Adriatik BALLA
Milani ka ambicie të kthehet në ditët e tij më të mira, pra si fitues i kampionatit në Serie A dhe rivaliteti me dinjitet dhe për trofe në UEFA Champions League. Gjërat nuk duken të lehta, por me ardhjen e Igli Tares në krye të klubit si drejtor sportiv, kanë nisur edhe lëvizjet e bujshme në treg, ku mes emrave të afruar është dhe mesfushori i njohur kroat Luka Modriç. Të tjerë emra pritet të vijnë në ditët e javët në vazhdim, pasi edhe mediat italiane thonë se Milani tani ka ambicie për më shumë, si një skuadër që dëshiron të kthehet në majën e Europës. Ndërkohë, Luka Modriç ka nisur tashmë të përdorë ndikimin e tij te AC Milan, pasi ka kompletuar kalimin me parametër zero nga Real Madrid.
Pas vendimit të klubit madrilen për të mos i ofruar një zgjatje kontrate me 12 muaj të tjerë, Modriç i dha fund një aventure të jashtëzakonshme 13-vjeçare në Madrid, menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube. Mesfushori kroat, i vendosur të realizojë ëndrrën e tij për të luajtur në Kupën e Botës verën e ardhshme, nënshkroi një kontratë njëvjeçare me Milanin, me opsion për ta zgjatur deri në sezonin 2026/27. Ndërsa Modriç përshtatet me jetën në Milano, ai mund të bashkohet shpejt me një fytyrë të njohur. Sipas “Diario AS”, lojtari i ka dhënë “dritën jeshile” transferimit të Fran Garcia nga Real Madrid. Real Madrid ka vendosur një çmim prej 20 milionë eurosh për mbrojtësin e majtë, i cili është bërë objektiv për Milanin që po kërkon zëvendësues për Theo Hernandez, i transferuar te Al Hilal. Megjithatë, kjo shifër mund të rritet deri në 25–30 milionë euro, ndonëse një vit më parë lojtari vlerësohej vetëm 15 milionë euro.
Mbërritja e Alvaro Karreras ka zënë vendin e titullarit në krahun e majtë për Ksabi Alonson, ndërsa Ferland Mendi renditet përpara Garcias në hierarki, pavarësisht rekordeve të fundit me dëmtime. Klubi i Milanit dhe Modriçi janë të prirur për ta sjellë Garcian në “San Siro”, por mbrojtësi nuk dëshiron të largohet nga Real Madrid, gjë që mund të bllokojë transferimin. Ashtu si Mendi, edhe Garcia ka dy vite të mbetura në kontratë, dhe është i bindur se mund të luftojë për vendin e tij me Karreras. Pavarësisht kësaj situate që mund të çojë në një përplasje, AC Milan është gati të vazhdojë me përpjekjet, ndërsa agjenti i Garcias, Gines Karvajal, thuhet se ka hapur bisedimet me gjigantët e Serie A. Nevoja e Milanit për një mbrojtës të majtë është rritur ndjeshëm pas largimit të Theo Hernandez, por klubi synon të mbajë çmimin e marrëveshjes nën 30 milionë euro.