Moderatorja e njohur sportive Laura Woods ka reaguar pas momenteve të frikshme të së martës, kur ajo u humbi ndjenjat live në ekran gjatë transmetimit të ndeshjes së Anglisë së femrave kundër Ganës.
Woods, 38 vjeç, e cila u bë nënë në janar me lindjen e djalit të saj Leo, u dërgua menjëherë tek stafi mjekësor në stadium. Në një deklaratë të publikuar më vonë në Instagram, ajo siguroi publikun se është mirë dhe po rikuperohet.
“Ishte paksa e çuditshme,” shkroi ajo. “Më vjen keq që ju shqetësova. Jam mirë. Mjekët më thanë se me shumë gjasa është një virus – duhet vetëm pak pushim dhe hidratim.”
Ajo falënderoi ekipin e ITV për mbështetjen gjatë incidentit, si edhe kolegët Ian Wright dhe Alex Scott (“Wrighty and Neets”), të cilët reaguan menjëherë për ta mbajtur para se të binte në tokë.
Woods po dëgjonte analizën e Ian Wright përpara nisjes së ndeshjes kur papritur u përkul përpara dhe humbi ndjenjat. Kamera kaloi menjëherë në një pamje të gjerë të stadiumit, dhe më pas ITV ndërpreu transmetimin me reklama.
Pas rikthimit, moderatorja u zëvendësua nga kolegia Katie Shanahan, e cila qetësoi shikuesit: “Siç mund ta keni vënë re, Laura është ndjerë keq. Ajo është në duar të sigurta dhe po bën mirë. I dërgojmë gjithë dashurinë tonë.”
I fejuari i Woods, Adam Collard, publikoi gjithashtu një deklaratë duke u kërkuar fansave të mos shqetësohen: “Laura është shumë mirë dhe është me njerëzit e duhur. Faleminderit për të gjitha mesazhet tuaja të bukura.”
Tag: moderatorja
-

Panik në fushë/ Moderatorja e njohur sportive, humb ndjenjat gjatë transmetimit live si paraqitet gjendja e saj
-

Arbana Osmani prezanton projektin e saj të ri, ja ku do ta shohim moderatoren
Moderatorja Arbana Osmani ka prezantuar projektin e saj më të ri, “Mirëmbrëma Yje Kids”.
Sipas saj, ky program nuk do të jetë vetëm një emision argëtues, por një hapësirë e ngrohtë dhe pozitive, ku të vegjlit janë protagonistët kryesorë me ëndrrat, mendimet dhe sinqeritetin e tyre të pastër.
Moderatorja ende nuk ka dhënë një datë për nisjen e programit, teksa nuk ka nguruar të shprehë entuziazmin e saj për këtë format, tashmë të ardhur në versionin kids. -

Heidi Baci, moderatorja zyrtare që do shoqërojë Blendi Salajn në “Wake Up”
Programi i mëngjesit “Wake Up” vjen me një ndryshim të rëndësishëm në ekran. Heidi Baci, një prej figurave më të komentuara të momentit, është zyrtarisht moderatorja e re që do të shoqërojë Blendi Salajn në drejtimin e emisionit.
Lajmi është konfirmuar përmes një fotografie të publikuar nga studioja e Top Channel, ku Heidi shihet e buzëqeshur në panelin e programit, ndërsa Blendi Salaj shfaqet i entuziazmuar me duart lart një atmosferë që tregon energjinë pozitive të dysheve të re.
Ky është rikthimi i parë i Heidit në një format të madh televiziv pas angazhimeve të saj të fundit në media dhe rrjete sociale. Prania e saj pritet të sjellë një frymë më të freskët, dinamike dhe të afërt me publikun e ri, duke kombinuar eksperiencën e Blendi Salajt me spontanitetin dhe prezencën e saj moderne.
Heidi do të jetë pjesë e përditshme e programit, duke sjellë intervista, tema sociale dhe një qasje të re në rubrikat e mëngjesit.
