Tag: mendimit

  • Vdekja e skenarit, ose zhdukja e arkitekturës së mendimit

    Vdekja e skenarit, ose zhdukja e arkitekturës së mendimit

    Marsel Lela dhe Agim Bajko

    Nga Marsel Lela

    “E kundërta e lirisë nuk është skllavëria, por zbrazëtia.” — Milan Kundera

    *

    Në një kohë kur improvizimi është bërë doktrinë, ndërsa spontaniteti kthehet në virtyt publik, skenari – si formë, si disiplinë dhe si art i ndërtimit të kuptimit – duket se e ka humbur vendin e vet. Në këtë ese, jam përpjekur të vështroj me syrin e njeriut të fjalës vdekjen e skenarit dhe të skenaristit, duke e lexuar këtë jo si fund të një profesioni, por si simptomë të një krize më të thellë: humbjes së arkitekturës së mendimit në kulturën bashkëkohore.

    *

    Ka vdekje që ndodhin pa bujë, pa trishtim publik, pa ndonjë shpallje zyrtare. Ato nuk i gjen në formë lajmërimesh të ngjitura nëpër mure, apo pemë, si vdekjet njerëzore. Thjesht, një ditë kupton se diçka që dikur ishte gjallë, frymonte, ushqente artin dhe mendimin, nuk është më. Ashtu ka ndodhur me skenarin. Ai nuk u vra nga censura, as nga ideologjia. U shua nga harresa — ajo formë e re, e heshtur, e përhumbur e vdekjes që vjen kur shoqëria lodhet nga mendimi.

    Dhjetë vjet më parë kisha shkruar një artikull të shkurtër për rrezikun e zhdukjes së skenarit dhe skenaristit. Nuk ia kam idenë se ku ka përfunduar ky artikull, por mjerisht, sot e shoh se ajo profeci e bërë një dekadë më parë është përmbushur. Nuk e mohoj se asokohe më trembte ideja se ne skenaristët “ishim si dinosaurët, të destinuar të zhdukeshim nën meteorët e spontanitetit dhe klikimeve”.

    Në ekranet shqiptare, në emisione që dikur kishin ide, tekst dhe përgatitje, sot mbretëron improvizimi. Në vend të skenarit kemi “skaletën”; në vend të skenaristit – redaktorin teknik, dhe në vend të rrëfimit – reagimin. Kultura audiovizuale është bërë si një pasqyrë e copëzuar që reflekton vetëm kaos, jo kuptim.

    ARKITEKTURA QË MUNGON

    Skenari nuk është thjesht një tekst për t’u lexuar apo për t’u luajtur. Ai është arkitektura e mendimit – mënyra për t’i dhënë realitetit formë dhe frymëmarrje. Një skenar i mirë nuk lind nga rastësia, por nga disiplina e përsiatjes, nga kërkimi i ritmit dhe strukturës.

    Në Shqipëri, kjo mungesë ndihet dukshëm. Mjafton të shohësh shumicën e emisioneve të mbrëmjes: ato janë ndërtuar mbi “biseda të çastit” dhe jo mbi ide. Një garë se kush të flasë më shumë, kush të bërtasë më fort dhe kush të dëgjojë më pak – ndërkohë që shohin celularët në vend që të dëgjojnë bashkëbiseduesin. Kontrasti alarmant i larushisë së të ftuarve dhe temës së emisionit është tjetër hesap. Dëgjon analiza politike nga njerëz të modës dhe kritikë letrare nga shefa kuzhine. Një tregues që në hapësirën mediatike shqipfolëse këpucari rri gjithëkund, përveçse te këpuca. Nga ana tjetër, moderatorët shfaqen si “bartës të batutave”, jo si udhëheqës të një rrëfimi.

    E njëjta gjë edhe tek shfaqjet e humorit. Në vend të dramaturgjisë televizive që dikur e kishte, fjala bie, “Portokallia” në vitet e para, sot kemi rrëmujëra të pashpirta improvizimesh, ku çdo aktor është edhe autor, edhe interpretues, edhe komentues – dhe për këtë, gjithnjë i shpërblyer me honorarin që dikur i takonte skenaristit.

