Tag: mesdheu

  • Nga kriza në paqe: Roli i Ballkanit në Mesdheun e ri!

    Nga kriza në paqe: Roli i Ballkanit në Mesdheun e ri!

    Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka mbajtur një fjalim në Romë në një manifestim të paqes organizuar nga komuniteti Sant’Egidio.

    Nga Tritan Shehu

    Të dashur miq, përfaqësues të nderuar të Komunitetit Sant’Egidio, vëllezër dhe motra në frymën e paqes,

    Jemi mbledhur këtu në një kohë kur fjala *paqë* tingëllon më e nevojshme se kurrë. E brishtë, e vështirë për t’u ndërtuar, por asnjëherë e pamundur. Jetojmë në një epokë ku shpejtësia e ngjarjeve, konfliktet dhe mungesa e dialogut kanë krijuar një ndjenjë lodhjeje morale. Dhe në këtë lodhje, shumë e shohin Mesdheun si një burim krize. Por unë dua që sot ta shohim ndryshe: si një hapësirë shprese.

    Mesdheu, ky det që për shekuj me radhë ka lindur qytetërime, fe, tregti dhe kulturë, është më shumë se një hapësirë gjeografike. Ai është kujtesa e njerëzimit, shkolla e bashkëjetesës dhe prova e ndërgjegjes sonë. Dikur ky det bashkonte brigjet — sot shpesh i ndan ato. Por pavarësisht krizave, Mesdheu mbetet zemra që rreh mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhe nga kjo zemër duhet të fillojë rilindja e paqes.

    Kur flasim sot për Mesdheun, flasim për një mozaik të ndërlikuar: për luftën në Ukrainë, që ka marrë dhjetëra mijëra jetë dhe ka ndryshuar ekuilibrat globalë; për sulmin terrorist të 7 tetorit, që tronditi botën dhe rihapi plagë të thella në Lindjen e Mesme; për dhimbjen në Gaza që ka goditur ndërgjegjen e njerëzimit; për valët e migrimit që sfidojnë kufijtë dhe zemrat tona; për varfërinë e re, për ndryshimet klimatike që po prekin jetën në brigjet tona.

    Por përveç këtyre dhimbjeve, flasim edhe për mundësinë që ky det të kthehet sërish në urë bashkimi, në laborator bashkëpunimi dhe në hapësirë bashkëjetese.

    Në këtë drejtim, dua të përmend një zhvillim që ka ngjallur shpresë: plani i Presidentit Donald Trump për Gazën. Një plan ky, që synon një armëpushim të qëndrueshëm, bashkëjetesë të popujve, shkëmbim humanitar të verifikueshëm, rindërtim nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe garanci sigurie për të gjitha palët.

    Ky plan, nëse zbatohet me sinqeritet dhe përgjegjësi, mund të shndërrojë Gazën nga një plagë e hapur në një simbol shprese. Mund të transformojë Lindjen e Mesme nga një rajon destabiliteti, që ushqen konflikte e deri në terrorizëm, në një zonë paqeje e bashkëjetese midis popujve. Dhe më shumë se kaq, mund të shërbejë si model i ri universal për ndërtimin e paqes, që mund të frymëzojë rajone të tjera të botës.

    Sepse paqja nuk është një akt i vetëm, por një proces i gjatë, që kërkon besim, garanci dhe humanizëm.

    Një Mesdhe i qetë do të thotë një Europë më e sigurt, një ekonomi më e qëndrueshme dhe një njerëzim që rifiton besimin tek vetvetja. Por paqe në Mesdhe nuk mund të ketë pa stabilitet edhe në Ballkan. Ballkani Perëndimor është zemra e brishtë e kontinentit tonë, një zemër që ka njohur dhimbje e përçarje, por edhe momente të mëdha pajtimi.

    Në këto dekada kemi parë se plagët e së kaluarës mund të shërohen kur ekziston vullnet politik dhe mbështetje ndërkombëtare. Por rreziku mbetet: rreziku i nacionalizmave të vjetër e të rinj, i tendencave për të ribërë kufijtë, ai i varfërisë, si dhe tashmë i krimit të organizuar.

