensioneve, që nga rishikimi i moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë e deri te rritja e pensionit mesatar apo dyfishimi i përfituesve të pensionit social.
Edhe ata shqiptarë që kanë kontribuar në Greqi, më në fund do të ndërmerren hapa konkretë për pensionet e tyre, për të cilat pritet të firmoset marrëveshja me vendin tonë.
Kujtojmë se ky sektor është nënvizuar herë pas here nga qeveria si prioritet, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi një nga objektivat për mandatin e katërt. Target, është që pensioni minimal 200 euro të arrihet brenda 2030-ës./tvklan -

Ushtrimet fizike që të moshuarit duhet të bëjnë çdo ditë për të mbajtur në formë gjendjen fizike
Një studim i ri i Universitetit të Floridës hedh dritë mbi rëndësinë e kohës dhe frekuencës së ushtrimeve për të moshuarit, duke treguar se aktiviteti fizik më i hershëm dhe më i rregullt gjatë ditës ndikon pozitivisht në shëndetin kardiorespirator dhe energjinë gjatë ecjes.
Studimi përfshiu 799 pjesëmarrës të moshës 71 deri në 81 vjeç, të cilët mbajtën byzylykë që regjistronin aktivitetin e tyre për shtatë ditë. Analizat treguan se ata që ishin më aktivë në pjesën e parë të ditës dhe ruanin një rutinë të qëndrueshme, kishin një gjendje më të mirë fizike dhe performancë më të lartë në testet kardiorespiratore dhe ecje.
Sipas autorëve, përfshirja në aktivitet fizik nuk përfshin vetëm ushtrime të dedikuara, por edhe veprime të përditshme si ecja, kopshtaria, punët e shtëpisë dhe blerjet.
Profesoresha Karyn Esser, autore kryesore e studimit, shpjegon se “mekanizmat cirkadianë që rregullojnë ritmet tona biologjike janë thelbësore për mirëqenien, dhe respektimi i tyre mund të përmirësojë efektivitetin e aktiviteteve fizike.”
Hulumtimi sugjeron gjithashtu potencialin për personalizimin e programeve të ushtrimeve në bazë të kronotipit të secilit, duke përshtatur aktivitetin me orën biologjike individuale për rezultate më të mira shëndetësore.
Kështu, kuptimi i ritmeve tona natyrale mund të bëhet pjesë e kujdesit mjekësor dhe jetës së përditshme. Syri.net-iefimerida
-

Plakja e popullsisë me ritme të shpejta, në Shqipëri mungon mjeku specialist për të moshuarit
Teksa Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, në vendin tonë mungon mjeku specialist për moshën e tretë, ai geriatër.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, të moshuarit në vend kanë të paktën dy diagnoza, dhe mjeku geriatër është thelbësor për shërbimin parësor.
“Jemi pak të përgatitur për këtë. Në politikat kombëtare këto janë të shkruara, por duket se ka pasur vështirësi, si nga pikëpamja e Fakultetit të Mjekësisë për t’u organizuar, ashtu edhe nga tregu, pasi ka pak interes nga mjekët për t’u specializuar si geriatër”, tha Alban Ylli, specialist i ISHP-së.
Sipas specialistëve, të moshuarit sot përballen me shumë sfida, që nga sëmundshmëria e lartë e deri te izolimi social.
“Te të moshuarit, sëmundjet shfaqen në mënyra të ndryshme, mund të kesh pneumoni pa temperaturë. Mbivendosja e patologjive, humbja e aftësive funksionale, izolimi social është një nga faktorët më të mëdhenj të riskut. Geriatri merret me trajtimin e sëmundjes biologjike, por dhe jetesën sociale”, tha Ylli.
Deri tani, në disa raste, ka qenë mjeku i familjes ai që ka kryer edhe rolin e mjekut geriatër.
Aktualisht, në Shqipëri, mbi 20% e popullsisë mbi 65 vjeç, krahas sëmundjeve bashkëshoqëruese, kanë humbur edhe një aftësi, në të ecur apo shikim, ndërsa te ata mbi 80 vjeç, kjo përqindje shkon deri në 50%.