    E njëjta zbrazëti shihet në emisionet ku “debati” është zëvendësuar nga “përçartja”: një përplasje spontane, pa asnjë ndërtim logjik apo tematik. Skenari si strukturë, si ndërgjegje profesionale, ka vdekur – dhe bashkë me të edhe logjika e mendimit publik.

    Në këtë kontekst na vjen ndërmend edhe shprehja e urtë e skenaristit të talentuar shkodran Paulin Selimi:

    “Nuk ka vdekur humori, ka vdekur kultura e të shkruarit.”

    Mungesa e humorit cilësor nuk vjen nga mungesa e talentit apo e ironisë tek njerëzit, por nga rënia e standardeve kulturore, nga humbja e përkushtimit ndaj skenarit, strukturës, fjalës dhe mendimit të përpunuar. Kjo shprehje është më shumë se një shigjetë kritike; është një diagnozë kulturore. Ajo nënkupton se humori i mirëfilltë nuk mund të ekzistojë pa një kulturë të shkrimit që e ushqen. Pa strukturën, ritmin dhe ironinë e menduar që i jep jetë një skenari, humori bëhet zhurmë, jo reflektim. Aty ku teksti ende ka peshë, shfaqja nuk është thjesht zbavitje, por një formë e mendimit shoqëror.

    SHEMBUJ PËRTEJ KUFIJVE – KULTURA GLOBALE E IMPROVIZIMIT

    Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar. Në shumë vende perëndimore, sidomos në epokën e reality show-t dhe streaming content, skenari është zëvendësuar nga “koncepti”. Netflix, për shembull, mbështetet gjithnjë e më shumë te “formati i përsëritshëm” sesa te rrëfimi i thellë. Seritë e filmave serialë që transmetohen aty, në pjesën më të madhe janë bërë si produkte teknike, ku përmbajtja përshtatet sipas algoritmit të shikueshmërisë.

    Këtu, shkrimi nuk udhëheq më krijimin – të dhënat e shikueshmërisë e bëjnë këtë.

    Në kontrast me këtë zbrazëti, shembuj si seria britanike “Black Mirror”, apo filmat e Christopher Nolan dhe Asghar Farhadi, tregojnë se aty ku ekziston skenari, ekziston edhe ideja, dilema etike, struktura dramatike. Pra, nuk është bota që nuk di më të shkruajë; është tregu që nuk ka më durim ta lexojë.

    FITORJA E IMPROVIZIMIT, HUMBJA E MENDIMIT

    Në kohën e të menjëhershmes, skenaristi është bërë i padukshëm. Ai kërkon kohë, reflektim, një lidhje me tekstin që nuk prodhon “shpërndarje”, por kuptim. Për këtë arsye, ai është bërë i panevojshëm në sistemin ku suksesi matet me klikime dhe jo me ide.

    Në vend të tij, ka triumfuar improvizimi. Por improvizimi, kur humbet mendimin, nuk është më liri — është lodhje estetike, një përpjekje për të fshehur boshllëkun pas spontanitetit.

    E shohim këtë në formatet shqiptare të huazuara (“BBV”, “Love Island”, “Dancing with the Stars”) që jetojnë jo nga skenari, por nga “ndodhitë e rastësishme”. Shfaqjet bëhen të suksesshme sa herë ndodh diçka “e paparashikuar” – pra, sa herë mungon çdo formë e shkruar mendimi.

    ASGJË JASHTË SKENARIT – FENOMENI BYPASS SHOW DHE AGIM BAJKO

    Në vitet kur isha skenarist i “Bypass Show”, pata fatin dhe privilegjin të punoja me Agim Bajkon, “Mjeshtër i Madh”, një aktor dhe aristokrat i skenës, që e shndërronte disiplinën artistike në një formë të lartë etike. Si moderator dhe drejtor artistik i emisionit, Bajko kishte disa parime të panegociueshme: i pari, asnjë banalitet; i dyti, asgjë jashtë skenarit.

