Tag: mbetjeve

  • BIRN: Shoqatat e bashkive kërkojnë ndryshime në ligjin e menaxhimit të mbetjeve

    BIRN: Shoqatat e bashkive kërkojnë ndryshime në ligjin e menaxhimit të mbetjeve

    Komisioni i Ligjeve dëgjoi të premten argumentet e shoqatave që përfaqësojnë interesat e pushtetit vendor dhe vetë kryetarët e bashkive që kundërshtuan formulimet e projektligjit të ri të qeverisë për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i cili parashikon menaxhimin fundor të mbetjeve nga një agjenci shtetërore që do të funksionjë si shoqërie aksionere.
    Përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe ekspertë kërkuan nga Kuvendi që të shohë mundësinë e ndryshimeve në disa nene të kësaj nisme, që sipas tyre bien ndesh me ligjin e vetqeverisjes vendore, si dhe qartësimin e disa neneve të tjera për mënyrën se si do të zbatohet në terren dispozitat e këtij ligji, të cilat, sipas tyre ngarkojnë me barrë financiare bashkitë.
    Adelina Farrici, drejtore ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive vlerësoi domosdoshmërinë e një ligji të ri në këtë sektor, por kërkoi nga deputetët të merrnin parasysh disa rekomandim, që sipas saj do të mundësonin në moscënimin e parimeve në ligjet organike, siç është ai i vetëqeverisjes vendore nga një ligj tjetër i thjeshtë.
    Farrici theksoi se ligji për vetëqeverisjen vendore u jep bashkive përgjegjësi për menaxhimin e mbetjeve në territorin e tyre dhe se ka pasur bashki që kanë qenë të suksesshme në këtë funksion. Kështu, ajo kërkoi që të mos trajtohen të gjitha bashkitë njësoj.
    Po ashtu, Farrici kërkoi që bashkitë të jenë pjesë vendimmarëse në Agjencinë Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, AKEM, duke iu referuar faktit që disa prej tyre kanë në territoret e tyre landfillet dhe inceneratorët.
    “Për aq kohë sa është një funksion që sipas ligjit është i bashkive, të ketë një shtesë në nenin 22 që të mundësojë që aksionerë të jenë dhe bashkitë me përqindje dhe të kenë përfaqësim në shoqërinë aksionere si vendimmarrës”- tha ajo ndër të tjera.
    Farrici po ashtu kërkoi garanci ligjore për përballimin e kostove financiare nga bashkitë në zbatimin e këtij ligji, duke kërkuar që të parashikohet ligjërisht që këto kosto të përballohen nga buxheti i shtetit nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar.
    Edhe kryetarja e bashkisë Dimal, Juliana Mema, ngriti shqetësimin e zbatimit të ligjit nga bashkitë për shkak të kostove të larta.
    “Të ketë mekanizma për ta bërë të zbatueshëm,” kërkoi ajo nga deputetët duke propozuar që “të parashikohet një periudhë tranzitore që të bëhet i zbatueshëm sepse kjo do të çonte në rritjen e tarifimit te komuniteti me një impakt social”.
    “Na shtohen kosto për promovim fushatash sensibilizuese, kosto për ndarjen në burim, për transportin për stacionet tranzitore, si do bëhet e mundur kjo?” pyeti ajo deputetët.
    Edhe Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, që përfaqëson kryebashkiakët e opozitës, mbështeti nevojën e një zgjidhje të re ligjore për menaxhimin e mbetjeve, por sugjeroi ndryshime në nismën e qeverisë.
    Albert Malaj, zëvendëskryetar i shoqatës kërkoi që bashkitë të kenë kompetenca reale në këtë sektor, duke e cilësuar “një hap pas” kalimin e kompetencave të menaxhimit të mbetjeve tek një operator kombëtar dhe reduktimin e bashkive në thjesht “klientë”.
    “Zhveshja e tyre nga këto kompetenca jo vetëm që cënon autonominë vendore, por rrezikon të krijojë një model të centralizuar, ku vendimmarrja largohet nga qytetari,” tha ai, duke sugjeruar që ligji të garantonte mbështetje për bashkitë për të kryer funksionet e tyre.
    Edhe Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive solli propozime konkrete për ndryshime në projektligj, me synim shmangien e cënimit të kompetencave të pushtetit vendor.
    Ai solli në vemendje një dispozitë të projektligjit, ku kryetarët e njësive të vetëqeverisjes vendore bëhen përgjegjës për grumbullimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ. “Kjo pikë të hiqet, pasi përgjegjësia është institucionale, jo personale. Ligji duhet të referohet bashkisë si institucion”- sugjeroi ai.
    Haxhimali, si ekspert i pushtetit vendor, sugjeroi gjithashtu që proejtkligji t’u japë të drejtën dhe përgjegjësinë bashkive për të vendosur nivelin e tarifave të shërbimeve, me diskrecion ±30% nga metodologjia qendrore.
    Projektligji i ri erdhi në Kuvend pasi Kryeministri Edi Rama prezantoi në shtator një reformë të re në menaxhimin e mbetjeve.
    Me këtë nismë ligjore qeveria pranon dështimin e skemës së incenerimit, ku u hodhën dhjetëra milionë euro investime në dekadën e fundit, dhe i rikthehet riciklimit si hallkë e parë në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve, në një skemë menaxhimi që pritet të rëndojë në xhepat e qytetarëve me rritje kostosh dhe tarifash./BIRN

  • SYRI TV/ Bashkitë kundër projektligjit të mbetjeve, Farici: Cënon rëndë autonominë vendore

    SYRI TV/ Bashkitë kundër projektligjit të mbetjeve, Farici: Cënon rëndë autonominë vendore

    Projektligji për menaxhimin e mbetjeve, që u diskutua në Komisionin e Ligjeve, u heq kompetencat bashkive, ndërsa nga ana tjetër rrit edhe kostot për qytetarët. Shoqatat e bashkive, në një seancë dëgjimore, kanë treguar se ky projektligj do të cenojë rëndë autonominë vendore dhe, përveç kësaj, do të ketë impakt social në shoqëri. Ndërkohë, opozita ka vënë theksin se ligji për mbetjet ka çuar njerëz në burg.

    Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar projektligji për menaxhimin e mbetjeve, ku kanë raportuar përfaqësues të shoqatave të bashkive, të cilët kanë vënë në dukje shkeljet e këtij projektligji, heqjen e kompetencave të bashkive për menaxhimin e mbetjeve, si dhe kostot që do të rëndojnë mbi qytetarët.

    Adelina Farrici, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, theksoi se drafti aktual cenon rëndë autonominë vendore. Ndërsa kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, vuri theksin se do të ketë rritje të tarifave që do të rëndojnë në xhepat e qytetarëve. Eksperti Agron Haxhimihali u ndal te roli i AKEM-it, i cili – sipas tij – shkel parimet e decentralizimit.

