Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha në një aktivitet për Reformën e Trajtimit të Integruar të Mbetjeve se mbledhja e tyre në vitin 2013 ishte 51%, ndërsa në 2024 ka arritur në 98%. Ministrja shtoi se është rritur edhe numri i landfill-eve, nga një në shtatë. Ajo përmendi edhe sfidat që mbart kjo reformë, ku një nga më kryesoret është shtimi i fluksit turistik.
Mirela Kumbaro: Në vitin 2013, mblidheshin në territor vetëm 51% e mbetjeve të gjeneruara lart e poshtë në territor, qoftë nga familjet apo bizneset. Në 2020, jemi me 87% të mbledhjes së mbetjeve në territor dhe në 2024 arritëm të 98% të mbledhjes së mbetjeve, që do të thotë nga territori të përhapura, në ato që janë pika të destinuara konkretisht, koshat. Në vitin 2013 kishim vetëm një landfill se nuk mjafton vetëm t’i mbledhësh. Sot çështja dhe vështirësia e të gjitha bashkive është i mblodhëm, por ku do t’i çojmë? Nëse kishim vetëm një landfill, sot kemi 7 të tilla. Edhe këto nuk mjaftojnë duke marrë parasysh vështirësitë shumë të mëdha që kemi në relievin e Shqipërisë apo në rrugët e aksesit që jo gjithmonë janë të lehta nga pikat më të larta, ku mbetjet depozitohen nëpër kosha apo hidhen në territor, çka e bën të vështirë ushtrimin ëpr bashkitë, ndonjëherë edhe të pamundur, siç është bashkia e Tropojës që e ka territorin shumë të vështirë dhe ndonjëherë ato mbetje që ne i shikojmë në rrjetet sociale në sipërfaqet ujore siç mund të jetë liqeni i Komanit, nuk janë mbetje të hedhura në liqen, janë mbetje që vijnë nga fshatra të ndryshëm të territoreve të bashkive malore që nuk arrijnë të mblidhen dhe të shkojnë në një pikë fundore. Ajo që e shton sfidën nuk është thjesht mungesa e përvojës, nuk është thjesht shtrirja e flukseve në territor, është shtimi i flukseve turistike. Nuk është e njëjta gjë si të menaxhosh mbetjet e 2,5 milionë banorëve dhe mbetjeve e 15 milionë banorëve, bashkë me mysafirët që na vijnë.
Kumbaro tha se kapitulli 27 i negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, është më i kushtueshmi, ndaj kriteret duhen plotësuar duke vendosur disa prioritete.
Mirela Kumbaro: Kapitulli 27, është kapitulli më i vështirë, më gjatë dhe më i kushtueshmi dhe për të cilin kemi arritur të negociojmë me sukses sot pasi na u miratua hapja, një periudhë tranzitore të konsiderueshme, pa të cilën nuk do t’i arrijmë ato kritere dhe puna ka filluar sepse po nuk i dhamë përparësi këtij sektori, ne nuk do t’i plotësojmë ato kritere, po nuk e futëm si prioritet hierarkinë e mbetjeve nga ndarja në burim dhe asgjësimi, qoftë edhe për të prodhuar energji apo biogaz, ne nuk do t’ia arrijmë; dhe sidomos po nuk u përfshi në mënyrë të detyrueshme edhe sektori privat brenda këtij detyrimi.