Tag: mishit

  • Çfarë i Ndodh Trupit kur Konsumoni Shumë Mish

    Çfarë i Ndodh Trupit kur Konsumoni Shumë Mish

    Siç dihet proteinat janë të pazëvendësueshme dhe shumë të rëndësishme për një organizëm të balancuar.

    Proteinat gjenden me shumicë tek mishi dhe sidomos tek ai i kuqi, i cili preferohet edhe më shumë se të tjerët.
    Gjithsesi pavarësisht këtyre vlerave sipas ekspertëve konsumimi i tepërt i këtij ushqimi mund të kthehet në një problem për organizmin.
    Në këtë artikull AgroWeb.org ju tregon se çfarë i ndodh trupit kur ju konsumoni shumë mish dhe cilat janë shenjat që trupi jep.
    Më poshtë i gjeni të gjitha këto arsye të listuara bashkë me të gjithë dëmet që i shkaktojnë organizmit.
    Lodhje e tepërt
    Proteinat janë të njohura për vlerat dhe energjinë që i dhurojnë trupit për gjatë gjithë ditës.
    Janë një mënyrë e mirë për të stimuluar fokusimin dhe përqendrimin e trurit.
    Gjithsesi pavarësisht kësaj, ndjesia e përgjumjes dhe e lodhjes kur konsumoni shumë mish të kuq përkthehet në një sasi shumë të madhe të proteinave në trup.
    Këto proteina sidomos kur keni edhe një sasi të madhe fibrash në organizëm, shkaktojnë dhimbje koke, irritim e për pasojë edhe lodhje.
    Flokë dhe lëkurë e dëmtuar
    Ekzagjerimi me mishin e kuq do të thotë mungesë vitamine C, e cila nuk gjendet me shumicë tek mishi i kafshëve.
    Kjo vitaminë është e rëndësishme veçanërisht për flokët dhe lëkurën, pasi ndihmon në formimin e kolagjenit në trup që është edhe proteina baze për rritjen e flokëve dhe rininë e lëkures.
    Kështu që, nëse shikoni që flokët, lëkura apo thonjtë tuaj janë të dëmtuar arsyeja mund të jetë mishi që konsumoni në përditshmëri.
    Gjithnjë kur të konsumoni një racion mish kujdesuni ta shoqëroni me një larmishmëri perimesh si spinaqi, kungujt, patatet apo lakrat e egra.
    Konstipacioni
    Problemet me tretjen e mirë të ushqimeve janë shumë prezente sidomos me kalimin e viteve tek çdo njeri.
    Konstipacioni është një ndër shenjat e para që trupi jep kur ka mungesë të fibrave.
    Duke qenë se mishi nuk përmban fare fibra, nëse zë pjesën më të madhe të dietës tuaj me shumë mundësi do të keni probleme me tretjen.
    Prandaj sipas mjekëve është e rëndësishme të keni vakte të larmishme mes proteinave të mishit, drithërave, bishtajorëve, perimeve dhe frutave.
    Rrit kolesterolin e keq
    Duke qenë i pasur me yndyrna dhe dhjamë, konsumimi i tepërt i mishit rrit edhe kolesterolin e keq.
    Kjo do të thotë një risk i shtuar për trupin pasi mund të zhvillohen sëmundje kardiovaskulare.
    Aroma e keqe e gojës
    Konsumimi i tepërt i mishit të kuq sipas mjekëve mund  të shkaktojë aromë të keqe të gojës.
    Kjo ndodh pasi kur trupi nuk ka më karbohidrate, fillon të përdorë dhjamin si burim kryesor për të funksionuar.
    Nën këtë proces formohen disa përbërje organike të cilat shkaktojë aromë të keqe dhe shije të hidhur të gojës.
    Kështu që mundohuni që gjithnjë të mos konsumoni më shumë se 70 gr mish, dhe jo çdo ditë.
    Shtim në peshë
    Siç përmendëm edhe më sipër mishi i kuq është i pasur me yndyrna dhe dhjamë.
    Këto yndyrna shtojnë peshën trupore dhe janë shumë të vështira për t’u djegur nga metabolizmi.
    Prandaj është e rëndësishme të mos e teproni me këtë ushqim.
    Mjekët rekomandojnë një sasi të caktuar të konsumimit të mishit të kuq në javë e cila nuk do të dëmtojë organizmin tuaj.
    Përafërsisht rekomandohet 70 gramë mish i kuq i gatuar në ditë dhe rreth 400-500 gr në javë.
    Për një informacion më të detajuar rreth konsumimit të mishit, mund të lexoni këshillat e AgroWeb.org duke klikuar këtu./AgroWeb.org