    Në një kohë kur televizioni shqiptar, si shumë të tjerë në botë, po rrëshqiste drejt improvizimit të pafund, drejt “spontanitetit” që shitet si autenticitet, Bajko zgjodhi rrugën e kundërt: të mbrohej skenari si një formë e dinjitetit profesional. Ai e dinte që çdo fjalë e shkruar, çdo pauzë, çdo intonacion i parashikuar në tekst, kishte një arsye të brendshme — një ritëm, një muzikalitet, një sens që nuk mund të shpikej në moment. Ai mund të improvizonte sa të donte, sepse ishte mjeshtër i skenës, por për dhjetë vjet që punuam bashkë nuk doli asnjëherë jashtë skenarit. Jo për mungesë guximi, por nga besimi se arti i vërtetë nuk ka nevojë të shpëtojë vetveten me improvizime.

    Në këtë qëndrim kishte diçka fisnike dhe njëkohësisht të dhimbshme: sepse Bajko e kuptonte se skenari po vdiste. Jo si formë teknike, por si mënyrë të të menduarit. Sot, në shumicën e ekraneve, “programi” është zëvendësuar nga “biseda”, “formati” nga “rasti”, “teksti” nga “instinkti”. Kudo dëgjon shprehje si “ta mbajmë më spontan”, “të mos i lexojmë shumë tekstet”, “të dalim pak nga skenari” — dhe kjo dalje e pafund nga kornizat e fjalës së menduar është, në thelb, një ikje nga përgjegjësia. Sepse skenari është përgjegjësi: të mendosh përpara se të flasësh, të ndërtosh përpara se të shfaqesh.

    “Bypass Show”, me të gjitha kufizimet dhe formatin e vet, mbeti për më shumë se një dekadë një strehë e rrallë e mendimit të shkruar në televizion. Ishte një laborator ku çdo batutë kalonte nëpër sitën e arsyes, ku çdo skenë ndërtohej me kujdes, ku satira nuk lindte nga shfryrja, por nga analiza. Dhe kjo ishte merita e atyre parimeve që Bajko nuk i lëvizi kurrë: asnjë banalitet, asgjë jashtë skenarit.

    Nëse sot “vdekja e skenarit” është një fakt, ajo nuk ndodhi nga mungesa e shkruesve, por nga humbja e respektit ndaj tekstit. Televizioni modern, i përthithur nga shpejtësia dhe gara për vëmendje, nuk ka më kohë të lexojë, e aq më pak të rishkruajë. Ai preferon “momentin” ndaj strukturës, “efektin” ndaj kuptimit, “shpërthimin” ndaj ndërtimit. Dhe kështu, vdes skenari — jo si dokument, por si ide e disiplinës estetike.

    Kur mendoj për ato vite me Agim Bajkon, e kuptoj se ndoshta ne ishim brezi i fundit që ende besonte se një emision satirik mund të ketë arkitekturë, jo vetëm humor; mund të ketë moral, jo vetëm efekt. Bajko e mbrojti skenarin deri në fund, me një përkushtim që sot duket anakronik, por që në fakt ishte parashikues: ai e dinte se pa tekst, arti kthehet në zhurmë.

    Prandaj, çdo herë që dëgjoj sot dikë të thotë me krenari “nuk kishim skenar, por na shpëtoi improvizimi”, më kujtohet qetësia e Gimit në zyrë, përkulja e tij mbi letër, dhe ai rregull i pathyeshëm që i dha kuptim gjithë asaj pune: “Skenari është shpirti i respektit ndaj publikut.”

    SKENARISTI SI PRIFT I RENDIT SHPIRTËROR

    Dikur, skenaristi ishte më shumë se autor: ishte një prift i rendit të brendshëm. Ai kuptonte se arti kërkon strukturë, se jeta dramatike ka nevojë për tension, se fjala duhet të ndërtohet përpara se të interpretohet.

    Në teatrin shqiptar, për shembull, një pjesë e madhe e repertorit të ri vjen nga “dramaturgjia e improvizuar” – aktorët krijojnë në prova, pa tekst të plotë. Por kjo liri, e pamenduar, sjell shpesh pështjellim në skenë: ngjarja humb qendrën, personazhi humb motivin, ndërsa publiku del pa kujtesë.

