Tag: mbetjet

  • Nën kurthin e monopolit të mbetjeve

    Nën kurthin e monopolit të mbetjeve

    Mbetjet

    TIRANË- Edhe pse “Eco Cleaning” nuk arriti që të ngrinte stacionin e transferimit, shoqëria vijoi zbatimin e kontratës me Kamzën edhe katër vite të tjera, deri kur vendosi që të largohej vitin e shkuar, madje pa pritur vendimin në Apel. Administratori i shoqërisë thotë se zbatimi i mëtejshëm nuk ishte fitimprurës; sipas tij ishin shtuar kostot: paga minimale, karburanti; rrjeti rrugor ishte zgjeruar, kësisoj edhe kilometrat dhe numri i kazanëve. Ndaj dhe korrikun e shkuar, bashkia themeloi vetë ndërmarrjen e pastrimit për të vazhduar menaxhimin e mbetjeve. Por bashkia ndodhet njësoj e rrezikuar. As ajo nuk mund të ngrejë një stacion transferimi dhe me gjasë të pësojë të njëjtin fat si “Eco Cleaning”, e cila kjo e fundit, dështoi në ngritjen e stacionit në momentin kur nuk u pajis me leje mjedisore nga AKM. Dhe kur çështja shkoi në gjyq, gjyqtari vendosi në favor të AKM-së. Për të kuptuar këtë “përkrahje”, le t’i kthehemi vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë (Tiranë), në mars të 2019. “Eco Cleaning” paditi AKM, sepse kjo e fundit i refuzoi lejen mjedisore, që do të bënte të mundur ngritjen dhe operimin e stacionit të transferimit. Ngritja e stacionit ishte edhe një detyrim kontraktual, kundrejt bashkisë.
    Gjatë seancës, gjykata parashtroi se ngritja e stacionit krijonte mbivendosje shërbimesh në aktivitetin e “Integrated Energy”, e cila ka nënshkruar në vitin 2017 një kontratë koncensionare me MTM për menaxhimin e mbetjeve të qarkut të Tiranës në landfillin e Sharrës që përfshijnë edhe mbetjet e Kamzës. Objekt i kësaj kontrate është, ndër të tjera, edhe ndërtimi dhe operimi i veprave për mbetjet e Qarkut Tiranë. Impianti i diferencimit të mbetjeve ishte një nga veprat në fjalë. Pra diferencimi i mbetjeve përbënte detyrim kontraktual në të dyja marrëveshjet. Por gjykata ritheksoi atë çka thuhej në kontratën koncensionare të Sharrës se ngritja e sistemit të diferencimit mbetej një e drejtë ekskluzive dhe nuk mund të cënohej nga të tretë. Dhe në të vërtetë, në nenin 5.4.2. thuhet: “… (as) autoriteti kontraktues dhe as ndonjë entitet tjetër shtetëror, qoftë ky në nivel qëndror apo vendor, nuk do t’i japë askujt të drejta… (për) ndërtimin e impianteve në këtë zonë që do të sillte si pasojë rënien e sasisë  minimale të garantuar të mbetjeve”. Kuptohet, që në këtë mënyrë, shoqëria koncensionare në Sharrë siguron që çdo ton të përfundojë në landfill e nuk firon rrugës. Kështu, ekskluziviteti i cili ndalon ngritjen e stacionit të transferimit dhe të diferencimit, tashmë i përkrahur edhe në një vendim gjykate, mund të penalizojë, duke e detyruar që të dërgojë mbetjet e patrajtuara në Sharrë, jo vetëm Bashkinë e Kamzës, por të gjitha bashkitë e qarkut (përfshirë Tiranën).
    Mungesa e të ardhurave nga riciklimi i mbetjeve, rrit kostot e menaxhimit për bashkitë dhe demotivon ndarjen e mbetjeve në burim. Akoma më shumë, dërgimi i dëngjeve të patrajtuara të mbetjeve bashkiake, drejtpërdrejt, në Sharrë, e bën riciklimin joefektiv edhe për vetë shoqërinë koncensionare, pasi bashkimi i kategorive të ndryshme të mbetjeve urbane gjatë grumbullimit ul vlerën ekonomike të trajtimit, si dhe shton nevojën për venddepozitime të reja. Vënia e “Integrated Energy” në gusht 2023, nën masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” e që kësisoj administrohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), si dhe arratia e disa prej pronarëve përfitues të cilët ndodhen në kërkim nga Prokuroria Speciale, e bën të vështirë komunikimin me përfaqësuesit e shoqërisë; ndërkohë që kryetari i zgjedhur i Tiranës, i bashkisë e cila mbush rreth 70% të kapacitetit të landfillit të Sharrës, është arrestuar për korrupsion. Vendosa të dëgjoj se ç’mendonte për gjendjen e mbetjeve një prej ekspertëve dhe investitorëve më të rëndësishëm të industrisë së riciklimit në vend, Vullnet Haka, njëkohësisht, anëtar i bordit drejtues të shoqatës së ricikluesve. Haka ka spikatur prej vitesh në diskutimet publike për keqmenaxhimin e mbetjeve, ndonëse prej vitesh vendimmarrja refuzon të dëgjojë.