    Adelina Farrici:
    “Rekomandimet që ne kemi për këtë projektligj, duke pasur në konsideratë se autonomia është vetëqeverisje, dhe nga ana tjetër vetëqeverisja nënkupton autonomi kushtetuese, duhet të theksojmë se ligjet e zakonshme duhet të nxirren jo vetëm në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, por me kujdes të veçantë që të mos prekin rregullimet që përfshihen në ligjet organike, siç është ligji për vetëqeverisjen vendore – ligji nr. 139/2015.”

    Juliana Memaj:
    “Ky ligj na ngarkon me detyra të reja: fushata sensibilizuese, ndarja e mbetjeve në burim, transporti në stacione tranzitore. Të gjitha këto do të çojnë në rritjen e tarifave për komunitetin, gjë që mund të sjellë një impakt të rëndë social.”

    Agron Haxhimihali:
    “Roli që ka marrë AKEM-i, si politikëbërës dhe vendimmarrës, nuk përputhet me parimet e decentralizimit. Ne thamë se do të kishim 61 bashki të forta, politikëbërëse dhe afër qytetarëve. Tani vendimmarrja po shkon në një vertikale shumë të lartë.”

    Ndërkohë, deputetët e opozitës u ndalën te pasojat konkrete të ligjit, ku Oerd Bylykbashi theksoi se çështjet e menaxhimit të mbetjeve kanë çuar njerëz në burg.

  • AmCham kërkon shtyrjen e projektligjit për mbetjet urbane: Mungon konsultimi me biznesin

    AmCham kërkon shtyrjen e projektligjit për mbetjet urbane: Mungon konsultimi me biznesin

    Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar Komisionit Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të shtyjë miratimin e projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane”, duke ngritur shqetësimin për mungesën e një procesi të plotë konsultimi me grupet e interesit.Në seancën dëgjimore të mbajtur në Komision Parlamentar përfaqësues të lartë të AmCham, përfshirë zëvendëspresidentin Rexhino Çekrezi, drejtorin ekzekutiv Neritan Mullaj, sekretarin Dritan Nako dhe nënkryetarin e Komitetit Ligjor dhe Rregullator, Ened Topi theksuan nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar me projektligjin tjetër që lidhet drejtpërdrejt me këtë fushë: “Për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve”. Sipas AmCham, miratimi i projektligjeve në mënyrë të ndarë rrezikon të sjellë mbivendosje ligjore dhe paqartësi për biznesin.Drejtori AmCham, Neritan Mullaj, përcolli shqetësimin për kohën e shkurtër të konsultimit me grupet e interesit dhe theksoi se projektligji për mbetjet urbane po shqyrtohet në mungesë të një procesi paralel konsultimi me projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”. Sipas tij, këto dy nisma ligjore janë organikisht të lidhura dhe duhen trajtuar në mënyrë të koordinuar, pasi përndryshe disa nene të njërit ligj mund të përjashtojnë apo të bien ndesh me dispozita të ligjit tjetër, duke krijuar pasiguri ligjore dhe pengesa për biznesin.Në të njëjtën linjë, nënkryetari i Komitetit Ligjor dhe Rregullator të AmCham, Ened Topi, solli shembuj konkretë të mbivendosjeve ligjore mes dy projektligjeve, duke theksuar se një harmonizim paraprak është i domosdoshëm për të shmangur konfuzionin gjatë zbatimit. Ai theksoi se që nga mënyra e nxjerrjes së akteve nënligjore (VKM) deri te nenet që rregullojnë trajtimin e mbetjeve nga prodhuesit, kërkohet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe diskutim paraprak me grupet e interesit.Sekretari i Bordit të Dhomës Amerikane, Dritan Nako, njëherësh përfaqësues i industrisë së çimentos, në rradhë të parë përshëndeti nismën e ndërmarrë për përafrimin e legjislacionit mjedisor me atë Evropian me besimin e padiskutueshëm që implementimi i tij do të sjellë ndryshime të domosdoshme dhe pozitive në vend, për sa i takon sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.Nga ana tjetër, referuar Nenit 72 të draft ligjit ai theksoi nevojën e menjëhershme të industrisë për të pasur mundësinë ligjore të importimit të lëndëve alternative nga “lista e gjelbër” e Katalogut Evropian, në kushtet ku disponueshmëria e tyre brenda vendit ende nuk ekziston, me qëllim përdorimin e tyre si zëvendësues të lëndëve djegëse fosile. Ai iu referua gjithashtu praktikave më të mira evropiane si dhe rekomandimeve të shprehura ne raportin e Bankës Botërore për vitin 2024 për Shqipërinë sa i takon masave që duhen marrë në kuadër të ndryshimeve klimaterike, duke theksuar se kjo zgjidhje do t’i mundësonte industrisë së çimentos të realizojë për vendin deri në 40% të objektivave të vendosura nga OKB për dekarbonizimin, duke siguruar në të njëjtën kohë optimizimin e kostove të saj të prodhimit dhe garantuar nivelin e nevojshëm të konkurrueshmërisë në tregjet e eksportit.AmCham e ka përfshirë këtë kërkesë edhe në rekomandimet e saj drejtuar ministrive dhe komisioneve parlamentare përkatëse, duke theksuar se importi përjashtimor i dy rrjedhave të listës së gjelbër do të mundësonte jo vetëm arritjen e objektivave të dekarbonizimit, por edhe optimizimin e kostove për prodhuesit vendas, operimin me efiçencë  energjitike, sigurimin e një niveli të shëndetshëm të eksporteve të produkteve “Made in Albania” në tregjet evropiane e për pasojë  rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.Në përfundim, Dhoma Amerikane i kërkoi Komisionit që të shtyjë miratimin e projektligjit, në mënyrë që të ketë kohë për të reflektuar të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e biznesit, si dhe për të zhvilluar një proces të plotë konsultimi paralel për të dy projektligjet që lidhen me menaxhimin e mbetjeve. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Sa do të na kushtojnë tani mbetjet?! Debate për ligjin e ri të qeverisë

