Tag: mbrojtjes

  • Analiza e REL-it: Dëshmitë në Hagë: A mund të ndryshojë narrativa për UÇK-në?

    Analiza e REL-it: Dëshmitë në Hagë: A mund të ndryshojë narrativa për UÇK-në?

    Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një organizatë pa strukturë të mirëfilltë dhe pa zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë – kështu mund të përmblidhen deklarimet e disa prej dëshmitarëve kryesorë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilët u pyetën nëse UÇK-ja kishte hierarki vertikale dhe nëse në krye të saj qëndronte Thaçi.
    Narrativi se UÇK-ja ishte një forcë me strukturë të organizuar dhe me rol qendror në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999, është dominues në mesin e shqiptarëve tash e më shumë se një çerek shekulli.
    Gëzim Selaci, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit kanë hapur dilemat dhe pikëpyetjet lidhur me të.
    “Ka mundësi të ndryshojnë perceptimin e shoqërisë për narrativin… Jo vetëm për personat, por edhe për vetë pozitën, rolin e luftës çlirimtare në narrativin tonë për luftën e fundit në Kosovë”, shprehet Selaci për Radion Evropa e Lirë.
    Ai shton se përgjatë më shumë se dy dekadash, narrativi për luftën e UÇK-së përmban terme heroike, dhe thotë se janë shquar edhe “emra të përveçëm të luftëtarëve heronj”.
    “Mirëpo, kohët e fundit ka ndryshime në klimën politike, pikërisht si pasojë e deklaratave nga luftëtarët e UÇK-së, të pandehur në Dhomat e Specializuara, ku ata, ish-luftëtarët e UÇK-së, distancohen ose së paku e minimizojnë rolin heroik të tyre në luftën çlirimtare”, thekson Selaci.
    Në Hagë, në atë që njihet edhe si Gjykata Speciale, po zhvillohet procesi gjyqësor kundër Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së: Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
    Ata janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre nisi në prillin e 2023-tës.
    Aktakuza, e cila i ngarkon ata për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”, synon t’i nxjerrë fajtorë për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave, si dhe për mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme dhe për torturimin e qindra viktimave.
    Gjykata Speciale, e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i 1998-tës deri në dhjetor të vitit 2000.
    Thaçi, ish-president i Kosovës; Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë; dhe Selimi, ish-deputet, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
    Gjatë luftës në Kosovë, Thaçi mbante rolin e udhëheqësit politik të UÇK-së, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
    Roli i katër përfaqësuesve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale, nuk ka qenë ai i cili përshkruhet në aktakuzën e cila është ngritur kundër tyre nga Prokuroria e Specializuar, vlerëson Ahmet Isufi, ish-komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut – një nga shtatë zonat operative ku UÇK-ja pretendonte organizimin.
    “Asnjë përgjegjësi nuk kanë pasur në rolin e urdhërimit, komandimit ose të mënyrës që e ka pretenduar Prokuroria”, thotë Isufi.
    Sipas tij, dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit, në dëshmitë e tyre kanë paraqitur realitetin e luftës në Kosovë dhe shkaqet e saj.
    Lufta e UÇK-së, thotë Isufi, u organizua pa përvojën e mëhershme të një ushtrie të rregullt, por ajo ishte kryesisht vullnetare dhe mbrojtëse.
    Organizimin dhe luftën e UÇK-së ai e konsideron si një “kryengritje, e cila nuk e ka duruar okupimin që ka ushtruar pushteti i atëhershëm serb”.
    “Normalisht, si e tillë, nuk ka mundur të jetë në nivelin e një ushtrie të rregullt. Por, për këtë kanë ndodhur edhe sulmet e NATO-s, në mënyrë që ta ndihmojnë popullin e Kosovës, në këtë rast edhe UÇK-në, në mënyrë që të krijohet liria e Kosovës”, shprehet Isufi.
    Mendim të ngjashëm ka edhe Bujar Dugolli, profesor i Historisë moderne shqiptare në Universitetin e Prishtinës.
    Sipas tij, katër eprorët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, kanë pasur detyra të caktuara, por jo role që u atribuohen meritat përcaktuese për zhvillimin e UÇK-së.
    Dugolli merr shembull Thaçin, i cili, sipas tij, ishte udhëheqës i një drejtorie politike, në kohën kur, siç thotë ai, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK ka qenë më i konsoliduar, në fund të vitit ‘98 dhe në fillim të vitit ‘99.
    Por, Dugolli pohon as vetë Thaçi nuk e ka thënë ndonjëherë se është themelues apo udhëheqës i UÇK-së.
    “Kjo nuk ka qenë e vërtetë asnjëherë. Disa kanë shkruar libra, për t’ia bërë qejfin, ndoshta [për shkak të] pozicionit të tij politik ose institucional në shtet. Por, e vërteta ka qenë kështu, dhe historia e njeh këtë të vërtetë”, shprehet ai.
    Thaçi mori postin e kryeministrit të Kosovës më 2007, ndërkaq nga viti 2016 e deri më 2020 shërbeu si president i vendit.
