Tag: michel

  • Misteri i Mont Saint-Michel Ishulli që zhduket dhe rishfaqet papritur

    Misteri i Mont Saint-Michel Ishulli që zhduket dhe rishfaqet papritur

    Në Normandi të Francës, ndodhet një vend thuajse surreal. Jo vetëm një nga kryeveprat e botës, por edhe një kuriozitet që provokon mendjen të zbërthej përtej të dukshmes. Abacia Mont Saint-Michel është ngritur mes dallgëve dhe mjegullës, si përfaqësues i një miti të vjetër.

    Misteri qëndron jo vetëm tek madhështia e asaj çfarë i përngjan një kështjelle më tepër se një abacie apo ishulli të vogël, por edhe tek ritmi i dallgëve që përcakton shfaqjen apo zhdukjen e saj. Brenda disa orësh tërheqja dhe rishfaqja e ujit mund të ndryshojnë pamjen e ishullit brenda disa orësh. Në baticë, Mont Saint-Michel duket si një kështjellë që “noton”, ndërsa në zbaticë lidhet me tokën, duke e bërë për pak të aksesueshme.

    Sipas legjendës në vitin 708, Kryeengjëlli Mikael i kërkoi peshkopit Aubert të ndërtoj një vend të shenjtë. Këtu nis struktura e parë fetare, e cila më vonë rreth viteve 960-1000, u kthye në bazë për abacinë e parë të vërtetë. Ajo ka shërbyer si vend pelegrinazhi, fortesë mbrojtëse dhe më vonë burg shtetëror.

    Ishulli ka rreth 30-40 banorë të përhershëm, ndërsa pjesa tjetër ndahen në murgj/murgesha, punonjës lokalë dhe vizitorë. Monumenti mbrohet nga UNESCO prej vitit 1979 dhe vizitohet nga rreth 3 milion turistë në vit. Mont Saint-Michel është porta midis botës tokësore dhe asaj shpirtërore dhe njëkohësisht një nga veprat ikonike të Francës.

  • Houellebecq dhe portreti i rrëzimit të një shoqërie

    Houellebecq dhe portreti i rrëzimit të një shoqërie

    Nga Agim Baçi

    Si mund ta mendojmë një botë ku Dashurisë “nuk i lejohet” më thuajse asgjë për të thënë, apo kur prej rendjes pas saj rrezikon që të mbetesh jashtë vrapit të botës? Michel Houellebeck prej më shumë se 20 vitesh ka ardhur me një prozë provokative mbi portretin e zbehur të një shoqërie që shkëputet pak nga pak hallkat e të qenurit së bashku, e që na shfaqet ulur në prehrin e një individualizmi që zëvendëson çdo ditë dashurinë me seksin, që zëvendëson familjen me thërrmimin e saj të përditshëm. Mishel Zhersinski, personazhi që bart prej autorit jo vetëm emrin, por edhe mjaft detaje nga jeta e tij familjare, sidomos në lidhje me të ëmën, është një person gati aseksual, që vrojton se si liberalizmi e ka futur seksin në treg, duke e klasifikuar si çdo biznes tjetër, ndërkohë që familja vijon të zbresë në fund të honit, me zë e gjithnjë e më të dobët për botën.I drejtpërdrejtë, gati apatik për gjithçka që pikturon deri në cepin më të fundit të dëshirave intime, Michel Houellebeck, nxjerr në pah gjithë pasojat e një çlirimi pa cak. Gjithçka ka ndryshuar sapo kufiri i së turpshmes ka shkuar në periferi, ndërkohë që ata që besojnë në Zot janë gjithmonë e më shumë pengesë e tregut, pengesë e spektaklit që reklamohet kudo. Përshkrimi i tij për Mishelin dhe gjysmëvëllain, Brunon, është një paradë e jetës që në fillim të viteve ’60, e deri në prag të mijëvjeçarit XX, ku gjithçka është tashmë një treg dëshirash dhe ku vdekja është gjithnjë e më shumë një shqetësim teknik e jo moral. “Për një perëndimor modern, edhe kur është mirë me shëndet, mendimi i vdekjes është si një zë i dobët, që i bujit në kokë sapo shuhen planet dhe dëshirat e tij. Me moshën, zëri bëhet akoma më i fortë; mund ta krahasojmë me një hungërimë të shurdhët, që shpesh shoqërohet me një cingërimë. Në kohë të vjetra, zëri ishte pritja e mbretërisë së Zotit, tani, është pritja e vdekjes”. (po aty, f.80-81)Busulla e vetme e personazheve të Houellebeck janë dëshirat intime, të trupit, i cili është gjithnjë përballë frikës së vetmisë dhe plakjes. Kalkulimi i gjithçkaje është arma moderne, me tytën jo te tjetri, por te vetja. “Erotiko-publiciteti” duket sikur përndjek këdo që dëshiron ende të thërrasë dashurinë dhe tjetrin për një copë udhë. Dhe, në fund, pasi ke kaluar një mal të tërë dëshirash të fshehta, padurimesh për humbjet, mosvëmendje ndaj asaj që duhet të në bëjë zemrën të rrahë, a ka rëndësi se sa i lexuar, apo sa shkencëtar i zoti je? Këtu Houellebeck është pa kompromis, i ashpër deri në pabesinë e fjalës që shkruhet apo thuhet. Nuk është autori që ka nevojë për terapi, ai është diagnostikuesi i përditshmërisë që na bjerr drejt diktaturës së spektaklit të përditshmërisë. Dinjitetin e së shenjtës e ka zënë televizioni, që të sugjeron pafundësisht atë që të duhet, atë që duhet të vraposh që ta kesh.