    Në kontrast, kujto “Tangon” e Mihal Luarasit apo “Njollat e murrme” të Minush Jeros – vepra që jetojnë ende sepse janë ndërtuar mbi skenar, mbi tekst që ngjiz kuptim dhe tension moral.

    RIKTHIMI I HUMBUR

    Të kërkosh rikthimin e skenarit sot është si të kërkosh kthimin e disiplinës në një botë që adhuron kaosin. Por arti i vërtetë ka lindur gjithmonë nga ata që kanë pasur guximin të mos dorëzohen përballë rrëmujës.

    Rikthimi i skenarit është akt shpëtimi. Ai rikthen formën, përgjegjësinë, ritmin dhe kujtesën. Ai është mënyra për ta shpëtuar njeriun nga përkohshmëria e vet. Sepse aty ku mungon struktura, mungon edhe mendimi; dhe aty ku mungon mendimi, mbetet vetëm zhurma.

    Në fund, skenari nuk është thjesht një tekst: është arkitektura e kuptimit — mënyra e vetme për ta mbajtur të gjallë shpirtin në një epokë që çdo ditë prodhon përmbajtje, por gjithnjë e më pak ide.

    Dhe ndoshta, kur improvizimi të lodhet nga vetvetja, do të kthehemi sërish te ajo fjalë e harruar, që dikur i jepte jetës kulturore dhe artistike rend e kuptim: skenari.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    MARSEL LELA: KU ËSHTË ATDHEU?

  • Fridrih Niçe: Përjetësia e një mendje revolucionare

    Fridrih Niçe: Përjetësia e një mendje revolucionare

    Në këtë ditë të 25 gushtit, bota kujton dhe nderon një ndër filozofët dhe mendimtarët më të ndritur të shekullit të njëzet. Fridrih Niçe, figura e ndritur dhe ndikuese e kohës së tij, vazhdon të përjetësohet përmes veprave të tij që kanë ndikuar thellësisht në filozofi, letërsi dhe kulturën moderne.

    Fridrih Vilhelm Niçe, lindur më 15 tetor 1844 në Röcken, Prusia (tani pjesë e Gjermanisë), shprehu shqetësimin dhe reflektimin e thellë në temat e ekzistencës, moraleve të shoqërisë dhe rolit të religjionit. Filozofia e tij e kritikës së vlerave tradicionale dhe shqyrtimi i mendimit konvencional shpërfaqën një vështrim të thellë mbi realitetin dhe natyrën njerëzore.

    Një nga konceptet kryesore që u shprehën përmes shkrimeve të Niçes ishte “zgjimi i qytetërimit.” Ai shprehu nevojën për të përballuar sfidat intelektuale dhe morale të kohës, duke ecur përpara nga dogmatizmi dhe kufizimet e mendimit të ngushtë. “Zgjimi i qytetërimit” synonte të ndriçonte rrugën drejt një shoqërie më të zhvilluar dhe një individi më të vetëdijshëm për fuqinë e vet krijuese.

    Përtej kontributit në filozofi, Niçe shkroi edhe në fushën e letërsisë. Për shembull, vepra e tij “Kështu foli Zarathustra” është një roman filozofik që përshkruan aventurat e personazhit kryesor, Zarathustra, në një udhëtim të frymëzuar nga synime të thella të mendimit human. Ky veprim i veçantë i Niçes lidh filozofinë me imazhin e krijuesit individual dhe forcën e mendimit për të shkaktuar ndryshime të thella në shoqëri.

    Gjatë jetës së tij, Fridrih Niçe u përball me sfida personale dhe shëndetësore. Kjo periudhë e vështirë e jetës së tij shpërfaq trishtimin dhe izolimin, por gjithashtu prodhoi disa nga shkrimet më të fuqishme dhe të thella të Niçes.