    Krimi i organizuar e trafiqet nuk janë më fenomene të fshehura; ato kanë struktura, ndikim dhe lidhje me pushtetin ekonomik e politik. Dhe kur ekonomia e paligjshme, grupet kriminale ndërthuren me institucionet, deformohet demokracia, dobësohet shteti i së drejtës, humbet besimi qytetar, lindin rregjimet neo-diktatoriale, dobësohet stabiliteti. Prandaj, lufta kundër krimit të organizuar është luftë për paqen. Sepse paqja nuk mund të ekzistojë atje ku sundojnë korrupsioni, frika dhe padrejtësia.

    Në këtë udhë të ndërlikuar rajonale, Shqipëria ka një rol të veçantë. Ajo është një vend i vogël, por me simbolikë të madhe. Në një Ballkan që ka njohur ndarje e përplasje fetare, ku feja është keqpërdorur si instrument politik e burim luftrash, Shqipëria është shembulli më i pastër i bashkëjetesës ndërfetare — apo më saktë, siç ka thënë Papa Françesku, “i harmonisë ndërfetare”. Myslimanë, bektashi, katolikë e ortodoksë jetojnë në harmoni, dhe kjo është forca morale e kombit tonë, por edhe një mesazh për rajonin e më gjerë, sepse paqja fillon nga respekti reciprok.

    Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, dhe shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të familjes europiane. Në këtë kuptim, integrimi europian i Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një premtim politik, por një domosdoshmëri për paqe dhe stabilitet në Mesdhe.

    Bashkimi Europian është arritja më e madhe paqësore e historisë moderne – një projekt që ka lindur jo nga forca e armëve, por nga guximi për të bashkëjetuar. Ai është model universal i paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve, i ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, të drejtësisë dhe të respektit për diversitetin.

    Në thelb, Europa e Bashkuar është dëshmia se nga luftërat mund të lindë bashkëpunimi, dhe nga armiqësia — miqësia. Ky model mbetet udhërrëfyes për Ballkanin, për Mesdheun, dhe për çdo rajon ku paqja duket e largët.

    Le të mos harrojmë: ideali europian lindi në kampet e fashizmit dhe u ringjall pas tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, asgjë nuk është e pamundur kur synohet paqja, edhe në momentet më të vështira. Shqiptarët, që sot jetojnë në disa shtete të Ballkanit, nuk kërkojnë rishkrimin e kufijve, por zhdukjen e kuptimit të tyre përmes integrimit dhe bashkëpunimit, në atë që quhet Europa e Bashkuar.

    Ballkani Perëndimor nuk është periferia e Europës, ai është porta e saj juglindore, aty ku fillon dhe mbaron siguria e kontinentit.

    Të dashur miq, le ta shohim Mesdheun me sytë e Sant’Egidios — jo si një det që ndan, por si një urë që lidh. Ky det ka parë lindjen e feve, të filozofisë dhe të vetë qytetërimit. Ai mund të bëhet sërish djepi i paqes së re.

    Sant’Egidio na kujton se paqja nuk është një luks për kohë të qeta, por një detyrë për kohë të vështira. Ajo kërkon guxim, durim dhe dashuri. Nuk është vetëm përgjegjësi e qeverive, por edhe e çdo qytetari, e çdo komuniteti, e çdo njeriu që beson se dialogu është më i fortë se dhuna.

    Fati ynë është i përbashkët. Nëse Mesdheu humbet paqen, humbet shpresën; por nëse e gjen, ajo do të ndriçojë jo vetëm brigjet tona, por gjithë kontinentin.

    Ky është misioni ynë: ta kthejmë Mesdheun nga kryqëzim krizash në kryqëzim shpresash, nga dhimbja në bashkëjetesë, nga frika në bashkëpunim, nga kriza në paqe.

    Sepse nga Mesdheu filloi qytetërimi dhe nga Mesdheu mund të rilindë njerëzimi, në paqe.