    Sa do të na kushtojnë tani mbetjet?! Debate për ligjin e ri të qeverisë

    Sa do të na kushtojnë tani mbetjet?! Debate për ligjin e ri të qeverisë
    Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” ka ngritur pikëpyetje gjatë seancës dëgjimore nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në komisionin e Ekonomisë, konkretisht mbi rolin që do të ketë Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, kostot që shoqëron zbatimi i këtij drafti dhe fati i inceneratorëve.
    AKEM
    Përmes deputetëve të opozitës Ledina Aliolli dhe Enno Bozdo, Partia Demokratike ngriti shqetësimin se AKEM shkel autonominë e bashkive dhe rrezikon të hapë derën për interesa private.
    Ministri Jaupaj u përgjigj se agjencia nuk do të centralizojë kompetencat, duke theksuar se bashkitë mbeten përgjegjëse për menaxhimin brenda territorit të tyre, ndërsa AKEM do të koordinojë procesin në nivel kombëtar.
    Më tej ministri solli shembullin nga Hungaria për ngritjen e AKEM, duke e krahasuar më atë shqiptar, rasti i OST në sektorin e energjisë. Por deputeti Bozdo nënvizoi se modeli hungarez ishte i lidhur me privatizim dhe koncesione.
    “Modeli hungarez duhet të jetë jashtë. Doni ta jepni AKEM me PPP ose ndryshe koncesion. Ka disa të dhëna që e çoni drejt këtij modeli në projektligj siç lidhet me pronësinë private të landfilleve. Ju nuk mundet ta çoni këtë me model koncesionar dhe t’i hapni derën asnjë privati të hyjë në zinxhirin e integruar të mbetjeve. AKEM nuk mund të jetë sipas modelit hungarez dhe të shkojë në duart e privatit. Privati në Shqipëri në sektorin e mbetjeve është e barabartë me mafien”, tha Bozdo.
    Ministri Jaupaj u përgjigj se AKEM do të jetë shoqëri me kapital shtetëror dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.
    “AKEM është një shoqëri me kapital shtetëror, pra është një institucion publik që parashikohet në nenet e projektligjit, pra është me kapital shtetëror dhe i bie që të jetë një institucion publik. Sa i përket modelit ndërkombëtar e kisha për qendërzimin e trajtimit fundor të mbetjeve dhe jo modeleve. Modeli është shumë qartë i përcaktuar në projektligj”, replikoi ministri.
    Sa do të paguajnë qytetarët?
    Një nga pikat më të nxehta lidhet me faturën financiare, që nuk është e parashikuar në projektligj. Deputetë të opozitës kërkuan të dinë se sa do të paguajnë familjet dhe bizneset pas hyrjes në fuqi të projektligjit.
    “Flasim për kosto dhe tarifa. Kostot janë për pushtetin vendor, tarifat janë për qytetarët. A mund të me thoni ju një qytetar sot i Shqipërisë sa paguan sot dhe sa do të paguajë nesër me këtë model të ri sepse ndjesia ime me këtë draft është se pataten e nxehtë po ia hidhni pushtetit vendor sepse ne i kalojmë kompetenca pushtetit vendor por nuk e financojmë kurrë atë. Ju këtu duhet të vinit me tarifa dhe kosto e kuptoj që nuk mund të jenë 100% të sakta”, pyeti Bozdo. Deputeti i PD-së foli për përllogaritje paraprake tarifash 3 deri në 6 herë më të larta.
    Ministri Jaupaj u përgjigj se tarifat do të përcaktohen nga një vendim i veçantë i Këshillit të Ministrave, sipas një metodologjie të hartuar me ekspertë ndërkombëtarë. Ai vuri gjithashtu në dukje se, “Shqipëria ka aktualisht tarifat më të ulëta në Europë për menaxhimin e mbetjeve”.
    “Metodologjia dhe përcaktimi i tarifave lidhet ngushtësisht me tipologjinë, metodologjinë e zhvillimit ekonomik të një njësie vendore, nëpërmjet diskutimeve edhe në këshillat bashkiakë. Megjithatë ne do t’i asistojmë me një metodologji për të përcaktuar tarifa të drejta në bazë edhe të mënyrës se si menaxhimi i mbetjeve kryhet në atë zonë të caktuar të territorit …”, tha ministri
    Inceneratorët
    Ashtu si edhe në seancat e tjera dëgjimore për draftin e ri të mbetjeve, polemika u fokusua tek trashëgimia e inceneratorëve. Deputeti Enno Bozdo akuzoi qeverinë se, 11 vite pas dështimit të projektit të inceneratorëve, Shqipëria ende përballet me pirgje mbetjesh. “Është turp që në vitin 2025 ende ndodhemi në këtë situatë”, tha ai
    “Pse nuk vihet në punë inceneratori i Fierit jo për t’u marrë me mbetjet që krijohen tani apo kur të hyjë ligji në fuqi dhe normalisht të trajtohen mbetjet sipas këtij ligji, por për të zhdukur ato pirgje male të mëdha me mbetje që janë krijuar veçanërisht në atë territor në territorin e qarkut të Fierit, por edhe më gjere ato janë mbetje që nuk riciklohen më, janë mbetje që janë dëmtuar përfundimisht nuk mund të kthehen në ekonomi.
    Tani ky inceneratori i Fierit që është pronë publike tashmë sepse e ka marrë nën administrim Agjencia e Pasurive të Sekuestruara pse nuk e vë në punë këtë gjënë?, ngriti pyetjen deputeti i PS, Erion Braçe.
    “Incenerimi në fakt është një pjesë e trajtimit të mbetjeve dhe pavarësisht gjithë elementëve që ju përmendët, ne vlerësojmë dhe në asnjë moment ne nuk mendojmë që incenerimi nuk duhet të jetë pjesë e trajtimit të mbetjeve.
    Ministria e Mjedisit është duke bashkëpunuar me Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara për të gjithë procesin e transferimit të këtyre aseteve publike të cilat janë zhveshur nga të gjithë kufizimet ligjore që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në mënyrë që më pas përmes Operatorit të trajtimit të mbetjeve të kryejmë vlerësimin teknik dhe fillimin e operimit të infrastrukturës pasi siç e kam thënë, ne nuk flasim për incinerator por flasim për incenerim që është një proces që lidhet ngushtësisht me landfillimin, kompostimin dhe riciklimin”, u përgjigj Jaupaj. /Marrë nga Faktoje.al

  • VIDEO – Bashkia Shkodër: Tolerancë zero ndaj ndotësve të hapësirave dhe prishjes së imazhit të qytetit

    VIDEO – Bashkia Shkodër: Tolerancë zero ndaj ndotësve të hapësirave dhe prishjes së imazhit të qytetit

    Bashkia Shkodër ka paralajmëruar zero tolerancë ndaj ndotësve që dëmtojnë hapësirat publike dhe imazhin e qytetit. Vetëm gjatë një jave, Policia Bashkiake ka monitoruar dhe gjobitur mbi 20 raste të hedhjes së mbetjeve pa kriter, duke ndëshkuar ata që nuk respektojnë rregullat e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve.
    
    Altin Shabaj, Drejtor i Drejtorisë së Pastrimit dhe Gjelbërimit, deklaroi se çdo rrugë, lagje dhe pikë grumbullimi është nën monitorim të vazhdueshëm. Sipas tij, janë marrë masa konkrete ndaj shkelësve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mos hedhin lëndë drusore, mobilje apo orendi shtëpiake në koshet e zakonshme, pasi ato nuk kanë vend në qytet, sipas rregullores bashkiake për menaxhimin e mbetjeve.
    Ndërkohë, Henri Faci, menaxher i firmës që kryen shërbimin e pastrimit në qytetin e Shkodres, foli për menaxhimin e intervaleve të pastrimit dhe evidentimin e zonave me problematika të përsëritura. Ai theksoi se shërbimi po monitorohet me kujdes, por bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbeten vendimtarë për të ruajtur pastërtinë e përbashkët.
    Në një kohë kur qyteti përballet me rritjen e sasisë së mbetjeve dhe shpesh abuzimimin dhe papergjegjshmerine, institucionet kërkojnë bashkëpunim më të gjerë për të garantuar pastërtinë e mjedisit tone te perbashket.