    Edhe pse vdiq më 25 gusht 1900, trashëgimia intelektuale e Fridrih Niçes vazhdon të jetë e gjallë. Mendimet e tij lidhen ngushtë me sfidat e kohës moderne, duke inkurajuar individët të reflektojnë mbi vlerat, qëllimet dhe kuptimin e jetës. Siç thoshte vetë Niçe, “Dëshira për dituri është një dëshirë e madhe për të ditur se si të duash.” Kjo thirrje për të eksploruar thellësitë e mendjes dhe të jetës është një trashëgimi e çmuar që vazhdon të frymëzojë dhe të udhëheqë njerëzit edhe sot e kësaj dite. / KultPlus.com

  • In Memoriam/ Ndahet nga jeta para kohe gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji!

    In Memoriam/ Ndahet nga jeta para kohe gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji!

    Është shuar sot Artur Zheji, një prej figurave më të shquara të mendimit, publicistikes dhe gazetarisë shqiptare.

    Publicist, analist, mendimtar dhe një ndër zërat më të artikuluar të shoqërisë sonë, është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak në Sarandë. Sipas njoftimit të policisë ai është ndjerë keq rreth orës 16.10 dhe gjatë kohës që po transportohej në spital ka ndërruar jetë.
    Lindur më 29 gusht 1961 në Tiranë, Artur Zheji rridhte nga një familje me rrënjë të thella në historinë dhe kulturën shqiptare. Djali i gjuhëtarit dhe përkthyesit të njohur Petro Zheji dhe i aktores së shquar Besa Imami, ai u rrit në një ambient të pasur kulturor dhe intelektual, që më vonë do të shërbente si themel për rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në gazetari dhe filozofi politike.
    Zheji nuk ishte thjesht një analist. Ai ishte një ndër ata të rrallët që, në një epokë të mbingarkuar me lajme të shpejta dhe debate sipërfaqësore, guxonte të ngrinte pyetje të mëdha, të sfidonte konformizmin dhe të depërtonte thellë në kuptimin e ngjarjeve.
    Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, ai dha një kontribut të vyer në disa prej institucioneve kryesore mediatike të vendit. Ka qenë drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, drejtues i Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe kryeredaktor i gazetës “Mapo”, ku u dallua për stilin e tij të mprehtë dhe analizat e thelluara. Por, ndoshta më shumë se kudo tjetër, ai u afrua me publikun e gjerë nëpërmjet emisionit “360 Gradë”. Debatin ai e drejtoi duke sjellë zëra të ndryshëm, por gjithmonë me kurajo dhe integritet profesional.
    I lidhur fort me Shqipërinë, me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e saj, Zheji ishte një kritik i ndershëm dhe dashamirës i vendit të vet. Ai besonte se dashuria për atdheun nuk shprehet me heshtje, por me guximin për të thënë të vërtetën, sado e vështirë të jetë ajo.
    Nip i studiuesit të njohur Gjergj Zheji, pinjoll i një dinastie të ndritur intelektuale, Artur Zheji mishëroi përkushtimin ndaj dijes, mendimit të lirë dhe përgjegjësisë publike. Ai ishte mentor për shumë gazetarë të rinj, koleg i respektuar dhe njeri me integritet të pakompromis.Largimi i tij i parakohshëm lë një boshllëk në median shqiptare dhe në panteonin e dijes. Zëri i tij do të mungojë në debatet e ditës, në editorialet e kthjellëta dhe në interpretimet që zgjonin reflektim e debat të thelluar.
    Bashkëpunëtor i Top Channel që prej themelimit të këtij televizioni nga Dritan Hoxha deri tani si analist në emisionin “Top Story”, Zheji mbetet një udhërrëfyes për ata që zgjedhin të mendojnë para se të flasin, të pyesin përpara se të përfundojnë, dhe të duan vendin e tyre duke e sfiduar e jo duke e idealizuar verbërisht.
    U prehsh në paqe, Artur Zheji. Nuk ishe vetëm gazetar, por një dritare e hapur drejt së vërtetës dhe mendimit të lirë.