Ky ndryshim vjen pas largimit të Neada Muces dhe Enxhi Nasufit nga programi per shkak të debateve të tyre të shumta, që më pas u përshkallëzua në zenke fizike mes tyre. Asnjera prej tyre nuk e ka pranuar konfliktin, mirëpo kjo ishte arsyeja pse ato u larguan nga emisoni. -

Dritë jeshile! Pas komenteve për “BBVK”, Alketa Vejsiu nuk e përjashton mundësinë e prezantimit të reality show
Alketa Vejsiu ka ndezur sërish kuriozitetin e publikut me një përgjigje interesante gjatë rubrikës “Ask me a question” në Instagram. E pyetur nëse do ta prezantonte ndonjëherë Big Brother VIP Albania, moderatorja dha një përgjigje që la të hapura shumë interpretime.
“Po patjetër! Do lulëzonin lulet edhe në dimër”, shkroi Alketa, duke shtuar se aktualisht është e fokusuar tek projektet e saj në TV Klan, specifikisht tek talentet në muzikë, artistët që shfaqen në çdo skenë festivalesh.
Edhe pse nuk konfirmoi një angazhim konkret, mënyra si u shpreh ka bërë ndjekësit të mendojnë se prezantimi i BBVA prej saj mbetet një opsion real në të ardhmen. Moderatorja ka qenë gjithmonë një emër i përfolur për formatin, dhe kjo përgjigje vetëm sa e shton më shumë zhurmën rreth saj.
Screenshot
Alketa u pyet po ashtu për mendimin mbi realizimin e Big Brother Kosova. Ajo u përgjigj prerë se “duhej ta bënte një edicion vetë”, duke shtuar se formati në Kosovë, sipas asaj që kishte parë në rrjetet sociale, kishte “tejkaluar çdo limit etik”. Vejsiu theksoi se nuk është pro “porno-s në mes të ditës”, duke përmendur skena që sipas saj krijojnë “bezdi e diskomfort”, dhe se disa modele brenda shtëpisë “nuk përfaqësojnë asgjë, veç t’u tundin pasmet”. -

“BE është një perandori”, Rama intervistë për Euronews: Shqipëria i takon Europës. Marrëdhënia me Melonin….
Intervista e Kryeministrit Edi Rama për ‘The Europe Conversation’, Euronews:
Moderatorja: I ftuari im për këtë “Europe Conversation” është Kryeministri shqiptar, Edi Rama. Zotëri, falemnderit shumë që erdhët.
Kryeministri Edi Rama: Falemnderit që më ftuat.
Moderatorja: Jeni në Bruksel duke zhvilluar bisedime për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndaj pyetja që vjen në mend është: “Përse dëshiron Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së?”
Kryeministri Edi Rama: Sepse kjo është ajo që kemi dashur gjithmonë dhe, më në fund, mundemi. Kemi bërë një rrugë shumë të gjatë për të ardhur deri ketu. Kemi qenë nën perandori të ndryshme dhe, më në fund, me zgjedhjen tonë, duam të bëhemi pjesë e kësaj perandorie.
Moderatorja: Oh, ju e konsideroni Bashkimin Europian perandori?
Kryeministri Edi Rama: Sigurisht.
Moderatorja: Në ç’mënyrë?
Kryeministri Edi Rama: Një perandori, në të gjitha mënyrat. Një perandori të mirë.
Moderatorja: Të mirë. Çështja është, pyetja që do ju bëja është “pse tani”? Ju thoni është një perandori e mirë, po sigurisht, kanë qenë tri vite shumë të vështira këto për Bashkimin Europian. Natyrisht, lufta në Ukrainë ka ndikuar shumë në diskutimin europian. Kemi parë po ashtu këtë momentin ose të një ndryshim rrënjësor për BE-në, ose të një agonie të ngadaltë, e ka thënë Mario Draghi këtë. A e ka humbur BE-ja një pjesë të shkëlqimit të saj apo besoni se ka ende një mundësi?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, po më pyesni për gjëra të ndryshme. Nga njëra anë, per si e shohim ne dhe nga ana tjetër si e sheh Europa vetveten në botën e sotme. Kur vjen fjala si e shohim ne, e shohim si të vetmin vend ku duam të jemi, sepse është vendi i vetëm ku do të jenë të garantuara disa gjëra për të cilat kemi luftuar. E kam fjalën për lirinë, e kam fjalën për barazinë përpara ligjit, e kam fjalën për demokracinë, në përgjithësi. Sipas këndvështrimit tim, me shumë modesti, do thoja se nuk është se Europa ka humbur diçka, por Europa duhet të fitojë diçka.
