Adriatik BALLA
Armando Broja po kalon momente jo të mira te skuadra e tij e re, Bërnli. Ishte një kalim sensacional në merkato, pasi ai lëvizi nga Çelsi drejt një tjetër klubi në Premier League, por mungesa e golave po i jep sulmuesit një pamje jo të mirë për karrierën dhe objektivat sezonalë. Një sulmuesi i duhen golat, por ata i mungojnë Brojës. Pa gola kritikat në shtyp dhe nga tifozët vijnë e shtohen e bëhen më tej të padurueshme. Kështu, pavarësisht se luajti si titullar në Kupën e Ligës ndaj Kardif, Armando Broja nuk ia doli të bindë trajnerin Skot Parker. Bërnli u mund 2-1 dhe u eliminua nga turneu, ndonëse përballë kishte një skuadër të kategorisë së tretë. Në pjesën e parë ekipi pësoi dy gola dhe Broja humbi një mundësi të mirë për të barazuar rezultatin. Në pjesën e dytë, presingu i tij ndaj portierit shkaktoi një gabim që solli golin e vetëm të Bërnli. Sulmuesi pati edhe një tjetër rast për shënim, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri. Pak minuta para fundit, ai u zëvendësua, pa mundur të ndryshonte fatin e ndeshjes. Broja po has vështirësi për të fituar minuta dhe besimin e trajnerit në skuadrën angleze. Kjo situatë mund të reflektohet edhe në paraqitjet me kombëtaren, në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Serbisë.
Statistikat e lojës dhe kritikat e tifozëve e mediave
Megjithatë, bilanci për Brojën nuk ka qenë i mirë në këtë sfidë, pasi në mediat që i kushtohen klubit, si “Burnely Express”, komentet për të nuk kanë qenë pozitive. “Dukej përsëri i ndryshkur. Ndoshta duhet të kishte bërë më mirë kur u nis i vetëm drejt portës për t’u ndalur nga portieri me këmbë”, ishte vlerësimi për paraqitjen e Brojës, të cilit i ishte vënë nota 5 nga portali në fjalë i cili i kushtohet plotësisht klubit britanik. Sa u përket statistikave të tij në ndeshje, Broja kishte 24 herë kontakt me topin gjatë 78 minutave në fushë. Ai bëri tre gjuajtje në katërkëndor me njërën prej tyre që u bllokua nga mbrojtësit, fitoi vetëm 3 nga 9 duelet me kundërshtarët, ndërsa bëri 10 pasime të sakta në 12 tentativa.
Mësohet kur do të kthehet Ardon Jashari te Milani
Mesfushori Ardon Jashari është kthyer në Milano pas qëndrimit të shkurtër në Zvicër, ku vazhdoi rikuperimin nga lëndimi që e pësoi në gusht në një duel me Santiago Himenezin në stërvitje. Jashari u bë një nga transferimet më të shtrenjta të Serie A gjatë afatit kalimtar të verës. Kaloi te Milani për 37 milionë euro nga Klub Bruzh. Para lëndimit ai kishte luajtur vetëm 40 minuta në dy paraqitje si zëvendësues për Kupë të Italisë dhe në Serie A. Ishte raportuar se Jashari do të mungonte dy deri në tre muaj. Siç qëndrojnë gjërat, Jashari synon rikthimin në fushë në nëntor. Mesfushori ishte i pranishëm në stadium për ta përcjellë nga afër ndeshjen që Milani e fitoi 3:0 ndaj Leçes, të martën. Ai ka folur shkurt pas pyetjes së një gazetari italian. Përgjigja ishte pozitive për gjendjen e tij. “Mirë, më mirë, më mirë”, ka thënë Jashari, i cili dukej i buzëqeshur. Te Milani presin shumë nga mesfushori i Zvicrës. Ai me Milanin ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2030.