    Top Channel

  • Një shekull prej ditës kur u lind, Martin Camaj, pena e fuqishme e letërsisë dhe shpirti i lartësuar mendimit

    Një shekull prej ditës kur u lind, Martin Camaj, pena e fuqishme e letërsisë dhe shpirti i lartësuar mendimit

    Nga Albert Vataj
    Një shekull më parë, më 21 korrik 1925, në një skutë të largët të Dukagjinit, në Temal, ku lutja për qiell e për dhé është po aq e natyrshme sa frymëmarrja, lindi një djalë që do të bëhej një ndër zërat më të fuqishëm të mendimit dhe artit shqiptar: Martin Camaj. Sot, në 100-vjetorin e lindjes së tij, ndjejmë se ky emër nuk është vetëm kujtim, por një thirrje e gjallë, një dritë që rrezon mbi rrënjët dhe gjymtyrët e shpirtit tonë kombëtar. Në atë vis të ashpër, ku mali e lumi flasin gjuhë të stërmoçme, lindi një vullnet intelektual që do të sfidonte kufijtë, do të thyente gardhet e vendosura mbi qiell dhe do të merrte fluturimin e tij të madh drejt lirisë së mendimit dhe artit.

    Martin Camaj ishte padyshim një prej atyre rrallëve që vijnë si dhurata të një kohe të varfër në shpresë, por të pasur në shpirt. Ai, djalë bariu e bujku, i rritur me këngën e vjetër të malit dhe lutjen e nënës, do të bëhej një nga më të mëdhenjtë mbartës të pasurisë shpirtërore të kombit. Ai na shpërbleu bujarisht me urtësinë e një mendjeje të kthjellët dhe zemërbardhësinë e një hiri të lartë, duke u ngjitur si një pishtar mbi kreshtën e letërsisë dhe albanologjisë, aty ku rrallë mbërrin këmbë shqiptari.
    Në këtë përvjetor të një shekulli prej lindjes së tij, ne nuk kujtojmë vetëm një njeri, por një epokë, një dëshmi të gjallë se gjuha jonë mund të jetë e përjetshme kur në të nguliten duart e një mjeshtri. Camaj nuk u përkul përballë përjashtimit, nuk e ndaloi këngën e tij edhe kur atdheu iu bë largësi e pamundur. Në mërgim ai u bë misionar i vlerave, duke mbrojtur dhe lëvruar gegnishten dhe arbërishten si një gur të shenjtë në themelet e identitetit tonë.
    Njëqind vite prej lindjes së tij nuk janë thjesht një numër, por një bekim që na bën të ndalemi e të mendojmë mbi atë që ai na la: një testament të pashlyeshëm shpirtëror, një thesar fjale që shndrit si një flamur i shtrirë në horizont. Dhe sot, kur përmendim emrin e tij, nuk bëjmë thjesht një përkujtim, por kryejmë një përqafim të thellë me atë pjesë të shpirtit tonë që ai e ushqeu, e lartësoi dhe e bëri të pavdekshme.
    Martin Camaj ishte padyshim një vullnet intelektuale që na shpërblen bujarisht me urtësinë e asaj mendjeje të dritshme dhe zemërbardhësinë e atij hiri të lartë. Askush nuk do ta besonte se një i lindur “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’”, do të arrinte të bëhej një emër i rëndësishëm në historinë e letërsisë dhe albanologjisë. Djali i Kolë Camës, njëherësh bari dhe bujk dhe nënës Tereza nga Prekali domosdo do të ishte një përjashtim fatlum. U lind më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, atje ku luten “për qiell e për dhé” sepse më i epërmi vullnet, në skajet e këtyre caqeve ngjizet. Ai zu të fluturojë kur edhe qiellit i vunë gardhe dhe shpresën e fshehën si ëndrrat. Iku në kërkim të lirisë dhe gjeti misionarin e vlerave që e bënë të pavdekshëm.
    Martin Camaj i përket një plejade përkushtuesish me mish e me shpirt, për të vënë në themelet e vetëdijes sonë kombëtare një gur të qenësishëm, të dëshmimit të pasurisë shpirtëror dhe gjuhësor. Pena dhe puna, zemërbardhësia dhe urtësia, pasioni dhe përkushtimi, ishin jo vetëm cilësitë veçuese të këtij personaliteti të pashoq të letërsisë dhe albanologjisë, por edhe ai konstelacion yjesh që do të lindte këtë zë të zëshëm të traditës dhe pasurisë sonë kombëtare.
    Fikja e një ylli
