Pas muajsh të tërë spekulimesh mbi të ardhmen e Lionel Messit dhe mundësinë e një largimi nga futbolli profesionist, më në fund ka ardhur konfirmimi zyrtar.
Superylli argjentinas ka vendosur të zgjasë kontratën me Inter Miami, duke i dhënë fund çdo pasigurie mbi vazhdimësinë e karrierës së tij.
Kontrata aktuale e Messit me klubin amerikan do të skadonte më 31 dhjetor 2025, por tashmë ai ka nënshkruar rinovimin që do ta mbajë në MLS edhe pas këtij afati, duke i garantuar vazhdimësinë projektit ambicioz të skuadrës së David Beckham.
Ky vendim vjen pas një periudhe ku ishin përfolur mundësi të ndryshme për të ardhmen e Messit — përfshirë një rikthim sentimental te Barcelona, apo edhe një aventurë përfundimtare në Arabinë Saudite. Megjithatë, kapiteni i kampionëve të botës ka zgjedhur të vazhdojë rrugëtimin e tij në Shtetet e Bashkuara, ku është bërë figura qendrore e zhvillimit të futbollit amerikan.
Messi, që iu bashkua Inter Miamit në verën e vitit 2023, ka transformuar klubin si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë komercial. Që nga ardhja e tij, interesimi për MLS është rritur ndjeshëm, ndërsa ndeshjet e Inter Miamit janë kthyer në spektakël global.
Me rinovimin e kontratës, Inter Miami konfirmon se synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për trofetë kryesorë në MLS, ndërsa vetë Messi pritet të mbetet fytyra dhe lideri i projektit edhe për disa vite të tjera.
Klubi pritet të publikojë së shpejti detajet e marrëveshjes së re, por një gjë është e sigurt: Lionel Messi nuk ka ndërmend të ndalet ende.
Tag: messit
-

Zyrtare/ Lionel Messi “shuan” çdo dyshim – firmos kontratën për tre vitet e ardhshme me klubin e ri
-

Aitana Bonmatí, vajza e artë që synon rekordin e Leo Messit
23 Shtator 2025
13:39
Alfred Lleshi
Aitana Bonmatí vazhdon të shkruajë histori. Mesfushorja e Barcelonës është bërë futbollistja e parë që fiton tre “Topa të Artë” radhazi, duke u bashkuar me legjenda si Johan Cruyff, Michel Platini dhe Marco van Basten. Me këtë sukses, ajo ka barazuar rekordin e Platini (1983-1985) dhe Leo Messit (2009-2011), si të vetmit që e kanë fituar tri herë radhazi.
Tani, objektivi i saj është të ndjekë gjurmët e Messit, i cili është i vetmi që ka triumfuar 4 herë radhazi dhe mban rekordin me 8 “Topa të Artë”. Në moshën 27-vjeçare, Aitana është në kulmin e karrierës. Në këtë sezon ka shënuar 5 gola dhe 1 asist në vetëm 4 ndeshje të ligës, duke qenë lojtare kyçe.
Përpara saj qëndron një edicion i ngarkuar: kërkimi i titullit të 7-të radhazi në ligë, Kupës së Mbretëreshës, Superkupës dhe mbi të gjitha, një tjetër triumf në Champions. Edhe me Spanjën, sfidat janë të mëdha; “Nations League” në tetor dhe rruga drejt Botërorit 2027 në Brazil. Pyetja që mbetet është: a do të mundet Aitana ta ruajë ritmin, për të arritur rekordin e Messit? -

