Luka Modriç luajti ndeshjen e tij të fundit për Real Madridin mbrëmë, duke i dhënë fund një aventure të jashtëzakonshme 13-vjeçare me një humbje të rëndë 0-4 kundër Paris Saint-Germain në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube. Një disfatë që, megjithatë, nuk e zvogëlon madhështinë e mesfushorit kroat, i cili u largua nga fusha mes përqafimeve dhe lotëve.
Pasi hyri në lojë në pjesën e dytë por pa mundur të ndryshonte gjëndjen shokuese të Realit, Luka në fund mori gjithë vëmendjen e të pranishmëve në fushë dhe tribuna të MetLife. Shokët e tij të ekipit dhe kundërshtarët – nga Markuinjos te Vitinja e Hakimi – u mblodhën rreth fituesit të Topit të Artë 2018, duke e ditur se po dëshmonin fundin e një epoke. Imazhi i 39-vjeçarit, dukshëm i prekur, përmbledh madhështinë e një lojtari që ndriçoi futbollin europian e botëror me klas, inteligjencë dhe përulësi.
“Ai është një nga modelet e mia,” tha portugezi Vitinja, (kandidat potencial për Topin e Arë 2025 red). “Ishte një nder të ndaja fushën me të.” Tibu Kurtua, shoku i tij i ekipit që nga viti 2018, e quajti atë “një legjendë të Real Madridit”, ndërsa Çabi Alonso theksoi se “ai nuk do të mbahet mend për këtë ndeshje, por për gjithçka që i dha futbollit botëror”. Me 28 trofe, 596 paraqitje dhe një trashëgimi të madhe, Modriç i thotë lamtumirë klubit më të suksesshëm në botë dhe tani është gati të fillojë një aventurë tjetër, duke veshur fanellën e ekipit që mbështeti që fëmijë, Milan.
Vazhdo leximin