    Mbrojtja e Thaçit nisi paraqitjen e provave në shtatorin e sivjetmë. Strategjia e saj ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të qartë komanduese, dhe se roli i Thaçit ishte politik, por pa autoritet mbi operacionet ushtarake.
    Në këtë drejtim, së paku tre nga dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit e përshkruajnë UÇK-në pa hierarki të mirëfilltë.
    Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, tha, gjatë dëshmisë së tij më 16 shtator, se UÇK-ja ishte pa “kontroll dhe komandë efektive”.
    Sipas dëshmisë së tij, në qershorin e vitit 1999 në Kosovë nuk kishte një qeveri të përkohshme funksionale, dhe as një Shtab të Përgjithshëm të organizuar të UÇK-së.
    “Shpesh ata e ekzagjeronin, për ta krijuar përshtypjen se ishin më të organizuar sesa në të vërtetë, dhe për të treguar se përqafonin parimet demokratike”, tha Rubin.
    I dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, në dëshminë e tij, më 10 tetor, e përshkroi UÇK-në si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.
    Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, në dëshminë e tij, më 17 tetor, e përshkroi UÇK-në si grupe të pavarura, të motivuara për të luftuar, por pa zinxhir komandues.
    “Unë nuk kisha asnjë dyshim se ushtria serbe frikësohej prej tyre, por komandë dhe kontroll [të UÇK-së] apo një forcë të koordinuar nuk kam parë”, tha Clark.
    Ai, po ashtu, theksoi se nuk ishte në dijeni për një Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së.
    Megjithatë, në përmbyllje të dëshmisë së tij, Clark tha se UÇK-ja nuk ishte terroriste, siç e kishin përshkruar gjeneralët serbë, por se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.
    “Janë njerëz që luftonin kundër një regjimi të padrejtë, të jashtëligjshëm, që meritonte të largohej dhe të zëvendësohej”, u shpreh ai.
    Dugolli nuk mendon se dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit në Gjykatën Speciale e ndryshon narrativin e historisë mbi organizimin e UÇK-së dhe rolin e saj në luftën në Kosovë.
    Sipas tij, UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare e shqiptarëve të Kosovës, të cilët vendosën ta kundërshtonin regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, i cili shtypi shqiptarët e Kosovës gjatë viteve ‘90.
    Dugolli pohon se filli i UÇK-së është në celulat e para në fillimvitet ‘90. Por, ai kujton se kjo ushtri i ka fazat e zhvillimit të saj.
    Vrasja e komandantit të parë të UÇK-së, Adem Jashari, në marsin e vitit 1998, nga ana e forcave serbe, pati për pasojë një mobilizim të madh të shqiptarëve të Kosovës për t’iu bashkuar UÇK-së dhe për ta kundërshtuar regjimin e Millosheviqit, thekson Dugolli.
    Kjo strukturë ushtarake, siç e quan ai UÇK-në, në vazhdimësi ka qenë në ndërtim dhe në konsolidim e sipër, e në veçanti në fund të 1998-tës dhe fillim të 1999-tës.
    “Nuk mund të themi që nuk ka pasur faza të ndërtimit e konsolidimit. Por, lidhur me atë që shumëkush e thotë lidhur me kontrollin… Kontroll absolut nuk mund të ketë në asnjë luftë, e lëre më në një luftë me një ushtri e cila ishte guerile, ishte vullnetare dhe ishte, si të themi, e vogël në numër”, shprehet ai.
    Ai shton se UÇK-ja ka arritur që nga disa grupe të vogla në fillin e saj, të shndërrohet në një ushtri të organizuar, me zona operative, me një strukturë komanduese, por e cila nuk ishte e lidhur me një emër ose me një individ komandues.
    Megjithatë, dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit kanë të drejtë në vlerësimet e tyre, në rast se krahasojnë UÇK-në me ushtri të shteteve të konsoliduara, pohon Dugolli.
    “Absolutisht, ata nuk e perceptojnë ashtu, sepse e dinë se si është struktura e një ushtrie… Këtë, pa dyshim që ushtarakët, siç janë zoti Clark, e zbërthejnë shumë mirë, sepse nuk mund të konsiderohet [UÇK-ja si ushtri] me plot kuptimin e fjalës, sipas kriterit ushtarak ndërkombëtar”, thotë Dugolli.
    Ai shton se Kosova, gjatë viteve ‘98 dhe ’99, ka qenë vend me prani të lartë të forcave serbe, dhe me represion shumë të madh nga ana e tyre.
    Në këtë drejtim, sipas Dugollit, veprimtaria e UÇK-së “ishte shumë e kufizuar në aspektin e kontrollit dhe të hierarkisë, si dhe të komunikimit përbrenda” një lokaliteti dhe ndërmjet zonave të ndryshme ku ajo pretendonte organizimin.
    Selaci, megjithëkëtë, i qëndron mendimit se dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit, por edhe deklaratat e vetë të akuzuarve, lënë hapësirë për narrativët alternativë që e sfidojnë narrativin “e luftës heroike dhe glorifikimin e luftëtarëve të UÇK-së në luftë”.
    “Kjo mund të ndikojë në zbehjen e kryenarrativit dhe të dobësojë mundësinë e përdorimit të tij politik nga ana e rrymave politike që identifikohen me luftën e UÇK-së”, thekson ai.
    Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së po shkon drejt fundit.
    Në mes të shkurtit të vitit të ardhshëm, palët do të paraqesin deklarimet përfundimtare, dhe më pas çështja do të kalojë në duart e gjykatësve, që do të vendosin për fatin e tyre./REL

