Disfata e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit duket se ka ndezur debate të forta brenda saj. Fredi Beleri, eurodeputet nga Greqia dhe mbështetës i PD-së, i kërkon Sali Berishës të marrë përgjegjësi dhe të japë dorëheqjen. Beleri gjithashtu kritikoi opozitën për mungesë angazhimi dhe theksoi pritshmërinë e kryeministrit grek Mitsotakis për fitoren e Ramës. Nga ana tjetër, Ilir Alimehmeti, kandidat i PD-ASHM, thekson nevojën për reflektim dhe analizë të thellë pas humbjes. Ai akuzon disa anëtarë të listës së mbyllur për mungesë përfshirjeje në fushatë. Alimehmeti nënvizon rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të hapur, duke paralajmëruar riformatim në strukturat e partisë. Të dy argumentojnë se përgjegjësia kryesore bie mbi drejtuesit e lartë. Debati pritet të vazhdojë ndërsa PD përgatitet për një periudhë pas-zgjedhore të ndërlikuar.
Qëndrimi i Fredi Belerit
Konkretisht Fredi Beleri, një personazh kontrovers, i cili sot është eurodeputet si pjesë e grupit të Partive Popullore Europiane, si përfaqësues i Nea Demokracia të Greqisë, duket se ka tradhtuar Sali Berishën, kreun e PD-së, të cilin e mbështeti gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Në një intervistë për mediat dje Beleri ka pohuar se kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis e priste fitoren e Ramës në zgjedhje. Ai gjithashtu kritikoi opozitën për këtë humbje të thellë, duke u shprehur se duhet të mbajnë të gjithë përgjegjësi, i pari Berisha. “Të dielën votojnë PS, të hënën kërkojnë vizë për Europë. Të njëjtët njerëz. Nuk është normale, opozita duhet të bëjë gjithçka.
Qoftë dhe dorëheqjen e kryetarit që të sensibilizohet populli. Të ndryshojë situata. Nëse rezultati nuk arrihet, atëherë duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë, i pari kryetari. Unë jam te komisioni parlamentar BE-Shqipëri. Sa herë që të bëjë komisioni ynë mbledhje, do jem i pranishëm. Nëse do të jetë Rama aty, atëherë fatkeqësisht do e kem përballë. Nuk mund të ankohen për Ramën se vetë e votuan. Mitsotakis e priste që Rama do fitonte. Ai thotë që neve nuk na duhet kush do jetë. Mitsotakis është dashamirës i Shqipërisë dhe një nga kryeministrat që i dëgjohet zëri në Europë. Shpresoj që të normalizohen marrëdhëniet.
Nëse shqiptarët janë të kënaqur me rezultatin, me kandidatë të rinj që shpartallojnë ish-ministrat në zgjedhje, atëherë Mitsotakis është i kënaqur”, u shpreh Beleri. Gjatë fushatës elektorale, Fredi Beleri u shfaq në disa takime të organizuara nga PD dhe koalicioni i drejtuar prej saj ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’, veçanërisht tubimeve në Greqi. Gjithashtu Beleri ka mbështetur aleancën e PD me PBDNJ-në e Vangjel Dules, i cili garonte në qarkun e Vlorës, si pjesë e listës së mbyllur.
Reagimi i Ilir Alimehmetit
Ndërkohë Ilir Alimehmeti, i cili garoi në listat e hapura të koalicionit ‘PD-ASHM’ dhe doli i dyti më i votuar, pas Jorida Tabakut, por pa mundur të marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet e 11 majit, thotë se opozita duhet të marrë përgjegjësi për humbjen. Në një intervistë për mediat dje, Alimehmeti pohoi se disa elementë kanë çeduar gjatë zgjedhjeve. Në këtë kuadër ai u shpreh se kandidatë të listave të mbyllura nuk u angazhuan aspak gjatë fushatës. “Patjetër duhet të reflektojmë. Në radhë të parë a ka çeduar fushata? Në disa elemente patjetër që po. Disa elementë nuk ishin thuajse të pranishëm në fushatë, përgjithësisht ata të listës së mbyllur.
Kjo është e vërtetë sepse nuk mund të fshihemi pas gishti. A do të ketë një analizë gjithëpërfshirëse? Do ta bëjmë kur të mbarojë procesi. A ka pasur probleme të tjera? Po ka pasur edhe probleme të tjera. Përgjegjësia shkon për lart në çdo organizatë apo biznes. Por neve nuk duhet të shohim vetëm këtë fakt, pasi nuk mjafton vetëm të përmirësohesh, por edhe në çfarë terreni përmirësohesh. Nëse në një garë nuk ka arbitër, apo nëse ai nuk është korrekt, atëherë është e kotë të diskutosh. Gjithmonë vëllai i madh do ta mundë të voglin në mundje. Ne fshihemi pas këtyre shifrave dhe harrojmë gjërat e mëdha. Në radhë të parë do mbyllet procesi, në radhë të dytë do të ketë analizë dhe më pas do të ketë riformatim.
Pas çdo veprimi, për mirë apo për keq, analiza duhet bërë dhe në varësi se kush ka punuar më mirë duhet të ketë promovim dhe më dobët, një hap më mbrapa. Ai që performon duhet të mbështetet të ecë përpara. Unë jam mbështetës i fortë i situatave dinamike, jo statike. E vërteta në fund fare mund të dhembë, por të ngre një problem, dhe po ta thuash, fillon e mendon se si ta zgjidhësh. Mua më intereson zgjidhja. Po ta zgjidhim një problem, i kemi bërë mirë PD”, deklaroi dje Alimehmeti.