Moderatorja: Megjithatë, kur e sheh situatën në Europë, sigurisht, me luftën që ende vazhdon, ju me shumë përulësi thoni nuk do t’i them BE-së çfarë të bëjë, sepse, për momentin, nuk jeni anëtarë të BE-së, por, sidoqoftë, ju thoni kam pikëpamjet e mia sesi duhet të jetë Europa. Çfarë mendoni se do t’i bëjë këtij kontinenti lufta në Ukrainë?
Kryeministri Edi Rama: Lufta në Ukrainë shkon, në njëfarë mënyre, përtej Ukrainës. Është paralajmërimi i fortë i një bote që po ndryshon, i stuhive gjeopolitike që po mbarsen dhe i një loje krejt tjetër në arenën ndërkombëtare. E prandaj Europa duhet të dalë me një qasje që nuk mbështetet te normaliteti i vjetër, i cili nuk ka për t’u kthyer, por që bazohet tek se si ajo të sigurohet që të mos bëhet e parëndësishme. Lufta në Ukrainë është një sprovë e madhe për të gjithë ne në shumë drejtime dhe mbi të gjitha, besoj, për se si e sa do të jetë Europa e aftë qe tekefundit ajo të jetë forca shtytëse për paqen dhe jo një forcë lufte.
Moderatorja: Ju thatë që reflektimi mbi Europën do të varet shumë nga si do të përfundojë lufta. Nëse situata në Ukrainë është keq, a e bën kjo Europën më të dobët dhe a është ky një Bashkim ku do të donit të bënit pjesë, një Bashkim i dobët?
Kryeministri Edi Rama: Gjithçka varet në këtë rast, gjithçka varet, sepse, le ta shohim siç është, nuk është edhe aq ngushëlluese që Bashkimi Europian, Europa si e tillë, Europa demokratike, ende nuk ka një plan paqeje për Ukrainën. Kjo nuk do të thotë të bësh kompromise mbi tërësinë territoriale apo të njohësh në asnjë formë dhe mënyrë agresionin. Kjo nënkupton se duhet gjetur një rrugë për të kombinuar qëndresën kundër agresionit me një plan realist paqeje, duke bërë maksimumin për t’i ofruar të dyja, qëndresën, muskujt në arenë, si edhe vizionin për të ardhmen, mundësisht një të ardhme të përbashkët, duke përfshirë Rusinë, së pari drejt paqes e, më tej, drejt bashkëpunimit. E di që duket krejt çmenduri të mendosh kështu sot, por Europa ka treguar se armiqtë mund të bëhen partnerë dhe partnerët mund të bëhen miq. Sigurisht që, për të shkuar deri aty, më së pari, na duhet të gjithëve të tejkalojmë mizorinë e agresionit dhe të mos shpërblejmë agresionin. Pa asnjë dyshim.
Moderatorja: Kjo është interesante, sepse gjuha që dëgjojmë nga Brukseli është kryesisht se Rusia përbën kërcënim për europianët dhe nuk ka një rrugë të qartë për normalizimin e marrëdhënieve. A e shihni Rusinë si vend që, po, është kërcënim për europianët apo ndoshta ka një rrugë me të cilën duhet angazhuar, sepse Rusia është aty, nuk ikën.