    Të dehumanizuar dhe të pafuqishëm për të lidhur një marrëdhënie të vërtetë njerëzore, personazhet e Houllebeckut janë një klithje ndaj humbjes së përditshme të njeriut. Dhe Bruno, gjysmëvëllai i Mishelit, që dëshiron të bëhet shkrimtar, është pasqyra e asaj që kishte parashikuar shkrimtari i tij i parapëlqyer, Aldous Huxley. “Ndërsa liria politike dhe ekonomike zvogëlohet, liria seksuale ka gjasë të ketë prirje të zmadhohet. Dhe diktatorët (vetëm po iu desh mish për top dhe familje që të kolonizojnë tokat bosh apo ato të pushtuara) do të inkurajojnë këtë lloj lirie. Ndërthurja e lirisë me drogat, filmat dhe radion do të ndihmojë të arrihet ëndërrimi me sytë hapur, që të arrihet nënshtrimi i individit ndaj robërisë në emër të fatit”, shkruante Huxley në romanin “Më e mira e botëve”, një parashikim që tashmë personazhet e Hoeullebeck e jetojnë çdo ditë në vetminë dhe koasin e tyre. “Erotiko-publiciteti” dhe mbretëria e dëshirave është pikërisht disheza ku e përhershmja dhe tradita shkojnë gjithnjë e më në skaje, pa patur mundësi që të jenë një udhërrëfyes. Por a mund të jemi të lirë sipas logjikës së konsumit, ku përmbushim vetëm nevojat? A mund të bëjmë diçka për veten pa pyetur kurrë se cila është udha jonë në jetë me atë që duhet të bartim ne për të nesërmen? Houllebeck ka provokuar duke nxjerrë në sipërfaqe armët e shkatërrimit, duke nxjerrë edhe thërrmijat më elementare që po shpërthejnë pranë gjithkujt nga ne.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    MICHEL HOUELLEBECQ: SHPRESOJ TË KTHEHEM SË SHPEJTI…

  • Ngatërresë në Francë: Brigitte Macron rezulton  si “Jean-Michel” në sistemin e taksave

    Ngatërresë në Francë: Brigitte Macron rezulton si “Jean-Michel” në sistemin e taksave