    Më 12 mars 1992, fryma e tij do të këputej. Do të shuhej një prej pishtarëve më kulmues të shqipshkrimit, poezis dhe prozës. Një zemër e tretur duke shndrit do të ndalonte për të lënë si testament, vullnesën e mirë të endur me përkujdesën që diti vetëm ai.
    Martin Camaj me mbylljen e syve, u fashit edhe ëndrra e flakëruar në njëmijë diej përmallues, për shkelur në tokën amë. Atij i’a mohuan atdheun, i’a privuan dheun dhe shkrepin, dhimbjen dhe amanetin, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuri nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai lëvroi me parmendën e rëndë të mërgimtarit.
    Camaj, megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në Shqipëri, për asnjë moment, nuk e shqiti nga gjoksi shpirtin e lënduar dhe plagën lënguese të të mohuarit. Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes dhe arbërishtes. S’andejmi ai arriti të dëshmonte botërisht mbi atë vlerë që vete ka të mbrujtur shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bari gegnishtes, e pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e gjitha përpjekjeve të mahershme dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyre në rrafshin shkencor, e dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtuar gjithseçka të mirë, e për ta shtruar në një sofër, larushinë e dialekteve, si vlerë gjuhësore, e dallon atë dhe e rreshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.
    Martin Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtua, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq se ai ishte arratisur, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit gegnisht, të cilën ai e mylmeu, e pasuroi dhe e lëvroi mjeshtërisht. Me gjithë këtë ai nuk e flligu gojën, nuk e helmoi shpirtin, dhe shërbesës ogurmirë nuk i’a vuri damkën, e cila mund të gjehej e përligjur te ndokush tjetër, por kurrqysh jo tek ai. Duke dëshmuar mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol atnor dhe këshillues, për të gjithë ata që kishin në dorë shqipen dhe i’a deshën t’mirën asaj. Ai nuk bari asnjë herë dallime e dasi, nuk e shikoi shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”.
    Ai kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon diversitetet dhe nuk priret hakmarrës e linçues prej qëllesave anatemuese, me nda dhe me veçu, përkundrazi.
    Kinse, vërejmë shpërthimet krijuese të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për të ardhur masanej te trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës, Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë të tjerëve, që lindën e u lartësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar, standardit, siç i thonë. Duke mos patur tavan mbi kokat, ata krijuan atë thesar, të cilin me krenari mudn ta pagëzojmë si testament të vlerave të njimendta të letërsisë shqipshkruese.
    Camaj rendi pareshtur dhe sfidues duke shkruar dhe lëvruar gegnishten. Vepra u rrit me të, dhe ai e gjalloi përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie njësimi. Ata dhanë dhe morën prej njëri-tjetrit shumëçka, por në kryerend mëvetësuan, motivin e ngulmit për t’u ngjit në më lartat kjartësi, prejnga nuk do të mund ta zbriste ndokush a diçka. Mveshur prej kësaj magjie dhe ngadhnjimi, Martin Camaj bëri me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe deri më 12 mars 1992, kur hapi i tij ndali, shpirti mori udhën e përjetësisë dhe emri u skalit me shkronja të arta në historinë e lëtërsisë dhe albanologjisë.

  • ‘Zullulandia’ e Shqipërisë së sotme, Endri Çela në ‘Odeon: Politika thotë zhdukuni nga ky vend!

    ‘Zullulandia’ e Shqipërisë së sotme, Endri Çela në ‘Odeon: Politika thotë zhdukuni nga ky vend!