    “Nuk mund të dërgosh mbetje pa i ndarë, fillimisht nga vetë konsumatorët, e më pas, nëpërmjet dërgimit në stacione transferimi. Kjo mënyrë mbledhjeje është krim ekonomik. Ne humbasim të ardhura, vende pune, ndotim më shumë: tokën, ujërat, por edhe ajrin duke shtuar emetimet”. Ai fillon të shpjegojë me sigurinë dhe pagabueshmërinë e një eksperti, për gjëra të cilat shpesh janë të kuptueshme edhe për një auditor të patrajnuar. “Kur mbetjet e lëngshme marrin kontakt me mbetjet e ngurta kontaminojnë njëra-tjetrën; akoma më keq kur i fusim në kontenierë për t’i transportuar, sepse, praktikisht, kështu përzihen edhe më shumë nga leva e presimimit. Në të kundërt, nëse do t’i trajtonim ndarazi, përgjatë tërë zinxhirit të transferimit, nga grumbullimi nëpër kazanë e deri te prodhuesi përfundimtar, do të gjenerohej një ekonomi disa qindra dollarëshe për ton. Ndërkohë, duke i dërguar të patrajtuara në Sharrë, aktualisht paguajmë (bashkitë) jo më pak se 50€ për ton”. Në 4 shkurt shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k. i paralajmëroi bashkitë për “ezaurimin e kapacitetit depozitues” të Sharrës, që do të thotë se landfilli prej 15 ha, me kapacitet 2,900,000 tonë është mbushur.
    Në këto rrethana, ajo u kërkon bashkive ndarjen në burim, duke synuar frenimin e dërgimit të sasive të panevojshme të mbetjeve në landfill. Por nga ana tjetër, shoqëria nën sekuestro, ka kërkuar edhe zgjerimin e landfillit me kapacitet depozitimi prej 500,000 tonë. Por në kushtet kur landifilli ndodhet në prag të kolapsit ekologjik për shkak të ezaurimit të kapacitetit, mbushja e qelizës shtesë, përveç se do të groposte edhe 15 ml.€ të tjera nga buxheti, do të siguronte një zgjidhje të përkohshme dy vjeçare, nëse do të merrnin në konsideratë vetëm depozitimin e mbetjeve të Tiranës, pa llogaritur sasitë e bashkive të tjera. Çfarë mund të kërkohet pas dy viteve? Duket si kombinim mes alarmit dhe paradoksit. “Nuk ka ndarje në burim pa stacione transferimi, veçanërisht kur bashkitë nuk janë të vogla”, – konstaton Haka. “Është prioritizimi i tonazhit në kurriz të riciklimit dhe mospërballja me kostot reale që e ka shndërruar menaxhimin e mbetjeve në mision të pamundur” – përfundon ai.
    Në dokumentet e planit të ri të mbetjeve të Kamzës, ndarja, seleksionimi dhe riciklimi, por edhe kompostimi mbeten arritje të së ardhmes; shpesh, një formë që shërben për të pranuar, teorikisht, përgjegjësitë, por duke i shmangur detyrimet në praktikë. Kësisoj, duke ua shkarkuar kohës, burokratët ua kalojnë përgjegjësitë të tjerëve. Në tri dekada kemi operuar nën këtë premtim të rremë, dhe pa dhënë llogari. Përse të mos ishte hartimi dhe miratimi i një plani mbetjesh një moment krenarie e gëzimi për të zgjedhurit lokalë? Duket se kriza në brigjet e Tërkuzës ka kapluar edhe mendjet e nëpunësve bashkiakë. 
    Në kushtet e përplasjes, kur “ekskluziviteti” i kontratës së Sharrës, pengon ngritjen e stacionit të transferimit nga bashkitë e qarkut, vendosa t’i drejtohem akademike Aurela Anastasi, me kontribute në lëmin e së Drejtës Kushtetuese, për të parë mundësitë ligjore që mund të kundërshtojnë një situatë monopoliste. Anastasi vlerësoi se çështja kishte interes të madh publik që lidhej me të drejtën për një mjedis të shëndetshëm dhe që ishte një e drejtë kushtetuese. “Së pari, kërkohet një bashkërendim nga të dyja pushtetet. Por në mungesë të veprimit të organeve kompetente çështja mund të shtrohet përpara Gjykatës Kushtetuese nga organizata që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e mjedisit. Qytetarët kanë të drejtë të jetojë në një mjedis të pastër dhe jo vetëm Kamza, por çdo bashki është e detyruar t’ua sigurojë” –  këshilloi ajo. 
    Kur Kryeministri Rama mori pushtetin në 2013, përpjekja për të zgjidhur krizën e mbetjeve ishte nga punët e para të qeverisë që ai krijoi. Por ajo çka nisi me entuziazëm përfundoi me denoncime e me procese gjyqësore; me komisione hetimore e dënime penale për nëpunës të lartë e ministra të korruptuar. Menaxhimi i mbetjeve u shndërrua në aferën e mbetjeve. Me qindra e qindra raportime të dedikuara për mbetjet u bënë pjesë e një debati publik kronik. Sot, pas më shumë se një dekadë në pushtet, i të njëjtit kryeministër, emergjenca e mbetjeve vijon të kërcënojë mirëqënien ekonomike, hapësirën dhe shëndetin publik, ndërkohë që entuziazmi elektoral mungon. 
    Po zgjidhja është ende aty. Edhe njerëzit./nyje.al