  • Bllokohen 124 kg mish dhe disa biznese në Shkodër. AKU vendos gjoba të majme

    Bllokohen 124 kg mish dhe disa biznese në Shkodër. AKU vendos gjoba të majme

    Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Shkodër, ka bllokuar 124 kg mish, për shkak se ishin pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.

    Përmes një njoftimi, AKU – Shkodër, bën me dije se përveçse bllokimit të mishit, ka pasur gjithashtu gjoba të vlerave të larta që arrijnë totalin 600,000 lekë, por gjithashtu janë bllokuar dhe dy biznese. Bllokimi i bizneseve ka ardhur si pasojë e mos regjistrimit të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

    Kontrollet e AKU-së u bënë në kuadër të monitorimit të situatës së sëmundjes PPR tek ruminantët e vegjël, për gjetjen e shkeljeve ligjore në tregtinë e mishit.

    Mbi kontrollin dhe masat e marra ndaj shkeljeve ligjore në tregtimin e mishit
    Në kuadër të monitorimit të situatës së sëmundjes PPR tek ruminantët e vegjël

    Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm për monitorimin e situatës së sëmundjes së ruminantëve të vegjël (PPR), trupa inspektuese/monitorese e AKU-së, Drejtoria Rajonale Shkodër, gjatë kontrolleve të ushtruara në datat 21 dhe 22 qershor 2025, konstatoi në kushtet e flagrancës shkelje të rënda të kërkesave ligjore në katër subjekte me aktivitet tregtimi mishi.

    Detajet e kontrolleve dhe masave të marra:

    Më datë 21.06.2025:
    1. Subjekti 1 – Tregtim mishi
    • Shkelja: U bllokuan 2 karkasa qingji, në total 12 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.
    • Masa administrative: Gjobë në vlerën 100,000 lekë, bazuar në Ligjin nr. 87/2012 dhe Aktin Normativ nr. 4, datë 16.08.2012 “Për përcaktimin e rregullave për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre”.
    2. Subjekti 2 – Tregtim mishi
    • Shkelja: U bllokua 1 karkasë qingji, në total 7 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.
    • Masa administrative: Gjobë në vlerën 100,000 lekë, në bazë të të njëjtit legjislacion.

    Më datë 22.06.2025:
    3. Subjekti 3 – Tregtim mishi
    • Shkelja: U bllokua mish në sasi 75 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Subjekti ishte gjithashtu i paregjistruar në QKR.
    • Masat e marra:
    • Bllokimi i aktivitetit tregtar
    • Gjobë në vlerën 200,000 lekë
    4. Subjekti 4 – Tregtim mishi
    • Shkelja: U bllokua mish në sasi 30 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Subjekti ishte gjithashtu i paregjistruar në QKR.
    • Masat e marra:
    • Bllokimi i aktivitetit tregtar
    • Gjobë në vlerën 200,000 lekë

    Përmbledhje:
    • Numri total i subjekteve të kontrolluara me shkelje: 4
    • Sasia totale e mishit të bllokuar: 124 kg
    • Destinacioni i mishit të bllokuar: Asgjësimi
    • Vlera totale e masave administrative (gjoba): 600,000 lekë
    .

    Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson rëndësinë e zbatimit rigoroz të kërkesave ligjore në lidhje me sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik dhe do të vijojë kontrollet intensive në të gjithë territorin për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe standardet ligjore në tregtimin e produkteve me origjinë shtazore‘, njofton AKU-ja.

  • Studimi: Italianët po konsumojnë gjithnjë e më shumë mish të bardhë

    Studimi: Italianët po konsumojnë gjithnjë e më shumë mish të bardhë

    Një studim i realizuar nga AstraRicerche dhe Unaitalia tregon se konsumimi i mishit të bardhë është rritur ndjeshëm në Itali, ku 41.5% e italianëve deklarojnë se zgjedhin më shumë mish pule dhe gjel deti krahasuar me dhjetë vite më parë. Veçanërisht brezi i ri, Generata Z, është konsumatori më i madh i mishit të pulës, me 96.6% që e përfshijnë atë në dietën e tyre.