    Faleminderit.

  • Festivali “Tirana Gate” me temë “Mesdheu dhe Evropa në letërsinë bashkëkohore -Arti i qëndrimit” në edicionin e 11-të

    Festivali “Tirana Gate” me temë “Mesdheu dhe Evropa në letërsinë bashkëkohore -Arti i qëndrimit” në edicionin e 11-të

    Festivali letrar ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate 2025” ka mbledhur autorë të letërsisë. Festivali nisi një ditë më parë edicionin e tij të 11-të dhe prej vitesh është pjesë në jetën kulturore në Tiranë. Festivali letrar ndërkombëtar për të rinj “Tirana Gate” po vijon dhe këtë vit panelet e diskutimit me autorë të pranishëm dhe vjen me temën “Mesdheu dhe Evropa në Letërsinë Bashkëkohore – Mesdheu: Arti i Qëndrimit”, një ftesë e hapur për të eksploruar rrjedhat e thella kulturore, historitë e ndërthurura dhe zërat e ndryshëm që vazhdojnë të zhvillojnë imagjinatën kolektive. Drejtoresha e festivalit, Irena Toçi u shpreh se u vendos që festivali të kishte si bosht Mesdheun, jo thjesht duke iu referuar një hapësire gjeografike së cilës ne i përkasim, por sepse Mesdheu është një kujtesë e përbashkët, një mozaik kulturash, nyje takimesh dhe shpeshherë edhe përplasjesh, një teatër i hapur ku breza të tërë kanë interpretuar dramën e jetës së tyre. Autorë nga Shqipëria, Italia, Greqia, Turqia,
    Suedia, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi janë të pranishëm në panelet e diskutimit dhe do të lexojnë në gjuhët e tyre gjatë ditëve të festivalit. Paneli i parë dje me temë “Kohë të këqija për fjalën” u zhvillua me pjesëmarrjen e Maša Seničić nga Serbia dhe autorëve Manjola Nasit e Namik Dokle. Ndërsa autorët lexojnë solli Maša Seničić (Serbi), Enxhi Naumin, Namik Doklen dhe Genta Hodon. Paneli 2 me temë “Zërat e së ardhmes: Rinia, teknologjia dhe letërsitë e reja” u zhvillua me pjesëmarrjen e Enxhi Naumit, Xhensila Dautllarit, Diana Çulit dhe Genta Hodos. Ndërsa autorët lexojnë solli fragmente nga Sara Stridsberg nga Suedia dhe Alban Bala e Manjola Nasi. Edicioni i 11-të i festivalit letrar ndërkombëtar të të rinjve “Tirana Gate 2025” në ditën e parë solli dhe performancën e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Festivali këtë vit do të vijojë deri në datën 10 tetor në Tiranë.

  • Festivali letrar për të rinj/ “Tirana Gate”, kur Letërsia Bashkon Mesdheun dhe Europën

    Festivali letrar për të rinj/ “Tirana Gate”, kur Letërsia Bashkon Mesdheun dhe Europën

    “Mesdheu dhe Europa në letërsinë bashkëkohore” është motoja e edicionit të njëmbëdhjetë të Festivalit letrar për të rinj, që çeli siparin këtë të mërkurë në kryeqytet.