  • Si vdiq Adolf Hitleri 80 vite më parë, fundi i një diktatori dhe fillimi i një misteri

    Si vdiq Adolf Hitleri 80 vite më parë, fundi i një diktatori dhe fillimi i një misteri

    Ishte data 30 prill 1945, akrepat shënonin 15:15, kur Adolf Hitleri kreu vetëvrasje në bunkerin e tij në Berlin, së bashku me Eva Braun, partneren e tij prej shumë vitesh.

    Në ato momente, Berlini ishte i rrethuar nga Ushtria e Kuqe dhe armët sovjetike dëgjoheshin nga bunkeri. Hitleri kishte refuzuar të largohej nga kryeqyteti dhe kishte vendosur të vdiste atje, duke u përballur me fundin e vet. Vdekja e tij ishte e lidhur drejtpërdrejt me fundin e regjimit të tij, që njihet si Rajhu i Tretë.
    Në ditët e fundit të jetës, i izoluar në bunker me disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, si Martin Bormann dhe Joseph Goebbels, Hitleri u përball me tradhtitë e bashkëpunëtorëve më të lartë si Hermann Göring dhe Heinrich Himmler, të cilët tentuan të merrnin pushtetin apo të bënin paqe me aleatët perëndimorë. Kjo e tronditi thellë dhe përshpejtoi vendimin e tij për vetëvrasje.
    Pas martesës së tij me Eva Braun në natën mes 28 dhe 29 prillit, Hitleri diktoi testamentin e tij, ku caktoi si pasardhës admiralin Karl Dönitz. Më 30 prill, pasi përshëndeti për herë të fundit bashkëpunëtorët e tij, ai u mbyll me Evën në dhomën e tij. Pak më vonë, u gjet i vdekur me një plagë plumbi në kokë, ndërsa Eva kishte pirë helm. Trupat e tyre u dogjën në oborrin e Kancelarisë, siç kishte urdhëruar vetë ai, për të shmangur poshtërimin publik nga armiqtë. Mbetjet u varrosën aty pranë.