    Studimi tregon se mishi i bardhë mbetet i preferuari i italianëve me një konsum mesatar prej 21.4 kg në vit për person. Besimi në zinxhirin e prodhimit 100% italian është arsyeja kryesore për blerje (48.3%), ndjekur nga çmimi i përballueshëm (43.7%). Gjithashtu, 91.5% e të anketuarve e konsiderojnë mishin e bardhë të rëndësishëm në dietën e tyre, ndërsa 44.6% e shohin atë si “thelbësor” ose “shumë të rëndësishëm”.

    Dy nga tre italianë zgjedhin mish pule për arsye ushqyese, duke marrë parasysh përbërjen e tij të pasur me proteina, vitamina, minerale dhe përmbajtjen e ulët të yndyrnave, si dhe çmimin e përballueshëm (66.8%). Gjithashtu, 63.9% mendojnë se mishi i pulës është më i shëndetshëm dhe më i lehtë për t’u konsumuar.

    65% e të anketuarve besojnë se mishi i pulës dhe gjwelit të detit duhet të jetë pjesë e dietës së fëmijëve për shkak të vlerave të tij ushqyese të rëndësishme për rritjen.

    Arsyet kryesore të konsumit përfshijnë mbështetjen e një stili jetese të shëndetshëm dhe aktiv (72%) dhe ndihmën për dietat e balancuara ose ato për humbje peshe (72.9%). Shtatë nga dhjetë italianë besojnë se mishi i pulës italian është më i sigurt se ai i huaj, veçanërisht personat e brezit Baby Boomer (80%).

    Në fund, 97% e të anketuarve nënvizojnë rëndësinë e mishit të bardhë në dietën mesdhetare dhe rolin e tij të rëndësishëm në këtë stil jetese ushqimore./ Ansa – Syri.net

  • Spiropali drejt Odesa-s për Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore

    Spiropali drejt Odesa-s për Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali është nisur drejt Odesa-s, aty ku pritet të zhvillohet samiti i katërt Ukrainë–Evropa Juglindore.
    Referuar postimit të kryeparlamentares në median sociale X, ajo shoqërohet nga ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.

    “Me ambasadorin tonë Ernal Filo, në kufirin Moldavi–Ukrainë, rrugës për në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore, në Odesa”, shkruan Spiropali duke bashkëngjitur një foto.
    Tre samite Ukrainë-Evropë Juglindore janë zhvilluar tashmë – në Athinë (Greqi) më 21 gusht 2023; në Tiranë (Shqipëri) më 28 shkurt 2024 dhe në Dubrovnik (Kroaci) më 9 tetor 2024.
    Më 17 janar 2025, takimi i parë ministror i Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore u zhvillua në Kyiv.
    Diplomacia shqiptare dhe autoritetet ukrainase zhvilluan në fillim të javës së kaluar një takim për të diskutuar perspektivat e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e bujqësisë dhe tregtisë përmes disa propozimeve konkrete.
    Ambasadori Filo u takua me ministrin për Politikat Agrare dhe Ushqimin të Ukrainës, Vitalii Koval.
    Takimi filloi me diskutime mbi situatën aktuale gjeopolitike, me fokus agresionin rus kundër Ukrainës.
    Pala ukrainase shprehu mirënjohje të thellë ndaj Shqipërisë për mbështetjen e saj të palëkundur përballë sfidave të vazhdueshme.
    Një ndër temat e diskutuara ishte blegtoria dhe tregtia e mishit, ka mësuar Albanian Post, pasi Ukraina kohët e fundit e ka zhvendosur politikën e saj kombëtare bujqësore drejt mbështetjes së shtuar për blegtorinë, me një theks të veçantë në rritjen e prodhimit të mishit të viçit dhe mishit të kuq.
    Nga ana e tij, ambasadori shqiptar vuri në dukje kërkesën në rritje të Shqipërisë për produkte mishi me cilësi të lartë, të nxitura kryesisht nga sektori në zgjerim i turizmit.
    Sakaq, të dyja palët pranuan rëndësinë e vendosjes së njohjes së ndërsjellë të certifikatave veterinare për të lehtësuar tregtinë e mishit.
    Ministri Koval u zotua të angazhohej me autoritetet veterinare ukrainase për të përshpejtuar këtë proces dhe ofroi mbështetje për certifikimin nga pala shqiptare të ndërmarrjeve ukrainase të përpunimit të mishit, potencialisht përmes vlerësimeve online.
    Importi i fruta-perimeve shqiptare ishte një tjetër temë diskutimi mes palëve, ku ambasadori Filo propozoi uljen e doganave për të rritur eksportin në Ukrainë, veçanërisht gjatë periudhës shkurt-maj kur furnizimi vendas ukrainas është i kufizuar.
    Siç ka mësuar Albanian Post, zyrtari ukrainas shprehu interes për këtë propozim, duke njohur potencialin për të diversifikuar importet sezonale dhe për të përmbushur kërkesën e konsumatorit gjatë periudhave të prodhimit jashtë sezonit.
    Një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit lidhej me riaktivizimin e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar Ukrainë-Shqipëri për Bashkëpunim Ekonomik, të cilin e kryeson pala ukrainase.
    Autoritetet ukrainase propozuan thirrjen e seancës inauguruese të Komisionit në fillim të korrikut, për të diskutuar planet e detajuara dhe aspektet teknike të fushave të përcaktuara të bashkëpunimit, mësoi AP-ja.
    Burime pranë Albanian Post u shprehën se ky propozim pritet të diskutohet në Romë gjatë një ministeriali në fund të muajit, për të vazhduar më pas me përgatitjet e nevojshme.

