Naomi Campbell, një nga supermodelet më të famshme dhe më me ndikim në historinë e modës, feston 55-vjetorin. Edhe pas më shumë se katër dekadash në skenë, ajo vazhdon të jetë e pandalshme në sfilata, fushata publicitare dhe tapete të kuqe – përfshirë edhe Festivalin e fundit të Kanës.
Një ikonë brenda dhe jashtë pasarelës
E njohur për ecjen e saj të fuqishme dhe stilin e pakrahasueshëm, Naomi është shumë më tepër se një supermodele. Ajo është një ikonë pop që ka bërë histori, jo vetëm për arritjet në modë, por edhe për jetën shpesh të trazuar e të përfolur në media. Kush mund ta harrojë episodin e famshëm me telefonin që i hodhi shërbëtores apo fustanin me shkëlqim të Dolce & Gabbana me të cilin shkoi të kryente punë të detyruara në një qendër pastrimi? E megjithatë, ndikimi i saj në industrinë e modës është i pakundërshtueshëm.
Pioniere në një botë që nuk e priste
Kur Naomi Campbell u shfaq për herë të parë në pasarelë në vitet ’80, bota e modës ishte një hapësirë e bardhë dhe shumë ekskluzive. Ajo u bë modelja e parë me ngjyrë në kopertinën e Vogue Paris në vitin 1988 – një moment historik. Por rruga nuk ka qenë kurrë e lehtë. Në autobiografinë e saj, Naomi rrëfen: “Nuk më merrnin në disa sfilata për shkak të ngjyrës së lëkurës. Disa stilistë thjesht nuk zgjidhnin vajza me ngjyrë. Duhej të ishe dyfish më e mirë për të fituar gjysmën e mundësive.”
Diskriminim edhe në gjërat më të vogla
Në një intervistë për BBC, Naomi ka treguar se si trukuesit shpesh nuk kishin tonin e duhur për lëkurën e saj, duke e lënë të ndjehej e papërfaqësuar. “Njëherë në Itali, më thanë: ‘Nuk e dinim që ishe me ngjyrë’. Truku që më vendosën më la gri në fytyrë, dhe dola duke qarë – nuk doja të dukesha kështu në Vogue Italia.”
Miqësitë që thyenin barriera
Shumë nga sukseset e saj kanë ardhur edhe falë solidaritetit të kolegeve si Christy Turlington dhe Linda Evangelista, të cilat shpesh refuzonin të sfilonin nëse Naomi nuk përfshihej në show.
Nga pasarela te aktivizmi
Në vitin 2013, Naomi themeloi Diversity Coalition bashkë me Bethann Hardison, për të luftuar racizmin në industrinë e modës dhe për të mbështetur modelet dhe stilistët me ngjyrë. Qëllimi i saj tashmë është i qartë: të hapë dyert për gjeneratën e re dhe të sigurojë që përfshirja të mos mbetet vetëm një trend, por një standard.
“Diversiteti është bukuri”
Në një intervistë për Time, Naomi ka thënë: “Nuk është luftë, është një dialog. Duhet t’u kujtojmë gjithmonë njerëzve që diversiteti është bukuri dhe se duhet të ketë barazi. Është një proces që nuk përfundon kurrë.”
Naomi Campbell nuk është thjesht një model. Ajo është një forcë që ka ndryshuar industrinë e modës dhe ka sfiduar botën që shpesh i mbyllte dyert. Sot, në 55-vjetorin e saj, ajo vazhdon të frymëzojë – me stil, me forcë dhe me guxim.