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve/ Malltezi: Çmimet për qytetarët mund të shkojnë deri ne 6- fishin e tarifave aktuale

    Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve/ Malltezi: Çmimet për qytetarët mund të shkojnë deri ne 6- fishin e tarifave aktuale

    Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike Jamarabër Malltezi ka paraqitur gjatë një takimi të gjithë të vërteta që fshihen pas një projektligji të përgatitur nga rilindja për trajtimin e mbetjeve që rrezikon të shumëfishojë çmimet për qytetarët.

    “Këtu kostoja e trajtimit të mbetjeve, pra është jashtëzakonisht e lartë. Kemi parasysh që kostoja e trajtimit të mbetjeve para 15 vitesh ishte vetëm 12 euro. Pra pagesa për qytetarët ishte vetëm 12 Euro p[ër ton, më pas shkoi 29 euro për ton dhe mendohet që mund ta çojnë nga 70 deri ne 170 euro për ton. Pra mund të kemi 5 ose 6 – fishim të kostove”, tha Malltezi.

    Deklarata e Jamarbër Malltezi 

    Ka të dhëna kontradiktore. Biles edhe për çmimet për qytetarët që mund të shkojnë deri ne 6- fishimin e tarifave të tanishme. Relacioni shoqërues i ligjit që është vlerësimi i ndikimit të projekt ligjit thotë që, kostoja e trajtimit të mbetjeve do të jetë nga 70 euro deri në 170 euro për tonë mbetjesh.

    Kjo është një kosto që zor se mund të kenë edhe vendet më të zhvilluara të botës. Pra edhe për produktet bujqësore që janë mall me vlerë nuk e kanë një kosto të tillë. Këtu kostoja e trajtimit të mbetjeve, pra është jashtëzakonisht e lartë. Kemi parasysh që kostoja e trajtimit të mbetjeve para 15 vitesh ishte vetëm 12 euro. Pra pagesa për qytetarët ishte vetëm 12 Euro p[ër ton, më pas shkoi 29 euro për ton dhe mendohet që mund ta çojnë nga 70 deri ne 170 euro për ton. Pra mund të kemi 5 ose 6 – fishim të kostove.

    Dëgjesat publike për këtë projektligj, qeveria pretendon që i ka kryer nga datat 16 nëntor deri me datën 24 nëntor 2024. Pra është një faturë miliona euro që impakton familje, që impakton biznese ricikluese, impakton bashkitë. Çdo bashki do të duhet të nxjerrë para dhe kanë pasur vetëm 7 ditë dëgjesë publike. Me çfarë kam parë në relacion, janë rreth 21 persona e gjitha që kanë paraqitur komente.

    Atëherë ka paqartësi se cilët ekspertë kanë punuar për këtë, sa seriozë janë këta ekspertë që mund ta kenë bërë. Ka një kakofoni. Ka edhe  disa të dhëna të sakta, ka edhe disa të dhëna tërësisht të papranueshme. Ka paqartësi mes tagrave ligjore që ka pushteti vendor dhe ngritjes së Agjencisë së qendrore që do të menaxhojë mbetjet.

    Për sa i përket relacionit të projektligjit. Çfarë vëmë re. Vëmë re që nga monopoli i Klodianëve që kishim për Sharrën, tani kalojmë në monopolin e kësaj agjencie që e quajnë AKEP dhe e cila do të ketë çfarëdo lloj mbetje. Do ketë monopolin e planifikimit fillimisht, monopolin e programeve, monopolin e projektimeve, monopolin e ndërtimit, monopolin e administrimit, monopolin e monitorimit, monopolin edhe të asgjësimit. Pra çdo lloj monopoli. Monopolin e mbetjeve të riciklueshme, monopolin e mbetjeve të ndërtimit. Ne e kemi shumë të qartë se ku përfundoi rasti i fundit që kishin monopol të këtyre mbetjeve. Përfunduan në vjedhje masive në ryshfete masive. Tek e njëjta gjë po shkojmë. Veç në vend të dy Klodianëve do gjejnë një Klodian tjetër, një sekser tjetër që të vjedhë këto para.

    Kthehemi tek ligji. Neni 22 ka të bëjë me Agjencinë Kombëtare të mbetjeve. Siç ju thashë, pika 5b e saj vijon….Zhvillon, koordinon, administron infrastrukturën kombëtare të impianteve të trajtimit rikuperimit dhe të asgjësimit të mbetjeve….realizon projekte për ngritjen e infrastrukturës fundore të menaxhimit të mbetjeve…

    E Plotë:

    Dëgjese publike lidhur me projekt-ligjin per Menaxhimin e Integruar te Mbetjeve

    PD Departamenti i Mjedisit ne bashkëpunim me deputete te PD

    Hotel Tirana International, 06.10.2025

    Disa komente dhe verejtje paraprake:

    Ne 2011 u miratuan ligjet e mjedisit perfshi ky i menaxhimit te integruar te mbetjeve. U mor ndihma e BE, me 4 miljon euro nga parate e BE u pagua nje ekip ekspertesh qe hartoi ligjet qe kishin mbi 80% perputhshmeri me Direktiven e BE. Parate e taksapaguesve Evropiane PS i hodhi ne kosh se deshi te vidhte me inceneratoret. Por ne 2011 ligjet u hartuan te qarta, kishte ekip pergjegjes per autoresine dhe shifrat nuk ishin vec per propagande. Sot flitet qe kemi marre ndihme nga disa projekte dhe disa donatore por nuk ka nje eksper apo grup ekspertesh qe merr persiper autoresine. Dhe duket qe ka edhe pasaktesi te tmerrshme edhe ligesi ekstreme.
    Nuk ka proces te rregullt te degjesave publike sic kerkohet sipas Konventes Aarhus.

    KA VEÇ 1 JAVE DEGJESE NE NENTOR 2024 DHE GJITHSEJ 21 KOMENTE?

    Projekt-ligji bie ndesh me Strategjine Kombëtare e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Plani Kombëtar i Veprimit 2020-2035 se aty u parashikuan 3 inceneratore si zgjidhje.
    Menaxhimi i mbetjeve eshte tager i pushtetit vendor. Ju po krijoni nje agjensi te pabazuar ne ligj dhe po merrni tagra nga ato te pushtetit vnedor
    Kush ju ka pergatitur skenaret se nuk duket te jete ekspert fare. Kjo pasi ka edhe te dhena te sakta edhe kakofoni.