  • Sllovakia lejon tregtimin e mishit të ariut, organizatat mjedisore kundër…

    Sllovakia lejon tregtimin e mishit të ariut, organizatat mjedisore kundër…

    Qeveria e Sllovakisë ka vendosur të lejojë tregtimin e mishit të ariut, një vendim që ka ngjallur reagime të forta nga organizatat mjedisore dhe shoqëria civile. Ministri i Mjedisit, Filip Koufa, nga partia ekstremiste SNS, argumentoi se mishi i ariut është i ngrënshëm dhe se shteti do të miratojë shitjen e tij nga arinjtë e vrarë, duke e konsideruar këtë një zgjidhje të pranueshme.

    Megjithatë, organizata joqeveritare ‘My sme les’ kritikoi ashpër këtë vendim, duke e cilësuar atë si ‘irracional’ dhe duke e akuzuar ministrinë e Mjedisit për transformimin e saj në ‘thertore shtetërore’ që nxjerr përfitime nga kafshët e mbrojtura dhe inkurajon gjuetinë e paligjshme. Për OJQ-në, një institucion i cili duhet të kujdeset për mbrojtjen e specieve në rrezik, ky është një hap prapa për politikat mjedisore të vendit.

    Muajin e kaluar, qeveria sllovake autorizoi vrasjen e 350 arinjve nga rreth 1,300 që jetojnë në vend, një masë e justifikuar nga rritja e sulmeve të këtyre kafshëve ndaj banorëve dhe dëmtimi i pronave.

    Kryeministri Robert Fico deklaroi se ‘nuk mund të jetojmë në një vend ku qytetarët kanë frikë të shkojnë në pyll’. Sidoqoftë, vrasja e arinjve lejohet vetëm në raste të veçanta, si sulmet apo dëmtimet, dhe nëse nuk ka alternativa të tjera si zhvendosja e tyre.

    Në vitin 2024, sipas organizatave mjedisore, 92 arinj u vranë në Sllovaki, ndërsa 52 të tjerë humbën jetën në aksidente trafiku ose u vranë nga gjuetarë të paligjshëm. Edhe pse arinjtë e murmë konsiderohen specie të mbrojtura në Evropë, disa vende si Sllovenia kanë lejuar më parë konsumimin e mishit të tyre.

    Qeveria sllovake ka premtuar se mishi i ariut që do të shitet do të jetë i certifikuar, duke garantuar që kafshët janë gjuajtur në përputhje me ligjin dhe që përpunimi i mishit do të ndjekë rregullat sanitare. Ky hap, megjithatë, vazhdon të nxisë debate për etikën dhe ruajtjen e specieve të mbrojtura në rajon. Syri.net-tovima.gr

  • Sllovakia miraton shitjen e mishit të ariut të murrmë

    Sllovakia miraton shitjen e mishit të ariut të murrmë

    Foto ilustruese

    SLLOVAKI- Mishi i arinjve të murrmë, një specie e mbrojtur në Bashkimin Europian, së shpejti mund të jetë i disponueshëm për t’u ngrënë në Sllovaki. Kjo pasi qeveria miratoi ligjin për shitjen e tij. Muajin e kaluar, kabineti autorizoi një plan për të vrarë rreth një të katërtën e 1,300 arinjve të murrmë të vendit si “përgjigje” të disa sulmeve që kanë ndodhur kohët e fundit. Therja e autorizuar nga shteti është kritikuar nga ambientalistët dhe politikanët e opozitës, përfshirë Parlamentin Evropian. Ariu i murrmë është listuar si një specie “pothuajse e kërcënuar” në BE nga Unioni Botëror i Konservimit.
    Megjithatë, qeveria e Sllovakisë po ecën përpara me planin dhe këtë javë njoftoi se mishi i arinjve do t’i shitet publikut për të parandaluar shpërdorimin e ushqimit. Nga java e ardhshme, organizatat në varësi të ministrisë së mjedisit mund ta ofrojnë mishin për shitje, me kusht që të përmbushen të gjitha kushtet ligjore dhe higjienike.
    Ministri i Shtetit Filip Kuffa tha se kafshët ishin dërguar më parë në objektet e asgjësimit të kufomave, ishin shpërdoruar, gjë që tani nuk do të ndodhte më.
    “Ne do të lirojmë çdo kafshë të qëlluar që plotëson kushte të caktuara për konsum. Pse? Sepse mishi i ariut është i ngrënshëm,”- tha ai.
    Arinjtë janë bërë një çështje politike në Sllovaki pas një numri në rritje të takimeve me njerëzit, përfshirë sulmet fatale. Sllovakia renditet e dyta në Evropë, pas Rumanisë dhe vlerësohet të ketë rreth 13,000 arinj të murrmë. Vendi raportoi gjithsej 54 sulme nga arinjtë nga viti 2000 deri në vitin 2020. Shifrat e përafërta sugjerojnë se numri mesatar i sulmeve është rritur gjithashtu me nga 10 në vit.
    Në prill, një burrë u sulmua për vdekje ndërsa po ecte në një pyll në Sllovakinë Qendrore. Menjëherë pas kësaj ngjarje, kryeministri Robert Fico njoftoi aksionin për vrasjen e arinjve, duke thënë: Nuk mund të jetojmë në një vend ku njerëzit kanë frikë të shkojnë në pyll.
    Ai tha se qeveria e tij do të vriste deri në 350 arinj të murrmë – një shifër ekuivalente me të gjithë popullatën e këtij lloji në Spanjë. Fico pretendon se mbipopullimi i arinjve po sjell sulme. Megjithatë, grupet mjedisore dhe kritikët thonë se fokusi duhet të jetë te parandalimi.
    Arinjtë mbrohen në mënyrë strikte sipas direktivave të BE-së dhe mund të vriten vetëm në raste të jashtëzakonshme – siç janë kërcënimet për sigurinë publike – kur nuk ekzistojnë alternativa të tjera. Mishi i ariut nuk hahet zakonisht në Evropë dhe konsiderohet një delikatesë vetëm në disa rajone, siç janë pjesë të Evropës Lindore dhe vendet nordike. Në shumicën e shteteve anëtare të BE-së, rregullat e rrepta të gjuetisë dhe statusi i mbrojtur i arinjve nënkuptojnë se mishi është shumë i rrallë. Por për konsumin e mishit të ariut, zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë për rrezikun e trichinella-s- një parazit që mund të shkaktojë sëmundje serioze tek njerëzit.
    Rregullorja e Bashkimit Evropian për Sigurinë Ushqimore kërkon që i gjithë mishi i ariut të testohet për larvat e Trichinella-s përpara se të shitet. Po ashtu, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA kërkon që mishi të gatuhet në një temperaturë gatimi prej të paktën 70 gradë Celsius për të vrarë parazitin. Ngrirja, tymosja ose tharja e mishit nuk e bën të sigurt./ZËRI