Mesazhi i Messit pas fitimit të “Topit të Artë” dhe këshilla e tij që i ndryshoi jetën Dembele
23 Shtator 2025
8:33
Alfred Lleshi
Ousmane Dembélé ndau me 18 milionë ndjekësit e tij në Instagram gëzimin për fitimin e “Topit të Artë”: “Shumë gëzim, krenari dhe emocion. Një ëndërr e bërë realitet. Faleminderit të gjithëve që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim!” Mes mijëra urimeve, spikati ai i Lionel Messit, ish-shokut të tij te Barcelona (2017–2021): “Grande Ous! Urime, jam shumë i lumtur për ty. E meriton”.
Messi, fitues i 8 “Topave të Artë”, ka pasur gjithmonë marrëdhënie të ngushtë me Dembélé. Francezi tregoi se këshillat e tij ishin vendimtare: “Që nga dita e parë pata marrëdhënie të shkëlqyer me Messin. Garderoba ime ishte ngjitur me të dhe më jepte shumë këshilla. E kuptonte instinktivisht për çfarë kisha nevojë. Për mua është më i madhi, një lojtar që më frymëzon”.
Ousmane Dembélé ka zbuluar këshillën vendimtare që mori nga argjentinasi gjatë kohës së përbashkët te Barcelona: “Messi më tha të isha serioz nëse doja t’i arrija ëndrrat e mia. Pas asaj, nisa të vëzhgoja dhe mësoja nga gjithçka që ai bënte në fushë”. -

“Do ishte fantastike”, trajneri i Inter Miamit flet për rinovimin e mundshëm të Messit
Lajmi për një rinovim të mundshëm të kontratës së Lionel Messit përtej dhjetorit me Inter Miamin po qarkullon shumë së fundmi.
Për këtë temë ka folur vetë trajneri i Inter Miami, Mascherano.“Nuk do të diskutoj thashetheme dhe nuk është detyra ime ta ndaj këtë lajm.
Do të ishte një histori e jashtëzakonshme për futbollin amerikan nëse Leo Messi do të luante këtu më gjatë.
Është unike për historinë e klubit dhe e rëndësishme për futbollin e vendit” – tha Mascherano.
© BalkanWeb -

Messi bën të pasur koleksionistin, figurina e 20 viteve më parë shitet për 1.5 milionë dollarë
18 Shtator 2025
12:51
Alfred Lleshi
Figurina e rrallë e Lionel Messit ka sjellë pasurim të vërtetë për një koleksionist. Një kartë “Panini Mega Cracks” e sezonit 2004-2005, që daton nga debutimi i argjentinasit me Barcelonën, u shit në ankand për shifrën rekord 1.5 milionë dollarë (rreth 1.28 milionë euro). Kjo shumë tejkalon rekordin e mëparshëm prej 1.33 milionë dollarësh, vendosur në vitin 2022 nga një figurinë e Pelé, e vitit 1958, prodhuar nga “Alifabolaget”.
Kjo figurinë e Messit lidhet me sezonin e tij të parë si profesionist, kur debutoi në La Liga në tetor 2004 kundër Espanyol. Ekspertët theksuan se ekzemplari i shitur ishte në gjendje perfekte, element që ndikoi fuqishëm në vlerën finale. Ky rekord tregon jo vetëm potencialin e madh ekonomik të kartave koleksionuese të lidhura me futbollistët legjendarë, por edhe magnetizmin e jashtëzakonshëm që emri i Messit ka në botën e sportit dhe koleksionizmit.
Sipas specialistëve, kombinimi i rrallësisë, ruajtjes së shkëlqyer dhe rëndësisë historike, nisja e karrierës së njërit prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, e bën këtë figurinë praktikisht unike. -

Scaloni: Emocione të forta për ndeshjen e fundit të Messit në Argjentinë, por ai mund të…
16 Shtator 2025
10:38
Alfred Lleshi
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, kujtoi me emocion fitoren 3-0 ndaj Venezuelës, ndeshjen që shënoi ndeshjen e fundit zyrtare të Lionel Messit në Argjentinë. Ai theksoi rëndësinë e momentit dhe gëzimin e numrit 10, duke përmendur edhe praninë e familjes:
“Ne e jetuam ndeshjen si të gjithë, duke e ditur emocionin e madh, që të gjithë ishin atje për të dhe për shokët. Emocionet që përjetuam atë ditë do të mbeten përgjithmonë. Ishte një ditë e mrekullueshme. Messi e shijoi ndeshjen duke shënuar, ishte me familjen e tij, çka kishte vërtet rëndësi për të”.
Scaloni la të hapur mundësinë që Messi të kthehet në fushë në Argjentinë, edhe pse pa pikë në lojë: “Sigurisht, nuk do të jetë ndeshja e tij e fundit në Buenos Aires. Do ta shohim përsëri, sepse meriton të luajë këtu”. Kjo tregon jo vetëm dashurinë e Messit për vendin e tij, por edhe respektin e gjithë ambientit argjentinas për një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit. -