  • Ina Majko largohet si zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ja ku caktohet

    Ina Majko largohet si zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ja ku caktohet

    Në mbledhjen e sotme u miratuan edhe disa emërime dhe lirime nga detyra për funksionarë të disa institucioneve.
    Një ndryshim posti ka pasur dhe për Ina Majkon.
    “Znj. Ina Majko, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, thuhet ne vendimin e ri te qeverise.

  • Bosnja nuk lejon uljen në Banjalluka të avionit ushtarak ku udhëtonte ministri i Jashtëm i Hungarisë

    Bosnja nuk lejon uljen në Banjalluka të avionit ushtarak ku udhëtonte ministri i Jashtëm i Hungarisë

    Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës nuk ka pranuar ta lejojë një avion ushtarak, në bordin e të cilit ndodhej ministri i Jashtëm i Hungarisë, që të ulej në Republikën Sërpska të Bosnjës të mërkurën (26 nëntor), duke thënë se Budapesti e kishte mbështetur liderin serb të Bosnjës, në veprime që minonin sovranitetin e vendit.
    Ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez (në foton kryesore), tha se Hungaria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim pse ministri i Jashtëm Peter Szijjarto ndodhej në avionin që kërkonte të ulej në Banjallukë, qytetin kryesor të entitetit serb në Bosnje.
    Szijjarto e vizitoi Serbinë fqinje të mërkurën për të biseduar për hollësitë sesi Hungaria mund ta ndihmojë Beogradin pas ndalimit të furnizimeve me naftë të papërpunuar nga Kroacia, informon Radio Evropa e Lirë.

    Helez tha se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe Szijjarto kishin mbështetur hapur liderin separatist serb të Bosnjës, Millorad Dodik, në veprime që “minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Bosnje e Hercegovinës”.
    “Si ministër i Mbrojtjes së Bosnjës, detyra ime është t’i mbroj rendin kushtetues, ligjet dhe interesin e Bosnjës”, shkroi Helez në një postim në Facebook.
    “Prandaj, kam vendosur të mos e miratoj këtë fluturim derisa të sigurohet transparencë e plotë dhe respekt ndaj shtetit tonë”, tha ai.
    Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.
    Dodik është mburrur me mbështetjen që Orbani ia ofronte politikave të tij.
    Ai dhe aleati i tij, Sinisha Karan, i cili i fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska gjatë fundjavës, u takuan me Orbanin në Budapest të mërkurën.

  • Nga Serbia udhëtonte drejt Bosnjës/ Ministrit të Jashtëm të Hungarisë i ndalohet ulja, zbulohet arsyeja

    Nga Serbia udhëtonte drejt Bosnjës/ Ministrit të Jashtëm të Hungarisë i ndalohet ulja, zbulohet arsyeja

    Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës nuk ka pranuar ta lejojë një avion ushtarak që të ulej në Republikën Sërpska të Bosnjës ditën e sotme, në bordin e të cilit ndodhej ministri i Jashtëm i Hungarisë, duke seklaruar se Budapesti e kishte mbështetur liderin serb të Bosnjës, në veprime që minonin sovranitetin e vendit.

    Ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez deklaroi se Hungaria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim pse ministri i Jashtëm Peter Szijjarto ndodhej në avionin që kërkonte të ulej në Banjallukë, qytetin kryesor të entitetit serb në Bosnje.
    Szijjarto kishte vizituar Serbinë ditën e sotme për të biseduar për hollësitë sesi Hungaria mund ta ndihmojë Beogradin pas ndalimit të furnizimeve me naftë të papërpunuar nga Kroacia.
    Helez tha se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe Szijjarto kishin mbështetur hapur liderin separatist serb të Bosnjës, Millorad Dodik, në veprime që “minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Bosnje e Hercegovinës”.
    “Si ministër i Mbrojtjes së Bosnjës, detyra ime është t’i mbroj rendin kushtetues, ligjet dhe interesin e Bosnjës. Prandaj, kam vendosur të mos e miratoj këtë fluturim derisa të sigurohet transparencë e plotë dhe respekt ndaj shtetit tonë”, tha ai.

    Top Channel

  • Fshati rumun, “pjesë e luftës” për shkak të dronëve rusë

    Fshati rumun, “pjesë e luftës” për shkak të dronëve rusë

    FOTO ILUSTRUESE

    RUMANI-Aeroplanët luftarakë gjermanë dhe rumunë u ngritën në ajër më 25 nëntor për të gjurmuar incidentin më të fundit në një seri inkursionesh të dronëve në hapësirën ajrore të Rumanisë, teksa Rusia vazhdon të sulmojë objektiva përtej lumit Danub, në Ukrainën fqinje.
    Dy dronë hynë në hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s dhe gjashtë u raportuan në Moldavi, ku një ra në çatinë e një ndërtese, por nuk shpërtheu. Këto vijnë pas incidentit të javës së kaluar kur një dron rus goditi një cisternë turke me gaz të lëngshëm natyror që ishte duke lundruar në pjesën ukrainase të lumit.
    “Ne disi e shohim veten si pjesë të luftës”, tha për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë, Tudor Cernega, kryetar i fshatit Çeatalkioi. “Nëse do të shpërthente anija, i gjithë fshati do të zhdukej”.
    Banorët e fshatit dhe vendbanimit të afërt Plauru, i cili gjithashtu bie nën administrimin e tij, u evakuuan përkohësisht pas shpërthimit dhe zjarrit që pasoi.
    “Njerëzit nuk po vijnë më të vizitojnë të afërmit e tyre. Janë shumë të frikësuar. Ata e kanë kuptuar rrezikun: sikur një dron të kishte rënë mbi një shtëpi – Zoti na ruajt – do të kishte vrarë një ose dy persona”, tha Cernega.
    Koha për evakuim?
    Një banore tha se familja e saj po e shqyrton mundësinë që të zhvendoset përgjithmonë që aty nëse situata përkeqësohet.
    “Nëse bombardimet përshkallëzohen, besoj se ne mund të largohemi”, tha Daniela Tanase, 48-vjeçare.
    “Ka pasur bomba këtu, para shtëpisë sonë”.
    Tanase tha se situata është më së keqi natën, duke përshkruar se sheh projektorë ukrainase që kontrollojnë qiellin për dronë gjatë natës kur lëshohen alarmet për sulme.
    Një tjetër banor, mekaniku i pensionuar 73-vjeçar Gheorghe Puflea, tha se nuk mund të fle pasi zgjohet nga dronët.
    “Mund të largohem në çdo moment, por çfarë të bëj me kafshët? T’i lë këtu?”, pyeti ai, teksa po u ushqente pulat e tij. Ai po ashtu ka derra, një kalë, një ka dhe një qen.
    “Në fund të fundit, kafshët janë mësuar me dronët”, shtoi ai, duke theksuar se fillimisht kafshët e tij ishin frikësuar nga shpërthimet në Ukrainë.
    Për vete, ai tha se nuk frikësohet.
    “Ne jemi mirë për momentin. Ende kemi ushtrinë e NATO-s këtu që na mbron”.
    Plauru ndodhet vetëm 300 metra matanë lumit nga porti ukrainas i Izmailit, ku u sulmua cisterna turke. Në vitin 2023, Ushtria rumune ndërtoi strehimore kundër sulmeve ajrore në fshat.
    Vetëm gjatë javës së fundit, tre herë ka pasur shkelje të hapësirës ajrore nga dronët. Më 25 nëntor, banorëve u është kërkuar të strehohen, pasi lufta rrezikonte – sërish – të përhapej në territorin e NATO-s.
    Rumania ka legjislacion që i mundëson të rrëzojë dronë edhe në kohë paqeje nëse janë në rrezik jeta apo prona, por shteti ende nuk e ka përdorur atë. Ministri i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, tha më 25 nëntor se edhe pilotëve gjermanë u ishte dhënë leja për të hapur zjarr.
    “Me shumë gjasë, duke analizuar dëmet potenciale kolaterale që mund të shkaktonin duke përdorur armë mbi territorin rumun, ata zgjodhën të mos angazhoheshin. Ky është supozimi im”, shtoi ai.
    Në Moldavi, policia publikoi një fotografi të dronit që ra mbi çatinë e një ndërtese. Droni i ngjan modelit Shahed, i cili përdoret gjerësisht nga Rusia dhe mban shkronjën “Z” – një simbol që shpesh përdoret nga ushtria ruse gjatë pothuajse katër vjetëve të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës – të lyer në bisht.
    Policia tha se nuk ishte e qartë nëse droni bartte eksplozivë dhe kishte evakuuar banorët lokalë. Ministria e Jashtme e Moldavisë njoftoi se do të thërrasë ambasadorin rus për shpjegime.
    Më vonë u raportua se një copëz e dronit ra në oborrin e një ndërtese banimi në Puiesti, një qytet në lindje të Rumanisë, më shumë se 100 kilometra larg Ukrainës. Nuk u raportua për të lënduar dhe Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë tha se droni nuk po bartte eksplozivë.
    Shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët rusë të Rumanisë dhe Polonisë, së bashku me hyrjet e avionëve ushtarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë, kanë bërë që NATO të nisë iniciativën “Roja Lindore” për forcimin e mbrojtjes ajrore.
    Ndërkaq, muajin e kaluar Komisioni Evropian ka miratuar një udhëzues pesëvjeçar të mbrojtjes që parasheh plane për një “mburojë për dronët” e cila pritet të jetë funksionale deri në fund të vitit 2027./REL