  • Argjentina merr autorizimin për të eksportuar mish viçi në Shqipëri

    Argjentina merr autorizimin për të eksportuar mish viçi në Shqipëri

    Foto ilustruese

    BUENOS AIRES- Shërbimi Kombëtar për Shëndetin dhe Cilësinë Agro-Ushqimore (Senasa) ka konfirmuar se do të sjellë mish viçi edhe në Shqipëri. Portali zyrtar i shtetit argjentinas ka bërë me dije se Departamenti i Mjekësisë Veterinare dhe Mirëqenies së Kafshëve i Republikës së Shqipërisë njoftoi zyrtarisht hapjen e tregut të tij për mishin e viçit argjentinas. Vendimi përfshin miratimin e Certifikatës Ndërkombëtare Veterinare që do të shoqërojë çdo dërgesë.
    Autorizimi shtrihet në të gjitha prerjet e mishit të destinuara për konsum njerëzor, me përjashtim të vetëm të mishit të ndarë mekanikisht, ndërsa shtojnë se çdo dërgesë duhet të përmbushë kërkesat shëndetësore të specifikuara në CVI, duke siguruar gjurmueshmërinë dhe standardet e sigurisë.
    Për të zgjedhur fabrikat e paketimit të mishit që eksportojnë, Shqipëria do të përdorë të njëjtën listë të fabrikave argjentinase të autorizuara për të shitur mish viçi në Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë, sistemi i para-listimit në fuqi me bllokun e BE-së thjeshton aksesin e institucioneve në destinacionin e ri.
    Gjatë vitit 2024, SENASA certifikoi eksportin e 934,977 ton produkteve të mishit të viçit në tregje të shumta, të udhëhequra nga Kina, Izraeli, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania./ZËRI

  • Pas mishit të pulës, fileto derri me salmonelë! “Frigo ALBA” e futi në treg, AKU e fsheh

    Pas mishit të pulës, fileto derri me salmonelë! “Frigo ALBA” e futi në treg, AKU e fsheh

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-Skandali me mishin me salmonelë vijon të thellohet. Në Shqiperi ka hyrë 4516.75 kg fileto derri me salmomelë. Subjekti importues i mishit është “Frigo ALBA”me administrator Luan Jazexhiu dhe Ledio Koka. Skandali i publikuar “u tentua të zbutet” nga AKU me arsyetimin se ky mish do të asgjësohet.
    Por çfarë ka ndodhur konkretisht?
    Nga një investigim i ‘Ora News’ rezulton se AKU po tenton të fshehë destinacionin final të mishit me salmonelë. Në një përgjigje nga ky institucion bëhet me dije se asgjësimi është kryer në datën 23 prill, ndërkohë që në datën 29 prill AKU shprehej se ky proces nuk ka përfunduar.
    Praktikisht dy përgjigje të ndryshme për të njëjtën procedurë. AKU refuzon t’i vendosë në dispozicion medias dhe publikut foto dhe video nga groposja e mishit me salmonelë. Skandali vijon të thellohet kur AKM njofton zyrtarisht se subjekti “Frigo ALBA” nuk ka bërë asnjë kërkesë për asgjësimin e mishit me salmonelë.
    Inspektorë e Mjedisit duhet të jenë prezent në këtë procedurë për të vërtetuar që mishi është asgjësuar, por ato nuk kanë dijeni për groposjen e 4516.75 kg fileto derri me salmomelë. Zyrtarisht nuk ka prova se ky mish është asgjësuar. Burime shprehen se janë bërë tentativa për ta hedhur mishin me salmonelë në treg duke e shitur nën kosto.
    Teksa ende nuk dihet ku ka përfunduar mishi me salmonelë, raste të konsumatorëve të infektuar janë bërë publike. Së fundmi 17 fëmijë që frekuentonin kopështin nr.1 në Gramsh ku dhe ndodhi helmimi masiv, rezultojnë të jenë të infektuar me salmonelë. Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se nga analizat e kryera ndaj 79 fëmijëve, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me ‘Salmonella Enteritidis’.
    Raportimi vjen dy muaj pasi u zbulua skandali me mishin e pulës me salmonelë, ku 15.000 kilogramë u konsumua nga qytetarët. Gati 20 tonë mish pule e importuar nga Brazili mbërriti në Portin e Durrësit më 11 Mars, dhe pas analizave të kryera pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë më 21 Mars, u konfirmua prania e bakterit të rrezikshëm në mishin e ngrirë të pulës. Mishi u shpërnda në treg nga kompania “diMal” dhe ‘AMG FOOD’. Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me “Salmonella Typhimurium”, por që në këtë kohë, mishi ishte shitur. 