    Megjithëse sovjetikët i gjetën mbetjet disa ditë më vonë dhe i identifikuan përmes analizave dentare dhe dëshmive të dentistëve të tij, Stalini zgjodhi të mos e publikonte këtë informacion. Përkundrazi, ai shtoi dyshimet duke thënë se Hitleri mund të ishte arratisur në Spanjë apo Argjentinë. Kjo deklaratë ushqeu për dekada teori konspirative dhe shtyu FBI-në, CIA-n dhe shërbimet britanike MI6 të hetonin dhjetëra raportime për shfaqje të supozuara të Hitlerit në Europë dhe Amerikën Latine.
    Në fakt, të gjitha dëshmitë e njerëzve që ishin në bunker – si shoferi, sekretarja, infermierët dhe oficerët – përputheshin: Hitleri kishte vdekur në Berlin. Britanikët, në vitin 1947, përgatitën një raport të detajuar nga historiani Hugh Trevor-Roper, i cili përforcoi këtë version. E njëjta histori u konfirmua edhe nga një dosje sekrete e hartuar për Stalinin, e cila u publikua vetëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
    Për vite me radhë, mbetjet e Hitlerit dhe të figurave të tjera naziste si Goebbels, gruaja dhe fëmijët e tij, u mbajtën të fshehura nga kundërspiunazhi sovjetik. Fillimisht u varrosën në një pyll në Brandenburg, pastaj në një bazë ushtarake në Magdeburg. Por në vitin 1970, kur baza iu dorëzua Gjermanisë Lindore, KGB-ja urdhëroi që mbetjet të digjeshin dhe të zhdukeshin përgjithmonë për të shmangur që ndonjëherë të bëheshin vend pelegrinazhi për neonazistët. U dogjën në fshehtësi të plotë dhe u hodhën në lumin Elba, ose sipas disa burimeve, në kanalizimet e qytetit.
    Gjithsesi, pjesë të dhëmbëve dhe kafkës së Hitlerit u ruajtën në selinë e KGB-së në Lubjanka, Moskë. Në vitin 2017, një grup studiuesish francezë, nën mbikëqyrjen e autoriteteve ruse, krahasuan këto mbetje me radiografitë dentare të Hitlerit dhe vërtetuan pa dyshim se i përkisnin atij. Kjo konfirmoi zyrtarisht se Hitleri kishte vdekur në bunkerin e tij në Berlin. Studiuesi Jean-Christoph Brisard tha se Stalini qëllimisht e mbajti misterin gjallë për të pasur përparësi mbi aleatët dhe për të mbajtur kontrollin mbi narrativën historike.
    Sot, mbetjet e vetme që ekzistojnë janë një pjesë e kafkës dhe disa dhëmbë – të ruajtura në mënyrë simbolike në një kuti disketash dhe një kuti purosh në arkivat e Moskës.

    Top Channel

  • Vdiq 5000 vjet më parë/ Eshtrat e ‘gruas elitare’ zbulohen në vendin e ish-grumbullimit të plehrave në Peru

    Vdiq 5000 vjet më parë/ Eshtrat e ‘gruas elitare’ zbulohen në vendin e ish-grumbullimit të plehrave në Peru

    Arkeologët në Peru njoftuan se gjetën mbetjet 5000-vjeçare të një gruaje fisnike në qytetin e shenjtë të Caral, në një zonë që për dekada përdorej si një vendgrumbullim mbeturinash. Zbulimi i ri tregon rolin e rëndësishëm që luanin gratë në qendrën më të vjetër të qytetërimit në Amerikë, thanë studiuesit.

    “Ajo që është zbuluar korrespondon me një grua që me sa duket kishte status të ngritur, një grua elitare”, tha për AFP arkeologu David Palomino.

    Mumja u gjet në Aspero, një vend i shenjtë brenda qytetit të Caral që ishte një vendgrumbullim mbeturinash për më shumë se 30 vjet, derisa u bë një vend arkeologjik në vitet 1990.

