15 Shtator 2025
13:22
Alfred Lleshi
“Milani shijon Luka Modric, i cili përveçse dirigjon orkestrën, duke vënë rregull mes sulmuesve, mori përsipër edhe të shënonte golin që shembi Bologna”. Kështu u shpreh Paolo Condò, i cili nuk i kurseu fjalët e ëmbla dhe admirimin për kroatin legjendar. Në moshën 40-vjeçare, Modric nuk ka zgjedhur “pensionin”, por ka ndjerë ende nevojën për t’i dhënë futbollit dhe mos e lënë atë.
Të dielën mbrëma, Modric zgjidhi një ndeshje të vështirë ndaj Bologna, me një goditje të pastër e të saktë, që solli fitoren 1-0 dhe tri pikë jetike për kuqezinjtë. Pikë jetike për tri arsye, sipas Condò: Milani mbeti në hap me kryesuesit; parakaloi Interin, duke thelluar nervozizmin e zikaltërve; shikon më i lehtësuar kalendarin që vjen.
Deri te pushimi i ardhshëm i kombëtareve, Milani do të ketë përballje të forta: Udinese, Napoli dhe Juventusi në “Allianz Stadium”. Gjithsesi, skuadra është ende në ndërtim: “Ka ende shumë për t’u përmirësuar; mjafton të mendojmë që Leao ende s’e ka parë fushën, që Nkunku sapo ka nisur ta heqë pluhurin dhe Gimenez endet mes mungesës së fatit dhe gafave”.









