ilir meta dhe monika kryemadhi
TIRANË- Është shtyrë sërish sot në Gjykatën e Posaçme, seanca paraprake për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të ish-kryetares së LSI-së. Vetë Meta kishte zgjedhur që të mos ishte i pranishëm në seancën e sotme, por u përfaqësua vetëm nga avokati Kujtim Cakrani, i cili dha detaje dhe nga diskutimi i tij me gjyqtaren Irena Gjoka. Sipas Cakranit, edhe pse hetimet për Metën dhe Kryemadhin janë mbyllur që prej muajit Korrik, Prokuroria ka paraqitur në seancë disa prova të reja, që kanë ardhur përmes letërporosive që kishin bërë në SHBA, lidhur me lobimin e pretenduar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Paraqitja e provave të reja nga Prokuroria e Posaçme mund të ndryshojë pozicionin e palëve, ndërsa sipas Cakranit e gjitha kjo bëhet për të zgjatur qëndrimin pas hekurave të ish-presidentit Meta.
“Ne e kemi me gjyqtaren. Tani do fillojmë betejën me gjyqtaren, e cila sot ka marrë një vendim të rrezikshëm, duke pezulluar afatet e paraburgimit për zotin Meta. Zonja Gjoka, nuk është gjyqtare e aftë edhe juridikisht, por e kapur politikisht. Ne do vazhdojmë betejën për largimin urgjent të kësaj gjyqtare. Ka patur letër porosi në SHBA vazhdon për çështjen e lobimit. GSIS kishte marrë një pagesë nga një biznesmen që nuk ka as firmë as vulë nga Meta. Ne nuk na shqetëson letërporosia si provë, por fakti që organi i procedurës ka përfunduar hetimet dhe vazhdon hetimet sot në seancë paraprake”, u shpreh Cakrani, ndërsa të njëjtin qëndrim dyshues mbi vendimin e Gjykatës pari edhe vetë Monika Kryemadhi.
“Nëse dosja hetimore do të ishte mbyllur në Korrik, Prokuroria vazhdon që të marrë letërporosi dhe prova. Do të thotë që ne vazhdojmë që të jemi në hetim paraprak, çfarë do të thotë kjo? E gjitha bëhet për të mbajtur Ilir Metën në burg, dhe Monika Kryemadhin dhe familjarët e saj nën presion. Ka dalë në pah puçi që është bërë qoftë ndaj familjes sime, sipas Prokurorisë një kompani amerikane ka paguar për lobimin për LSI. Që nga ky moment akuza për lobimin ngarkon me faj kompaninë GSIS”, tha Kryemadhi, ndërsa seanca e radhës do të mbahet në datën 11 Nëntor.
SPAK mbylli hetimet për Kryemadhin dhe Metën më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI









