Tag: memoriali

  • E vërteta e dhimbshme e të pagjeturve në Kosovë, inaugurohet memoriali Pema e Jetëve

    E vërteta e dhimbshme e të pagjeturve në Kosovë, inaugurohet memoriali Pema e Jetëve

    Kosova E Diel, 31 Gusht 2025 08:02
    Fondi për të Drejtën Humanitare ka inauguruar sot Memorialin Pema e Jetëve kushtuar personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Memoriali është ngritur në platonë mbi parkingun nëntokësor, pranë sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë dhe përkon me Ditën e Personave të Pagjetur.
    Pema e Jetëve, e konceptuar nga artistët Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart, paraqet një trung pa pemë, simbol i jetëve të ndërprera dhe boshllëkut që ka lënë mungesa e tyre.

    Brenda tij, në panele druri, janë gdhendur emrat e personave të pagjetur, disa prej tyre të shkruar edhe me dorën e familjarëve, duke krijuar lidhje të përhershme mes kujtimit dhe dashurisë.
    Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, përshkroi ngritjen e këtij memoriali jo vetëm si vepër arti, por edhe si hapësirë të përhershme për përkujtim kolektiv e vend ku dhimbja bëhet e përbashkët dhe historia nuk lejohet të harrohet.
    “Ky memorial nuk është thjesht një vepër arti, por një hapësirë e përhershme për personat e pagjetur dhe familjet e tyre… Brenda tij emrat e të të zhdukurve janë gdhendur në panele druri, disa prej tyre mbajnë vetëm dorëshkrimin e familjarëve të tyre, një gjurmë dashurie që nuk mund të shuhet”, ka thënë Blakaj.
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se Memoriali Pema e Jetëve është vendtakim i kujtesës kolektive për personat e pagjetur tash e sa vjet pas përfundimit të luftës në Kosovës.
    “Ky instalacion na tregon një të vërtetë të dhimbshme. Mijëra veta u zhdukën padrejtësisht gjatë luftës dhe mungesa e tyre ende rëndon mbi familjet dhe mbarë shoqërinë tonë. Arti me të cilin kjo mungesë u shpreh, ka një fuqi të veçantë dhe i jep zë duke sjellë drejtësinë, por e mban gjallë kërkesën për të. Pema e Jetëve, sikurse quhet ky memorial, është një pikëtakim i kujtesës kolektive dhe na thërret që kujtimet të mos mbeten vetëm në zemrat e familjarëve, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes sonë së përbashkët”, tha Rama.
    Memoriali është realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në partneritet me Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur dhe u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Departamenti Federal i Zvicrës për Punë të Jashtme.
    Edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk dihet ende për fatin e rreth 1600 personave.