    Palomino tha se mbetjet e ruajtura me kujdes, që datojnë në 3,000 vjet para Krishtit, përmbanin lëkurë, një pjesë të thonjve dhe flokëve dhe ishin mbështjellë me një qefin të bërë nga disa shtresa pëlhure dhe një mantel me pupla makau. Makaus janë zogj shumëngjyrësh që i përkasin familjes së papagallëve.

    “Ky është një varrim i jashtëzakonshëm për shkak të ruajtjes së lëkurës, flokëve dhe thonjve, një gjendje e rrallë në këtë zonë, ku zakonisht zbulohen vetëm mbetjet skeletore,” tha ministria e Kulturës e Perusë në një njoftim për shtyp.

    Analizat paraprake tregojnë se eshtrat e gjetura në dhjetor i përkasin një gruaje midis 20 dhe 35 vjeç, e cila ishte rreth 5 metra e gjatë dhe e veshur me një mbulesë koke – e bërë me tufa fijesh të përdredhura – që përfaqësonte statusin e saj të ngritur shoqëror.

    Palomino u tha gazetarëve se zbulimi tregoi se ndërsa, “përgjithësisht mendohej se sundimtarët ishin burra, ose se ata kishin role më të spikatura në shoqëri”, gratë “kishin luajtur një rol shumë të rëndësishëm në qytetërimin Caral”.

    Shoqëria Caral u zhvillua midis viteve 3000 dhe 1800 pes, afërsisht në të njëjtën kohë me kulturat e tjera të mëdha në Mesopotami, Egjipt dhe Kinë.

    Qyteti ndodhet në luginën pjellore Supe, rreth 115 milje në veri të Limës dhe 12 milje nga Oqeani Paqësor.

    Ai u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të OKB-së në vitin 2009.

    Ministria e Kulturës tha se zbulimi vjen pas varrimeve të tjera elitare të gjetura në Áspero, duke përfshirë “Zonjën e Katër Tupus” më 2016 dhe “Mashkullin Elit” më 2019.

    Në fillim të këtij muaji, studiuesit që kryenin punë gërmimi në Perunë jugore gjetën një varr të lashtë të mbushur me eshtrat e dy duzinë njerëzish, që besohet se ishin viktima të betejës./CBS News.

  • ‘Mbledhësi i kockave’/ Zbulohet vemja mishngrënëse e cila mban mbetjet e viktimave të saj në kurriz, “maskohet” për të mos u dalluar nga merimangat

    ‘Mbledhësi i kockave’/ Zbulohet vemja mishngrënëse e cila mban mbetjet e viktimave të saj në kurriz, “maskohet” për të mos u dalluar nga merimangat

    Një specie e re vemjesh mishngrënëse, endemike në ishullin Hawai të Oahu, ka fituar pseudonimin “mbledhës kockash” për shkak të zakonit të saj për të “dekoruar” trupin e saj me mbetjet e gjahut të saj. Ky insekt i çuditshëm zvarritet përgjatë rrjetave të merimangës, konsumon insektet e bllokuara dhe më pas dekoron guaskën e saj të mëndafshtë me mbetjet e trupave të tyre.

    “Ka vemje të tjera mishngrënëse që bëjnë lloj-lloj gjërash të çmendura, por kjo i kalon të gjitha”, tha Dan Rubinoff, autor i studimit dhe studiues në Universitetin e Hawait.

    Sjellja unike e vemjes e dallon atë nga vemjet e tjera të njohura mishngrënëse. Dekorimi i tij makabër, një koleksion ekzoskeletesh dhe mbetje të tjera, ofron një pasqyrë magjepsëse në mënyrën e tij të jetesës.

    Shkencëtarët besojnë se dekorimi mund të veprojë si kamuflazh, duke lejuar vemjen të hajë vaktet e kapura të merimangës pa u vënë re.  Shumë vemje që jetojnë në Hawaii përdorin gjëndra mëndafshi për të endur kuti mbrojtëse nga likeni, rëra dhe materiale të tjera. Ky është i pari që përdor kokat e milingonave dhe krahët e mizave.