Gruaja e Messit ndan mesazhin prekës, pas lotëve të burrit të saj: Sa me fat jemi…
6 Shtator 2025
9:14
Alfred Lleshi
Bashkëshortja e Leo Messit, Antonela Roccuzzo, ka prekur ndjekësit me një mesazh emocionues pas lotëve të yllit argjentinas. Ndeshja ndaj Venezuelës, me shumë gjasa ka qenë e fundit e Messit në shtëpi, me fanellën e Argjentinës, gjë që u kuptua nga gjestet, përqafimet me fëmijët dhe lotët në “Monumental”.
Antonela, që e ka shoqëruar qysh fëmijë, i dedikoi një postim të ëmbël. “Jam krenare për ty, për çdo hap që bën dhe gjithçka që ke ndërtuar me dashuri e përkushtim. Sa me fat jemi që të kemi në këtë udhëtim! Të duam shumë”, – shkroi ajo krah një fotoje familjare.
Për Messin, tani mbetet Botërori 2026, ku do të përpiqet të mbrojë trofeun e fituar në Katar, dhe ndoshta disa paraqitje të tjera me Argjentinën, por jo zyrtare, pasi për Kupën e Botës 2030, bardhekaltrit janë të kualifikuar automatikisht. -

Kërcënimi vjen prej Lewandowskit, nuk duhet të ndihen të sigurt as CR7 dhe Messi
3 Shtator 2025
13:00
Alfred Lleshi
Gara për të qenë golashënuesi më i madh i historisë vazhdon mes CR7 dhe Leo Messit, por një “i tretë” po iu afrohet; Lewandowski. Polaku, 37 vjeç, shënoi 42 gola sezonin e fundit me Barcelonën dhe nuk jep shenja rënieje. Aktualisht është golashënuesi i 7-të më i mirë në historinë e ndeshjeve zyrtare, me 635 gola në klube dhe 85 gola në 160 ndeshje me Poloninë, duke arritur në total 720 gola (sipas Transfermarkt).
Objektivat e tij të radhës janë Puskás (760 gola/746 ndeshje) dhe Romário (761/963). Më pas, rruga do ta çonte drejt Pelé (770) dhe Bican (805). Për këtë, Lewy duhet të shënojë mbi 100 gola të tjerë. Cristiano Ronaldo, 3 vite e gjysmë më i madh, ka arritur gati 1.000 gola, ndërsa Messi numëron 874 gola, duke shënuar vetëm 32 gola në 2 sezone me PSG dhe jo më shumë se 25 gola për sezon tek Inter Miami.
Nëse Lewandowski mban ritmin e 40 golave për sezon, do t’i duheshin edhe 7 vite për të kapur shifrën e CR7. Megjithatë, synimi më realist mbetet tejkalimi i Messit, një “revansh” personal pas “Topit të Artë” 2020. -

Dëmtimi i Messit, klubi i tij bën misteriozin për kohën e mundshme të rikuperimit
4 Gusht 2025
11:55
Alfred Lleshi
Inter Miami ka njoftuar se Lionel Messi vuan nga një “dëmtim muskulor i lehtë” në këmbën e djathtë. Klubi nuk ka dhënë më shumë detaje dhe as një afat të saktë rikuperimi. Ylli argjentinas e braktisi fushën në minutën e 11-të të ndeshjes ndaj Necaxa në “Leagues Cup” dhe iu nënshtrua analizave mjekësore këtë të diel, për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.
Javier Mascherano, trajneri i Inter Miami, deklaroi pas ndeshjes: “Leo ndjeu një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës. Deri në analizat mjekësore nuk do ta dimë shkallën e dëmtimit. Nuk kishte dhimbje të forta, por sigurisht ndjeu një tërheqje”.
Inter Miami aktualisht ka 5 pikë pas dy ndeshjeve në “Leagues Cup” dhe do të luajë sërish të mërkurën ndaj Pumas UNAM për ta mbyllur fazën e parë të turneut. Situata e Messit mbetet për t’u monitoruar orë pas ore.