  • Tajvani frikësohet nga një sulm i mundshëm kinez, nis plani gjigant i investimeve në raketa dhe armë

    Tajvani frikësohet nga një sulm i mundshëm kinez, nis plani gjigant i investimeve në raketa dhe armë

    Tajvani po shikon me shqetësim rritjen e presionit ushtarak nga Kina dhe po përgatitet për skenarin më të keq. Presidenti William Lai Ching-te deklaroi se Pekini po “përshpejton përgatitjet ushtarake” me synimin për të marrë kontrollin e ishullit me forcë. Në një konferencë për media, ai tha se ushtria tajvaneze synon të arrijë “një nivel të lartë gatishmërie” ndaj çdo veprimi të mundshëm ushtarak të Kinës deri në vitin 2027, në 100-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Popullore të Çlirimit.
    Sipas presidentit Lai, qeveria do të punojë për të kundërshtuar çdo përpjekje për “shtypje” nga Kina dhe synon që në dy vitet e ardhshme të sigurojë një aftësi të lartë luftarake.
    Në këtë kuadër, kreu i shtetit ka njoftuar një buxhet special prej 40 miliardë dollarësh që do të përdoret për blerjen e armëve dhe zhvillimin e një projekti të quajtur “Taiwan Dome”, një sistem mbrojtjeje ajrore me aftësi të avancuara për zbulim dhe interceptim. Ky buxhet, që do të shtrihet nga viti 2026 deri më 2033, vjen edhe si përgjigje ndaj presionit të SHBA-ve që Tajvani të rrisë shpenzimet e mbrojtjes. Në një shkrim për Washington Post, Lai kishte paralajmëruar se fondet do të shërbenin për blerjet e armëve amerikane.
    Ministri i Mbrojtjes së Tajvanit, Wellington Koo, sqaroi se 40 miliardë dollarët janë një shumë maksimale dhe do të përdoren për blerjen e raketave precize si dhe për zhvillimin dhe prodhimin e përbashkët të pajisjeve ushtarake me Shtetet e Bashkuara.
    Ndërkohë, Kina vazhdon presionin ushtarak rreth ishullit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit, në 24 orët e fundit Pekini ka dërguar 20 avionë luftarakë dhe 5 anije pranë ujërave të Tajvanit. Që nga fillimi i nëntorit, janë regjistruar gjithsej 319 avionë dhe 156 anije kineze në ngushticën e Tajvanit, duke rritur më tej tensionet në rajon.