    Me një homazh ndaj Mesdheut si hapësirë që mban gjallë kulturën e shkruar, “Tirana Gate” synon të rrisë dialogun ndërkulturor.
    Irena Toçi: Mesdheu është një kujtesë e përbashkët, një mozaik kulturash, një nyje takimesh dhe shpesh herë edhe përplasjesh, një teatër i hapur ku breza të tërë kanë interpretuar dramën e jetës së tyre. Ky det nuk është vetëm një shtirje e kaltër mes brigjeve, por një metaforë e qëndrimit, e të rezistuarit, e të pranuarit të tjetrit dhe mbi të gjitha, të mbrojturit e kulturës sonë autentike.
    Për organizatorët, Mesdheu mbetet një ftesë për të mos harruar, për të mos humbur mes dallgëve, është kujtesë e gjallë që qëndrimi nuk është vetëm rezistencë, por edhe mundësi për të mbjellë frymëzim.
    Milena Selimi, drejtuese artistike e festivalit: Mesdheu është një det që tregon histori migrimi, largimesh, eksodesh, larg nga mohimi i rëndësisë pasuruese të zbulimit, ky edicion i festivalit në vend që të përqendrohet te Odiseja, do të përqëndrohet te Penelopa. E dimë që Odiseja do të kthehet në shtëpi, por neve në këtë edicion na intereson Penelopa, ajo që reziston, që bën të lumtur Odisenë të kthehet në vatrën e tij.
    Përmes paneleve të ndryshme, autorët shqiptarë e të huaj do të diskutojnë sfidat dhe problematikat e letërsisë së sotme. I pranishëm në forumin e parë ishte gazetari e shkrimtari Namik Dokle, që theksoi se letërsia është në luftë të përhershme me censurën. Sipas tij, pa lirinë e fjalës, s’mund të kemi letërsi të lirë.
    Namik Dokle, gazetar, shkrimtar: Nuk mund të themi që janë absolutisht të lirë dhe këtu ndikojnë shumë faktorë, ndikon predispozicioni i autorit, ndikojnë edhe pronarët e shtëpive botuese. Ndikon po ashtu, marrëdhënia e shtetit me kulturën dhe do të thosha që marrëdhënia e shtetit me letërsinë në veçanti, nuk është për t’u pasur zili.
    Dokle këshillon autorët e rinj të njohin dhe përjetojnë nga afër realitetin dhe shoqërinë e sotme.
    Namik Dokle, gazetar, shkrimtar: Shkrimtarët e rinj duhet të jenë shumë pranë këtyre realiteteve që të mos humbasin rrugën në pyllin e hershëm të konkurrencave letrare.
    Pjesë e festivalit që do të vijojë për tre ditë me radhë në ambientet e Liceut Artistik do të jenë autor të rinj e të karrierës nga vendi, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Greqa, Turqia, Italia e Serbia.
     

    Top Channel

  • Nesër nis Festivalin Ndërkombëtar Letrar “Tirana Gate 2025”/Letërsi, kujtesë, qëndresë kulturore dhe solidaritet

    Nesër nis Festivalin Ndërkombëtar Letrar “Tirana Gate 2025”/Letërsi, kujtesë, qëndresë kulturore dhe solidaritet

    Në datat 8–10 tetor 2025, Tirana do të kthehet në qendër të letërsisë bashkëkohore me zhvillimin e Festivalit Ndërkombëtar Letrar për të Rinj “Tirana Gate”, në edicionin e tij të 11-të.

    Tema qendrore e festivalit, “Mesdheu: Akti i qëndrimit”, bashkon autorë, përkthyes dhe studiues nga vende të ndryshme të Mesdheut dhe Evropës për të reflektuar mbi fjalën, kujtesën dhe rezistencën kulturore në kohët bashkëkohore.

    Në këtë frymë, programi i festivalit përfshin panele, lexime poetike, performanca dhe diskutime që prekin temat e identitetit, kujtesës, trupit, kufijve dhe qëndresës përmes letërsisë.

    Më 8 tetor, në Liceun Artistik “Jordan Misja”, do të zhvillohen pesë panele që trajtojnë lirinë e fjalës, letërsinë e re digjitale dhe qytetet mesdhetare si hapësira të përplasjes dhe ëndrrës. Në mbrëmje, autorë nga vende të ndryshme do të lexojnë krijimet e tyre, ndër ta edhe zëra nga Suedia, Italia, Serbia, Turqia, Mali i Zi dhe Kosova.

    Më 9 tetor, fokusi kalon tek “Mesdheu i identiteteve”, “Kujtesa përtej kufijve” dhe “Mesdheu si prag: trupa, kufij, përkatësi”, ku do të diskutohet mbi migrimin, gjuhën, përkatësinë dhe mënyrën se si letërsia ruan kujtesën e përbashkët.

