Tag: monumentit

  • Historia e monumentit të Pavarësisë, skulptori Muntaz Dhrami rrëfen si u realizua para 53 vitesh: Ndryshimet nga letra e Enver Hoxhës dhe aksidenti i babait të Edi Ramës

    Historia e monumentit të Pavarësisë, skulptori Muntaz Dhrami rrëfen si u realizua para 53 vitesh: Ndryshimet nga letra e Enver Hoxhës dhe aksidenti i babait të Edi Ramës

    Në qendër të Vlorës, aty ku 113 vite më parë, Shqipëria u shpall shtet i pavarur dhe sovran, qëndron madhështor Monumenti i Pavarësisë, realizuar nga Artistët e Popullit, skulptorët Mumtaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri.

    Në mes të veprës, që u vendos në këtë shesh në vitin 1972, është vendosur statuja e kreut të parë të shtetit shqiptar, ndërsa portretet e tjera reflektojnë tiparë të luftëtarëve veriorë e jugorë. Në një intervistë për Top Channel, Mumtaz Dhrami kujton bisedat me Byronë Politike nga ideja te miratimi i monumentit.
    “Vërejtjet lidhen me natyrën statike të figurave, në letrën që na dërgoi Enver Hoxha na tha që figurat janë të zbukuruara, por lufta i hedh poshtë paradat dhe kostumet dhe vërejtje të tjera që na bënë na ndryshojmë tërësisht kompozimin, duke hequr ngarkesat e tepërta, duke i dhënë më tepër dinamikë, duke shtuar figurën e rilindasit, për të treguar që luftërat vazhduan edhe me penë, jo vetëm me armë. E bëmë kompozimin më të fuqishëm në mënyrë vertikale, duke shtuar figurën e flamurtarit”, shprehet Dhrami.
    Dy vite punë për të arritur te inaugurimi që u bë me rastin e 60-vjetorit të pavarësisë. Talenti, përkushtimi dhe bashkëpunimi mes kolegësh solli një vepër që tashmë i përket përjetësisë.
    Skulptori thotë: “Ishim tolerantë dhe mirëkuptues ndaj punës së njëri-tjetrit. E pranonim kur diçka kolegu e kishte bërë më mirë, egoja personale bëhej kurban për punën e përgjithshme, për të ruajtur unitetin plastik”.
    Puna në terren në një monument që arrin 17 metër lartësi nuk ishte e lehtë. Dhrame tregon si Rama u aksidetua teksa skaliste heronjtë.
    “U thye shkalla, u rrëzua dhe u godit në kokë. Nuk kishte mundësi të ngjitej më pas në skelë, e kishte të pamundur të punonte te figura e flamurtarit sipër. Atë figurë e realizova unë me Shabanin dhe u punuam direkt në allçi. Pjesa tjetër është punuar në baltë. Është derdhur më pas në bronz dhe është montuar e gjitha”, shprehet skulptori.
    Teksa sheh me krenari dhe emocion këtë vepër të trashëgimisë sonë kulturore, artisti nuk fsheh revoltën për ndryshimet që ka pësuar ndër vite, që sipas tij shkatërrojnë raportin e monumentit me spektatorin.
    Mumtaz Dhrami shton: “Kjo platformë është zëvendësuar me tre palë shkallë që i bëjnë keq monumentit. Monumenti duhet të vazhdonte deri në tokë, jo të vendoseshin këto shkallët si tortë. Arkitektët nuk u konsultuan me autorët, dy kolegët e tjerë kishin ndërruar jetë, por mua mund të më pyesnin. Edhe po të ishin gjallë kolegët e mi, do të thoshin të njëjtën gjë, sepse nuk lidhet fare me psikologjinë e monumentit. Humbet raporti i monumentit me spektatorin”.