  • Lituania synon të rrisë bashkëpunimin me sektorin gjerman të armëve

    Lituania synon të rrisë bashkëpunimin me sektorin gjerman të armëve

    Lituania shpreson të rrisë bashkëpunimin me sektorin gjerman të armatimeve, tha të martën Ministri i Mbrojtjes Robertas Kaunas në një konferencë për mbrojtjen në Vilnius.

    “Për Lituaninë, zgjerimi i bashkëpunimit me industrinë gjermane nuk është thjesht i mirëpritur. Është me rëndësi strategjike për ne. Ne shohim potencial të madh në prodhimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e teknologjisë së përbashkët”, tha Kaunas, i cili mori detyrën tre javë më parë.

    Prodhuesi gjerman i dronëve Quantum-Systems dhe ADV Defense e Lituanisë nënshkruan një memorandum mirëkuptimi mbi zhvillimin e sistemeve autonome të aviacionit në prani të Kaunas në eventin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë Gjermano-Baltike.

    Ministri theksoi gjithashtu stacionimin e një brigade gjermane në Lituani. “Lituania gjithmonë e ka vlerësuar Gjermaninë si një aleat të palëkundur dhe partner të përkushtuar të NATO-s, dhe tani, nëpërmjet stacionimit të përhershëm të brigadës gjermane në Lituani, një shtyllë të besueshme të mbrojtjes sonë kolektive”, tha ai.

    Ai e përshkroi brigadën si “një sinjal të fuqishëm strategjik politik se parandalimi i rajonit Baltik është i pandashëm nga mbrojtja e Evropës në tërësi”.

    Brigada do të jetë gati për luftime deri në vitin 2027, me një garnizon të përhershëm prej rreth 4,800 trupash dhe rreth 200 staf mbështetës civil të bashkangjitur ushtrisë.

    Florian Hahn, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme gjermane, e përshkroi brigadën si “mishërimin e angazhimit tonë ndaj sigurisë”, duke shtuar se stacionimi po ecte sipas planit.

    Duke iu referuar bashkëpunimit në prodhimin e armëve që përfshin Rheinmetall të Gjermanisë, Hahn tha: “Ceremonia e fundit e hapjes së punimeve për fabrikën e municioneve të artilerisë Rheinmetall në Lituani ka qenë një moment historik në bashkëpunimin gjermano-lituanez të mbrojtjes./ DPA News.

  • Suedia do të investojë 3.5 miliardë dollar për të rritur mbrojtjen ajrore

    Suedia do të investojë 3.5 miliardë dollar për të rritur mbrojtjen ajrore

    Suedia ka njoftuar këtë të martë se po investon 3.5 miliardë dollar shtesë në mbrojtje ajrore, mes kërcënimit në rritje nga dronët dhe format e tjera të sulmeve ajrore.

    Duke folur në Halmstad, në jugperëndim të Suedisë, në regjimentin e mbrojtjes ajrore, ministri i mbrojtjes, Pal Jonson tha:

    “Mbrojtja e Suedisë duhet të forcohet kundër kërcënimeve të tilla si raketa e dronë. Mënyra më e mirë për të garantuar paqen dhe lirinë është investimi në mbrojtje. Porositë e mjeteve të nevojshme për mbrojtje gjithashtu kontribuojnë në rritje, vende pune dhe siguri të furnizimit. Ato gjithashtu përmirësojnë mundësitë e rritjes së kapacitetit të prodhimit në industrinë e mbrojtjes”, u shpreh ai.

    Sakaq, investimet e reja përfshijnë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe sisteme moderne radarësh.

  • Analizë: Konflikt i hapur mes shefit të ushtrisë dhe Ministrit të Mbrojtjes në Izrael

    Analizë: Konflikt i hapur mes shefit të ushtrisë dhe Ministrit të Mbrojtjes në Izrael