Kryeministri Edi Rama: Sipas meje, njëra nuk përjashton tjetrën. Bashkimi Sovjetik ishte kërcënim për botën dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Richard Nixon dhe Henry Kissinger gjetën rrugën që, njëkohësisht, të ndërtonin një kanal mjaft të fortë komunikimi dhe të fillonin diçka krejt të re në skenën botërore. Të njëjtën gjë bënë edhe me Kinën komuniste të asaj kohe. Sigurisht, nuk dua të bëj krahasime që mund të mos lidhen me qëllimin, por thjesht dua të them, se ndërkohë që lufton dhe me të drejtë, ndërkohë që mbështet Ukrainën dhe me të drejtë, ndërkohë që mendon për forcën dhe me të drejtë, Europa duhet të ketë planin e vet të paqes dhe nuk duhet të heqë dorë nga diplomacia, pasi lënia në dorë e diplomacisë europiane dhe lënia në dorë e çfarëdolloj paqeje që të vijë prej përtej oqeanit, nuk duket se ka qenë kaq shpërblyese deri më tani.
Moderatorja: Kur thoni lënia në dorë, e keni fjalën për Trumpin.
Kryeministri Edi Rama: Jo. Nuk është lënia në dorë të Trumpit, përkundrazi, është falë Trumpit që Europa rizbuloi fjalën “armëpushim”, e cila dukej sikur ishte debuar nga fjalori gjatë administratës së mëparshme. Ajo që dua të them është, se pavarësisht asaj që ndodh në anën tjetër të oqeanit apo se kush është nga ana tjetër e oqeanit, Europa duhet të ketë planin e saj të paqes dhe sigurisht më pas ta harmonizojë, ta integrojë dhe kështu me radhë.
Moderatorja: Po tani nuk e shihni?
Kryeministri Edi Rama: Ku është?
Moderatorja: Pra kur flisni me homologët tuaj europianë dhe ata ju thonë duam një paqe të drejtë e të ndershme, ju mendoni se nuk kanë bazë? Nuk shihni një plan?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk po përkrah këtu asnjë paqe të padrejtë e të pandershme, thjesht po them që diplomacia nuk duhet të mbetet pas, edhe pse ka një luftë. Mos harroni, Izraeli dhe Hamasi luftonin dhëmbë për dhëmbë dhe ata komunikonin, negocionin, flisnin. Kjo është diçka normale, se kjo dhe nuk është luftë diku gjetkë, është luftë në Europë.
Moderatorja: T’i kthehemi arsyes përse jeni në Bruksel. Ka pasur ndonjë ndikim fakti që po ndodh një luftë dhe tashmë ka një hov të ri real të zgjerimit? A po ju ndikon pozitivisht kjo gjë apo mendoni se, për shkak të kësaj lufte, ka tashmë një vrull, pra, po të mos ishte për pushtimin e Ukrainës, nuk do të ishim këtu, nuk do të ishim duke folur për këtë.
Kryeministri Edi Rama: Ka shumë të ngjarë dhe është e trishtë…
Moderatorja:… që u desh një luftë.
Kryeministri Edi Rama: Është e trishtë që u desh një luftë për t’i kthyer fjalët e drejta e të duhura në vepra, sepse është thënë gjithmonë që Ballkani Perëndimor është me rëndësi strategjike për Bashkimin Europian, se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian, se një ditë do jemi bashkë, por, ndërkohë, në shumë drejtime, procesi ishte mjaft zhgënjyes. Më duhet të them se agresioni krijoi një energji të re dhe kjo është diçka vërtet frymëzuese, aq sa është frymëzuese që Europa u bë bashkë, aq sa është frymëzuese të lexosh në murin e kësaj ndërtese të madhe një mesazh shumë të qartë uniteti.
Moderatorja: Tashmë, keni hyrë në atë që shihet gati si faza e fundit e negociatave, pastaj do të jetë edhe çështje politike, sepse do t’ju duhet të bindni 27 krerët e shteteve. Cilin konsideroni aleatin tuaj më të madh? Për, mua që e shoh nga jashtë, Giorgia Meloni është mikja juaj më e mirë në Europë, apo jo?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, nuk dua të hyj këtu, sepse nuk do të ishte e drejtë në raport me miqësinë shumë të vërtetë dhe shumë bujare që po na ofrojnë shumë njerëz në këtë rrugëtim.
Moderatorja: Po keni një kimi të veçantë, është e dukshme. Çfarë ju pëlqen tek ajo?
