Regjisori Piro Milkani gjithë jetën e tij ia kushtoi kinematografisë. Ai ishte një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, ku filma të suksesshëm mbajnë emrin e tij. Vetëm disa muaj pas ndarjes së tij nga jeta u shfaq dhe filmi dokumentar “Jeta si një film”.
Nga fëmijëria, rinia e studimeve në Pragën e bukur, ku u xhirua edhe një pjesë e dokumentarit, deri te momentet kyçe të karrierës së tij në kinematografi janë pjesë e këtij dokumentari. Producenti Skënder Jaçe në intervistën për gazetën “SOT” tregon se ajo që e bën këtë film dokumentar të veçantë është zëri i vetë Piro Milkanit, i përdorur si një element rrëfyes, një narrator që udhëheq publikun nëpër kujtime, emocione dhe reflektime. Pjesë e intervistës me producentin ekzekutiv Jaçe është dhe biseda e tij me vetë regjisorin Piro Milkani dhe se si e priti dokumentarin. Por Jaçe shprehet edhe për bashkëpunimin me skenaristin e filmit Bashkim Hoxha, ku sipas tij ideja për të sjellë në ekran jetën e regjisorit legjendar Piro Milkani u përqafua menjëherë nga ai.
Dokumentari “Jeta si një film”, prodhuar nga “Cinemania” producent Jaklid Gaçen, skenarist Bashkim Hoxha, regjisor Rigers Plaka, kamera Marviks Shantoja dhe producent ekzekutiv Skënder Jaçe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Kineasti Skënder Jaçe një nga miqtë e regjisorit thotë se Piro Milkani ishte një figurë që e pasuroi kinematografinë shqiptare me vepra të vërteta kombëtare. Piro Milkani, krijoi dhe kontribuoi në kinematografinë shqiptare për mbi gjysëm shekulli.
Gjithë jetën e tij, i’a dedikoi kinematografisë, audiovizualit dhe edukimit të brezave të rinj, duke lënë pas vepra cilësore e të dashura për publikun brenda e jashtë vendit. Dokumentari është një rrugëtim emocional, artistik dhe njerëzor përmes kohëve dhe kujtimeve të një mjeshtri si Milkani, ku producenti ekzekutiv Skënder Jaçe tregon se pas avant-premierës që u organizua të premten paradite në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, premiera zyrtare do të organizohet në fillim të muajit tetor.
-“Jeta si një film” kushtuar regjisorit të shquar Piro Milkani është një projekt kinematografik, i cili po pritet me interes nga artdashësit sapo u bë me dije puna për këtë projekt. Si lindi ideja për këtë film dokumentar kushtuar regjisorit të shquar Piro Milkani?
Dokumentari “Jeta si një film” lindi natyrshëm, pas një bisede të sinqertë me shkrimtarin dhe skenaristin e njohur Bashkim Hoxha. Ishim kolegë prej vitesh në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, dhe ideja për të sjellë në ekran jetën e regjisorit legjendar Piro Milkani u përqafua menjëherë nga ai. Bashkimi shkroi një skenar të ngrohtë, me ndjeshmëri dhe elegancë, që përshkruan punën dhe jetën e një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare.
-Xhirimet për dokumentarin janë bërë që kur nuk ishte ndarë nga jeta regjisori, po ku janë për ju momentet e veçanta të punës me filmin, si e priti ai idenë për një dokumentar?
Xhirimet nisën menjëherë, në një kohë kur shëndeti i Piros kishte filluar të lëkundej. E kujtoj atë mëngjes kur e ftova për një kafe. Ashtu si gjithmonë, me një memorie të jashtëzakonshme dhe një zë të butë, por të fortë që të imponohej me hijeshi, më tha: “Do të vi”. U takuam gjatë, folëm për shumëçka, dhe me modesti ai shtoi: “Për mua, i dashur Skënder, janë bërë shumë kronika, shumë intervista. Por e shoh që jeni të vendosur, ndaj po e pranoj. Vetëm më njoftoni dy ditë më parë, dhe jam në dispozicionin tuaj”. Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, Piro Milkani si një krijues i palodhur dhe një regjisor me një karrierë brilante nuk u ankua. Me seriozitetin dhe përkushtimin që e ka karakterizuar gjithnjë, tha një “PO” të sinqertë dhe vendimtare.
-Çfarë mund të na thoni mbi materialet që janë përdorur për realizimin e filmit dokumentar, ku qëndron e veçanta e tij?
Ajo që e bën këtë dokumentar të veçantë është zëri i vetë Piros, i përdorur si një element rrëfyes, një narrator që udhëheq publikun nëpër kujtime, emocione dhe reflektime. Nga fëmijëria, rinia e studimeve në Pragën e bukur (ku u xhirua edhe një pjesë e dokumentarit), deri te momentet kyçe të karrierës së tij në kinematografi rrëfimi i Piros është një dëshmi e gjallë e një jete të jetuar me pasion dhe dashuri për artin. Filmi dokumentar ndërthur mjeshtërisht materialet arkivore, disa prej tyre të përdorura për herë të parë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe arkivi familjar i familjes Milkani, duke ndërtuar një tablo autentike dhe prekëse. Fatkeqësisht, kamera nuk mundi ta ndjekë deri në fund rrugëtimin e tij, pasi Piro Milkani u nda nga jeta gjatë xhirimeve. Por rrëfimi i tij, i sjellë me mjeshtëri nga skenari i Bashkim Hoxhës, vijon të jetojë në ekran, si një testament artistik i një jete të jashtëzakonshme.
-Kur pritet premiera zyrtare e dokumentarit?
Filmi u shfaq avant-premierë në 29 gusht paradite në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, ndërsa premiera zyrtare do të organizohet në fillim të muajit tetor.
-Ju jeni dhe një nga miqtë e regjisorit Piro Milkani që fatkeqësisht u nda nga jeta disa muaj më parë, çfarë mund të na thoni më shumë për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare?
Kam pasur fatin dhe privilegjin ta njoh nga afër këtë burrë të mençur e fisnik. Piro Milkani, regjisor i shquar, ishte një figurë që e pasuroi kinematografinë shqiptare me vepra të vërteta kombëtare. Ai ishte mjeshtër i të gjitha zhanreve, nga dramat tek komeditë, aksioni dhe lufta, duke sjellë në ekran filma që mbeten të pashlyeshëm në kujtesën e publikut. Mjafton të përmendim filma si “Kur zbardhi një ditë”, “Po me urën ç’patën?”, “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Çifti i lumtur”, “Shembja e idhujve”, apo “Ballë për ballë” në bashkëpunim me Kujtim Çashkun, secili prej tyre një gur themeli në historinë e kinemasë sonë.
Intervistoi: Julia Vrapi