    Një përplasje e hapur ka shpërthyer mes Shefit të Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir dhe Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz. Ndërveprimet publike të dyshes të hënën, dhe veçanërisht deklarata e zëdhënësit të IDF-së në mbrëmje, tregojnë një përplasje të drejtpërdrejtë midis Katz dhe Zamir. Konflikti, që ka të bëjë me fatin e komandantëve të lartë pas masakrës së 7 tetorit, ka marrë përmasa personale dhe tani rrezikon të përfshijë tërë ushtrinë dhe të pengojë përpjekjet për të nxjerrë mësime nga lufta.
    Fjalët e Shefit të Shtabit, Zamir, tregojnë një lodhje nga ndërhyrjet politike të Katz. Ai la të kuptohet se ministri po ndërhyn në emërimet ushtarake pa nevojë dhe me motive politike. Përgjigja e Katz pritet të vijë së shpejti.
    Të hënën, Zamir ndërmori veprime kundër disa komandantëve të lartë pas përfundimeve të një komiteti të kryesuar nga Gjenerali i Rezervës Sami Turgeman, i cili shqyrtoi hetimet e ushtrisë mbi dështimet e 7 tetorit. Tre gjeneralë që nuk ishin më në shërbim aktiv u njoftuan se nuk do të shërbenin më në rezervë, ndërsa tre të tjerë morën paralajmërime personale. Disa oficerë të tjerë, kryesisht nga Inteligjenca Ushtarake dhe disa nga Komanda Jugore, morën njoftime se shërbimi i tyre i rregullt ose në rezervë ishte përfunduar për shkak të rolit të tyre në ngjarjet e 7 tetorit.
    Në një veprim të diskutueshëm, Zamir vendosi të kufizojë përgjegjësinë: Veprimet u morën vetëm kundër oficerëve të përfshirë drejtpërdrejt në vendimet e natës para sulmit dhe ditën e sulmit. Ai nuk mori vendime personale kundër atyre që mbajtën pozicione kyçe para masakrës.
    Gjithashtu, Shefi i Shtabit nuk konsultoi ose informoi Katz për vendimet e tij. Tensioni midis tyre ka qenë i dukshëm prej kohësh. Komiteti Turgeman është një komitet i ushtrisë dhe vendimet janë përgjegjësi e Zamir. Megjithatë, videoja e publikuar nga Zamir dhe deklarata e zëdhënësit të IDF-së ishin të pazakonta dhe pa koordinim me Katz.
    Hakmarrja e Katzit erdhi të hënën në mëngjes. Ministri njoftoi se kontrollori i institucionit të mbrojtjes, Gjenerali i Rezervës Yair Volansky, do të shqyrtonte raportin e komitetit Turgeman për të përcaktuar nëse kishte nevojë për hetime shtesë, duke përfshirë pyetje rreth “Mureve të Jerikos”, siç i ka quajtur IDF-ja planin e Hamasit për një sulm të madh në kufirin e Gazës.
    Ky është një sulm i qëllimshëm ndaj Zamir, i cili kishte qenë në krye të Komandës Jugore në pranverën e vitit 2022 kur iteracioni i parë i planit të Hamas mbërriti te IDF-ja dhe u analizua nga njësitë e Inteligjencës Ushtarake dhe Divizioni i Gazës. Volansky u kërkua gjithashtu të formulonte “kritere të barabarta” për vendimet personale.
    Katz shtoi dy kushte të tjera: refuzimin e vazhdueshëm për të promovuar oficerët që shërbenin në Komandën Jugore më 7 tetor dhe se çështja e emërimit të një atasheje ushtarak në Uashington nuk kishte lidhje me këtë çështje dhe nuk ishte arsye për të vonuar asnjë emërim në IDF.
    Çdo fjalë e vendimit të Katz është një sinjal ndaj Zamir. Shefi i Shtabit kishte thënë më parë se nuk kishte arsye për të mos promovuar tre oficerë, edhe pse dy prej tyre shërbenin në Komandën Jugore. Katz u shfaq i fuqishëm duke thënë se promovimet do të vazhdonin të vonoheshin. Për ndonjë arsye, ai nuk ka ndërmarrë të njëjtin hap për oficerët e Inteligjencës Ushtarake ose të Degës së Operacioneve.
    Deklarata për atashenë ushtarak lidhet me promovimin e sekretarit ushtarak të Katz, Brig. Gjenerali Guy Markizeno. Katz dëshiron ta dërgojë në Uashington, por Zamir është kundër sepse ka kandidatë më të përshtatshëm.
    Si me vendimin për mbylljen e Radios së Ushtrisë, Katz po përdor ushtrinë për të konsoliduar pozicionin e tij në Likud para zgjedhjeve të ardhshme. Përplasja publike me Shefin e Shtabit shërben për këtë qëllim.
    Deklarata e zëdhënësit të IDF-së, e përgatitur qartë nga Zamir, është më e ashpra në kujtesë ndaj një ministri të Mbrojtjes në detyrë. Përplasja duket më e drejtpërdrejtë dhe më e egër se ajo midis Ehud Barak dhe Gabi Ashkenazi mbi dokumentin Harpaz në 2010. Deklarata nuk sulmoi vetëm Katz, por në mënyrë të nënkuptuar tërë qeverinë dhe Netanyahu-n.
    Zamir tha se për emërimin e Volansky e mori vesh nga mediat gjatë një stërvitjeje surprizë në Lartësitë e Golanit. Ai theksoi se raporti Turgeman ishte për përdorim nga Shefi i Shtabit, jo për përdorim politik, dhe se vendimi i Katz për të kritikuar raportin ishte i paarsyeshëm.
    Zëdhënësi i ushtrisë shtoi se “IDF është i vetmi organ në vend që ka hetuar plotësisht vetveten për dështimet e saj dhe ka marrë përgjegjësi. Çdo hetim i mëtejshëm duhet të bëhet nga një komitet i jashtëm, objektiv dhe i pavarur.”
    Duke bërë këtë, Zamir ripërsëriti mbështetjen për një komitet shtetëror hetimor, edhe pse nuk e tha këtë me fjalë të drejtpërdrejta. Ai shtoi se masat personale janë të brendshme dhe ndërprerja e emërimeve për 30 ditë do të dëmtojë aftësinë dhe gatishmërinë e ushtrisë.
    Është e qartë se Zamir është i gatshëm të përballet drejtpërdrejt me Katz për të ndaluar ndërhyrjet e tij. Qeveria po hyn në një fushë minash, duke përballuar një Shef Shtabi relativisht të popullarizuar dhe një ministër për të cilin publiku ka dyshime.
    Të hënën, Katz u përpoq të mbante kontrollin mbi emërimet e ardhshme të Shtabit të Përgjithshëm si një mjet presioni. Zamir ngeli i rezervuar, kryesisht për të mbajtur Maj. Gjeneralin Shlomi Binder si kryetar të Inteligjencës Ushtarake.
    Zgjidhja e arritur ishte dhënia e paralajmërimeve për Binder dhe Bar. Bar do të përfundojë shërbimin vitin e ardhshëm siç ishte planifikuar, ndërsa Binder ra dakord të dalë në pension pasi të përfundojë mandatin e tij në Inteligjencën Ushtarake. Në vendimin e tij, Katz po përpiqet të marrë pronësinë e emërimeve të ardhshme. Çmimi? Shtabi i Përgjithshëm do të duhet të presë me ankth edhe një muaj. Zamir është i zemëruar; kriza mes tij dhe ministrit po eskalon dhe ushtria nuk mund të vazhdojë me procesin e rehabilitimit dhe nxjerrjes së mësimeve.
    Shkrim nga Haaretz