    Top Channel

  • Shembja e kullës në Romë, ndërron jetë punëtori pas 11 orësh nën rrënoja

    Shembja e kullës në Romë, ndërron jetë punëtori pas 11 orësh nën rrënoja

    Një shpërthim i fuqishëm tronditi mëngjesin e së hënës, më 3 nëntor, qendrën historike të Romës, duke shkaktuar shembjen e një pjese të Torre dei Conti, monumentit mesjetar që ndodhet pranë Forumit Perandorak.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, teksa në objekt po zhvilloheshin punime rikonstruksioni. Nga njëmbëdhjetë punëtorët që ndodheshin në kullë, pesë u përfshinë në shembje. Më tragjike ishte fati i Octay Stroici, 66 vjeç, me origjinë rumune, i cili mbeti nën rrënoja për gati 11 orë. Pasi u nxor nga ekipet e shpëtimit dhe u dërgua në spital në gjendje kritike, ai ndërroi jetë pak më vonë.
    Prokuroria e Romës ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia dhe ka sekuestruar zonën e ndërtimit, ndërsa pritet të kryhen ekspertiza për të zbuluar shkakun e shembjes.
    Sipas autoriteteve mjekësore, Stroici iu nënshtrua përpjekjeve për ringjallje kardiopulmonare (CPR) për rreth një orë në Poliklinikën Umberto I, por pa sukses.
    Një tjetër punëtor, 64 vjeç, pësoi lëndime në fytyrë dhe u dërgua në Spitalin San Giovanni, ku më vonë u la i lirë. Tre punëtorë të tjerë, të mbetur nën skela dhe mbeturina, u shpëtuan falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve që përdorën një kamion me shkallë.
    Autoritetet italiane po hetojnë nëse shpërthimi paraprak lidhet me punimet e rikonstruksionit apo me probleme strukturore të monumentit historik.

    Top Channel

  • Polemika në Greqi për ndalimin e protestave pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur

    Polemika në Greqi për ndalimin e protestave pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur

    Vazhdojnë polemikat në Greqi për monumentin e Ushtarit të Panjohur në sheshin Sintagma të Athinës, dy ditë pas miratimit të një ligji nga shumica konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili ndalon zhvillimin e protestave pranë këtij monumenti-ikonë, që ndodhet jashtë parlamentit dhe ka shërbyer shpesh si pikë referimi për demonstrata.

    Amendamenti ka shkaktuar kritika të ashpra nga partitë opozitare, të cilat akuzojnë qeverinë për mungesë tolerance dhe për nxitje të përçarjes në shoqëri.
    Sipas kryeministrit Mitsotakis, ndryshimet e reja transferojnë përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e monumentit tek Ministria e Mbrojtjes, duke synuar “të mbrojnë dhe forcojnë normalitetin”.
    Sheshi përpara monumentit është shndërruar kohët e fundit në vend takimi për familjarët e viktimave të tragjedisë hekurudhore të Tempit, që ndodhi më 28 shkurt 2023. Aty është ngritur një memorial i përkohshëm, me emrat e viktimave të shkruar me bojë të kuqe në tokë, të rrethuar me qirinj dhe lule.
    Për 23 ditë, një prej prindërve të viktimave, Pano Ruci, me origjinë shqiptare, zhvilloi grevë urie, duke mbledhur çdo ditë rreth tij qindra e mijëra qytetarë që kërkojnë drejtësi për aksidentin tragjik ku humbën jetën 57 persona, shumica studentë.
    Sipas amendamentit, qasja publike në monument mbetet e hapur për vizitorët, por protestat apo çdo ndryshim fizik në zonë do të jenë të ndaluara. Shkelësit mund të përballen me gjobë ose deri në një vit burgim.
    Ndërkohë, me këtë ndryshim ligjor, përgjegjësia për pastrimin e sheshit dhe monumentit të Ushtarit të Panjohur i kalon Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ia ka deleguar këtë detyrë një kompanie private.Ky vendim ka sjellë përplasje me Bashkinë e Athinës, e cila më parë kishte përgjegjësinë për mirëmbajtjen e zonës.Kryebashkiaku Haris Dukas, i mbështetur nga socialistët dhe e majta, ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi në institucionet përkatëse për atë që e cilëson si një vendim të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