Kryeministri Edi Rama: Tani, jeni kureshtare, sepse ajo është një grua, ju jeni një grua. Më duhet të them se kur bëhet fjalë për Italinë, ka diçka shumë të veçantë midis Shqipërisë dhe Italisë, në përgjithësi dhe të gjithë kryeministrat italianë, pavarësisht partisë apo ngjyrave politike të qeverisë janë treguar shumë të mirë me ne. Me Giorgian ka një kimi mjaft të veçantë, nuk e fsheh dot, sepse është shumë e dukshme apo jo? Përtej kësaj, megjithatë, ajo është një njeri që priret më shumë të bëjë sesa të flasë, çka, më duhet të them, nuk është tipike italiane, por ajo është e tillë.
Moderatorja: A do të ishte më e mirë Europa, po të kishte më shumë udhëheqës si Giorgia Meloni?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, Giorgia është e vetme në llojin e saj dhe nuk jam i sigurt nëse mund të përsëritet, por nuk ka aspak dyshim se më shumë gra në pozicione drejtuese do ta ndihmojnë Europën të jetë më e fortë dhe kjo është e qartë kur sheh Presidenten e Komisionit të Bashkimit Europian, kur sheh Giorgian, Mette Frederiksen. Të gjitha këto gra janë jashtëzakonisht të forta dhe i bëjnë burrat të duken se iu duhet të përmirësohen.
Moderatorja: Kur vjen fjala për Shqipërinë në kontekstin europian, e dëgjojmë shpesh në fjalinë “modeli shqiptar”. Jam e sigurt që e dini për çfarë bëhet fjalë. Është e qartë që ka lidhje me marrëveshjen për migracionin që keni lidhur me italianët. Tashmë, ata kanë ngritur një qendër migracioni ku zbatohet juridiksioni i tyre, por është toka juaj. Kur dëgjojnë “modelin shqiptar”, shumë njerëz e mendojnë apo supozojnë si humbje e sovranitetit të një vendi, që është i juaji. A është e padrejtë kjo?
Kryeministri Edi Rama: Çfarë do të thuash me sovranitetin?
Moderatorja: Keni polici nga një vend tjetër, forca ligjzbatuese nga një vend tjetër.
Kryeministri Edi Rama: E dini, Italia nuk është një vend tjetër. Italia është Shqipëria që presim me padurim të kemi. Italianët janë shqiptarë të veshur nga Versace. Jemi të njëjtët njerëz, flasim dy gjuhë të ndryshme, na bashkon i njëjti det, na pëlqejnë shumë gjëra të njëjta…
Moderatorja: Po kur dëgjoni anën e errët të modelit shqiptar, çfarë do të thotë për ju? A është diçka për të cilën mendoni se është e padrejtë dhe se më shumë vende do ta bënin po të mundeshin.
Kryeministri Edi Rama: Së pari, jo me Shqipërinë, sepse ne mund ta bëjmë vetëm me Italinë, siç e thashë dhe ka shumë arsye për këtë. Nga ana tjetër, nuk dua t’ia di çfarë thonë njerëzit. Është mirë që njerëzit kanë mundësi t’i thonë gjërat.
Moderatorja: Nuk doni t’ia dini për perceptimin si vend që shkëmbeu një pjesë të sovranitetit.
Kryeministri Edi Rama: Ja, pse e dashurojmë lirinë, ja pse e duam demokracinë, se njerëzit mund të thonë çfarë të duan.
Moderatorja: Ju nuk pendoheni aspak, do ta bënit sërish?
Kryeministri Edi Rama: Jo, po çfarë sovraniteti?! Italianët janë në shtëpi në Shqipëri dhe ne ndihemi në shtëpi në Itali.
Moderatorja: Po italianët nuk zbatojnë ligjin tuaj.
Kryeministri Edi Rama: Po iu takon atyre të zbatojnë ligjin e tyre në atë pjesë toke, ku duhet ta kryejnë këtë operacion që është i tyre. Na e kërkuan ta bëjmë, dhe iu thamë, “sigurisht, jeni të mirëpritur, është shtëpia juaj”.