  • Mbrojtja ajrore ruse rrëzon dronin në drejtim të Moskës, ndërpriten fluturimet në tre aeroporte

    Mbrojtja ajrore ruse rrëzon dronin në drejtim të Moskës, ndërpriten fluturimet në tre aeroporte

    Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi një dron ukrainas në drejtim të Moskës të hënën e 24 nëntorit. Të paktën kështu ka deklaruar kryebashkiaku i qytetit, Sergei Sobyanin, duke detyruar tre aeroporte që shërbejnë kryeqytetin të kufizojnë përkohësisht të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse.
    Siç shkruan Reuters, kryebashkiaku i Moskës, Sobyanin, tha në një deklaratë se shërbimet e emergjencës po punonin në vendin ku u rrëzua droni.

    Kufizimet e fluturimeve u vendosën dhe u hoqën shpejt në aeroportet Domodedovo dhe Zhukovsky, por vazhdonin të ishin në fuqi për aeroportin Sheremetyevo, më i madhi i qytetit.

    Moska nuk është e vetmja që është rrezikuar nga dronët. Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sistemet e mbrojtjes ajrore ruse kanë kapur dhe shkatërruar 93 dronë ukrainas mbrëmë mbi disa rajone të Rusisë, Detin e Zi dhe Detin Azov.
    “Gjatë natës, sistemet e mbrojtjes ajrore në gatishmëri kapën dhe shkatërruan 93 mjete ajrore pa pilot të tipit avion: 45 mbi territorin e Rajonit Belgorod, 9 mbi territorin e Rajonit Krasnodar, 7 mbi territorin e Rajonit Nizhny Novgorod, 4 mbi territorin e Rajonit Voronezh, 20 mbi ujërat e Detit të Zi dhe 8 mbi ujërat e Detit Azov”, tha Ministria e Mbrojtjes e cituar nga TASS.