    Brigitte Macron, gruaja e Presidentit francez

    FRANCE- Një episod i pazakontë ka ndodhur në Francë, ku bashkëshortja e presidentit Emmanuel Macron, Brigitte Macron, është regjistruar gabimisht me një emër mashkullor në portalin zyrtar të administratës tatimore.
    Rasti u zbulua në një dokumentar të kanalit BFMTV, ku drejtori i administratës së Zonjës së Parë rrëfeu se gjatë një kontrolli rutinë, në shtatorin e vitit të kaluar, sistemi kishte regjistruar Brigitte Macron me emrin “Jean-Michel” në vend të atij të saj të vërtetë.
    Hetimet e mëvonshme zbuluan se nuk bëhej fjalë për një gabim teknik, por për një ndërhyrje të jashtme të qëllimshme në bazën e të dhënave. Pas njoftimit të autoriteteve, Pallati Élysée e mori rastin seriozisht dhe Brigitte Macron bëri një kallëzim penal. Hetuesit kanë identifikuar tashmë dy persona të dyshuar për manipulimin e informacionit në sistem.
    Incidenti mendohet se lidhet me teoritë konspirative që qarkullojnë prej disa vitesh, sipas të cilave Brigitte Macron është lindur mashkull, një pretendim që ajo e ka hedhur kategorikisht poshtë dhe për të cilin ka paditur disa persona për shpifje.
    Në shtator të këtij viti, dy prej autorëve të këtyre teorive u dënuan nga gjykata me gjobë prej 13,500 eurosh, ndërsa vetë Brigitte Macron ka paralajmëruar se është e gatshme të bëjë edhe një test gjenetik, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj çështjeje./ZËRI

  • Jean-Michel Jarre, pionieri i muzikës elektronike

    Jean-Michel Jarre, pionieri i muzikës elektronike

    Jean Michel André Jarre lindi më 24 gusht 1948 në Lyon, Francë. I biri i kompozitorit të njohur filmik, Maurice Jarre, dhe France Pejot, vetë pjesëtare e Rezistencës në Luftën e Dytë Botërore, transmeton KultPlus.

    Në vitin 1968, Jarre, pas përfundimit të studimeve në letërsi, iu bashkua ‘Groupe de Recherches Musicales’ të Pierre Schaeffer, duke u futur në botën e muzikës konkret dhe eksperimentale. Aty nisi eksperimentimin me sintesa elektronike, tape loops dhe efekte audio – themeli i stilit të tij unik.

    Albumi i tij i tretë, *Oxygène*, u publikua në vitin 1976 dhe u regjistrua në shtëpinë e tij në Paris. Ai përdori sintetizatorë analogë dhe efektë elektronikë për të krijuar atë që u quajt një nga albumet më ndikues të muzikës elektronike dhe ambient . Ky album shiti rreth 18 milionë kopje dhe e botoi Jarre-n si një figurë ndërkombëtare.

    Jarre u bë i famshëm jo vetëm për albumet, por edhe për koncertet masive muzikore me lazer, projeksione dhe fishekzjarrë. Në vitin 1979, organizoi një koncert në Place de la Concorde përpara më shumë se një milion njerëzve.

    Ai shërbeu gjithashtu si artisti i parë perëndimor i ftuar për të performuar në Kinë. Koncerti i tij në Moskë në 1997 mbajti rekordin e audiencës më të madhe në një ngjarje të hapur—rreth 3.5 milionë vetë.

    Karriera e tij përfshin një katalog të pasur me mbi 22 albume studio dhe 85 milionë kopje të shitura në mbarë botën.

    Këtu përfshihen:

    ‘Équinoxe’  (1978)

    ‘Rendez-Vous’ (1986), i cili u performua në Houston para 1.5 milionë njerëzve, ngjarje që fitoi vend në Guiness.

    Albumi enigmatik ‘Musique pour Supermarché’ (1983), një LP i vetëm, masterin e të cilit Jarre e shkatërroi publikisht dhe e transmetoi vetëm një herë në radio—më pas u shit për 69,000 franga.

    Seritë inovative ‘Electronica 1 & 2’ (2015–2016), me bashkëpunime nga artistë si Pet Shop Boys, Laurie Anderson, Gary Numan, Armin van Buuren etj.

    Albumi ‘Amazônia’ (2021) dhe më i fundit, ‘Oxymore’(2022).

    Jean-Michel Jarre është një vizionar i teknologjisë dhe kulturës, ambasador i UNESCO-s për edukim, shkencë dhe kulturë, dhe fitues i medaljes Stephen Hawking për komunikimin shkencor. Koncertet e tij janë mbajtur në vende si Piramidat e Egjiptit, Sahara, Gjiri i Vdekur, të gjitha për të mbështetur mesazhe kulturore dhe mjedisore./KultPlus.com

  • Michel Houellebecq: Të flasësh për veten është një aktivitet i bezdisshëm, madje i neveritshëm

    Michel Houellebecq: Të flasësh për veten është një aktivitet i bezdisshëm, madje i neveritshëm

    Nga Michel Houellebecq

    Mua nuk më pëlqen vetja. Kam shumë pak simpati për veten time, dhe aq më pak vlerësim. Për më tepër, vetë personi im nuk më intereson shumë. Unë i njoh prej kohësh karakteristikat e mia kryesore, dhe përfundova duke ndjerë neveri për to.