Moderatorja: Ekziston ideja se ju po vini, policinë, ligjet dhe qytetarët e një vendi nën një vend tjetër dhe se keni lëshuar një pjesë të territorit. Për këtë arsye, ajo zonë specifike është thuajse një pjesë e Italisë. Të tjerë do të argumentonin se ka diçka që nuk shkon me këtë model, por, në të njëjtën kohë, por, pyes veten, a mendoni se ka një nivel hipokrizie këtu, sepse do ta bënin edhe të tjerë, po të mundeshin.
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk mund të akuzoj askënd për hipokrizi, thjesht mendoj se njerëzit kanë pikëpamje të ndryshme dhe ndonjëherë njerëzit janë xhelozë, po kjo është njerëzore. Sa për këtë rast, nuk e di. Thjesht di që për ne ka qenë një detyrim. Duhej ta bënim, sepse Italia na e kërkoi dhe kur kërkon Italia, ne i themi gjithnjë “po”. Nuk është thjesht Giorgia, është Italia.
Moderatorja: A besoni se për këtë “po”, kur ata kërkojnë, ju thoni “po”, do t’jua kthejnë nderin dikur? Në njëfarë mënyre janë marrëdhënie më jep të jap.
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk ka asnjë marrëdhënie pazari midis nesh dhe Italisë, sepse Italia ka bërë shumë për ne, pa kërkuar asgj në këmbim. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur ishim keq, pasi na kishte goditur një tërmet shumë i fortë dhe të parët që na erdhën në ndihmë ishin zjarrfikësit italianë, të cilët hynë nën rrënoja për t’iu shpëtuar jetën njerëzve që nuk i njihnin, në një vend ku kishin vënë këmbë për herë të parë dhe e bënë si heronj. Kjo është diçka që tregon e thotë shumë.
Moderatorja: Kryeministër, një pyetje të fundit. Thatë që ka shumë klishe dhe stereotipa mbi atë që është Shqipëria.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e thashë këtë, por bie dakord me ju.
Moderatorja: Nuk e thatë këtu, por e pashë në një fjali…
Kryeministri Edi Rama: Ah, dikur, diku tjetër.
Moderatorja: Shpreheshit se ka ide që dalin për Shqipërinë, të cilat për mua janë klishe, stereotipa të asaj që janë shqiptarët. Në të njëjtën kohë, disa prej kritikëve tuaj do të argumentonin se ajo të cilës i referohet kjo imagjinatë kolektive është ndoshta ideja e mafies, krimit, bandave. Është kjo diçka që e merrni seriozisht dhe thoni, “nuk është stereotip, por diçka që duhet ta luftojmë”. Si ia dilni të ecni në këtë rrugë të dyfishtë, ku, nga njëra anë kërkoni të ndryshoni imazhin, por edhe luftoni çështje të tilla.
Kryeministri Edi Rama: Jo, imazhi ka ndryshuar tashmë dhe ndryshon çdo ditë, sepse Shqipëria nuk është më ajo gropa e zezë në mes të Europës.
Moderatorja: Ju mendoni që kështu ju kanë perceptuar njerëzit?
Kryeministri Edi Rama: Një gropë ku të gjithë imagjinonin mafie, kriminelë, drogë, prostituta dhe çdo të keqe të mundshme. Tashmë, Shqipëria është një vend rrezatues që vijnë ta vizitojnë miliona e miliona europianë, të cilët e shohin që ajo është një pjesë Europe, e cila duhet të jetë pjesë e mozaikut
Moderatorja: Ju as këtë nuk e merrni lehtë.
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë, a kemi ende probleme me krimin e organizuar? Po, kemi. Kush nuk ka? Ja shihni këtë qytet për shembull dhe, prapë, këtu ndodhin gjëra të jashtëzakonshme. A kemi probleme me drogën? Kush nuk i ka? Sigurisht, na duhet të luftojmë, lufta nuk mbaron kurrë, siç e tregon edhe shembulli i Europës. Europa e ka luftuar drogën pafund, por droga është ende e pranishme në Europë dhe lufta vazhdon.
