Prej më shumë se 30 vitesh, skena politike shqiptare ka qenë një duel i paracaktuar mes dy forcave që ndajnë pushtetin sipas radhës. PS dhe PD kanë sunduar, duke krijuar një sistem ku ndryshimi është vetëm rotacion, jo një revolucion i vërtetë politik. Por zgjedhjet e 11 majit 2025 mund të shënojnë një prishje të këtij monopoli. Në horizont janë shfaqur forca të reja politike, të drejtuara nga individë që nuk vijnë nga tregu i zakonshëm i politikanëve të ricikluar, por edhe politikanë të pastër dhe mbështetës të fortë të SPAK. Forcat politike si partia Demokratët Euroatlantikë e Lulzim Bashës, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, Nisma Thurje e Endri Shabanit dhe Mundësia e Agron Shehajt po kërkojnë të marrin një rezultat historik në 11 maj, por që beteja e tyre është e vështirë pasi Edi Rama dhe Berisha, dy figurat më të vjetra të politikës shqiptare, dy arkitektët e ndryshimeve kushtetuese që shkatërruan pluralizmin, po punojnë me një objektiv të përbashkët: të mos lejojnë që këto forca të reja politike të çajnë monopolin e tyre të pushtetit.
Mjafton të analizosh sjelljen e Ramës gjithë këtë kohë për të kuptuar se ai humbet shumë nëse Berisha izolohet apo, në skenarin më të keq për të, përfundon në burg. Po të ndodhte kjo, opozita do të çlirohej nga hijet e së shkuarës dhe do të krijonte alternativa reale, që nuk janë të varura nga pazaret me një leje ndërtimi apo një emërim në administratë. Për Edi Ramën, Berisha është kapital politik. Një opozitë e lirë dhe e pavarur, me figura të reja që nuk mund të blihen apo shantazhohen lehtësisht, do të ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për mbajtjen e pushtetit të tij.
Prandaj, çdo skenar që i jep Berishës një rol, sado të deformuar, është një investim për vijimësinë e sundimit të Ramës. Plani i tyre është që sërish të mbajnë monopolin e sistemit politik që i ka fillesat që nga viti 2008, por që këtë herë nuk është vetëm për karrige, pasi dyshohet se planet e tyre ogurzeza janë për të goditur SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë që vetë ata dhe bashkëpunëtorët e tyre të zhytur në afera t’ia hedhin paq si dikur.
Rama-Berisha sulme të koordinuara ndaj partive të vogla
Berisha ka sulmuar partitë e reja duke i quajtur ‘paterica të Ramës’ dhe komentoi listat e mbyllura të tyre në garën e 11 Majit të cilët vendosën emrat e familjarëve të tyre në listat e mbyllura. Koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet’ me bashkëkryetarë Adriatik Lapaj, Pano Soko e Endri Shabani dhe koalicioni ‘Djathtas për Zhvillim” të Enkelejd Alibeajt e Dashamir Shehit vunë emrat e familjarëve në lista duke e quajtur si strategji për të ironizuar dhe luftuar pazarin nga PD e PS me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2024. “Ishte i frikshëm vendimi i disa partive që quhen të reja gjoja, por që janë paterica të Edi Ramës, kur pashë që futën familjarët e tyre në listat e mbyllura. Nga dy dhe tre familjare në listat e mbyllura.
Do bënin atë që bën Edi Rama sot që ndan paratë me baxhanakun, ndan pronat me vëllain, ndan shuma me familjarët e vet. Këto janë origjina e tmerrshme e korrupsionit.” tha Berisha pak ditë më parë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët online. Në të njëjtën linjë si Berisha është edhe Rama. Sulmi më i fundit i kryeministrit ishte ditën e djeshme. Edi Rama ironizoi partitë e vogla, duke iu referuar si “shitësa të vegjël qilimash”. Kryeministri tha se ata janë të njëjtat vegla, thjesht kanë ndryshuar moshën dhe fytyrat e tyre. “Sot shpresa e tyre e vetme, e dëshpëruar dhe e mjerë është që SPAK dhe gjykata speciale do të shkatërrojë PS dhe më në fund do t’u vijë dita e tyre, ndërkohë që ajo që ata nuk kuptojnë, bashkë me shitësit e vegjël të qilimave, që janë të gjithë vegla dhe që të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e tyre.
I patë edhe futën baballarë, krushq e teze në lista. Nuk kuptojnë një gjë që ne nuk jemi në një punë por në një mision, e që ta bëjmë Shqipërinë njëherë e mirë pjesë të familjes evropiane”, u shpreh kryeministri. Nga ana tjetër dalja në skenë e Lulzim Bashës duket se e ka trazuar situatën mes Ramës dhe Berishës. Basha, tashmë i distancuar nga Sali Berisha dhe me qëndrime pro SPAK, është në vënë në sulm. Vetë Berisha bëri thirrje që mos jepni votë për Lulzim Bashën. Madje kreu i PD u përpoq të hynte në mesin e replikave të fundit mes Ramës dhe Bashës për kredot e veta personale politike.