    Studimi u publikua pak ditë më parë në revistën Science. Shkencëtarët arritën të identifikojnë vetëm 62 vemjet e kësaj specie në mbi 20 vjet vëzhgim.

    Vemjet mishngrënëse janë jashtëzakonisht të rralla dhe “mbledhësit e kockave” që gjenden në Hawaii madje hanë njëri-tjetrin, sipas studiuesve. Origjina e tyre daton të paktën 6 milionë vjet më parë, duke i bërë vemjet më të lashta se vetë Ishujt Havai. Sot, ata jetojnë në një zonë të izoluar të pyjeve malore.

  • Si të pastrojmë krehërin për një higjienë më të shëndetshme të flokëve

    Si të pastrojmë krehërin për një higjienë më të shëndetshme të flokëve

    Pastrimi i krehërit nuk është vetëm një çëshje pastërtie e vet aksesorit në aspektin e higjiënës por duhet treguar me të vërtetë një kujdes në mirëmbajtjen e tij. Nëse krehëri përdoret në mënyrë frekuente dhe të shpeshtë, dhe pa i larguar asnjëherë mbetjet e fijeve të flokëve që mbeten aty, është me rrezik.

    Mbetjet e produkteve kozmetike që përdorim për flokët, për stilimin, fijet e flokëve që qendrojnë aty pas çdo krehje, pluhuri dhe papastërtitë që krijohen në pjesët e sipërfaqes së krehërit janë shkaktarët kryesorë nëse vazhdojmë të kemi flokë të yndyrshëm dhe jo të shndritshëm edhe pasi i keni larë ato.

    Ndonjëherë, përdorimi i përsëritur i tij pa treguar ndonjë kujdes të veçantë për higjienën e krehërit, mund të shkaktojë probleme irritimi dhe infeksione të ndryshme. Ja pse është e rëndësishmë të dimë se kur dhe sa herë duhen larë krehërat e flokëve, për një flokë të shëndetshëm dhe të shndritshëm.

    Si të veprojmë?

    -Fillimisht, hapi i parë është largimi i fijeve të flokëve të mbetura në krehër, me ndihmën e ndonjë furçe dhëmbësh nëse nuk arrini dot ti hiqni me dorë.

    -Më pas vendoseni në një enë me ujë të freskët dhe me pak detergjent, sapun neutral ose shampoo delikate. Përdorimi i një furçe dhëmbësh sërish mund të ndihmojë në eliminimin e papastërtive të mundshme dhe në fund të shplahet me ujë të ftohtë dhe të bollshëm.

    -Në fund, vendoseni diku që të kullojë dhe të thahet dhe duke u siguruar për tharjen e tij të plotë edhe me ndihmën e një peshqiri.

    Ky ritual duhet të praktikohen 1 herë në 2-3 javë dhe nuk duhet neglizhuar.

  • Fusha e mbetjeve të Vlorës/ Vazhdojnë të hidhen në landfillin që digjet çdo tre muaj

    Fusha e mbetjeve të Vlorës/ Vazhdojnë të hidhen në landfillin që digjet çdo tre muaj

    Mbetjet urbane të qytetit të Vlorës vijojnë të depozitohen tek vendgrumbullimi në zonën e lagjes Kushtrimi në Vlorë jashtë çdo standardi.

    Një javë më parë zjarret u rikthyen në këtë zonë duke shkaktuar tym toksik. Kryetari i bashkisë tha se nga fundjava që kaloi asnjë kamion me mbetje nuk do të shkarkohej këtu. Por këtë fillim jave kamionët vijonin punën.
    Mbetjet sipas bashkisë do të kalonin në landfillin e ri të Sherrishtës por mbetjet po shkarkohen në të njëjtin vend duke mbuluar edhe linjën hekurudhore e duke përfunduar edhe në hidrovorin e qytetit. Ata që e ngrenë zërin më shumë janë banorët e lagjes “Kushtrimi”.
    Ndërkohë që punimet në Lanfillin e Sherishtës ende nuk ka përfunduar ndërsa duhet ndërtuar kanali i sistemimit të ujërave të ndotura që do dalin nga mbetjet. Ndërsa sezoni turistik në Vlorë thuajse ka nisur mbetjet nuk janë larguar.

    Top Channel