Moderatorja: Edhe komisioni e ngriti këtë argument, kështu që bini dakord për këtë, specifikisht dhe për rekomandimet.
Kryeministri Edi Rama: Unë bie dakord me të gjitha rekomandimet. Anjëherë nuk kam parë diçka më objektive, më të vërtetë, pa doreza dhe më frymëzuese sesa raporti i Komisionit Europian. Ne jetojmë për atë raport.
Moderatorja: Do ia themi Komisioneres, duhet t’i bëhet qejfi që dikush e lexon të gjithin nga fillimi në fund.
Kryeministri Edi Rama: E dinë, e dinë. Ne kemi disa njerëz që e lexojnë nga fillimi deri në fund. Nuk di si i mbijetojnë, por ia dalin. Unë i adhuroj ata, unë jetoj për këtë raport. Ta shoh këtë raport si bëhet gjithmonë e më mirë është trashëgimia e jetës sime politike.
Moderatorja: Me këtë, Kryeministër, ju falënderoj shumë që erdhët te ne në Euronews.
Kryeministri Edi Rama: Falemnderit.
Top Channel
-

Ndahet nga Donald Veshaj? Bora Zemani: Mu mbush Instagrami me mesazhe…
Moderatorja e njohur Bora Zemani ka reaguar për herë të parë ndaj thashethemeve që qarkulluan së fundmi për një ndarje të supozuar me partnerin e saj, Donald Veshajn. Në një rrëfim per ‘Goca dhe Gra’, Bora zbuloi se lajmet e pavërteta janë përhapur menjëherë sapo ajo ka postuar një foto të Donaldit, çka ka ngjallur reagime të shumta nga ndjekësit.
“Unë e mora vesh që ishte shpërndarë një lajm për ndarjen tonë, kur postova një foto të Donaldit. Mu mbush Instagrami me mesazhe: ‘Shyqyr që nuk jeni ndarë!’ Më thonin shpesh, sa herë postoja foto me Donaldin,” tregoi moderatorja, e habitur nga intensiteti i reagimeve në rrjet.
E intrigurë nga situata, Bora vendosi të hetojë se çfarë po ndodhte dhe u ndesh me lajme të rreme, të cilat jo vetëm që flisnin për një ndarje, por përmendnin edhe arsye të pavërteta si xhelozia apo fshirja e fotove nga Instagrami, diçka që moderatorja e mohoi plotësisht.
“Bëhem kurioze dhe hap të shoh ç’po ndodh, ku ishin këto lajme që jemi ndarë. Fusnin dhe arsye të tjera, xhelozia, që kanë fshirë fotot në IG… por asgjë nuk ishte e vërtetë,” shtoi ajo.
Deklarata e Borës duket se i ka dhënë fund spekulimeve që qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale javët e fundit. Çifti, i cili mbetet ndër më të komentuarit në showbiz-in shqiptar, vijon të tërheqë vëmendjen e publikut me çdo postim apo dalje të përbashkët. -

E ndarë apo jo nga Donald Veshaj/ Ja çfarë thotë Bora Zemani
Moderatorja e njohur Bora Zemani ka reaguar për herë të parë ndaj thashethemeve që qarkulluan së fundmi për një ndarje të supozuar me partnerin e saj, Donald Veshajn. Në një rrëfim per ‘Goca dhe Gra’, Bora zbuloi se lajmet e pavërteta janë përhapur menjëherë sapo ajo ka postuar një foto të Donaldit, çka ka ngjallur reagime të shumta nga ndjekësit.
“Unë e mora vesh që ishte shpërndarë një lajm për ndarjen tonë, kur postova një foto të Donaldit. Mu mbush Instagrami me mesazhe: ‘Shyqyr që nuk jeni ndarë!’ Më thonin shpesh, sa herë postoja foto me Donaldin,” tregoi moderatorja, e habitur nga intensiteti i reagimeve në rrjet.
