Kyle Walker, i cili iu bashkua Milanit nga Manchester City në janar, në formë huazimi me të drejtë blerjeje për 5 milionë euro, ka folur për muajt e tij të parë te kuqezinjtë. “Rituali i prezantimit te Milani? Më duhej të këndoja një këngë të Amy Winehouse, ishte paksa e sikletshme. Mike Maignan donte të më pyeste, por hezitonte. I thashë: Mike, e bëj pa problem. U ngjita mbi karrige dhe nisa të këndoja, të gjithë kërcenin, madje edhe trajneri. Me puro? Jo, nuk e kishte (qesh).
Hyrja në dhomën e zhveshjes së Milanit ishte një eksperiencë ndryshe. E di që të tjerët do të më shikojnë, do të përpiqen të ndjekin rutinën time nëse shkoj në palestër, nëse i bëj gjërat në mënyrën e duhur. Duhet të jesh shembull. Kam fituar disa gjëra te Manchester City, tani është momenti ta përcjell këtë eksperiencë.
Cilësia që kemi te Milani është e frikshme. Të gjithë e dimë që sezoni nuk ka qenë i madh deri tani, por mund ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. Me cilësinë që kemi, si te lojtarët, ashtu edhe te trajneri, pavarësisht se çfarë do të ndodhë sezonin tjetër, duhet të bëjmë më të mirën për ta përfunduar këtë sezon në nivelin më të lartë.
Ibrahimoviç? Kam luajtur kundër tij, e kam shikuar edhe më parë, por ndikimi i tij, sidomos në Milano, është i pabesueshëm. Aty ku kam firmosur mund ta ndiej praninë e tij. Është ende si një lojtar, por tani ka rol tjetër.
Ajo që ka bërë për këtë klub, për këtë qytet, për futbollin është madhështore. E meriton gjithçka që ka arritur. I vetmi me të cilin mund ta krahasoj është Rooney, por është ndryshe, sepse atë e njoh personalisht. E njoh si Wayne. Zlatan është shumë serioz, ka një rol ndryshe dhe personalitet krejt tjetër nga Wayne”.
Walker mbi të ardhmen: Me City nuk ka mbaruar, jam këtu në huazimE ardhmja e Kyle Walker mbetet e pasigurt dhe këtë e ka konfirmuar vetë lojtari në “podcastin” e tij: “Milani si eksperiencë erdhi në momentin e duhur, ishte klubi i duhur. Ndjeva që duhej të provoja diçka ndryshe dhe besoj se ishte zgjedhja e duhur për mua.
Megjithatë, me Manchester City nuk ka përfunduar. Jam këtu vetëm në huazim, duhet të kem parasysh që mund të kthehem. Natyrisht, të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje në fund të sezonit. Në çdo rast, kapitulli nuk është ende i mbyllur, por do të shohim çfarë do të ndodhë”.
Walker ka treguar edhe detaje nga lamtumira me Manchester City: “Pasi i kisha përshëndetur të gjithë, Guardiola u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur për mua, më falënderoi për gjithçka, por tha edhe që nuk kishte mbaruar këtu. Jam në huazim te Milani dhe duhet ta kem parasysh mundësinë e rikthimit”.
Mbrojtësi anglez, i cili në maj mbush 35 vjeç, iu bashkua Milanit në janar me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për 5 milionë euro. Në rast të qëndrimit në Milano, për të do të ishte gati një kontratë 2-vjeçare me pagë 4.5 milionë euro në sezon.
Deri tani, ai ka regjistruar 11 paraqitje mes Serie A, Champions League dhe “Coppa Italia”, por pa gola apo asiste. Megjithatë, anglezi ka qenë një titullar i vazhdueshëm. Opsioni i blerjes së tij nga kuqezinjtë është më i mundshmi, por gjithçka do të varet nga drejtori i ri sportiv dhe trajneri i ardhshëm i Milanit.