edi rama, foto arkiv
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka anuluar një udhëtim të planifikuar mesditën e sotme në Bruksel, ku ishte parashikuar që rreth orës 14:30, të merrte pjesë në panelin “EU Enlargement Summit”. Mësohet se Rama ndodhet në zyrën e tij që prej orëve të para të mëngjesit të së martës, ndërsa mbrëmjen e djeshme mbledhi qeverinë në mesnatë.
Këto zhvillime përkojnë me dy ngjarje të rëndësishme në kampin e socialistëve. E para ka të bëjë me numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku, e cila u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë. Dhe zhvillimi i dytë ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kundër shkarkimit të Erion Veliajt nga këshilli i ministrave, duke e lënë atë në krye të Bashkisë së Tiranës, edhe pse prej 9 muajsh ndodhet pas hekurave në paraburgimin e Durrësit.
Rama pritej që së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do të diskutonin progresin e vendeve kandidate dhe sfidat e procesit të integrimit.
Samiti bashkon liderët e vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së për të diskutuar mbi të ardhmen e procesit të integrimit europian.
Shqipëria vazhdon të konsiderohet një nga vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me objektivin e qartë për t’u bërë pjesë e BE-së deri në vitin 2030./ZËRI