E intrigurë nga situata, Bora vendosi të hetojë se çfarë po ndodhte dhe u ndesh me lajme të rreme, të cilat jo vetëm që flisnin për një ndarje, por përmendnin edhe arsye të pavërteta si xhelozia apo fshirja e fotove nga Instagrami, diçka që moderatorja e mohoi plotësisht.
“Bëhem kurioze dhe hap të shoh ç’po ndodh, ku ishin këto lajme që jemi ndarë. Fusnin dhe arsye të tjera, xhelozia, që kanë fshirë fotot në IG… por asgjë nuk ishte e vërtetë,” shtoi ajo.
Deklarata e Borës duket se i ka dhënë fund spekulimeve që qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale javët e fundit. Çifti, i cili mbetet ndër më të komentuarit në showbiz-in shqiptar, vijon të tërheqë vëmendjen e publikut me çdo postim apo dalje të përbashkët. -

A do të jetë Bora Zemani pjesë e ‘BBV5’?
Moderatorja e njohur Bora Zemani ka folur hapur për herë të parë rreth mundësisë për t’u bërë pjesë e “Big Brother”, spektaklit më të ndjekur në Shqipëri. E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Bora u pyet drejtpërdrejt nëse do ta merrte një hap të tillë dhe përgjigjja e saj ishte e prerë.
“Nuk besoj sepse më duket eksperiencë shumë e vështirë. Unë nuk do e bëja dot,” u shpreh moderatorja, duke sqaruar se formati, pavarësisht suksesit dhe vëmendjes së madhe që sjell, kërkon një lloj përballjeje emocionale për të cilën ajo nuk ndihet e gatshme.
Edhe pse nuk ka qenë kurrë fizikisht banore në shtëpinë e famshme, Bora rrëfeu se e ka përjetuar nga afër presionin, ritmin dhe ngarkesën emocionale të këtij reality-show, sidomos gjatë edicionit të parë të Big Brother VIP, ku partneri i saj, Donald Veshaj, ishte një ndër protagonistët kryesorë.
“Në këto kushte që kam qenë, i kam parë benefitet pa qenë pjesë e shtëpisë. BBV1 ka qenë eksperiencë intensive, shumë, shumë mbytëse sepse kishte të bënte me gjëra të miat personale,” shpjegoi ajo, duke kujtuar momentet e tensionit dhe vëmendjes së jashtëzakonshme që pati marrë historia e tyre gjatë atij edicioni.
Ajo theksoi se presioni publik, izolimi nga bota jashtë dhe ekspozimi i çdo aspekti personal janë elementë që e bëjnë Big Brother një sfidë të jashtëzakonshme. -

“Jam shumë e lumtur”/ Heidi Baci pranon se është e dashuruar
Heidi Baci, moderatorja dhe ish-banore e Big Brother VIP, ka folur së fundmi për jetën e saj personale dhe ka lënë të kuptohet se është e dashuruar. Gjatë një interviste në emisionin “Shqipëria Live”, ajo u pyet nga moderatorja Sidorela Gjoni nëse beson ende te dashuria dhe nëse aktualisht ndihet e lumtur.
Heidi u shpreh me një buzëqeshje të sinqertë:
“Patjetër, gjithmonë. Nëse mund t’ju jap një këshillë, mos hiqni dorë nga dashuria. Është gjëja më e bukur. Po, jam shumë e lumtur,” – tregoi ajo, duke e lënë publikun të kuptojë se zemra e saj ka një vend të zënë.
Gjatë bisedës, ajo u pyet gjithashtu nëse do të ndryshonte diçka nga rrugëtimi i saj në Shqipëri dhe nga fama që fitoi pas Big Brother VIP. Heidi tregoi se ka mësuar ta pranojë jetën siç vjen, pa u penduar për asgjë.
“Do e lija veten e lirë, nuk do ndryshoja asgjë. Unë punoj fort me jetën time që të mos të kem pengje,” – u shpreh ajo.
Deklaratat e saj janë pritur me shumë reagime në rrjet, ku ndjekësit kanë nisur të bëjnë hamendësime për identitetin e partnerit të saj, pasi prej kohësh Heidi ka zgjedhur ta mbajë këtë pjesë të jetës larg vëmendjes publike.