    Kur isha adoleshent, flisja për veten time, mendoja për veten time, mbushesha me personin tim; sot nuk është më kështu. Jam larguar nga mendimet e mia, dhe vetëm ideja e të treguarit një episod personal më detyron të zhytem në një mërzi aq të madhe, saqë duke sikur jam pranë një gjendjeje kataleptike.

    Nëse kjo gjë është absolutisht e detyrueshme, atëherë gënjej. E megjithatë paradoksalisht nuk jam penduar asnjëherë që jam riprodhuar. Mund të thuhet gjithashtu se e dua djalin tim, dhe e dua akoma më shumë sa herë që dalloj tek ai një gjurmë të defekteve të mia të shumta.

    I shoh ato të shfaqen me kalimin e kohës me një lloj determinizmi të pamëshirshëm, dhe jam i lumtur për këtë. Më pëlqen pa më të voglin turp të shoh përsëritjen e tipareve të mia personale, dhe rrjedhimisht të përjetësuara, që nuk kanë absolutisht asgjë të dukshme.

    Karakteristika që janë shumë të neveritshme; dhe që në realitet nuk kanë asnjë meritë tjetër përveç asaj që janë të miat. Gjithsesi, ato nuk janë saktësisht të miat. Për disa prej tyre arrij të kuptoj se e kanë origjinën në personalitetin e babait tim, gjë që çuditërisht nuk ma heq gëzimin.

    Kjo ndjenjë është diçka më shumë sesa egoizëm; është diçka më e thellë dhe më e padiskutueshme. Si vëllim është diçka më shumë se sa projeksioni i tij mbi një sipërfaqe të sheshtë; ose si një trup i gjallë është më shumë se hija e tij. Përkundrazi, ajo që më trishton tek djali im, është fakti që e shoh të nxjerrë në pah (Ndikimi i nënës? Ndryshimi i kohërave? Individualizëm i pastër?) tiparet e një personaliteti autonom, në të cilin nuk e njoh fare veten time, që mbetet i huaj për mua.

    Por në vend se të mrekullohem, e kuptoj se do të lë pas vetëm një imazh të paplotë dhe të dobësuar të vetes time. Brenda pak sekondash, ndjej më qartë aromën e vdekjes. Dhe mund ta konfirmoj: vdekja kundërmon. Filozofia perëndimore vështirë se e favorizon shfaqjen e ndjenjave të tilla.

    Këto janë ndjenja që nuk i lënë vend përparimit, lirisë, individualizimit, të ardhmes. Ato i drejtohen vetëm përsëritjes së përjetshme e të paqartë të së njëjtës. Për më tepër, nuk kanë asgjë origjinale; ndahen nga pothuajse i gjithë njerëzimi, si dhe nga shumica e mbretërisë së kafshëve.

    Ato nuk janë asgjë më shumë, se sa kujtesa gjithnjë aktive e një instinkti biologjik dominues.

    Filozofia perëndimore është një pajisje trajnimi e ngadaltë, e durueshme dhe mizore, e krijuar për të na bindur mbi disa ide krejtësisht të rreme. E para prej tyre, është se ne duhet t’i respektojmë të tjerët pasi ata janë të ndryshëm nga ne. E dyta është se ne kemi diçka për të fituar nga vdekja.

    Sot, për shkak të teknologjisë perëndimore, kjo “bojë e komoditetit” po del me shpejtësi. Sigurisht, unë do të klonohem sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë do të klonohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë do të shkoj në Bahamas, Zelandën e Re apo Ishujt Kajman.

    Do të paguaj koston e nevojshme (as imperativët etikë dhe as financiarë nuk kanë peshuar ndonjëherë më shumë, krahasuar me ato të riprodhimit). Unë ndoshta do të kem dy ose tre klone, siç mund të keni ju 2 apo 3 fëmijë; ne lindjen e të cilëve do të respektoj një interval të përshtatshëm (as shumë afër dhe as shumë larg).

