Deputeti i PD, Gjin Gjoni theksoi se minatorët e Spaçit po trajtohen sit ë burgosur, ku sipas tij, është kategoria më e diskriminuar në vend.
Ai tha se pasuritë publike po trajtohen si plaçkë nga qeveria
“Ajo çfarë po ndodh me minatorët e Minierës së Spaçit dëshmon edhe njëherë se pasuritë publike në këtë vend trajtohen si plaçkë, dhe këto pasuri, në vend që të ishin bekim për banorët dhe për zonën, janë kthyer në mallkim.
Mbështes protestën e drejtë të këtyre minatorëve, të cilët çdo ditë futen në nëntokën e pasur të trevës së tyre, pa e ditur nëse pasdite do të kthehen pranë familjeve të tyre. Sjellja e kompanisë turke është e papranueshme dhe dëshmi e qartë se kjo qeveri ka vendosur ta ekspozojë punëtorin shqiptar përballë padrejtësisë.
Kompania turke i ka bërë llogaritë gabim dhe çdo vonesë e tyre për të plotësuar kërkesat e këtyre minatorëve është kohë e humbur për të gjitha palët.
Duke marrë shkas nga ajo çfarë po ndodh me minatorët në Spaç, i bëj thirrje Ministrisë së Energjisë të ndërhyjë dhe të mbrojë punëtorët shqiptarë.
Nga ana tjetër, sot është koha të rikthejmë në vëmendje çështjen e statusit të minatorit, një e drejtë e pamohuar padrejtësisht.
Minatorët janë kategoria më e diskriminuar nga shteti shqiptar, pasi prej 35 vitesh nuk është miratuar statusi për këtë kategori.
Qeveria Rama, edhe kur miratoi statusin e profesioneve të vështira, e bëri me prapavijë elektorale, duke përjashtuar minatorët.
Me mijëra burra në Mirditë, Tropojë, Kukës, Pukë, Mat, Bulqizë, Manzë, Përrenjas, Librazhd, Pogradec, Memaliaj e Selenicë kanë dhënë jetën e tyre në sektorin e vështirë të nëntokës.
Me mijëra të tjerë kanë mbetur të gjymtuar dhe me mijëra të tjerë marrin pensione qesharake.
Ajo çfarë Parlamenti ka bërë me minatorët është krim dhe diskriminim, dhe kjo duhet të marrë fund urgjentish.” tha Gjoni.
Tag: minatorët
-

“Diskriminim ndaj minatorëve”, Gjoni shpërthen ndaj Ramës: Pasuritë e vendit janë kthyer në mallkim për shqiptarët
-

BIRN: Paga dhe siguri, minatorët e Spaçit paralajmërojnë grevë urie nëse kushtet nuk përmbushen
Rreth 70 punonjës të minierës së bakrit në Spaç të Mirditës janë ngritur në protestë prej tre ditësh, duke bojkotuar punën në shenjë pakënaqësie për kushtet e punës dhe pagat minimale. Minatorët i kanë paraqitur një sërë kërkesash kompanisë koncesionare turke “Tete Albania”, por negociatat mes palëve kanë dështuar, duke thelluar tensionet në vendin e punës.
Një nga kërkesat kryesore të minatorëve është njohja e sindikatës së krijuar në muajin gusht dhe nënshkrimi i një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte të drejtat dhe sigurinë në punë. Ata pretendojnë se kompania jo vetëm ka refuzuar dialogun, por ka ndërmarrë edhe masa ndëshkuese ndaj organizatorëve të protestës.
“Duke parë problemet e përditshme, e pamë të nevojshme të organizohemi në sindikatë për të mbrojtur të drejtat tona. Këtë lëvizje ata nuk e pranuan dhe madje më kanë larguar nga puna si organizator i saj,” thotë Albert Bushpreni, minatori i larguar nga puna.
Ai thotë se kompania ishte përpjekur të përçante lëvizjen, por nuk ia ka dalë dhe se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave. “Ndoshta pronari nuk na do as të gjallë, por ne kemi lindur në këto troje që ata po i shfrytëzojnë. Pagat janë minimale dhe kushtet e punës nëntokë janë tepër të vështira. Rrezikojmë shëndetin dhe jetën çdo ditë,” tha ai.
Punonjësit e tjerë ndajnë të njëjtat shqetësime, duke theksuar mungesën e kushteve bazë dhe pagat e ulëta në raport me rrezikun që përballen çdo ditë në nëntokë.
“Po punojmë në kushte të papërshtatshme, duke rrezikuar shëndetin çdo ditë. Pagat janë qesharake për punën që bëjmë nëntokë. Punojmë përtej orarit të përcaktuar, nuk kemi ditë pushimi dhe transporti është skandaloz. Nuk do të tërhiqemi deri në përmbushjen e kërkesave tona. Është e papranueshme të trajtohemi në këtë mënyrë, ndërsa kompania refuzon të na dëgjojë,” – thotë Kastriot Prenga, minator në Spaç.
Në mbështetje të protestës janë bashkuar edhe përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, të cilët kanë paralajmëruar një grevë urie pa afat, nëse kërkesat e minatorëve nuk merren në konsideratë.
“Kompania po pengon një të drejtë themelore të punëtorëve – organizimin sindikal. Kjo është e papranueshme,” deklaroi Klodian Islami, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Industrisë.
Islami tha se të hënën, në orën 07:00 të mëngjesit, do të nisë greva e urisë para ambienteve të kompanisë.
Më herët minatorët i kanë kërkuar ndërhyrje edhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit, e cila ka ndërmjetësuar një takim mes palëve, por pa rezultat konkret. Ndërkohë, kompania “Tete Albania”, e kontaktuar për këtë çështje, i ka cilësuar kërkesat e minatorëve si “antiligjore”, duke mohuar akuzat dhe pretendimet e ngritura ndaj saj.
Protesta në Spaç vjen në një sektor ku aksidentet në punë dhe pakënaqësitë e punëtorëve janë të përsëritura, ndërsa sindikatat kërkojnë që qeveria të ndërhyjë për të garantuar respektimin e të drejtave të punonjësve në industri të rrezikshme si minierat.
Spaçi ka një histori të ngarkuar, pasi gjatë periudhës së diktaturës komuniste miniera në këtë zonë u përdor si kamp pune për të burgosurit politikë, të cilët punonin në kushte ekstreme dhe çnjerëzore./BIRN -

Minatorët në protestë përpara parlamentit: Ne vuajmë për bukën e gojës, deputetët marrin 4 mijë Euro
Ish-minatorë, minatorë aktualë dhe banorë të Kurdarisë dolën sot në protestë para Kuvendit, duke kërkuar statusin e minatorit, një premtim që, sipas tyre, mbetet i paplotësuar nga qeveria.
Protestuesit mbanin pankarta dhe përdorën megafonët për të bërë të ditura kërkesat e tyre, duke theksuar padrejtësitë që ndodhin mes punës së tyre të rrezikshme dhe pagave të deputetëve.
“Është e turpshme që një minator vuan për një copë bukë nën tokë, ndërsa një deputet merr 4 000 €,” shprehu një prej protestuesve.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë, i cili mbështeti kërkesat për të përmirësuar statusin dhe kushtet e punës për minatorët.