    Top Channel

  • Shqiponja “fluturon” drejt veriut/ Monumenti zhvendoset në Kukës

    Shqiponja “fluturon” drejt veriut/ Monumenti zhvendoset në Kukës

    Qyteti i Kukësit do të jetë tashmë shtëpia e re e monumentit të njohur “Shqiponja”, që dikur përshëndeste udhëtarët në hyrje të Tiranës. Punimet për vendosjen e saj në rrethrrotullimin e Gostilit kanë përfunduar, ndërsa po kryhen vetëm disa ndërhyrje dekorative për përfundimin e plotë të hapësirës përreth.
    Vendi i ri i monumentit nuk është zgjedhur rastësisht. Rrethrrotullimi i Gostilit është pika që lidh Rrugën e Kombit me aeroportin ndërkombëtar të Kukësit.
    Dhuruesi i monumentit për qytetin është biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani. Vepra, e cila është derdhur në çelik të rëndë, ka një lartësi prej 10 metrash, 6 metra vetë shqiponja dhe 4 metra bazamenti dhe përfaqëson një ndër simbolet më të njohura të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
    “Shqiponja” u vendos fillimisht në vitin 2012 tek rrethrrotullimi i Doganës në Tiranë, ku për gjashtë vite ishte një pikë referimi për kryeqytetin. Në vitin 2018 u hoq për shkak të punimeve të projektit të Unazës së Madhe.
    Tani, monumenti simbolik i bashkimit dhe krenarisë kombëtare gjen shtëpinë e vet të re në Kukës, një qytet që vetë ka qenë simbol i qëndresës dhe mikpritjes shqiptare gjate luftës në Kosovë.
     
     

  • Nga shkatërrimi te “shpëtimi”, ministria ricikloi krimin arkeologjik në sukses

    Nga shkatërrimi te “shpëtimi”, ministria ricikloi krimin arkeologjik në sukses

    Ministri i ekonomisë, kulturës dhe inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi përmes një postimi në “Facebook” pasditen e së premtes se ishte arritur një marrëveshje me kompaninë koncensionare të portit në Porto-Romano, për restaurimin e monumentit që dikur ka pasur funksion fortifikues.
    “Muret e Portës” kategorizohet si një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe mendohet të jetë ndërtuar në shekullin V të Erës Sonë. Pjesa simbolike e tij, nga mori emrin edhe zona, “Porto-Romano”, u rrafshua në vitin 2021 nga kompania koncesionare që po ndërton portin e ri të hidokarbureve.
    Por ajo që ministri Blendi Gonxhja paraqiti si sukses është legjitimimi i shkatërrimit të monumentit të rëndësisë së veçantë që u shkaktua nga kompania koncesionare që u krijua në vitin 2015, me emërtimin Porti MBM – “Multi Buoy Mooring”, një bashkim operatorësh i udhëhequr nga konglomerati Kastrati Group dhe që sot po finalizon punimet e portit të hidokarbureve dhe të mallrave në Porto-Romano, Durrës.
    “Nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Koncesionare ‘PORTI MBM’ për restaurimin e Pasurisë Kulturore ‘Muret e Portës (Porto Romano)’ në Durrës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, i cili daton në shek. VI-të erës sonë”, njoftoi Gonxhja përmes postimit të tij.
    Foto e shpërndarë nga ministri Blendi Gonxhja pasditen e së premtes. Foto: Facebook
    “Përmes kësaj marrëveshjeje, Shoqëria Koncesionare ‘PORTI MBM’ do të investojë në mbulimin e shpenzimeve për ndërhyrjet restauruese në përputhje me kriteret, duke mundësuar ruajtjen dhe rijetëzimin e këtij monumenti të vyer, i cili do të jetë i aksesueshëm edhe për publikun e do të mirëmbahet dhe menaxhohet nga institucionet e trashëgimisë kulturore”, shtoi ministri i ekonomisë, kulturës dhe inovacionit.
    Përpjekja e tij për ta paraqitur monumentin si të shpëtuar nga kompania koncensionare nuk theksoi faktin se ajo është përgjegjëse për shkatërrimin në mënyrë të qëllimshme të monumentit në dhjetor të vitit 2021, të rreth 25 metrave nga muret fortifikuese mbi të cilat ngrihej dikur porta hyrëse, e kuruar me qemer.
    Pjesa tjetër e monumentit që i shpëtoi shkatërrimit mbeti brenda portit dhe në vitet e fundit po shërben si zonë parkimi dhe depozitimi mallrash për aktivitetet portuale, duke mos marrë kujdesin e duhur nga autoritetet e kulturës.
    “Vetë fakti që ky monument gëzon status mbrojtjeje mund ta kthente atë në një pikë mjaft të rëndësishme turistike, por duke qenë se sot ndodhet brenda rrethimit të portit është e pamundur që ta aksesosh zonën, pra kompania gati e ka privatizuar në mënyrë të jashtëligjshme të gjithë zonën aty”, shpjegoi për Amforën aktivisti Heldi Kodra.
    Monumenti përpara shkatërrimit, më 21 mars 2017. Foto: Media Amfora
    Megjithatë për këtë lëvizje të vonuar të ministrisë kanë reaguar që prej vitit 2023 aktivistët dhe organizatat joqeveritare, që kërkuan marrjen e masave për të mbrojtur një pjesë të murit dhe kullës antike që i mbijetuan shkatërrimit.
    Qendra Amfora në bashkëpunim me organizatat partnere, të përfaqësuara nga Heldi Kodra, depozituan propozimin që pjesa e mbetur e monumentit të përfshihet në programin “7 Monumentet më të rrezikuara në Evropë”, të Organizatës Europa Nostra, duke ju drejtuar paralelisht të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar, me qëllim marrjen e plotë në mbrojtje, restaurimin e monumentit të mbetur dhe rindërtimin e pjesës së shembur.
    Pas një hetimi të Prokurorisë së Durrësit dhe vlerësimit më tej të gjykatës, shkatërrimi i një prej simboleve të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë sipas tyre nuk përbënte vepër penale. Pas një hetimi 4 vjeçar ata u fshehën pas një akt-ekspertize që tregonte një situatë ndryshe nga e vërteta në terren dhe pushuan çështjen ndaj Kompanisë Kastrati.
    Në projektin që Gonxhja dhe përfaqësuesit e kompanisë mbanin në duar dallohej ngritja e një “burgu të hapur” për objektin e trashëgimisë kulturore, duke e veshur tërësisht me një strukturë prej metali dhe xhami.
    Ndërsa ministri nuk sqaroi më tej mbi përgjegjësinë e kompanisë koncesionare për shkatërrimin e pjesës më simbolike të monumentit, që është faktuar përmes një cikli investigimesh të Medias Amfora.
    Strukturat arkeologjike të shkatërruara ishin shpallurr Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1948 dhe pasi Kuvendi miratoi koncesionin në vitin 2015, më 3 qershor 2016 Ministria e Kulturës lëshoi urdhërin për “Shpalljen e Zonës së Mbrojtur të Objektit Monument Kulture Kategoria e I-rë ‘Muret e Portës’, Porto-Romano, Durrës” – por kjo nuk e pengoi kompaninë koncesionare që të rrafshonte pjesën më simbolike të tij./Amfora.al

