Nga Jose Diaz Briseno, REFORMA
Administrata e Presidentit Donald Trump zbuloi një perandori kazinosh në Meksikë, e kontrolluar nga një grup i krimit të organizuar nga Shqipëria, me operacione edhe në Kanada dhe Poloni, që, sipas deklarimeve, i shërben Kartelit të Sinaloas për pastrim parash.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së bëri të ditur se grupi kontrollohet nga familja Hysa (Luftar, Arben, Fatos, Ramiz dhe Fabjon Hysa, si edhe Eselda Baku, më herët Eselda Hysa dhe vajza e Ramizit), të cilët dyshohet se qëndrojnë pas të paktën 10 kazinove në Sinaloa, Sonora, Baja California dhe Tabasko, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kartelin.
I vetmi individ i përmendur që ka lindur në vend, i konsideruar “komisioner” i operacioneve të grupit, është sinaloezi Gilberto López López.
Ndërkohë që Rrjeti për Kontrollin e Krimeve Financiare (FinCEN) i Thesarit lëshoi një alarm mbi 10 kazinotë, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), pjesë e të njëjtit departament, njoftoi sanksione ndaj 20 kompanive dhe 7 individëve.
Dymbëdhjetë nga 20 kompanitë e familjes Hysa janë të regjistruara ligjërisht në Nuevo León. Pjesa tjetër është e regjistruar në Sinaloa, Sonora dhe Baja California, si edhe në Kanada e Poloni.
Kazinotë e identifikuara nga FinCEN janë: Emine, në San Luis Río Colorado; Mirage, në Culiacán; Midas, në Agua Prieta, Rosarito, Guamúchil, Los Mochis dhe Mazatlán; Palermo, në Nogales; dhe Skampa, në Ensenada dhe Villahermosa.
Ministria e Financave e Meksikës konfirmoi se, në koordinim me Departamentin e Thesarit të SHBA-së, ka bllokuar operacionet financiare të Kartelit të Sinaloas dhe ka pezulluar aktivitetet e kompanive të dyshuara se janë të lidhura me këtë grup kriminal.
Njoftimi i Thesarit vjen dy ditë pasi Qeveria meksikane mbylli 13 kazino që dyshohet se ishin të lidhura me krimin e organizuar. Dy prej tyre, “Ganador Azteca” dhe “Operadora Ganadora TV Azteca”, janë filiale të Grupo Salinas, të Ricardo Salinas Pliegos.
Sipas Ministrisë së Financave, fluksi i parave të paligjshme tejkalon “një miliard peso (rreth 54 milionë dollarë) midis Meksikës, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Belizesë, Panamasë, Rumanisë, Polonisë dhe Shqipërisë, përmes shoqërive të krijuara për shpërndarjen e kapitalit”.
Sipas Urdhrit Ekzekutiv, Thesari do të ngrijë të gjitha asetet që individët dhe kompanitë e përmendura kanë nën juridiksionin e SHBA-së, si edhe do të ndalojë qytetarët amerikanë të kryejnë transaksione me këto entitete.
Në shtator të vitit 2022 u publikua në Meksikë dhe Shqipëri informacion mbi pjesëmarrjen e familjes Hysa në pastrimin e parave dhe bashkëpunimin e tyre të dyshuar me Ismael “El Mayo” Zambada, një nga drejtuesit kryesorë të Kartelit të Sinaloas, i cili aktualisht ndodhet në burg në Shtetet e Bashkuara.
Në atë kohë, kreu i klanit, Luftari, dërgoi një letër për mediat në vendin e tij për të mohuar akuzat dhe paraqiti kallëzime në Meksikë kundër atyre që publikuan informacionin.
“Dua t’i informoj qytetarët se kompanitë që përfaqësoj dhe të ardhurat e tyre janë 100% legale dhe të autorizuara të operojnë nga Qeveria meksikane. Këto kompani nuk kanë asnjë lidhje me aktivitete të paligjshme, e aq më pak me pastrim parash apo kartelët meksikanë”, deklaroi ai atëherë.
OFAC tha se vëllezërit Hysa kanë pastruar shuma milionëshe përmes transaksioneve të kryera midis kompanive të tyre dhe një personi amerikan që nuk u identifikua në komunikatën e publikuar.
“Luftari, Fatosi, Arbeni dhe Fabjoni kanë punuar nga afër me një person amerikan për të pastruar para, përfshirë lëvizjen e shifrave të mëdha të parave në dorë nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara, ku kompania e këtij personi u përdor për pastrimin e fondeve”, thuhej në deklaratë.
Gjithashtu, u specifikua se Luftari dhe Arbeni kanë përdorur një kompani të krijuar në Evropë për t’u pasuruar nga pastrimi i fondeve të paligjshme që i përkisnin të dyshuarve si trafikantë droge.
Sipas letrës që në vitin 2022 Luftar u dërgoi medieve në vendin e tij, biznesmeni i kazinove emigroi nga Shqipëria në fund të viteve ’90, për shkak të konfliktit të armatosur në vend dhe, pas një rrugëtimi nëpër disa shtete, mbërriti në Meksikë në vitin 2004, ku edhe u vendos.