Tag: mhanna

  • Ambasadori i Palestinës i zhgënjyer nga Shqipëria: Populli juaj është me ne, duhet të jetë dhe shteti

    Ambasadori i Palestinës i zhgënjyer nga Shqipëria: Populli juaj është me ne, duhet të jetë dhe shteti

    Ambasadori i Palestinës në Shqipëri, Sami Mhanna, në një intervistë për emisionin “Rretheqark” në A2 CNN me gazetarin Xhevahir Qardaku, u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare lidhur me konfliktin në Rripin e Gazës.
    “Fatkeqësisht, kam pritur më shumë nga qeveria e Shqipërisë që të jetë në anën tonë, veçanërisht gjatë këtij konflikti. Shqipëria e ka njohur Palestinën në vitin 1988 dhe ka qenë ndër të parat që na kanë mbështetur, por kohët e fundit kam parë qëndrime që nuk janë në krahun tonë,” deklaroi Mhanna.
    Ai theksoi se Gaza nuk është vetëm një çështje mes Izraelit dhe Hamasit, por një tragjedi humanitare që po prek miliona civilë. “Në Gaza po vdesin gra, fëmijë dhe njerëz të pafajshëm. Njerëzit po digjen të gjallë, po vdesin nga uria. Kjo është e vërteta. Nuk bëhet fjalë vetëm për Hamasin, por për ekzistencën tonë si palestinezë,” tha ambasadori.
    Mhanna shtoi se një qëndrim më i fortë i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara do të ishte i rëndësishëm “jo vetëm për popullin palestinez, por edhe për të drejtën ndërkombëtare”.

  • Ambasadori palestinez zbulon takimin me Begajn: Më tha pikërisht atë që ne duam!

    Ambasadori palestinez zbulon takimin me Begajn: Më tha pikërisht atë që ne duam!

    Ambasadori i Palestinës në Shqipëri, Sami Mhanna, ka ndarë një nga momentet e para të ardhjes së tij në Tiranë: takimin me presidentin Bajram Begaj.
    Në emisionin “Rretheqark” në A2 CNN me gazetarin Xhevahir Qardaku, ai tregoi se çfarë i tha kreu i shtetit shqiptar sapo i dorëzoi kredencialet.
    “Presidenti Begaj më tha se palestinezët kanë të drejtën e vetëvendosjes dhe se mbështet zgjidhjen me dy shtete. Kjo është rruga e duhur për paqen dhe e drejta ndërkombëtare. Dhe kjo është ajo që duam në të vërtetë, paqe dhe drejtësi,” u shpreh ambasadori.
    Mhanna theksoi se shqiptarët e kanë pritur me respekt dhe se mbështetja e tyre për Palestinën është e dukshme. Ai shtoi se kërkesa e vetme ndaj qeverisë shqiptare është një qëndrim më i qartë në krah të palestinezëve.
    “Nuk kërkojmë shumë. Duam vetëm që ta shihni të vërtetën, po poshtërohemi, po vritemi dhe po dëbohemi nga vendi ynë. Por unë mbetem optimist se gjërat do të ndryshojnë për mirë,” tha ambasadori.