  • Arkeologët nisin punën për zbulimin e plotë të amfiteatrit në Durrës

    Arkeologët nisin punën për zbulimin e plotë të amfiteatrit në Durrës

    Nga Gëzim Kabashi

    Në amfiteatrin e Durrësit kanë filluar të martën sondazhet, që synojnë zbulimin e elementeve të arenës ende të mbuluar, si dhe lidhjen me kodrën ku është mbështetur një pjesë e monumentit.

    Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito tha për BIRN se sondazhet po realizohen nga firma “Altea & Geostudio 2000”. Leja e ministrisë së Kulturës ka mundësuar punimet e firmës së licensuar për ndërhyrje të këtij lloji – tha Ramohito.

    Specialistë dhe arkeologë po ndjekin nga afër punën që po kryhet në pjesën qendrore të amfiteatrit.

    Ky është hapi i parë për zbatimin e projektit afatgjatë për hapjen e plotë të amfiteatrit të ndërtuar në shek II pas Krishtit. Projekti për hapjen e plotë të amfiteatrit si dhe për rehabilitimin e plotë e zonës qendrore të Durrësit u bë i njohur dy vjet më parë.

    Bashkia e Durrësit, ministria e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillim AADF po bashkëpunojnë për zbulimin e plotë të monumentit më të madh që është gjetur deri tani në vendin tonë.

    Amfiteatri i Durrësit u zbulua në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Gjatë ekspeditave verore 1966-1970 u zbulua rreth 2/3 e monumentit, që ishte ndërtuar në periudhën e perandorit Trajan. Për hapjen e shkallareve dhe galerive autoritetet e kohës urdhëruan në pak javë prishjen e 33 shtëpive dhe transferimin e 50 familjeve, të cilat, pa e ditur, kishin banuar mbi një vepër monumentale 1900-vjeçare.

    Megjithë kërkimet arkeologjike në hapësirën e amfiteatrit, në më shumë se 50 vjet nuk ka patur asnjë ndërhyrje me synim zbulimin e elementeve të tjerë të rëndësishëm. Projekti që pritet të zbatohet ka nisur me shpronësimet dhe kompensimet e familjeve që banojnë në pjesën veri-lindore të amfiteatrit.