Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk tha se ka vendosur të formojë partinë e tij politike në SHBA, duke e quajtur atë “Partia Amerikane”.
Ish-këshilltari i presidentit të SHBA-së Donald Trump bëri njoftimin në platformën e tij X, një ditë pasi dorëzoi një sondazh për t’i pyetur përdoruesit nëse duhet të krijojë një parti të re për të rivalizuar demokratët dhe republikanët.
“Kur bëhet fjalë për falimentimin e vendit tonë me shpërdorim dhe ryshfet, ne jetojmë në një sistem njëpartiak, jo në një demokraci”, tha Musk.
“Sot, Partia Amerikane është formuar për t’ju dhënë përsëri lirinë tuaj”, shtoi ai.
Fillimisht nuk ishte e qartë nëse Musk ka ndërmarrë ndonjë hap formal për të krijuar partinë e re.
Njoftimi shënon një kulm të grindjes midis Trump dhe shefit të Teslës.
Musk mbështeti fushatën zgjedhore të Trump me më shumë se 250 milionë dollarë dhe udhëhoqi ekipin e DOGE-së për uljen e kostove pas inaugurimit presidencial në janar deri në fund të majit, duke kryer shkurtime masive të vendeve të punës dhe duke shkurtuar shpenzimet e qeverisë amerikane.
Më pas, ata u grindën për shkak të “One Big Beautiful Bill” të Trump-it, të cilin presidenti e shndërroi në ligj të premten.
Kritikët, përfshirë Muskun, argumentojnë se projektligji do të çonte në rritje të borxhit amerikan në vitet e ardhshme. ATSH