    Skenari juaj pretendon se do ricikloje 50% te mbetjeve por nuk ka asnje studim qe te thote nese eshte realist apo thjesht enderr vere. Shume pak vende te BE e kane 50%, si pretendohet te cohet ne 50% kur keni falimentuar ricikluesit.

    Para 7-8 vitesh Shalesi qau hallin e ricikluesve por juve ia kaluat gjithe mbetjet edhe ato te riciklueshmet ai monopol per klodianet e sharres dhe i falimentuan. Cfare do behet per rigjallerimin e ricikluesve?

    Neni 77 qe PS don te fuse eshte kriminal! Don te kriminalizoje te gjithe popullsine me masa drakoniane per çdo gje, pa perfilluar as eksperiencen, as sasite dhe as llojin e mbetjeve. Vendos gjoba 3 miljon deri 4 miljon leke (pra 30,000 deri 40,000 euro per hedhje te cfaredo lloj mbetjeje ne toke publike apo private, pa treguar as sasine e penalizueshme, nese nuk ke leje nga Edi Rama! Cmenduria eshte qe duan te perdorin ligjin per te kriminalizuar gjithe shoqerine dhe per te vendos gjoba per rryshfete dhe kercenime politike. Me kete nen dhe 64 pika per penalitete mund te vendosin gjobe 40,000 euro nje fshatari pse ne token e tij po hedh ca mbeturina biologjike per ti kompostuar!!! (Se ligji thote po nuk pate leje te penalizoj pavaresisht se eshte toka jote, pavaresisht se po e plehron token tende, pavaresisht se qenka vec 1 lekure banane, por nga ana tjeter kalohen 101 maune me mbetje te rrezikshme ne portin e Durresit dhe ka 1 vit qe nuk ka as pergjegjesi, as autor e asgje vec helme te rrezikshme per qytetaret!) duhet rrezuar neni.

    Objektivi ka te dhena kontradiktore se shkruan qe kosto e trajtimit te mbetjeve do rritet nga 70 ne 170 euro per ton!!! CMENDURI! Kane marre gjera te gatshme nga interneti por njelloj si me inceneratoret qe ishin krenaria e edi rames ndonese nuk ekzistojne edhe tani po duan te vjedhin dhe rrisin kostot sa nuk i ka as BE! Kjo eshte vjedhje se nuk e ka asnje vend ne bote me kete cmim pervec ishujve te Paqesorit qe duhet ti trasnportojne me avion mbetjet ose procese shume te kushtueshme te incenerimit ne temperatura shume te larta dhe me filtra te shumefishte.

    Tarifat per qytetaret 3 deri 6 fishohen se duan te vjedhin!!!

    DISKUTIME MBI NENET E PROJEKT-LIGJIT

    NGA MONOPOLI I 2 KLODIANEVE SEKSERE SHKOHET TEK MONOPOL I AKEM

    Neni 22

    Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve

    1. Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve është person juridik në formën e shoqërisë aksionare, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin.

    5. Për përmbushjen e qëllimit dhe objektivave të këtij ligji, AKEM-i ushtron këto kompetenca kryesore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve:

    b) Zhvillon, koordinon dhe administron infrastrukturën e rrjetit kombëtar të impianteve të trajtimit (rikuperimit dhe asgjësimit) të mbetjeve gjatë fazave të ndërtimit, operimit dhe mbylljes të tyre;

    c) Realizon projektet për ngritjen e infrastrukturës fundore të menaxhimit të mbetjeve;

    ç) Monitoron zbatimin e planeve e të programeve për menaxhimin e integruar të mbetjeve në nivel qendror dhe vendor;

    Neni 24 – Bashkitë (VEC GRUMBULLIMIN E MBETJEVE DHE KONTROLL TERRITORI)

    1. Bashkitë janë përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e ndarjes së mbetjeve në burim dhe grumbullimin e diferencuar të tyrë si pjesë e sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, në territorin nën juridiksionin e tyre.

    4. Për ushtrimin e funksioneve të tyre në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, bashkitë veprojnë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit të posaçëm për vetëqeverisjen vendore dhe zbatojnë parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.

    5. Kryetarët e njësive të vetëqeverisjes vendore janë përgjegjës për grumbullimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

    (BASHKITE KANE FUNKSION GRUMBULLIMIN E MBETJEVE POR JO MENAXHIMIN E LANDFILLEVE/IMPIANTEVE ETJ., POR KETU E FUSIN EDHE FJALEN ADMINISTRIM?)

    NENI 26 – Bashkëpunimi ndërvendor

    1. Bashkitë, që përfshihen në një zonë të menaxhimit të mbetjeve, dhe AKEM-i nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi ndërvendor …

    2. Marrëveshja e bashkëpunimit për secilën zonë të menaxhimit të mbetjeve miratohet nga këshilli bashkiak i secilës bashki pjesëmarrëse.

    3. Marrëveshja e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, zbaton të gjitha parashikimet e ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”.

    PO NESE NUK BIEN DAKORT? NESE KESHILLI BASHKIAK REFUZON? NESE ESHTE SIPAS LIGJIT TE VETEQEVERISJES VENDORE PSE I IMPONOHESH ME KETE LIGJ TE VECANTE?

    Neni 27 – Kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve

    1. Kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke përfshirë kostot e infrastrukturës dhe operimit të saj, mbulohen nga krijuesi ose nga zotëruesi i mbetjeve, në përputhje me parimin “Ndotësi paguan”.

    2. Kostot për menaxhimin e integruar të mbetjeve, që krijohen nga produktet që i nënshtrohen skemës së përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, mbulohen në përputhje me parashikimit e ligjit të posaçëm për përgjegjësinë e zgjeruar të subjekteve prodhuese.

    3. Kostot për menaxhimin e integruar të mbetjeve, që janë përgjegjësi e bashkive, mbulohen nga bashkitë në përputhje me parashikimet e legjislacionit për vetëqeverisjen vendore dhe dispozitat e posaçme të këtij ligji.

    5.Çdo zonë e menaxhimit të mbetjeve mbulon kostot e investimit për ndërtimin e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve bashkiake brenda zonës. Të gjitha bashkitë, që janë pjesë e zonës së menaxhimit të mbetjeve, dhe AKEM-i financojnë kostot e investimit të zonës së menaxhimit të mbetjeve në përputhje me parashikimet e marrëveshjeve ndërvendore, sipas nenit 26, të këtij ligji, dhe kompetencave dhe përgjëgjësive të tyre. Në rast se kostot e investimit të infrastrukturës nuk përballohen nga buxhetet e bashkive dhe nga zona e menaxhimit të mbetjeve përkatëse, kostot mbulohen nga buxheti i shtetit i Republikës së Shqipërisë si edhe nga burime të tjera të ligjshme si donacione, grante, financime vendase dhe të huaja.