    “Zullulandia” është më shumë se një shfaqje, është një akuzë e heshtur, një satirë që troket fort në ndërgjegjen publike, një metaforë e skalitur për një popull që e ka humbur busullën dhe po endet në mjegullën e vetëkënaqësisë dhe harresës historike. Me një ansambël aktorësh të shkëlqyer, Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili dhe Anxhelo Dauti, ngrihet një botë teatrale ku ironia përplaset me të vërtetën, e komikja me tragjiken, duke e kthyer skenën në një fushë përballjeje mes mendimit kritik dhe apatisë kolektive.

    Figura groteske e Denizullu-Serpenit, ambasadorit që shkon në Europë për të kërkuar të drejta, por kthehet me përçmim të pakuptuar, përbën thelbin e absurdit tonë historik.

    I vetmi që sheh përtej fasadës është Plugu, simboli i mendimit që nuk pranon të fshihet pas mirazheve.

    Regjisori Endri Çela e shpreh thellësisht shqetësimin e tij në emisionin “Odeon” në Syri Tv: “Unë jam munduar që në këto dy muaj të sjell, siç e thatë ju, një paralelizëm mes Faik Konicës, mendimit të tij kritik 100 vite më parë, dhe mendimit të munguar të ditëve të sotme. Çdo gjë që dua nga publiku është që ai të reflektojë dhe të flasë, të zgjohet vërtetë. Mundësisht të vijë në skenë edhe të thotë se Plugu ka të drejtë, duhet ta shkatërrojmë këtë Shqipëri në të cilën nuk ka më bar, ku pema, jeta është e ngjitur dhe e mbajtur pezull.

    Jeta është totalisht pezull, ne na kanë çrrënjosur nga rrënjët tona, nga historia. Jemi një popull që nuk kemi më histori, po na e shfarosin historinë në ajër dhe thonë zhdukuni nga ky vend. Thotë Europa zhduku, thotë politika zhduku nga ky vend dhe ne nuk dimë ku jemi dhe rrimë pezull.

    Domethënë kemi një jetë në të cilën nuk dimë se çfarë po bëjmë. Thjesht marrim frymë dhe festojmë e nuk dimë çfarë po festojmë, po kënaqemi dhe thjesht kafe e cigare. Po t’i shohësh, janë ca gjëra që nuk kanë kuptim me njëra-tjetrën, por po t’i lidhësh, kanë kuptim. Kështu është Shqipëria sot: është si një tallava, merre e fut. Nuk kemi një estetikë të përsosur, nuk kemi një drejtim se nga duhet të shkojmë vërtetë”.

    “Zullulandia” vjen si një shkundje e domosdoshme, një ftesë për të folur, për të menduar, për të kuptuar se çfarë po na ndodh. Është një shfaqje që nuk i ofron publikut zgjidhje të lehta, por i kërkon atij ndërgjegje.

     

     

  • Zgjedhjet e 11 majit/ ‘Manastirliu po bën presion mbi prindërit’, Këlliçi: Vrasje e mendimit kritik

    Zgjedhjet e 11 majit/ ‘Manastirliu po bën presion mbi prindërit’, Këlliçi: Vrasje e mendimit kritik

    Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, ka cilësuar si skandalozë orientimin që ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, po tenton t’u bëjë prindërve të nxënësve në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Këlliçi akuzon Manastirliun për shkelje të etikës dhe abuzim me detyrën, duke thënë se ajo i drejton prindërit të votojnë “symbyllur” për Partinë Socialiste.
    Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi e konsideron këtë akt si një konflikt të hapur të interesit, duke theksuar se administrata publike duhet të mbetet apolitike dhe se është e papranueshme që një ministër të orientojë prindërit për zgjedhjen e votës. Ai i bëri thirrje drejtësisë dhe SPAK-ut të ndërmarrin veprime të menjëhershme për këtë abuzim me detyrën.
    Këlliçi shtoi gjithashtu se me fitoren e Partisë Demokratike në 11 maj, këto skandale dhe keqpërdorime do të marrin fund, dhe i premtoi qytetarëve një program që do të dyfishojë buxhetin për arsimin dhe do të transformojë sistemin arsimor drejt teknologjisë dhe zhvillimit të mendimit kritik.