    Në fund të ditës, festivali do të mbajë një sesion të veçantë nën thirrjen “Palestina flet / Stop gjenocidit – Unë jam nga atje / Mahmoud Darwish”, me lexime poezish, dëshmi video dhe pjesëmarrje të poetëve e artistëve nga Gaza.

    Ky është një prej momenteve më domethënëse të edicionit, që e shndërron festivalin në një platformë solidariteti njerëzor përmes artit dhe fjalës.

    Në ditën e tretë, më 10 tetor, panelet do të përqendrohen në mitin, migrimin dhe rikthimin, me diskutime mbi mënyrën se si letërsia moderne ringjall rrëfimet e lashta dhe i përkthen ato në një gjuhë të re për brezat bashkëkohorë.

    Në fjalën e saj, drejtoresha Irena Toçi thekson:

    “Mesdheu mbetet një ftesë e përhershme për të mos harruar, për të mos u tërhequr, për të mos humbur mes dallgëve.Festivali është një akt i përbashkët qëndrimi, një homazh ndaj hapësirës që e mban njeriun dhe kulturën të gjallë.”

    “Tirana Gate” tashmë është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare rajonale, një pikë takimi ku letërsia e të rinjve ndërthuret me zërat e afirmuar të Mesdheut.Ky edicion i njëmbëdhjetë vjen si dëshmi se fjalët mund të ndërtojnë ura më të forta se kufijtë, duke i dhënë Tiranës për tri ditë me radhë rolin e kryeqytetit të rezistencës poetike mesdhetare.

    DREJTUESET E FESTIVALIIT:

    PROGRAMI

    ObserverKult

  • Mesdheu nën flakë, nga hapësira, syri satelitor i NASA-s regjistron shpërthimet e zjarreve

    Mesdheu nën flakë, nga hapësira, syri satelitor i NASA-s regjistron shpërthimet e zjarreve

    Nga Greqia në Spanjë, nga Franca jugore deri në Qipro, brigjet dhe hinterlandët e Mesdheut po përballen me një verë të egër, të trazuar nga zjarret. Sistemi satelitor i NASA-s, që monitoron në kohë reale sipërfaqen e Tokës, po regjistron përditë qindra shpërthime zjarresh që përhapen me shpejtësi në pyje, ullishte, vreshta dhe zona rurale.
    Në imazhet satelitore që qarkullojnë tashmë në rrjetet ndërkombëtare, çdo pikë e kuqe është një dëshmi vizuale e një zjarri aktiv – mund të jetë një vatër e vogël që sapo ka nisur, ose një front i madh që djeg hektarë të tërë.Këto harta të nxehta, të përpunuara nga të dhënat e NASA-s, sjellin një pamje të frikshme të rajonit mesdhetar, ku klima e përvëluar ka krijuar kushte ideale që flakët të përhapen në pak minuta.

    Fakti që NASA monitoron në kohë reale këto zjarre tregon rëndësinë globale të fenomenit. Syri i hapësirës na lejon të shohim me një pamje të gjerë atë që shpesh e shohim vetëm në fragmente, në lajme lokale apo raporte ditore.Kur e sheh të gjithë Mesdheun të mbuluar me pika të kuqe, kupton se nuk është fjala për një problem të një vendi të vetëm. Është një sfidë që prek të gjithë rajonin, një thirrje për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, për më shumë investim në parandalim dhe për më shumë kujdes ndaj natyrës.
    Në këtë panoramë të zjarreve që nuk njohin kufij, çdo vatër e shuar është një fitore, çdo pikë e kuqe që zhduket është një shpresë e re. Por imazhet e NASA-s na kujtojnë se betejën me klimën dhe me zjarrin duhet ta luftojmë së bashku, për të mbrojtur atë që Mesdheu ka më të çmuar: jetën, natyrën dhe trashëgiminë e tij të pasur.
    AV/KJ