    6. AKEM-i planifikon, projekton, koordinon dhe administron rrjetin kombëtar të impianteve të trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve, në të gjitha fazat e zhvillimit të tij që përfshijnë ndërtimin, operimin, administrimin dhe mbylljen e tyre.

    KOSTON E PAGUAN BASHKIA NDERSA PARATE I MERR AKEM? KJO PO NDODH NE TIRANE KU KOSTO PER QYTETARET U RRIT DHE PARATE PAGUHEN TEK KLODIANET

    Neni 29 – Burimet e financimit 

    1. AKEM-i mund të financohet nga:

    a) buxheti i shtetit;

    b) tarifa hyrëse e pranimit “gate fee” në landfill dhe/ose incenerator, që përfshin koston e landfill-imit (depozitimit) dhe/ose incenerimit në pikën fundore të trajtimit të mbetjeve;

    c) të ardhurat nga shitja e materialeve të riciklueshme; (MONOPOL AKEM)

    ç) fondet e donatorëve vendas dhe të huaj, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

    d) të ardhurat e përftuara nga aktivitetet e saj dhe shërbimet e ofruara;

    dh) çdo burim tjetër i ligjshëm.

    (VETEM PER AKEM FLITET PER FINANCIM JO PER BASHKITE)

    Neni 34 – Landfill-i

    1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit miraton, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, kërkesat teknike dhe operative për mbetjet dhe për landfill-et, për të përcaktuar masat, procedurat, standardet dhe udhëzimet për krijimin, operimin dhe mbylljen e landfill-eve.

    2. Landfill-et klasifikohen në tri kategori:

    a) Landfill-e për mbetjet e rrezikshme;

    b) Landfill-e për mbetjet jo të rrezikshme;

    c) Landfill-e për mbetjet inerte.

    3. Në landfill pranohen mbetjet që i janë nënshtruar trajtimit, me përjashtim të mbetjeve inerte, për të cilat trajtimi është teknikisht i pamundur, dhe të mbetjeve të tjera kur trajtimi i tyre nuk zvogëlon sasinë e mbetjeve ose rrezikun ndaj mjedisit ose shëndetit të njeriut.

    4. Në landfill-et e mbetjeve të rrezikshme pranohen vetëm mbetje që klasifikohen si të rrezikshme, në përputhje me përkufizimin e këtij ligji dhe që përmbushin kriteret dhe procedurat e pranimit, të përcaktuara sipas këtij neni.

    KUSH DO KETE LANDFILL TE RREZIKSHEM? PRIVATI? BASHKIA? AKEM?

    Neni 36 – Garancitë financiare për landfill-in

    1. Çdo person, që operon ose ka për qëllim të operojë një landfill, në përputhje me lejen e mjedisit, duhet të disponojë dhe të sigurojë të gjitha mjetet financiare të nevojshme për të mbuluar kostot e ndërtimit dhe të operimit.

    5. AKEM përjashtohet nga të gjitha detyrimet për garancitë financiare të landfillit.

    PSE? PSE KY NDRYSHE NGA TE TJERET KUR KY DO KETE GJITHSHKA NE DORE?

    Neni 40 – Menaxhimi i integruar i mbetjeve të rrezikshme

    1. Krijimi, grumbullimi, transporti, magazinimi dhe trajtimi i mbetjeve të rrezikshme kryhen në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe vetëm në kushte që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut.

    2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton masat që sigurojnë gjurmueshmërinë e mbetjeve që nga krijimi deri në destinacionin përfundimtar të tyre, si dhe kontrollin e të dhënave të mbetjeve të rrezikshme, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

    KY NEN KA QENE NE FUQI. PSE DHE KU DESHTOI TEK MBETJET E PORTIT TE DURRESIT QE TANI NDOSIN PORTO ROMANON?

    Neni 43 – Mbetjet e rrezikshme shtëpiake

    PSE KA 1 NEN TE VECANTE PER MBETJET E RREZIKSHME SHTEPIAKE? SI DO IMPONOHET KUR NUK IMPONOHET DOT AS NE VENDET E BE? DHE NUK OFRON ASNJE MASE PER QYTETARET AS KONTEINER TE VECANTE

    Neni 48 – Mbetjet bio (NUK ZBATOHET AS NE MYNIH!)

    1. Bashkitë marrin masat që në territorin nën juridiksionin e tyre mbetjet bio ndahen dhe riciklohen në burim ose grumbullohen në mënyrë të diferencuar dhe nuk përzihen me lloje të tjera mbetjesh.

    2. Bashkitë investojnë në krijimin e infrastrukturës për ndarjen në burim dhe grumbullimin e diferencuar të mbetjeve bio si edhe ngritjen e impianteve të kompostimit.

    MUND TE JETE PER BASHKI RURALE POR ESHTE QESHARAKE PER BASHKI URBANE. PERVECSE TE PERDORET PER GJOBEVENIE TE GJITHE RESTORANTEVE TE MUNDSHME NGA SEKSERET E EDI RAMES

    Neni 62 – Strategjia Kombёtare për Menaxhimin e Integruar tё Mbetjeve dhe Plani i veprimit

    Neni 63 – Plani Kombëtar Sektorial i Menaxhimit të Mbetjeve

    Neni 64 – Planet zonale të menaxhimit të integruar të mbetjeve

    Neni 65 – Planet vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve

    Neni 66 – Programi Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve

    1 STRATEGJI + 1 PLAN VEPRIMI + 3 PLANE NE NIVELE TE NDRYSHME + PROGRAM?

    Neni 72 – Importi i mbetjeve

    1. Ndalohet në të gjitha rastet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.

    2. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi tranzit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.

    (PO LISTA E GJELBER? RICIKLUESIT E KERKOJNE POR MEQE NUK ERDHEN MESA DUKET NUK E KANE AQ TE RENDESISHME)

    Neni 77 – Kundërvajtjet administrative (E KTHEJNE NE KOD PENAL! JO DIREKTIVA!)

    Shkeljet e mëposhtme, nëse nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen, si më poshtë vijon:

    1. Çdo person, që përzien mbetje, në kundërshtim me nenet 9, pika 4, dhe 41 të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 3 000 000 (tre milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë.

    2. Çdo person, që përzien mbetjet e grumbulluara në mënyrë të diferencuar, në kundërshtim me nenet 12, pika 2, dhe 41, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 3 000 000 (tre milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë.

    3. Çdo person, që asgjëson mbetje në shkelje të nenit 14, të këtij ligji, dhe, në kundërshtim me normat teknike minimale, sipas nenit 46, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 3 000 000 (tre milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë.

    4. Çdo krijues apo zotërues mbetjesh, që, sipas nenit 16, pika 1, shkronja “a”, të këtij ligji, trajton vetë mbetjet, në kundërshtim me normat teknike minimale sipas nenit 46, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë.