    Duke qenë një burrë i pjekur, do të sillem si një baba i përgjegjshëm. Do t’u siguroj një edukim të mirë kloneve të mia; dhe në fund do të vdes. Do të vdes pa asnjë kënaqësi, pasi nuk dua të vdes. Megjithatë, derisa të vërtetohet e kundërta, jam i detyruar që ta bëj këtë. Përmes kloneve të mia, do të kem arritur një formë të caktuar mbijetese që nuk është aspak e mjaftueshme, por në çdo rast më e lartë se ajo që do të më kishin garantuar fëmijët. Është më e mira që mund të më ofrojë deri tani teknologjia perëndimore.

    Në momentin e shkrimit të këtyre rreshtave, e kam të pamundur të parashikoj nëse klonet e mia do të lindin nga barku i nënës. Ajo që duket teknikisht e thjeshtë për njeriun laik (shkëmbimet ushqyese në placentë, janë më pak misterioze sesa akti i fekondimit), rezulton në fakt të jetë elementi më i vështirë për t’u riprodhuar.

    Në rast se teknika rezulton të jetë mjaft e avancuar, fëmijët e mi të ardhshëm, klonet e mi, do të përjetojnë fillimin e ekzistencës së tyre në një epruvetë qelqi. Dhe kjo më trishton pak. Nëse do të zhvillohen brenda një epruvete, klonet e mia natyrshëm do të lindin pa kërthizë. Nuk e di se kush e përdori për herë të parë shprehjen ‘littérature nombriliste’ (letërsi e kërthizës) në një kuptim përçmues. Por e di që nuk më ka pëlqyer kurrë kjo klishe banale. E cili do të ishte interesi i një letërsie që pretendon të flasë për njerëzimin, duke përjashtuar çdo konsideratë personale? Qeniet njerëzore janë shumë më të ngjashme me njëri-tjetrin nga sa mund ta mendoni.

    Në pretendimet e tyre komike se janë vetvetja, është shumë më e lehtë të mendosh të arrish universalen duke folur për veten. Dhe këtu shfaqet paradoksi i dytë: të flasësh për veten është një aktivitet i bezdisshëm, madje i neveritshëm. Të shkruarit për veten është në letërsi e vetmja gjë që ka rëndësi, në një masë të tillë që vlera e librave të jetë saktësisht proporcionale me kapacitetin për përfshirje personale të autorit të tyre.

    Është groteske, madje e paturpshme po të doni, por kështu është. Në fakt duke shkruar këto rreshta, jam duke menduar për kërthizën time. Zakonisht mendoj rrallë për këtë gjë, dhe është shumë më mirë. Ajo mbart qartazi në vetvete shenjën e një prerjeje, të një nyje të bërë me nxitim.

    Është kujtimi i një prerje gërshërësh, përmes së cilës u projektua hyrja ime në këtë botë. Dhe ashtu si unë, as ju nuk do t’i shpëtoni këtij kujtimi. Edhe kur të jeni shumë të moshuar gjurmën e asaj prerjeje, do ta ruani të paprekur në mesin e barkut.

    Nga ajo vrimë e mbyllur keq, organet tuaja më të brendshme do të jenë në gjendje të dalin në çdo moment dhe të kalojnë në atmosferë. Ju mund të hapni zorrët në çdo kohë, nën diell; dhe të vdisni një peshk i mbaruar nga një goditje e çizmes mbi shtyllën kurrizore.

    Nuk do të jeni i pari dhe as shembulli më ilustrues. Mos harroni fjalët e poetit: Si një peshk i ngordhur, i shkelmuar. Së shpejti do të keni të njëjtin fat: fëmijë pa rëndësi. Do të jeni si Perëndi, dhe kjo nuk do të mjaftojë aspak.

    Klonet tuaja nuk do të kenë një kërthizë, por do të kenë një ‘litérature nobriliste‘. Edhe ju do të jeni nobrilistë; pra të vdekshëm. Kërthiza juaj do të mbulohet me yndyrë dhe do të jetë thënë gjithçka. Pas kësaj, mbi fytyrën tuaj do të hidhet dheu.

    Shënim: Michel Houellebecq, një nga shkrimtarët më të njohur sot në Francë dhe nëpër botë.

    “Il Giornale” – Bota.al

    Lexo edhe:

    MICHEL HOUELLEBECQ, KY ‘PROVOKATOR’ I MADH