  • Mishi me salmonelë po shitet në fshehtësi? Publikohet dokumentin që “gropos”AKU! “Frigo ALBA” hesht

    Mishi me salmonelë po shitet në fshehtësi? Publikohet dokumentin që “gropos”AKU! “Frigo ALBA” hesht

    Televizioni “Ora News” ka denoncuar faktin se ne Shqiperi ka hyrë 4516.75 kg fileto derri me salmomelë.
    Subjekti importues i mishit është “Frigo ALBA”me administrator Z. Luan Jazexhiu dhe Ledio Koka.
    Skandali i publikuar “u tentua të zbutet” nga AKU me arsyetimin se ky mish do të asgjësohet.
    Por çfarë ka ndodhur konkretisht? Kanë kaluar 3 muaj nga bllokimi i mishit me salmonelë dhe i kemi kërkuar AKU-t informacion nëse është asgjësuar kjo sasi mishi?
    Ky institucion, në 29 prill, shprehet se subjekti importues “Frigo ALBA” ka njoftuar DRAKU në Tiranë për të kryer procedurën e asgjësimit të mishit dhe jemi në pritje të përfundimit të procesit.
    Nga një investigim më i thelluar i ‘Ora News’ rezulton se AKU po tenton të fshehë destinacionin final te mishit me salmonelë.
    Në një përgjigje të dytë nga ky institucion na bëhet me dije se asgjësimi është kryer në datën 23 prill, ndërkohë që në datën 29 prill AKU shprehej se ky proces nuk ka përfunduar.
    Praktikisht dy përgjigje të ndryshme për të njëjtën procedurë. AKU refuzon t’i vendosë në dispozicion medias dhe publikut foto dhe video nga groposja e mishit me salmonelë.
    Skandali vijon të thellohet kur AKM na njofton zyrtarisht se subjekti “Frigo ALBA” nuk ka bërë asnjë kërkesë për asgjësimin e mishit me salmonelë.
    Inspektorë e Mjedisit duhet të jenë prezent në këtë procedurë për të vërtetuar që mishi është asgjësuar, por ato nuk kanë dijeni për groposjen e 4516.75 kg fileto derri me salmomelë.
    Zyrtarisht nuk ka prova se ky mish është asgjësuar. Burime për Tv “Ora News” shprehen se janë bërë tentativa për ta hedhur mishin me salmonelë në treg duke e shitur nën kosto.
    Pyetja që duhet të ngrejë në këmbë institucionet është se ku përfundoi mishi me salmonelë?
    A ka lidhje helmimi i fëmijëve në kopshtin shtetëror me futjen në treg të këtij mishi?/ Ora News

  • Kosova ndalon mishin e pulës nga Brazili pas rasteve me gripin e shpendëve

    Kosova ndalon mishin e pulës nga Brazili pas rasteve me gripin e shpendëve

    Kosova ka vendosur ta ndalojë përkohësisht mishin e pulës dhe produktet e tjera të shpendëve nga Brazili, ka bërë të ditur të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Masa është marrë pasi Brazili konfirmoi të premten shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë, ndërsa tha se po heton raste të tjera të dyshuara.
    Autoritetet kosovare kanë thënë se vendimi për ndalimin e mishit të pulës nga Brazili “synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës”.
    Edhe Bashkimi Evropian njoftoi një ditë më parë se Brazilit, eksportuesit më të madh të shpendëve në botë dhe eksportuesi kryesor të mishit të shpendëve në BE, ia ka ndaluar të dërgojë produkte shpendësh dhe mishi në vendet e bllokut.
    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se masa “do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV”. Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit.
    “Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e AUV-së. REL/