    ME KETE LIGJ DHE KETO KUFIZIME, CDO INSPEKTOR MJEDISI KTHEHET NE SEKSER DHE VENDOS GJOBA PER RRYSHFETE KU TA KETE QEFIN. SE CDO FSHATAR MBETJET E BIODEGRADUESHME I TRAJTON VETE DHE I DEKOMPOSTON VETE. DUHET TE MARRE LEJE PER KETE GJE? CMENDURIRA

    62. Çdo individ, që hedh, braktis, depoziton apo gropos çfarëdo lloj mbetjeje në vende publike dhe jopublike, ku nuk lejohet të hidhen apo të groposen mbetjet, në kundërshtim me ndalimin e parashikuar në nenin 76, shkronja “a”, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 3 000 000 (tre milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë.

    63. Çdo person juridik, që hedh, braktis, depoziton apo gropos çfarëdo lloj mbetjeje në vende publike dhe jopublike, ku nuk lejohet të hidhen apo të groposen mbetjet, në kundërshtim me ndalimin e parashikuar në nenin 76, shkronja “b”, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 3 000 000 (tre milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë.

    64. Djegia e mbetjeve, në kundërshtim me nenin 76, shkronja “c”, të këtij ligji, dënohet me gjobë:

    a) Për shkeljet e kryera nga personi juridik, vlera e gjobës është nga 3 000 000 (tre milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë;

    b) Për shkeljet e kryera nga personi fizik, vlera e gjobës është nga 3 000 000 (tre milionë) deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë.

    PSE SPECIFIKOHEN KUR JANE NJELLOJ SI PER INDIVID EDHE PER PERSON JURIDIK?

    I GJITHE NENI 77 DUHET HEDHUR NE KOSH! NUK ESHTE SIPAS DIREKTIVES!

    RAPORTI I VLERËSIMIT TË NDIKIMIT

    Projektligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve

    Kjo figure jepet ne faqe 3 te Raportit te vleresimit te ndikimit qe shoqeron projekt-ligjin.

    Kjo tabele nuk ka reference nga eshte marre dhe sa e besueshme eshte, por vete kjo tabele tregon se BE e ka 31% riciklimin.

    OPSIONET POLITIKE (faqe 6 e te njejtit material)

    Për të arritur objektivat e politikës, janë shqyrtuar opsionet e mëposhtme:

    • Opsioni 0 (status quo): – Niveli bazë – zbatohet legjislacioni ekzistues;

    • Opsioni 1: Miratimi i Ligjit të ri “për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe arritja e objektivit të përgatitjes për ripërdorim dhe riciklimit të mbetjeve bashkiake në 50% të peshës deri në vitin 2035.

    • Opsioni 2: Miratimi i Ligjit të ri “për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe arritja e objektivave të përgatitjes për ripërdorim dhe riciklimit të mbetjeve bashkiake në 50% të peshës deri në vitin 2030 & në 65% deri në vitin 2035.

    BE E KA 31%! SHQIPERIA DO SHKOJE NE 50% APO 65% BRENDA 5 APO 10 VITESH?!

    Impakti ekonomik

    675 milionë euro në investime deri në vitin 2035 (SI DHE KUSH E LLOGARITI)

    Bashkitë do të përballojnë kostot për zgjerimin e shërbimeve të grumbullimit të mbetjeve, grumbullimin e detyrueshëm të diferencuar, mbylljen e venddepozitimeve që nuk janë në përputhje dhe pastrimin e venddepozitimeve ilegale, me lehtësim të pjesshëm nga Skemat e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit (PZP), taksat dhe grantet e lendfillit. Tarifat e shërbimit të mbetjeve për familjet pritet të rriten për shkak të kërkesave më të rrepta të riciklimit dhe devijimit nga lendfillimi.

    DO RRITEN TARIFAT PER FAMILJARET! PA ASGJE DHE U RRIT NGA 12 NE 29 €/ton! TANI MUND TE 3-6 FISHOHEN SE DUAN TE VJEDHIN ME MONOPOL!!!

    Per ilustrim shihni faqen 8 te te njejtit material (Raporti i Vleresimit te Ndikimit)

    DISA SUGJERIME NGA RICIKLUESIT POR MEQE NUK ERDHEN ZYRTARISHT VLERESOJENI VETE NESE MERITOJNE NDIHME APO JO

    1-Stacionet e transferimit te mbetjeve inorganike (te riciklueshme) t‘ju jepen me ligj ne menaxhim kompanive qe bejne riciklimin e mbetjeve…

    2- Te lejohet importimi i mbetjeve te listes se gjelber per industrine e riciklimit

    3-Te lejohen grumbulluesit individuale te mbetjeve te riciklueshme te operojne ne njesite e tyre administrative per sasi deri ne 50 kg/dite

    PER PIKEN 2 (IMPORTI I MBETJEVE) NUK IA VLEN TE BEJME NE BETEJEN PER TA KUR ATA KANE FRIKE EDHE TE FLASIN. NE 2011 U LEJUAN VEC LLOJE 5 MBETJESH NGA LISTA E GJELBER QE JANE LEHTESISHT TE IDENTIFIKUESHME POR TANI SI TE DONI.

  • ‘Qeveria po rikthen modelin e inceneratorëve’, Tabaku: Sipas BE, incenerimi s’është më metodë e preferuar

    ‘Qeveria po rikthen modelin e inceneratorëve’, Tabaku: Sipas BE, incenerimi s’është më metodë e preferuar

    Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti një sërë shqetësimesh serioze në Komisionin për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme, ku po diskutohet projektligji për menaxhimin e mbetjeve.
    Tabaku, e cila ka drejtuar më herët Komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët, paralajmëroi se drafti i propozuar nga qeveria rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime që çuan në skandalin më të madh korruptiv të viteve të fundit.
    “Ky është drafti i tretë dhe, ndryshe nga sa pretendon qeveria, nuk është konsultuar publikisht. Ne kemi një ligj që vjen pa transparencë dhe pa përfshirje të grupeve të interesit”, u shpreh Tabaku.
    Ajo theksoi se sipas progres-raporteve të Bashkimit Europian që nga viti 2020, incenerimi nuk është një metodë e preferuar për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa kujtoi se edhe ministri aktual e di këtë shumë mirë, pasi shqetësimet i janë përcjellë prej kohësh nga Brukseli.
    Deputetja demokrate kërkoi që ky projektligj të diskutohet paralelisht me ligjin për zgjerimin e përgjegjësisë së prodhuesve, duke theksuar se të dyja nismat janë të ndërlidhura.
    “Nëse nuk kemi një sistem të qartë riciklimi dhe nuk përcaktohet si do të funksionojë cikli i mbetjeve me sektorin privat, ligji mbetet bosh. Duhet të sqarojmë gjithashtu nëse ky ligj lejon apo jo importin e mbetjeve”, deklaroi Tabaku.
    Një tjetër shqetësim që ngriti ajo ishte rritja e tarifave për menaxhimin e mbetjeve.
    “Në ligj parashikohet një rritje deri në 1%, por çfarë ndodh me bashkitë që tashmë kanë rritur tarifat, si Tirana, Durrësi apo Elbasani? Në Durrës tarifa është rritur me 10 milionë euro, ndërkohë që qytetet janë më të ndotura se kurrë. A do të rriten sërish çmimet?”, pyeti Tabaku.
    Duke iu referuar gjetjeve të Komisionit Hetimor, ajo kujtoi se janë shpërdoruar rreth 430 milionë euro për inceneratorët, ndërsa projektligji i ri nuk garanton as llogaridhënie dhe as ndarje të qartë të kompetencave midis qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
    “Kemi një përplasje të hapur me pushtetin vendor. Qeveria po i merr kompetencat bashkive, duke shkelur parimin e subsidiaritetit që është thelbësor në procesin e integrimit europian,” përfundoi Tabaku.
    Ky qëndrim i saj është në linjë me kërkesat e opozitës për transparencë, përfshirje të publikut dhe rikthim të rolit të bashkive në menaxhimin e mbetjeve, si pjesë e procesit të përafrimit me standardet e BE-së.

  • Nga shkarkimi i Peleshit te ligji i mbetjeve/ Mblidhen Këshilli i Legjislacionit dhe 6 komisione

    Nga shkarkimi i Peleshit te ligji i mbetjeve/ Mblidhen Këshilli i Legjislacionit dhe 6 komisione

    E hëna e 6 tetorit shënon një ditë të mbushur për jetën parlamentare, pasi në Kuvend do të zhvillohen mbledhje të njëpasnjëshme të gjashtë komisioneve parlamentare dhe të Këshillit të Legjislacionit.

    Në orën 11:00 pritet konstituimi i Këshillit të Legjislacionit, i cili sipas rendit të ditës do të shqyrtojë kërkesën e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

    Në të njëjtën orë, Komisioni për Edukimin dhe Shkencën do të zhvillojë një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro. Fokusi do të jetë te masat e marra për nisjen e vitit të ri shkollor 2025–2026 në arsimin parauniversitar.

    Në orën 11:30, Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme do të shqyrtojë dy projektligje:

    Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”;

    Si dhe projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

    Po në orën 11:30, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do të zhvillojë një mbledhje të përbashkët me Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Gjatë kësaj mbledhjeje do të prezantohet raporti vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2024.

    Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetët do të diskutojnë projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në cilësinë e komisionit dhënës të mendimit.

    Ndërsa në orën 13:00, Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm do të mbajë një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku AKEP-i do të paraqesë raportin e tij vjetor për vitin 2024.

  • Pas Bankers Petroleum, SPAK duhet të marrë edhe dosjen e mbetjeve toksike të Kurum

    Pas Bankers Petroleum, SPAK duhet të marrë edhe dosjen e mbetjeve toksike të Kurum

    Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencën dhe i ka kaluar SPAK-ut dosjen e kompanisë Bankers Petroleum, ku hetimet e deritanishme kanë zbuluar shkelje të rënda dhe abuzime që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro dëme.
    Nga hetimet janë firmosur 14 masa sigurie, disa prej të cilave arrest me burg, për drejtues e ish-drejtues të kompanisë, përfshirë CEO-n aktual Hongping Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobo.
    Bankers Petroleum i detyrohet shtetit 240 milionë euro, ndërsa dosja ka zbuluar edhe një rrjet bashkëpunimi të fshehtë dhe kapje institucionesh që kanë lejuar kompaninë të operojë pa ndëshkim për vite me radhë.
    Vendimi për kalimin e çështjes te SPAK shihet si një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe si një shembull që duhet ndjekur edhe për skandalin e ngjashëm të mbetjeve toksike të kompanisë Kurum International.
    Prej 11 muajsh, 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme me burim furrat e Kurum qëndrojnë të bllokuara në Porto Romano. Ngarkesa, e nisur nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, u kthye në Shqipëri pasi autoritetet e Singaporit dhe Tajlandës konstatuan shkelje të rënda të Konventës së Bazelit mbi transportin ndërkufitar të mbetjeve të rrezikshme. Megjithatë, dosja e Prokurorisë së Durrësit ka mbetur pa lëvizje: nuk janë marrë ende mostrat, nuk është bërë analiza shkencore dhe nuk është siguruar zinxhiri i provave.
    Në këtë çështje aktorët janë të qartë: Kurum International si prodhues i mbetjeve industriale, kompania Sokolaj shpk si eksportuese nga Durrësi, GS Minerals në Kroaci si marrës, si dhe agjencitë shtetërore doganore e mjedisore që duhej të verifikonin dokumentacionin dhe ngarkesën.
    Megjithatë, mungesa e veprimeve procedurale ka bërë që dosja të mbetet e bllokuar, duke ngritur dyshime për ndikim politik dhe mungesë vullneti institucional.
    Skandali nuk është një çështje lokale për t’u harruar në Porto Romano, por një rast tipik që përmbush kriteret e një skeme ndërkufitare me pasoja penale e mjedisore.
    Për këtë arsye, ashtu siç ndodhi me Bankers Petroleum, edhe dosja Kurum duhet të kalojë menjëherë në duart e SPAK për të garantuar hetime të plota dhe ndëshkim për përgjegjësit. /skyweb.al

  • PD sfidon qeverinë me debat publik për mbetjet: Jo inceneratorëve të korrupsionit, po riciklimit

    PD sfidon qeverinë me debat publik për mbetjet: Jo inceneratorëve të korrupsionit, po riciklimit

    Departamenti i Mjedisit në Partinë Demokratike do të zhvillojë një dëgjesë të hapur publike për projektligjin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, e cila do të mbahet më 6 tetor 2025, ora 17:00, në sallën Consortium të Hotel Tirana International.

    Në këtë aktivitet do të marrin pjesë ekspertë të mjedisit, përfaqësues të ricikluesve dhe deputetë të opozitës, të cilët do të diskutojnë alternativat për një menaxhim modern dhe të ndershëm të mbetjeve.

    Me moton ‘Incenerim? Riciklim? Integrim?’, PD e quan këtë nismë një hap drejt një zgjidhjeje jokorrupive, duke vënë në kontrast modelin e propozuar prej saj me aferën e inceneratorëve, që për opozitën përfaqëson një nga skandalet më të mëdha financiare dhe mjedisore të qeverisë Rama.

    Kjo dëgjesë është pjesë e ofensivës opozitare për të treguar se ekziston një alternativë e besueshme në menaxhimin e çështjeve publike, në kontrast me atë që PD e cilëson si ‘qeverisje të kapur nga korrupsioni’.